ATV

Author: G.O.

  • ‘Nxehet’ Superliga/ Llapi merr tri pikë të reja dhe i ofrohet një pikë Ballkanit

    ‘Nxehet’ Superliga/ Llapi merr tri pikë të reja dhe i ofrohet një pikë Ballkanit

    Me dy ndeshjet e zhvilluara sot është kompletuar edhe xhiro e 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.

    Skuadra e Llapit ka regjistruar një tjetër fitore duke e mposhtur Fushë Kosovën me rezultat 3-0. Për skuadrën e Tahir Batatinës golat i shënuar Namani, Hyseni dhe Blakqori, ndërsa skuadra vendase luajti për 25 minuta me një lojtarë më pak ën fuashë.

    Me këtë fitore, Llapi ngjitet në kuotën e 43 pikëve, vetëm një më pak se Ballkani që është lider i tabelës, raporton KosovaPress.

    Ndeshja tjetër, ajo ndërmjet Dukagjinit dhe Lirisë përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 2-1. Skuadra nga Klina kaloi në epërsi në minutën e 14 me golin e Zylfiut, por prizrenasit barazuan në minutën e 70’ me golin e Spahiut, por fitoren skuadrës Dallkut ia siguroi Morina me golin e tij në minutën e 90-të.

    Dukagjini ka 30 pikë në vendin e gjashtë, kurse Liria është e fundit në tabelë me 9 pikë.

  • ​Emërohet drejtori i ri i sportit në Komunën e Prishtinës

    ​Emërohet drejtori i ri i sportit në Komunën e Prishtinës

    Bardh Krasniqi është emëruar në postin e drejtorit të Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.

    Kështu ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se Krasniqi vjen në këtë pozitë si profesionist për ta çuar edhe më përpara fushën e sportit.

    Postimi i plotë i Ramës në Facebook:

  • Dëshmitari Kurtaj thotë se deri pas luftës s’ka pasur njohuri për strukturën e UÇK-së

    Dëshmitari Kurtaj thotë se deri pas luftës s’ka pasur njohuri për strukturën e UÇK-së

    Dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZSP) me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, po vazhdon dëshminë e tij edhe të enjten në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurtaj ka thënë se nuk e di si është bërë Shukri Buja komandant i Zonës Operative në Nerodime.

    Dëshmitarin po vazhdon ta marrë në pyetje avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, i cili në fillim të pyetjeve të tij u fokusua te kyçja e dëshmitarit në UÇK, emërimet e komandantëve të Brigadës 162 në Kaçanik, për strukturën e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes dhe komandantin e kësaj zone, Shkuri Buja.

    Dëshmitarit ka theksuar se në UÇK është kyçur vullnetarisht dhe se për këtë, ai ka diskutuar me vëllain e tij, Xheladin Kurtaj, që sipas tij tani është Hero i Kombit dhe me komandantin e atëhershëm të Brigadës 162, Agim Bajramin.

    Sipas dëshmitarit, ai nuk ka pasur njohuri deri pas lufte për strukturën e UÇK-së në Nerodime dhe as si ishte emëruar komandant i saj Shukri Buja.

    Po ashtu, Kurtaj tha se nuk e di si dhe kush e kishte emëruar Agim Bajramin komandant të Brigadës 126, dhe as Qamil Ilazin që e zëvendësoi Agim Bajramin pas rënies së tij në fushëbetejë.

    Ashtu si dje, edhe sot seancën përmes video-lidhjes janë duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. / Betimi për Drejtësi

  • Deputetët s’votuan, shtyhet shqyrtimi Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

    Deputetët s’votuan, shtyhet shqyrtimi Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor

    Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk ka mundur të votohet në Kuvendin e Kosovës për shkak të kuorumit, ndërsa është shtyrë për një seancë tjetër, raporton Ekonomia Online.

    Paraprakisht, për një amendament i propozuar nga deputeti i VV-së, Visar Korenica, nuk u bë kuorumi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kuorumi s’u bë “sepse një deputet i mazhorancës qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e projektligjit”.

    Deputeti i VV-së, Visar Korenica, ka thënë se ligji si i tillë është problematik. Ai ka kërkuar që e drejta riprodhuese t’i njihet vetëm çiftit dhe jo individit.

