ATV

Author: G.O.

  • Tërmet në Kroaci, dridhjet ndihen edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës

    Tërmet në Kroaci, dridhjet ndihen edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës

    Një tërmet i ri me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter ka goditur Kroacinë rreth orës 7 të mëngjesit, ka bërë të ditur Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC).

    Ky është tërmeti i katërt i regjistruar në Kroaci që nga mëngjesi i sotëm.

    Rreth orës 5 të mëngjesit EMSC njoftoi se një tërmet me magnitudë 3.7 ishte regjistruar 24 kilometra në jugperëndim të Metkoviqit, 54 kilometra në jug të Mostarit dhe pesë kilometra në jugperëndim të Neum në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Tërmeti ka qenë në një thellësi prej 6 kilometrash, ndërsa është ndjerë edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

    Më pas u regjistruan dy tërmete të tjera më të dobëta me magnitudë 2.6 ballë.

    Sipas të dhënave të Institutit Sizmologjik të Serbisë, tërmeti është regjistruar edhe në Mal të Zi gjatë mëngjesit. Ai tërmet ishte me magnitudë 2.2 ballë.

  • Basketboll/ Kosova sot përballet me Irlandën

    Basketboll/ Kosova sot përballet me Irlandën

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të nis sot rrugëtimin në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027.

    Sfidën e parë Dardanët e zhvillojnë sot ndaj Irlandës në Prishtinë, derisa sfidën e dytë ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt në udhëtim.

    Raundi i parë parakualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA ​​2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.

    Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.

  • Kuvendi sot mban seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Kuvendi sot mban seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

    Sot do të vazhdojë seanca plenare me pikat e papërfunduara.

    Në rend të ditës do të jenë 30 pikat e papërfunduara të seancave të datës 8 dhe 14 shkurt.

    Seanca pritet të nisë në orën 11:00.

    Rendi i ditës:

    Vazhdimi i Seancës plenare

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 14 shkurt 2024:

    22. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    23. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    25. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    26. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    27. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    28. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    33. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    36. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    37. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    38. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    39. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    40. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    41. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

  • Ministri Maqedonci pritet në takim nga homologu finlandez, Antti Hakkanen

    Ministri Maqedonci pritet në takim nga homologu finlandez, Antti Hakkanen

    Më ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Finlandës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka qëndruar në Finlandë, ku është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen.

    Sipas një komunikate thuhet se në këtë takim, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij finlandez rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë rreth sigurisë në Republikën e Kosovës dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Gjithashtu, ai e informoi rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik.

    Nga ana e tij, ministri Hakkanen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes. Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.

    Po ashtu, ministri Maqedoni dhe delegacioni i tij në MM, vizituan edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE-së për kërcënimet hibride (Hybrid CeO), ku me drejtoreshën e kësaj Qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride.

  • Vdekja e 4-vjeçares, Vitia: Cilido që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor, duhet të ketë masa, pa vonesë

    Vdekja e 4-vjeçares, Vitia: Cilido që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor, duhet të ketë masa, pa vonesë

    Pas vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Gjakova, ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se janë të njoftuar për pretendimet e prindërve në raport me trajtimin e 4-vjeçares nga ana e mjekëve, duke shtuar se kushdo që është përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.

    “Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”,  ka shkruar ai.

  • Osmani me ambasadorët e QUINT-it flasin për dinarin dhe për zgjedhjet në katër komunat në veri

    Osmani me ambasadorët e QUINT-it flasin për dinarin dhe për zgjedhjet në katër komunat në veri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë, Mathias Conrad me të cilët u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e politikës dhe atë të sigurisë.

    Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, thuhet në komunikatë.

    Në takim me ambasadorët, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje. Heqja e masave, theksoi ajo, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta.

    Më tej në njoftim thuhet se gjatë takimit ajo ritheksoi se për fat të keq Serbia nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj e as për sulmin e agresionit kundër Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

    “Kjo situatë, sipas saj, mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon”, thuhet në njoftim.

    Në fund thuhet se një pjesë e takimit iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, me ç’rast Presidentja ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë.

    “Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë”.

  • Marcus Thuram pritet të humbasë dy ndeshje për shkak të lëndimit

    Marcus Thuram pritet të humbasë dy ndeshje për shkak të lëndimit

    Ndeshja e Marcus Thuram kundër Atleticos së Madridit në Ligën e Kampionëve zgjati vetëm një pjesë.

