ATV

Author: G.O.

  • Zelensky sot në Tiranë

    Zelensky sot në Tiranë

    Sonte në mbrëmje, në aeroportin e Rinasit pritet të zbresë një nga figurat më të njohura botërore të momentit. Volodymyr Zelensky, Presidenti i Ukrainës, që prej dy vitesh po udhëheq luftën kundër Rusisë, duke mobilizuar kombin dhe ushtrinë si dhe duke bindur pjesën më të madhe të botës, të jetë përkrah vendit të tij.

    Ai është paraparë të pritet nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ngjarjet në Ukrainë dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Volodymyr Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet me siguri është pjesëmarrja në samitin e 28 shkurtit. Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla ato janë anuluar.

    Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që të mërkurën do të bëjë bashkë lider të BE-së dhe të Evropës Juglindore. Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimeve Greqia dhe Kosova, nëse do të përfaqësohen nga kryeministrat, apo nga presidentët. Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksander Vuçiq. Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin.

    Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.

  • Këto janë të mirat që vijnë nga xhenxhefili

    Këto janë të mirat që vijnë nga xhenxhefili

    Xhenxhifili ka përfitime të shumta shëndetësore dhe është shumë i mirë të konsumohet vazhdimisht.

    Përmirëson qarkullimin e gjakut

    Magnezi, kromi dhe zinku mund të ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe xhenxhefili i përmban që të tri këto elemente. Kur jeni të sëmurë me ethe dhe temperaturë, xhenxhefili është ilaçi më i mirë.

    Ndihmon inflamacionet

    Inflamacioni dhe dhimbja e vazhdueshme shkojnë dorë për dore dhe xhenxhefili njihet si anti-inflamator natyral.

    Si ta përdorni xhenxhefilin?

    Mund të jetë i freskët, pluhur apo i ëmbëlsuar, nuk ka fare rëndësi. Xhenxhefili mund të përdoret dhe gatuhet në mënyra të ndryshme.

    Nëse jeni ftohur dhe dëshironi të shëroheni sa më shpejtë atëherë zieni xhenxhefilin në ujë të vluar, hidhini pak limon dhe një lugë mjaltë.

  • Bujqit nisin përgatitjet për të mbjella, planifikojnë që këtë vit të mbjellin më shumë

    Bujqit nisin përgatitjet për të mbjella, planifikojnë që këtë vit të mbjellin më shumë

    Hambari i shtetit mund të mbushet më shumë këtë vit.

    Bujqit planifikojnë ta rrisin prodhimin, derisa kanë filluar me përgatitjet për sezonin e mbjelljes.

    Mehdi Bresilla që tash e sa kohë merret me kultivimin e pemëve dhe perimeve, planifikon që sivjet të mbjellë përgjysmë më shumë se vitin e kaluar.

    “Vitin e kaluar i kam pasur 10 hektarë me perime, sivjet mendoj me i rritë, po ashtu i kam edhe 4 hektarë me pemë, sivjet mendoj me shku deri në 20 hektarë”, thotë Bresilla.

    Tokën e ka bërë gati edhe Naim Hajrizi që së shpejti pret ta mbjellë me patate, por edhe kultura të tjera, teksa shpreson në më shumë rendimente ketë vit.

    “Më së shumti kultivojmë patate, misër, grurë dhe qepë. Patate mendojmë 7 ose 8 hektarë. Sivjet e kemi rritë goxha shumë, me patate më shumë”, tha Hajrizi.

    Më të lehtë thonë se ua bëri edhe rënia e çmimeve të imputeve, të cilat më parë ishin shumë më shtrenjtë për shkak të pandemisë.