    “Amandamentet që i kemi propozuar jemi një pjesë e grupit të deputetëve të LVV pra dhjetë. Ky ligj ka prodhuar një debat të gjerë dhe është problematik nëse kalon kështu siç është. Sepse drejtpërdrejt cenohet institucioni i familjes. Kërkojmë me këtë amandament të katër që e drejta riprodhuese t’i takojë çiftit që të vendosin nëse duan të kenë fëmijë. Jo t’i jepet e drejta individit por të përcaktohet e drejta tek çiftet”, ka thënë Korenica.

  • Shtyhet shqyrtimi i projekt-rezolutës për çështjen e emigrimit

    Shtyhet shqyrtimi i projekt-rezolutës për çështjen e emigrimit

    Është shtyrë shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se propozuesit e rezolutës për këtë temë, PDK-ja, nuk janë të pranishëm. Për këtë arsye, kërkoi që kjo pikë të trajtohet në një seancë tjetër.

    “Sot në këtë seancë deputetët e PDK-së që e kanë propozuar këtë rezolutë nuk janë këtu meqë janë në një udhëtim zyrtar. Prandaj, propozoj të hiqet nga rendi i ditës për sot dhe të vendosë kryesia se kur mund te trajtohet në një seancë tjetër”, ka thënë ai.

    Kurse, është tërhequr nga votimi në lexim të dytë Projekt-Kodi doganor dhe i akcizave.

    Po ashtu, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra, u bart për një seancë tjetër meqë vetëm 58 deputetë morën pjesë në votim edhe pse ishin mbi 70 në sallë.

    U miratua në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji, dhe ai për rregullat e trafikut rrugor me 142 amandamente.

  • Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së, e papranueshme

    Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së, e papranueshme

    Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) është e papranueshme, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme” ka thënë Stano.

    Të mërkurën, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

    Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

    Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim për 27 shkurt.

    Ai tha se festa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, megjithatë, nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.

    “Zakonisht në nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano.

    Ai shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, ku u diskutua çështja e dinarit, sipas tij.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.

    Stano tha se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

    Ai e përsëritur qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.

    “BE dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kontra produktiv, dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut” theksoi Stano.

    “Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane” paralajmëroi ai.

    Edhe më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel, duke mos e pranuar kërkesën e Kosovës që ato të bisedojnë drejtpërdrejt me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

    Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

    Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj./REL/

  • Emërohet kryeshefi ekzekutiv në KEK

    Emërohet kryeshefi ekzekutiv në KEK

    Bordi i Drejtorëve të KEK-ut njoftoi se ka emëruar kryeshefin ekzekutiv dhe zëvendës kryeshefin, gjatë një mbledhje të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

    Sipas një njoftimi dërguar mediave thuhet se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energetike të Kosovës është emëruar Bekir Gërguri, ndwrsa gjithashtu ka emëruar Ramadan Budakova në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre).

    Tutje, bëhet e ditur se Përparim Kabashi është kthyer në detyrat dhe përgjegjësitë e tij të cilat i ka ushtruar para emërimit të tij në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre).

  • Superliga vazhdon sot me dy ndeshje

    Superliga vazhdon sot me dy ndeshje

    Xhiro e 21-të e Superligës së Kosovës do të kompletohet sot pasi të zhvillohen edhe dy ndeshje e mbetura.

    Në Klinë do të zhvillohet dueli interesant ndërmjet Dukagjinit dhe Lirisë, dy skuadra të cilat në xhiron e fundit u mposhtën nga Llapi, përkatësiht Drita, raporton KosovaPress.

    Dueli tjetër do të jetë ai ndërmjet Fushë Kosovës dhe Llapit, me skuadrën e trajneri Tahir Batatina që synon vetëm fitoren pasi me tri pikë të reja do t’i ofrohej Ballkanit në vetëm një pikë duke u bërë kështu kandidat shumë serioz për titullin e kampionit.

    Ballkani është lider i Superligës së Kosovës me 44 pikë, kurse Llapi është i dyti me 40 sosh.

    Të dy ndeshjet nisin nga ora 13:00.

    Ndërsa të mërkurën u zhvilluan tri ndeshje dhe u arritën rezultate e më poshtme:

    Drita 1-0 Ballkani

    Feronikeli 0-0 Gjilani

    Prishtina 0-2 Malisheva

  • Hapet thirrja për edicionin e tetë “Burbuqe Berisha”- PITF 2024

    Hapet thirrja për edicionin e tetë “Burbuqe Berisha”- PITF 2024

    Festivali Ndërkombëtar i Teatrove – Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” dhe Teatri AAB “Faruk Begolli” nga Prishtina, kanë hapur thirrjen për aplikim për të gjitha teatrot, kompanitë teatrore që të aplikojnë për projektet e tyre për pjesëmarrje në edicionin e tetë të PITF 2024,  i cili do të mbahet nga 20-26 Maj 2024.