    Sulmuesi i Interit u ndal pas 43 minutash pasi goditi drejt portës kundërshtare, për shkak të një problemi fizik: kontrollet janë planifikuar për tu bërë të enjten e 22 shkurtit, por me siguri lojtari do të mungojë ndaj Leces dhe Atalantës.

    Ai ishte ndër më të frymëzuarit në pjesën e parë, por ndeshja e tij përfundoi në minutën e 45-të. Marcus Thuram u ndal në fakt në minutat e fundit të pjesës së parë të sfidës Inter-

    Atletico Madrid, ndeshja e parë e fazës së 1/8-ve të finales të Ligës së Kampionëve, duke ndjerë dhimbje në këmbë.

    Sulmuesi qëndroi në fushë deri në pjesën e parë, por më pas francezit iu desh të ngrinte flamurin e bardhë.

    Sulmuesi me siguri do të humbasë ndeshjen e radhës kundër Leces (25 shkurt) dhe ndeshjen ndaj Atalantës më 28 shkurt. Por gjithqka mbetet për tu parë pas rezultatetev të kontrolleve.

  • Tuchel do të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit

    Tuchel do të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit

    Trajneri Thomas Tuchel do të largohet përfundimisht nga kampionët e Bundesligës, Bayern Munich, në përfundim të sezonit 2023/24.

    Bayern Munich ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes së ndërsjellët me trajnerin gjerman për ndarjen mes veti në fund të qershorit të këtij viti.

    “FC Bayern Munich dhe kryetrajneri Thomas Tuchel kanë vendosur së bashku t’i japin fund bashkëpunimit, i cili fillimisht ishte planifikuar të përfundonte më 30 qershor 2025, më 30 qershor 2024”.

    Kjo vjen pas tre humbjeve radhazi për Bayernin, duke përfshirë një humbje jashtëzakonisht të dëmshme 3-0 ndaj liderit të ligës Bayer Leverkusen, i cili tani qëndron tetë pikë larg në krye të tabelës.

    Tuchel e mbajti mezi punën e tij sezonin e kaluar, pasi Bayern siguroi titullin e Bundesligës në ditën e fundit falë një goli të vonshëm fitues nga Jamal Musiala.

    Titulli nuk ishte as në duart e Bayernit pasi Dortmundi nuk arriti të fitonte ndeshjen e tyre të fundit, duke i dhënë përfundimisht titullin Tuchelit.

    Duke pasur parasysh blerjen e Harry Kane në verë, Tuchel pritej të kishte një kohë më të lehtë në Gjermani duke marrë parasysh humbjen e Jude Bellingham për Dortmundin.

    Megjithatë, skuadra e Xabi Alonsos duket se ka dalë nga hiçi dhe rekordi i pamposhtur i liderëve duket se i ka kushtuar me detyrë Tuchelit.

  • Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania e Madhe ka vendosur sanksione të mërkurën kundër gjashtë udhëheqësve të burgut të largët të Arktikut, ku vdiq lideri opozitar rus, Alexei Navalny, javën e kaluar.

    Të sanksionuarit, përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e burgut, e kanë të ndaluar hyrjen në Britani të Madhe tani, ndërsa asetet e tyre do të ngrihen, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron.

    “Është e qartë se autoritetet ruse e kanë parë Navalnyn si kërcenim dhe vazhdimisht u përpoqën ta heshtnin”, tha Cameron.

    “Personat që janë përgjegjës për trajtimin brutal që ia bënë Navalnyt duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se ne do t’i mbajmë përgjegjës”, shtoi ai.

    Autoritetet ruse në Arktik njoftuan më 16 shkurt për vdekjen e Navalnyt.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e promovoi zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit në burgun e Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

    Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

    Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

    Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e Navalnyt, pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

    Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

    Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

    Navalny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

    Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

    Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg./REL/

  • Deliu-Kodra për dështimin e mbledhjes së Kryesisë: Po shohim degradim e zvarritje në punën e institucionit

    Deliu-Kodra për dështimin e mbledhjes së Kryesisë: Po shohim degradim e zvarritje në punën e institucionit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, konsideron se ka degraduar puna në Kuvendin e Kosovës, pasi po zvarriten shumë pikat të rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

    Pas dështimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Deliu-Kodra, tha se kërkesa e tyre për Projekt-rezolutën për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, do të diskutohet javën e ardhshme.

    “E pat se sot nuk kishte kuorum për mbledhje po e shohim që ka një degradim të punës, janë disa pika që presin të shqyrtohen e ne kemi zvarritje në punën e institucionit. Javën e ardhshme PDK-ja do ta shqyrtoj migrimin e qytetarëve të Kosovës, do të shohim nëse Qeveria do jetë prezentë”, tha ajo.