    Megjithatë, shpresojnë të mos ketë reshje atmosferikeqë do t’ua dëmtojnë të mbjellat./atvlive.tv

  • Librat e Hajrush Kurtaj si provë në Gjykatën Speciale, juristët vlerësojnë se materialeve të tilla s’duhet t’u falet besimi

    Librat e Hajrush Kurtaj si provë në Gjykatën Speciale, juristët vlerësojnë se materialeve të tilla s’duhet t’u falet besimi

    Në Gjykatën Speciale, Hajrush Kurtaj nga Prokurori u sfidua me përmbajtjen e librit që e shkroi për luftën e Ushtrisë Çlirimtare. Ish-ushtari, në cilësinë e dëshmitarit pranoi autorësinë e materialeve por, tha se përmbajtjen e kishte hiperbolizuar.

    “Popujt në luftë shkruajnë për historinë. Për heronjtë… duke shkruar për heronjtë… shkruan edhe për lavdinë… në librin tim I kam shkru qysh kam dashtë, jo qysh kanë qenë. Në çdo libër gjërat rriten zmadhohen.. është e zmadhume është e zbukurume…”, ka thënë Kurtaj.

    Njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se botimet si ky i Kurtajt duhet të trajtohen me rezervë nga gjykata.

    “Librat administrohen si prova por është çështjetjetër a I falet besimi. Konsiderojmë se një libër duhet të jetë I mirëfilltë dhe me referenca të sakta e jo të jetë një libër I shkruar në mënyrë amatoreske dhe nga të dhëna jozyrtare.”, deklaroi Visar Rrecaj, avokat.

    Ndërsa profesori i gazetarisë dhe letërsisë, Milazim Krasniqi vlerëson se librat e tillë po përdoren nga gjykata në mungesë të provave.

    Në këtë drejtim, angazhimi në politikë i Kurtajt pas përfundimit të luftës, sipas avokatit Visar Rrecaj është një arsye më shumë.

    “Provat që duhet të merren parasysh janë veç ato materiale”, tha tutje Rrecaj.

    Hajrush Kurtaj, është autor i disa librave referuar periudhës 97-99, mes të cilëve edhe “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”.

    Kjo nuk është hera e parë që në Dhomat e Specializuara librat përdoren si prova.

    Më herët i akuzuari, Jakup Krasniqi po ashtu ishte përballur me pyetje të Prokurorisë rreth librave që ai kishte shkruar lidhur me luftën./atvlive.tv/

  • Pak inxhinierë e ekspertë teknikë në Telekom

    Pak inxhinierë e ekspertë teknikë në Telekom

    Mbi gjashtëdhjetë punëtorë të Telekomit, pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2024.

    Rreth 20 prej atyre që do ta përfundojnë angazhimin në këtë kompani publike, janë inxhinierë dhe ekspertë teknikë.

    “Është numër më i vogël për shkak se gjeneratat e vjetra të cilat kanë punu si inxhinier dhe janë kthyer në vitin 99 që kanë qenë të larguar prej pune tash të gjithë pjesa më e madhe ka dalë në pension. P:sh për 5 vitet e fundit diku mesatarja vjetore e punëtorëve që shkojnë në pension është 60 persona,vetëm këtë vit i kemi diku rreth 65 persona që presin të dalin në pension dhe sigurisht rreth 22 prej tyre janë inxhinierë.”, tha Lamih Balaj nga Sindikata e Telekomit.

    Pavarësisht kësaj, Telekomi nuk ka hapur konkurse tash e disa vjet.

    “Në Telekom nuk janë hapur konkurse që 3-4 vjet, sigurisht që duhet me e rifresku stafin, e kam thanë shpesh, ka nevojë Telekomi për njerëz, për gjenerata të reja”, tha tutje Balaj.

    Ndërkohë, mbi 300 punëtorë i ishin përgjigjur ofertës për pensionim të parakohshëm dhe largim vullnetar nga puna. As në këtë rast nuk kishte konkurs.

    “Gjithsej 302 është numri i të punësuarve që përfituan nga kjo ofertë. Janë aprovuar vetëm kërkesat për rastet kur ka pasur një zëvendësim adekuat brenda kompanisë”, tha Fadil Lepaja, zëdhënës i Telekomit.

