ATV

Author: G.O.

  • Florida miraton një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Florida miraton një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Legjislativi i kontrolluar nga republikanët në Florida miratoi një projekt-ligj që ndalon mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një lëvizje që mbështetësit thonë se do t’i mbrojë të miturit nga rreziqet në internet për shëndetin e tyre mendor.

    Masa, e drejtuar tani për nënshkrimin e guvernatorit republikan Ron DeSantis, kërkon që faqet e mediave sociale të mbyllin llogaritë e kujtdo nën moshën 16 vjeç.

    Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ligjin me 108 vota pro dhe shtatë kundër, pak orë pasi Senati dha miratimin përfundimtar.

    DeSantis, i cili nuk ka thënë nëse do të nënshkruajë masën, ngriti shqetësime muajin e kaluar për shkeljen e mundshme të të drejtave të privatësisë.

    Mbështetësit thanë se ligji do t’i mbronte fëmijët nga efektet e dëmshme të mediave sociale, të tilla si ankthi, depresioni dhe sëmundje të tjera mendore, dhe do të përfitonin ata që mbipërdorin platforma të tilla.

    Kritikët thonë se ligji shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA, i cili garanton lirinë e fjalës dhe se prindërit, jo qeveria, duhet të marrin vendime të tilla.

    Në mars 2023, shteti i Utah u bë shteti i parë amerikan që miratoi ligje që rregullojnë aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, së shpejti do t’i bashkohen Arkansas, Luiziana, Ohio dhe Teksas, sipas një analize të përgatitur përpara ligjit të Floridës. Gjithashtu, analiza thotë se një numër shtetesh të tjera po shqyrtojnë rregullore të ngjashme.

  • Escobar: Jemi të shqetësuar, Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner

    Escobar: Jemi të shqetësuar, Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti se SHBA është e shqetësuar se Qeveria e Kosovës nuk e trajton si partnere, dhe shtoi se është diskutuar mënyra se si qeveria Kurti ka ndryshuar politikën për transaksionet e pagesave që ka të bëjë me dinarin serb, zbatimi i së cilës është diskutuar më herët.

    Në intervistën për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), Escobar është pyetur nëse do të ketë pasoja për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi ai shumë herë është kritikuar nga SHBA-ja për mënyrën se si i zbatoi rregullat e reja lidhur me dinarin serb.Nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk na trajton si partner, nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe rrezikojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara. Mendoj se ambasadori Hovenier e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-. Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve të Kosovës në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, ka thënë Escobar

    Më tej Escobar ka thënë se në kuadër të dialogut ka dy gjëra të rëndësishme.

    “Njëra është se Asociacioni i komunave me shumicë serbe – formimi i së cilit është obligim dhe për sa na takon neve duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Asociacionit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet e përgjegjshme nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme. Imagjinoni që tani Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në Amerikë(IRS) një ditë vendos të ndryshojë sistemin e taksave, pa lëshuar asnjë udhëzim apo njoftim. Epo, kjo do të kishte pasoja të mëdha për biznesin. Së dyti, ata nuk kanë biseduar me komunitetin lokal, i cili varet nga përfitimet sociale nga Serbia. Së treti, Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë, për shembull një grua është drejtuar në ambasadën tonë e cila është 100% e varur nga përfitimet sociale, sepse kujdeset për djalin e saj me aftësi të kufizuara, ajo nuk ka alternativë. Më pas, Kosova refuzoi asistencën teknike të QUINT-it për të gjetur një mekanizëm pagese që do të ishte transparent dhe elektronik dhe nuk do të prishte jetën e njerëzve. Më në fund në samitin në Shkup (takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në janar 2024), gjashtë vende diskutuan për një sistem pagese që mund të aplikohet në të gjitha vendet. Pra, gjithçka që duhej të bënte Kosova ishte të priste dhe të merrte një sistem transparent”, tha Escobar.

    I pyetur nëse është i kënaqur se si Serbia i përmbush detyrimet e saj në kuadër të dialogut dhe çfarë pritet nga Beogradi në vijim, Escobar tha se nga Beogradi ka pritshmëri të qarta në dialog dhe disa u përmbushën- siç është pranimi i targave dhe dokumenteve doganore të Kosovës.

    Ne duam që Serbia ta bëjë këtë duke e futur në mënyrë të pakthyeshme dhe formale në ligje apo rregullore. Kjo pritet nga Serbia. Por ka disa gjëra të tjera që janë premtuar dhe nuk janë bërë – për shembull nxjerrja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë më 24 shtator. Nuk është pjesë e dialogut, por është shumë e rëndësishme për pajtimin rajonal”, tha Escobar.

    Javën që shkoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb në Kosovë.

