ATV

Author: G.O.

  • Humb jetën një person në Skenderaj, dyshohet se u mundua ta shuaj zjarrin në pyll

    Humb jetën një person në Skenderaj, dyshohet se u mundua ta shuaj zjarrin në pyll

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e hënë në fshatin Rezall të Skenderajt, ku një person ka humbur jetën derisa ishte duke tentuar ta shuaj zjarrin në mal.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 18:00.

    “Pas pranimit të një informate për një person të lënduar, njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ku në një fushë kanë hasur viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Dyshohet se viktima ka vdekur duke u munduar ta shuaj zjarrin që ishte duke u djegur një fushë e lirë dhe një pjesë e pyllit (malit) pronë e tij, e cila është lokalizuar nga njësiti zjarrfikës”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion.

  • Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

    Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

    Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

    Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

    “Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.

    Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.

    Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.

    Zelensky ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit.

    “Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks.

    Ai e vizitoi këtë qytet vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

    Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve./REL/

  • Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, dyshohet se u shkaktua nga një cigare

    Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, dyshohet se u shkaktua nga një cigare

    Shtëpia e pleqve në Prishtinë mbrëmë është përfshirë nga zjarri. Nga shpërthimi i zjarrit fatmirësisht nuk pati të lënduar.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë të frymëmarrjes nga tymi.

    “Dje rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, ka thënë Ahmeti.

    Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatëse të drejtorëve, vizituan vendin e ngjarje.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Në këtë rast gjyqësor, gjykatësit ditë më parë vendosën që të mos përcaktonin kufizime për “vizitat private”, që do të thotë se vizitat speciale me bashkëshortet ose partneret dhe/ose fëmijët e të paraburgosurve do të kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.

    Në vendimin e 9 shkurtit, Trupi Gjykues shqyrtoi informacion nga Zyra Administrative në lidhje me raste të tjera të nxjerrjes së informacionit konfidencial gjatë vizitave dhe u shpreh se “në të paktën dy raste, z. Selimi u përmendi dy palëve të paautorizuara informacion konfidencial në lidhje me dy dëshmitarë të mbrojtur, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial. Po kështu, z. Thaçi u përmendi informacion konfidencial dy anëtarëve të familjes së tij, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial”.

    Megjithatë, Trupi Gjykues përsëri nuk vendosi kufizime për vizitat private me bashkëshortet ose partneret dhe fëmijët. Megjithëse Trupi Gjykues nuk vendosi kufizime për vizitat private, gjykatësit theksuan se “kur Administratorja (ose shefi i Paraburgimit) ka informacion se ekziston rrezik i besueshëm që të zbulohet informacion gjatë një vizite, përfshirë gjatë një vizite private, Administratorja, (ose shefi i paraburgimit që vepron në emër të saj) ka kompetencë të refuzojë vizitën dhe/ose të caktojë masa që janë proporcionale dhe të domosdoshme për trajtimin me efektivitet të rrezikut.

    Gjykatësit gjithashtu u tërhoqën vërejtje të akuzuarve dhe Mbrojtjes që të mos zbulojnë informacion konfidencial, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të mbrojtur, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

    Gjykatësit përsëritën gjithashtu se një i paraburgosur mund të kundërshtojë para Trupit Gjykues çdo vendim të Administratores për refuzimin ose vendosjen e kufizimeve për një vizitë private specifike.

    Më 14 shkurt në të njëjtën çështje gjyqësore, Trupi Gjykues miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit, që hyn në fuqi ditën kur Administratorja e DHS-së cakton kryembrojtësin e ri për të përfaqësuar z. Thaçi.

    Lidhur me një aspekt tjetër që ka të bëjë me mbrojtësit: pasi ka marrë kërkesën e Venkatesvari Alagendrës në lidhje me emërimin e saj të mundshëm si mbrojtëse e Salih Mustafës, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 8 shkurt konstatoi se mund të lindë konflikt interesi nëse ajo përfaqëson Salih Mustafën krahas pozitës aktuale si mbrojtëse e Jakup Krasniqit.

    Megjithatë, Trupi Gjykues thekson se ky vendim nuk duhet të kuptohet si shprehje e mendimit të Trupit Gjykues mbi emërimin ose jo të znj. Alagendra si mbrojtëse e z. Mustafës, sepse për këto aspekte vendos Administratorja.

  • Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK ka njoftuar se sot nga ora 10:00, do të mbajë protestë.

    Sipas njoftimit kjo protestë do të jetë paqësore dhe do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe pastaj para zyrave të KEK-ut.

    Sipas kryetarit të Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, protesta është organizuar në shenjë proteste kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm të këtij departamenti, pagave të ulëta, dhe kushteve të rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK.

  • Ministri Aliu raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike

    Ministri Aliu raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të raportojë sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

    Në këtë komision do të shqyrtohet raporti i auditimit të performances” Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

    Mbledhja e komisionit fillon në orën 14:00.

  • “Do të jetojë në Prishtinë”, Foda thotë se ishte e lehtë të pranonte ofertën e Kosovës

    “Do të jetojë në Prishtinë”, Foda thotë se ishte e lehtë të pranonte ofertën e Kosovës

    Franco Foda është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës.

    Trajneri gjerman është prezantuar sot nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), shkruan Gazeta Express.

    Foda bëhet trajneri i pestë që do të drejtojë “Dardanët”, pas Albert Bunjakit, Bernard Challandes, Alain Giresse dhe Primoz Gliha.