    Sidoqoftë, ekonomisti Lavdim Hamidi thotë se operatori i parë publik, vazhdon ta ketë gjendjen e rënduar si pasojë e stafit joadekuat.

    “Tash po vërehet kriza se Telekomi është pa stafin e nevojshëm teknik, sepse kjo vërehet edhe në mungesë të ofrimit të shërbimeve. Shihet që as në Prishtinë nuk ka rrjet sa duhet e lëre më te flasim për pjesë me të thella të vendit. Ka ikë stafi, ka shku në operator ekonomik etj”, tha Hamidi.

    Aktualisht, Telekomi numëron afro 1700 punëtorë./atvlive.tv/

  • Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Prania e 48 bazave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë, vazhdon të jetë rrezik real dhe si i tillë do të trajtohet, tha ministri i Mbrojtjes.

    Si fakt shqetësues, Ejup Maqedonci përmendi edhe armatosjen e shtetit fqinj, nga Rusia dhe Kina.

    “Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real”, deklaroi ministri Maqedonci.

    Anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, ministri i Mbrojtjes e sheh si problem politik duke e lidhur me qëndrimin e vendeve mosnjohëse.

    “Ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të shumtë për përgatitjen e kapaciteteve tona mbrojtëse për anëtarësimin në NATO. Ministria e Mbrojtjes planifikon dhe organizon punën e saj bazuar në planifikimin që e bënë edhe NATO, në dokumentet që aplikon në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre. Sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, vendi ynë qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik, duke pasur parasysh që është vendim politik i secilit shtet brenda tij për çështjen e pranimit apo të mospranimit të një vendi në NATO, dhe i kemi katër vende të mosnjohjes që paraqesin në vazhdimësi problem në aspektin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.”, tha Maqedonci.

    Ministri kosovar i Mbrojtjes, edhe një herë theksoi se grupi terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi policin Alban Rashiti,  me 24 shtator në Banjskë ka përdorur armatim të prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë dhe ishte trajnuar nga instruktorë ushtarakë në Serbi.

  • Varrezat e martirëve në Fushë Kosovë në gjendje jo të mirë, Komuna nuk ka projekt për rregullimin e tyre

    Varrezat e martirëve në Fushë Kosovë në gjendje jo të mirë, Komuna nuk ka projekt për rregullimin e tyre

    Sa herë që viziton varret e 16 familjarëve, të masakruar gjatë luftës, dhimbja vetëm i shtohet.

    Mërzia bëhet edhe më e rëndë për Erolind Mirenën, kur sheh gjendjen e varrezave të martirëve dhe dëshmorëve, të cilat komuna e Fushë–Kosovës, sipas tij, i la në harresë.

    “25 vjet pas luftës këto varreza nuk mirëmbahen, ka shumë vërshime të shpeshta edhe varrezat po shemben nga uji. Na i pastrojmë vetë si familje. Jemi të dëshpërum nga ana komunale se nuk ka ndonjë përkujdesje të varrezave që prej kohës kur u ndërtuan”, tha Erolind Mirena, familjar.

    Në këtë gjendje varrezat do t’i zërë edhe 25 vjetori, më 27 mars, ngase komuna nuk e ka në plan rregullimin e tyre.

    “Të planifikuara mjete për gjashtë mujorin e parëtë këtij viti nuk e kemi, për renovimin e varrezave, por ne pjesën e dytë të vitit do të jenë tëplanifikuara, dhe do të fillojnë punimet”, u shpreh Ali Topalli, drejtor i DKRS në Komunën e Fushë Kosovës.

    Por, sipas opozitës, komuna nuk ka investuar asnjëherëaty, madje as në raste festash.

    “Lëre që nuk ka projekt me u ndërtua, ose me u investua në atë pjesë, por këta nuk marrin mundin me i zëvendësua edhe flamujt kur janë festat”, tha Durim Hajra, asamblist i LV-së.

    Për herë të fundit këto varreza u rregulluan një dekadë më parë.

    Por as në atë kohë projektimi nuk u bë siç duhet.