    Në një konferencë për media, Miller ritheksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne kemi për qëllim të jemi aktivë në përdorimin e mjeteve diplomatike për të adresuar këtë problematikë. Dëshirojmë që palët të rikthehen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe, përveç kësaj, nuk do të dëshiroja të bëj parashikime për veprime të veçanta nga pozita ime,” u shpreh Miller.

    Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.

    Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar.

    BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje.

    Kurti, ka ripërsëritur se nuk do të ndërhyjë në vendimin e pavarur të BQK-së. Ai ka theksuar se serbëve në Kosovë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai.Kurti ka shtuar se kjo është një periudhë tranzicioni dhe se po punojnë për informacione më të plota.

  • Zjarri masiv në Valencia, Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave

    Zjarri masiv në Valencia, Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për viktimat nga zjarri masiv në dy blloqe apartamentesh në Valencia.

    “Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga zjarri tragjik në Valencia të Spanjës. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet që humbën më të dashurit dhe u urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve”, ka shkruar Osmani në X (ish-Twitter).

    Nga ky zjarr tragjik, raportohet se kanë vdekur 4 persona ndërsa së paku 14 të tjerë, përfshirë gjashtë zjarrfikës dhe një fëmijë, janë lënduar.

    Zjarrfikësit janë parë duke i shpëtuar njerëzit nga ballkonet e banesave.

    Një familje prej katër anëtarësh, duke përfshirë një djalë trevjeçar dhe një vajzë 15 ditëshe janë në mesin e 19 të zhdukurve, sipas raporteve të mediave lokale në Valencia.

    Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka folur nga Valencia, ku falënderoi shërbimet e urgjencës, veçanërisht zjarrfikësit, për punën e tyre thelbësore.

    Qeveria e tij, tha ai, është aty për të ofruar “të gjitha llojet e mbështetjes” për operacionin e menjëhershëm të shpëtimit dhe për të sqaruar se çfarë ndodhi.

    Prioriteti tani është kërkimi i viktimave, tha Sanchez, dhe siguria e atyre që janë përfshirë në shpëtim.

     

  • ​“Liverpooli është favorit”, Pochettino flet para finales së Carabao Cup

    ​“Liverpooli është favorit”, Pochettino flet para finales së Carabao Cup

    Këtë të diele do të zhvillohet finalja e Carabao Cup, ku Chelsea dhe Liverpooli do të luftojnë për këtë trofe.

    Chelsea do të synojë triumfin dhe këndelljen nga sezoni dhe kriza aktuale e skuadrës, ndërsa Liverpooli do të kërkojë trofeun e parë të këtij sezoni, sezon ky i cili do të jetë i fundit me trajnerin Jurgen Klopp, raporton KosovaPress.

    Para finales, trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino e cilëson Liverpoolin favorit për ta fituar trofeun e Carabao Cup.

    “Nëse më pyesni mua, favoriti është Liverpooli. Është tejet e qartë. Ata e kanë eksperiencën për të luftuar në këtë lloj të ndeshjeve. Klopp është shumë i mençur për të thënë që është një ndeshje 50-50, por unë mendoj se Liverpooli është favoriti” tha Pochettino.

  • Ministrat tregojnë sfidat gjatë zbatimit të reformave evropiane

    Ministrat tregojnë sfidat gjatë zbatimit të reformave evropiane

    Koordinimi ndërinstitucional, mungesa e komunikimit në kohë reale, po konsiderohen si pengesë për zbatim të reformave evropiane, nga disa ministra të kabinetit qeveritar, raporton Ekonomia Online.

    Në prezantimin e Barometrit të Reformave Evropiane nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se nga zbatimi i reformave evropiane, veçohet aftësimi i arsimit profesional. Këtë, tha Nagavci po i japin shumë prioritet.

    “Nëse flasim për zbatimin e reformave evropiane, ndonëse ne kemi bërë hapa konsideroj të vlerësuar, në aftësinë e arsimit profesional i cili për herë të parë po implementohet në shkolla tona edhe në këtë pikë mbetemi të kufizuar prej vullnetit komunal përtej angazhimit me kompani dhe biznese. Synimi jonë është të rrisim numrin e profileve më sfiduese se kjo mbetet plotësimi. Rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm edhe këtu mbetemi në sfida serioze në raport me komuna buxheti nuk ka munguar ne nuk kemi asnjë kërkesë nga komuna dhe ajo që po ndodh është se komuna për arsye të llojllojshme nuk arrin të përmbush kërkesa që janë bazike”, tha Nagavci.

    E para e arsimit, tha se prioritet po i japin edhe Qendrave për komunitete, me ç’rast kanë ndarë shuma të mëdha të mjeteve.