    57-vjeçari gjithashtu bëhet trajneri i parë gjerman që do të jetë në krye të Kombëtares tonë.

    Foda ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare. Ai do të ketë stafin e tij, i cili do të zbulohet më vonë.

    “Nuk ndjej presion, së bashku do t’ia dalim. Është e rëndësishme që të njoh lojtarët sa më shpejt. Kam shikuar disa ndeshje. Do përgatitemi për miqësoret e marsit dhe pastaj do të gjejmë një kundërshtar sa më të përshtatshëm”, tha ai në konferencën për media.

    Foda pastaj tregoi se si erdhi deri te vendimi për të pranuar ofertën e Kosovës.

    Ai gjithashtu tha se do të zhvendoset për të jetuar në kryeqytetin e Kosovës.

    “Së pari kontakti ishte online, pastaj kam ardhë në Kosovë për të parë kushtet. Ishte e lehtë të zgjedhja. Skuadra është shumë atraktive. Mund të kemi shumë sukses bashkë. Njoh disa lojtarë, si Rrahmani, Muriqi, Rashica, Paqarada. Jam shumë pozitiv me çfarë kam parë, stadiumin, hotelin, qendrën stërvitore, më kanë lënë shumë optimist. Kam parë disa lojë të Kosovës, kam vërejtur se luan me disa variante. Ka kohë për t’u përgatitur maksimalisht. Së pari duhet krijuar kontaktin me lojtarët. Do të jetojë në Prishtinë sepse ka lojtarë nga Superliga e Kosovës. Kryesisht do të jem këtu. Dellova i Ballkanit dhe Krasniqit i Llapit janë ndër ta. Do të shikoj lojtarët edhe jashtë, por kryesisht do të jem në Kosovë. Pasi që do të jetojë në Kosovë, do të shoh lojtarët më shpesh. Kushdo që përformon mirë, do të ketë vend te Kosova. Bashkë me ekipin tim do të përcjellim çdo javë lojë të ndryshme. Do të bëhet përzgjedhja e lojtarëve nga ta”, shtoi Foda.

    Franco Foda tregoi gjithashtu pse vendosi të pauzonte nga shtatori i vitit 2022, kur u shkarkua nga Zurichi.

    “Vendosa të pauzoja sepse isha për 15 vjet si trajner në ekipe të ndryshme. Gjatë pushimit pata më shumë kohë për familjen.

    Edhe pse kishte oferta muajve të fundit, kur mora kontaktin nga Kosova mu dok projekti interesant. Pashë që ka shumë talente në Kosovë. Ishte shumë e lehtë të pranoja”, deklaroi përzgjedhësi i ri i Kosovës.

  • Ademi: Mos prisni që unë të jap dorëheqje, vetëm nëse shkarkohem

    Ademi: Mos prisni që unë të jap dorëheqje, vetëm nëse shkarkohem

    Me rastin e prezantimit të trajnerit të ri të Kombëtares së Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u pyet se çka do të ndodhë nëse dështon edhe zgjedhja e Franco Fodës.

    Franco Foda edhe zyrtarisht morri sot drejtimin e Kombëtares së Kosovës.

    Tekniku gjerman zëvendëson Primozh Glihën në stolin e “Dardanëve”.

    Gjatë konferencës së sotme, presidenti i FFK-së u pyet se çka do të ndodhë nëse dështon edhe zgjedhja e Franco Fodës, dhe a do të ketë dorëheqje nga posti i tij në FFK, ndërsa përgjigja e Ademit ishte e prerë.

    “Dorëheqje nuk jap kurrë, veç duhet nëse shkarkohem. Mos prisni”, tha Ademi.

     

  • Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Në mesin e qindra qytetarëve, sot në Mitrovicë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u inaugurua shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

    Në një fjalë rasti, vëllai i Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rifat Jashari, uroi të gjithë shqiptarët anë e kënd botës festën e Ditës së Pavarësisë, teksa uroi që “këtë shtatore dhe gjithë të tjerat t’i gëzojmë së bashku”.

    Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se sakrifica e familjes Jashari e simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri.

    Ai tha se si rrallë herë në historinë e kombeve dhe njerëzimit, familja Jashari qëndruan heroikisht dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe.

    Hamza shtoi kjo sakrificë u bë frymëzim dhe forcë mobilizuese për djemtë dhe vajzat e Mitrovicës që me armë në dorë luftuan denjësisht për lirinë e Kosovës.

    “Ditë kurorëzimi i një përpjekje të madhe, ajo kishte bashkuar të gjitha tokat e gjakut të dëshmorëve. Kur po shënojmë inaugurimin e shtatores, përkulemi para gjakut të dëshmorëve”, tha ai.

    Ndërkaq, lidhur me inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, i pari i Mitrovicës tha se kjo shtatore simbolizon realizimin e idealit tonë për liri.

    Në mesin e shumë të pranishmëve, prezent në këtë ceremoni ishte edhe djali i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

    Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

  • ​Zyrtare, Franco Foda trajner i Kombëtares së Kosovës

    ​Zyrtare, Franco Foda trajner i Kombëtares së Kosovës

    Kombëtarja e Kosovës edhe zyrtarisht është bërë me trajner të ri.

    Në krye të Dardanëve është përzgjedhur Franco Foda, trajner austriak i cili ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

    57-vjeçari në karrierën e ka drejtuar skuadra si Baseli, Stutgarti, Arminia Bielefeld, e të tjera.

    Ai vjen në këtë pozitë për ta pasuar sllovenin Primoz Gliha.