    “Varrezat kanë mbetur në gjendje më të rëndë, ato nuk janë punua sipas planit dhe projektit që u parapa. Kam qenë vetë në komision një kohë bukur të gjatë, nuk e kam nënshkruar atë projekt. Por ekam nënshkruar për me e mbyllë si projekt”, deklaroi Ahmet Grajqevci, ish-anëtar i Komisionit.

    Vlerësohet se për shkak të punimeve dhe projektit tëdobët, sa herë ka reshje të dendura të shiut, varrezat përmbyten.

    I gjithë projekti në atë kohë i kishte kushtuar komunës rreth 200 mijë euro./atvlive.tv/

  • Qytetarët e mirëpresin pilot-projektin për zgjedhjen e mjekut familjar përmes e-Kosova

    Qytetarët e mirëpresin pilot-projektin për zgjedhjen e mjekut familjar përmes e-Kosova

    Nëpërmjet platformës e-Kosova qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mjekun e tyre familjar, për vetën, fëmijën e familjarët.

    Përzgjedhja ka filluar tashmë dhe fillimisht po mundësohet për qytetarët e komunës së Prishtinës në dy qendra të mjekësisë familjare si dhe në Lipjan, Istog e Prizren si pjesë e pilot-projektit.

    “Ky është një projekt një vjeçar, kjo ne kemi kërkua nga qytetaret në lagjen ku janë dhe tëcaktohet mjeku i vet…”, tha Izet Sadiku, drejtor i shëndetësisë në Prishtinë.

    Pilot projekti i paraparë për 4 komunat ka filluar të zbatohet që nga 9 janari.

    Një gjë e tillë po mirëpritet nga qytetarët.

    “Menjëherë e ki më lehtë, nuk ki me kërkua mjekun po e ki direkt shkon te ai, me kon nevoja vjen edhe n shpi…”, tha një qytetar.

    “Në vende tjera veçse ka qenë kjo, mirë që erdhi edhe te ne…”, u përgjigj një tjetër qytetar.

    Madje disa prej tyre veçse janë regjistruar.

    “Si e kom dëgjua menjëherë jam regjistruar, normalisht që është më e mirë kjo…”, u përgjigj një qytetar.

    Ndërkohë projekti final ku do të përfshihen të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, pritet të fillojë në prill të këtij viti./atvlive.tv/

  • Zjarri shpërthen në një banesë në Skenderaj, arrestohet një person

    Zjarri shpërthen në një banesë në Skenderaj, arrestohet një person

    Një person është arrestuar pas zjarrit i cili shpërtheu në një banesë në Skenderaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti derisa shtoi se nuk ka të lënduar nga ky incident.

    Rasti nga Policia është iniciuar dhe po hetohet si ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” derisa tëarrestuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

  • Kurti: Kosova mbështet Ukrainën derisa ta fitojë luftën kundër Rusisë

    Kurti: Kosova mbështet Ukrainën derisa ta fitojë luftën kundër Rusisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në platformën “X” me rastin e dy vjetori të invazionit rus në Ukrainë. Kurti ka thënë se si pasojë e këtij sulmi të Rusisë janë mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë Ukrainës, mijëra vdekje dhe shkatërrim masiv të shtëpive, jetëve e mjeteve të jetesës.

    Kurti ka thënë se kërcënimi për sigurinë e Evropës s’ka mundur të ishte më i ashpër se kaq.

    Kryeministri Kosovës ka thënë se përballë gjithë këtij agresioni, populli ukrainas ka rezistuar me sukses kundër Rusisë dhe përpjekjes së Putin për ta pushtuar Kievin.

    Kurti ka thënë se Kosova i përshëndet ushtarët e Ukrainës dhe iu premton përkrahjen e palëkundur derisa fitorja të jetë e Ukrainës.

     “Përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin. Ushtarët e tyre vazhdojnë luftën e një populli të tërë – aq të guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë. I përshëndesim dhe premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”, ka shkruar Kurti.