    “E gjitha qe duhet të bëjnë komunat është të sjellin kërkesa në Ministri dhe lejet urbanistike. Në Prishtinë nevojat për ndërtim të çerdheve janë të mëdhaja, e njëjta nuk mund të vazhdojë ndërtimin sepse komuna. Digjitalizimin ne si ministri e kemi ndarë buxhetin në këtë linjë po besojmë se do kemi një avancim përpara por edhe këtu përtej angazhimit nuk dihet si do ec, investimet e viteve paraprake, nuk kemi mund të nisim diçka nga fillimit por pastaj kemi parë se ka ngecje. Në Batometrin që pash janë dy fusha që kemi pas lëvizje konkrete, kemi ndarë nga 200 mijë euro për Qendar e komuniteteve të cilët kanë pas mundësi të barabarta me fëmijët nga komunitetet kemi ndarë për ta edhe bursa nga 1 mijë. euro për të gjithë”, tha Nagavci.

    E ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se reformat evropiane duhet t’i përkthejnë për vete. Tha se në të kaluarën Kosova nuk ka pasur plan për kushte klimatike.

    “Ministria që unë jam i angazhuar e ka mjedisin dhe infrastrukturën. Koordinim kanë me ministritë tjera, kjo ka sjell bashkëpunimin e parë që nuk ka qenë i lehtë. Reformat evropiane duhet t’i përkthejmë për veten tonë jo për integrim ose diçka që ta shpëtojmë botën por bëjmë diçka për gjeneratën tani. Këto situata që Kosova ka qenë në të shkuarën i kanë heq planet se ne duhet të mëremi me kushte klimatike. Fati i mirë është se me qeverisjen tani përdorimi i kushtet klimatike është përmirësuar por ende është sfidë bashkëpunimi me ministritë tjera. Të bëhet një gjë e tillë duhet të ngritët një temë të përfshihemi të gjithë, në aspektin e ventilimit që kemi qenë të suksesshëm dhe ky ka ardh si rezultat i bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë”, tha Aliu.

    E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sfidë e dikasterit të saj ka qenë energjia, ndërsa thekson se prioritet do t’i japin reformave evropiane për energji të ripërtritshme.

    Ajo përmendi edhe paketën financiare të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    “Jemi përballë me një krizë deri në vitin e dytë të mandatit jemi marrë me adresimin e kësaj duke marrë masa shtesë, kjo ka pas edhe një të mirë në këtë aspekt, ka qenë përkrahja e Qeverise dhe pakoja e BE-së ka qenë një buxhet në kushte normale, kjo na ka mundësi të kemi financa mangësitë kanë qenë më shumë nga kapacitetet institucionale. Koordinimi ndërinstitucional, mungesa e komunikimit në kohë reale është sfidë jo si pengesë për zbatim të reformave por është diçka që don përpjekje. Jo domosdo përcillet jo tek të gjithë ky është aspekt se duhet të punojmë të gjithë por kur është çështja për vendime strategjike kisha thënë se koordinimi nuk mungon është formal përtej komunikimit të përditshme, aty votojmë për projekte që do financohen qoftë nga Qeveria apo BE”.

  • Arrestohet në Morinë 39-vjeçari nga Peja, në veturë iu gjetën 11 kilogramë heroinë

    Arrestohet në Morinë 39-vjeçari nga Peja, në veturë iu gjetën 11 kilogramë heroinë

    Një 39-vjeçar nga Peja është arrestuar nga policia në Morinë pasi tentoi të transportonte lëndë narkotike të ndara në pako.

    “Sekuestrohen 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe automjeti tip “Volkswagen” ku u gjet kjo lëndë”, njofton policia e shtetit shqiptar përmes rrjetit social Facebook.

    “Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”.  Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar A. K., 39 vjeç, banues në Pejë”, thuhet tutje në njoftim.

    Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

  • Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet se dhunoi vajzën që ishte raportuar e zhdukur

    Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet se dhunoi vajzën që ishte raportuar e zhdukur

    Një e mitur e cila u raportua si e zhdukur dy ditë më parë në Gjakovë, është gjetur nga policia.

    Policia përmes raportit policor bëri të ditur se rasti ka të bëjë me dhunim.

    “Pas hetimeve të zhvilluara është gjetur viktima, e mitur, e cila ishte raportuar si person i zhdukur. Lidhur me rastin është arrestuar si i dyshuar një mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se ka qëndruar me viktimën prej kohës kur ajo ishte larguar nga shtëpia”, thuhet në raport.

    Viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Sot hidhet shorti i Ligës së Evropës

    Sot hidhet shorti i Ligës së Evropës

    Shorti i raundit të 1/16-të të Ligës së Evropës 2023/24 do të zhvillohet sot në Shtëpinë e Futbollit Evropian në Nyon, Zvicër, duke nisur nga ora 12:00.