    Lidhur me këtë, e ftuar në emisionin “Alarm”, në ATV ka folur drejtoresha artistike e këtij festivali, Doruntina Alshiqi.

    Alshiqi tha se edhe për këtë edicion ka interesim të lartë të aplikuesve nga vende të ndryshme të botës, derisa përmendi se pritet të ketë edhe risi të reja lidhur me këtë festival.

    “Ka pasur një interesim të madh ende pa e hapur aplikimi dhe jemi shumë të kënaqur që ka pasur kaq aplikime nga shumë teatro botërore të ndryshme që kanë apliku për këtë edicion. Besoj që për shikuesit do të jetë një ndër edicionet më të mira që kemi pasur ndonjëherë, sepse do të ketë edhe risi të reja, si për ndarjen e çmimeve, ashtu edhe tek pjesa se ku do të mbahen shfaqjet. Vlen të theksohet se ka pasur interesim edhe nga disa shtete jashtë Evropës, të tilla si Iraku, Koreja Jugore, Brazili, etj”, tha ajo.

    Ndryshe, ky festivali ka karakter garues, me një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan Çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.

    Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve./atvlive.tv/

  • Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e brishtë, mund të përkeqësohet

    Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e brishtë, mund të përkeqësohet

    Shefi i misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka vlerësuar gjendjen në veri dhe në përgjithësi në Kosovë të qetë, por ende e brishtë.

    Ai tha se “ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjatë muajit shtator, me sulmin e rëndë në Bansjkë, ku humbi jetën rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”.
    Në një intervistë për “A2CNN” ai foli edhe për mos kryerjen e hetimeve nga EULEX-i për rastin e Banjskës.

    “Nuk është çështje që të vendoset për të mos kryer hetime. Thjesht EULEX-i nuk ka mandat të kryejë hetime që nga viti 2018. Mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh asnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës. EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi. EULEX-i gjithashtu garanton që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe në aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe në rast të paraburgimit nga sistemi korrektues në Kosovës”, tha Barbano.

    Ai tha se EULEX ishte i pranishëm në Banjskë edhe gjatë sulmit të armatosur.

    “Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ne jo vetëm monitorojmë por edhe këshillojmë në fusha të ndryshme; mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Ne ishim të pranishëm në Banjskë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e policisë së Kosovës . Menaxhuam hetimet për pelegrinët, shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit asi përfunduan të gjitha operacionet”, ka thënë ai.

    Barbano ka folur edhe lidhur me atë nëse ka pasur ndonjë kërkesë nga autoritetet e Kosovës për të ndërmjetësuar për ekstradimin e të dyshuarve në rastin e Banjskës.

    “EULEX-i është përgjegjës për bashkëpunimin policor, bashkëpunimin policor ndërkombëtar, lehtësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet policisë së Kosovës dhe shërbimeve policore ndërkombëtare, përfshirë Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Kur bëhet fjalë për ekstradimin, ky është bashkëpunim ndërkombëtar gjyqësor, i cili nuk është pjesë e mandatit tonë. Megjithatë, ne lehtësojmë shkëmbimin e informacionit nga policia e Kosovës, zbatimin e ligjit ndërkombëtar, njësia kriminale dhe Interpoli. Por përgjegjësia për ekstradimin dhe njoftimin kalon përmes UNMIK-ut dhe subjekteve të tjera.

    Barbano tregoi edhe për shqetësimet e tij në krye të misionit të BE-së për sundimin e ligjit.

    “Vettingu në sundimin e ligjit, institucionet dhe sistemin e drejtësisë është një mekanizëm që do të garantojë integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Pra, është një sistem që është i rëndësishëm, është parësor për dhënien e një sistemi të drejtë drejtësie. Megjithatë, modalitetet përmes të cilave mundësohet bien nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës. EULEX-i sërish është duke i monitoruar zhvillimet në këtë fushë, duke ndihmuar edhe me këshilla kur kërkohet dhe duke ndihmuar edhe kujdesin e aktiviteteve nga grupet punuese në kuadër të të ashtuquajturës deklaratë të angazhimit të përbashkët, të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me pjesëmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshilli i Drejtësisë”,ka thënë Barbano.