    Raundi i 16-të i UEFA përmban tetë fituesit e fazës së grupeve dhe fituesit e tetë të raundit eliminues në play-off. Skuadrat që dalin nga ndeshjet e teta kalojnë në çerekfinalet e Europa League.

    Në short marrin pjesë 16 skuadra. Tetë fituesit e fazës së grupeve nga faza e grupeve të Ligës së Evropës janë vendosur dhe do të përballen me fituesit e raundit eliminues në play-off, përcjellë KosovaPress.

    Ndeshjet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Fituesit e tetë ndeshjeve do të kalojnë në çerekfinale, me shortin për atë raund dhe gjysmëfinalet e planifikuara për në 15 mars.

    Këto janë ekipet pjesëmarrëse në short:

    Atalanta (Ita)

    Brighton (ANG)

    Leverkusen (GER)

    Liverpool (ANG)

    Rangers (SCO)

    Slavia Praha (CZE)

    Villarreal (ESP)

    Ëest Ham (ANG)

    AC Milan (ITA)

    Benfica (POR)

    Freiburg (GER)

    Marseille (FRA)

    Qarabağ (AZE)

    Roma (ITA)

    Sparta Praha (CZE)

    Sporting CP (POR)

  • Zelensky në Tiranë më 28-29 shkurt

    Zelensky në Tiranë më 28-29 shkurt

    50 imazhe fotografike nga fronti i luftës, që përçojnë dramën dhe përpjekjet e popullit të Ukrainës për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë u ekspozuan sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog.

    I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së kësaj ekspozite në Tiranë, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, shkruan atsh, transmeton KosovaPress.

    “Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë ambasadorin e Ukrainës i cili është këtu bashkë me ne dhe patjetër dua të falënderoj ata që e morën përsipër këtë iniciativë dhe arritën që në një moment si ky t’i japin jetë”, u shpreh Rama në fillim të fjalës së tij.

    Rama vlerësoi faktin se ekspozita vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, një vizitë e cila është nga njëra anë një vizitë bilaterale, por nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën.

    “Në këtë samit do të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkëorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet, që në kontekstin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme”, bëri të ditur Rama.

    Fjalët dhe përshkrimet për atë që ndodh në Ukrainë, për të konsiderohen të tepërta sot, pasi ekspozita e përcjell përmes emocioneve të fotografive që ngjanë si foto filmash.

    “Por në fakt janë foto të çdo ore dhe dite e nate të popullit ukrainas nën furinë e agresionit rus, një agresion tërësisht i padrejtë, i pajustifikuar dhe i pajustifikueshëm. Siç dihet botërisht Shqipëria qëndron krah për krah me Ukrainën së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku të ardhmen ku çdo vend popull, çdo individ ka të drejtën e lirisë, të drejtën e të jetuarit si i barabartë nën ombrellën e ligjit dhe të Kushtetutës demokratike”, tha Rama.

    Ndërkohë, Rama theksoi se agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes dy botësh, dy mënyrash krejtësisht të ndryshme për ta parë botën.

    “Shpreh edhe sot solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Këto imazhe vijnë nga një front ku luftohet, humbasin jetë njerëzish e shkatërrohen pasuri të patundshme të ngritura me mundim e ku jetohet ditë-natë nën represionin e sirenave që paralajmërojnë bombardimin e radhës”, u shpreh ai.

    Libri “Ukraina, një krim lufte” është dokumentimi historik i vitit të parë të luftës ruso-ukrainase. me histori reale të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive. Libri në vetvete përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme nga e gjithë bota. Imazhet dhe reportazhet sjellin për shikuesin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës.

  • Vdekja e ukrainases në autostradën “Arbën Xhaferi”, Prokuroria dyshon se vdiq si pasojë e një aksident trafiku

    Vdekja e ukrainases në autostradën “Arbën Xhaferi”, Prokuroria dyshon se vdiq si pasojë e një aksident trafiku

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka lëshuar komunikatë për media lidhur me ukrainasen e cila u gjet e vdekur në autostradën Prishtinë-Ferizaj.

    Sipas Prokurorisë, dyshimet janë për aksident trafiku me fatalitet.

    Tutje në komunikatë thuhet se janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje

    Njoftimi i plotë:

    NJOFTIM PËR MEDIA

    Ferizaj, 22 Shkurt 2024– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 21.02.2024, në autostradën Ferizaj-Prishtinë, rreth orës 19:30, është gjetur pa shenja jete një person-shtetase e huaj (ukrainase) me iniciale O.K.

    Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj. Prokuroria me të gjitha institucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.