ATV

Author: G.O.

  • ​Biden shpreson për një pauzë të luftimeve në Gazë gjatë Ramazanit

    ​Biden shpreson për një pauzë të luftimeve në Gazë gjatë Ramazanit

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Izraeli do të jetë i gatshëm ta ndalë luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë Muajit të Ramazanit, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve që mbahen nga radikalët palestinezë.

    Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po punojnë për kornizën e një marrëveshjeje sipas së cilës Hamasi do të lironte dhjetëra pengje që mban, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndaljen e luftimeve për gjashtë javë. Gjatë kësaj pauze të përkohshme, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura, shkruan Rel, transmeton KosovaPress.

    Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me deklaratat e Bidenit.

    Ramazani nis më 10 mars dhe shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë muaj, besimtarët myslimanë në mbarë botën agjërojnë nga agimi deri në muzg.

    Biden tha se shpreson që një marrëveshje armëpushimi do të hynte në fuqi javën e ardhshme. Gjatë pauzës, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura dhe lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

    “Ramazani po vjen dhe duhet të ketë një marrëveshje nga izraelitët që po ashtu të mos përfshihen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin ne kohë për të liruar të gjitha pengjet”, tha Biden gjatë një paraqitjeje në emisionin Late Night With Seth Meyers në NBC.

  • 51 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, një me fatalitet

    51 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, një me fatalitet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për 24 orë kanë ndodhur 51 aksidente në trafik, njëri prej të cilëve ka qenë me fatalitet. Kurse, 12 aksidente të tjera janë raportuar me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Policia ka dhënë detaje për aksidentin e së hënës në Prishtinë, duke njoftuar se një veturë e ka goditur një këmbësor në rrugën “Agim Ramadani” dhe për pasojë, 26-vjeçari ka humbur jetën.

    Shoferja e dyshuar është ndaluar, ndërkohë që për rastin ka dhënë një njoftim edhe sot Policia e Kosovës.

    “E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, theksohet në njoftimin e policisë.

    Gjithashtu, policia ka shqiptuar dy mijë e 59 tiketa në trafik.

  • Sot vendoset për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës

    Sot vendoset për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës

    Kuvendi i Komunës së Prishtinës sot mban mbledhje të jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës – shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci.

    Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të shkarkuar me të vetmen pikë kryesuesin e Kuvendit.

    Shefi i këshilltarëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ditë më parë ka thënë se subjekti i tij politik kërkon shkarkimin e kryesuesit.

    Inicimi për shkarkim të kryesuesit ka ardhur pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin e Komunës.

  • Ekspertët japin paralajmërimin, ja pse nuk duhet të merrni paracetamola rregullisht

    Ekspertët japin paralajmërimin, ja pse nuk duhet të merrni paracetamola rregullisht

    Shumë njerëz mbështeten në hapa qetësues për sëmundje dhe lëndime të ndryshme.

    Problemet e zakonshme si dhimbja e kokës, dhimbjet e shpinës dhe temperaturat mund të lehtësohen duke marrë pilula si paracetamol dhe ibuprofen, shkruan Express.co.uk.

    Ndonëse këto janë të sigurta për t’u përdorur në përputhje me udhëzimet e paketimit, hulumtimi ka treguar se ka rreziqe për t’i marrë ato rregullisht.

    Megjithatë, një studim i vitit 2022 zbuloi se përdorimi afatgjatë i paracetamolit mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru tek njerëzit me hipertension.

    Efekti në presionin e gjakut është i ngjashëm me atë të anti-inflamatorëve josteroidë (NSAIDs), siç është ibuprofeni, thonë studiuesit.

    “Paracetamoli, është ilaçi më i përdorur në botë, rrit presionin e gjakut, një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sulmet në zemër dhe goditjet në tru”, deklaroi profesori James Dear farmakologjisë klinike në Universitetin e Edinburgut. /Telegrafi/

  • Katër pijet që duhet të shmangni në mëngjes pasi ju shkaktojnë fryrje

    Katër pijet që duhet të shmangni në mëngjes pasi ju shkaktojnë fryrje

    Për shkak të nxitimit në jetën tonë të përditshme, shumë prej nesh konsumojmë pije me sheqer në mëngjes për të nisur ditën me një shpërthim energjie.

    Nga kafetë dhe çajrat e ëmbël deri te lëngjet e frutave dhe pijet energjike, këto pije ofrojnë një zgjedhje të shpejtë që mund të jenë të këndshme për ata që kërkojnë një fillim të këndshëm të mëngjesit të tyre.

    Megjithatë, është thelbësore të jeni të vetëdijshëm për dobësitë e mundshme që lidhen me konsumimin e pijeve me sheqer, pasi ato mund të lidhen me parehati dhe fryrje për disa individë.

    Sipas ekspertëve, është e rëndësishme të shmangim këto katër pije në mëngjes, pasi mund të shkaktojnë fryrje.

    Lëngjet e frutave me sheqer të lartë, kafeja me plot qumësht, pijet me proteina pluhur dhe pijet energjike janë ato që duhet të shmangni në mëngjes.

    Lëngje frutash me përmbajtje të lartë sheqeri

    Lëngjet e frutave me përmbajtje të lartë sheqeri, edhe pse në dukje freskuese, mund të kontribuojnë në fryrjen e barkut tek disa njerëz. Këto lëngje shpesh përmbajnë nivele të larta të fruktozës, një sheqer natyral që gjendet në fruta.

    Kafe me plot qumësht

    Qumështi i plotë, i cili përdoret zakonisht në kafe, përmban laktozë, një sheqer që mund të jetë i vështirë për t’u tretur për disa njerëz.

    Intoleranca ndaj laktozës mund të çojë në fryrje. Disa njerëz janë të ndjeshëm ose intolerantë ndaj këtyre aditivëve të tillë si produktet e qumështit, sheqeri i rafinuar ose ëmbëlsuesit dhe aromat artificiale. Është e mundur të përkeqësoni fryrjen tuaj duke shtuar përbërës ndaj të cilëve jeni të ndjeshëm pa e kuptuar.

    Pije me pluhur proteinash

    Pluhuri i proteinave, një suplement popullor për ndërtimin dhe rikuperimin e muskujve, ndonjëherë mund të shoqërohet me fryrje në disa individë. Kjo fryrje mund të shkaktohet nga disa faktorë, duke përfshirë praninë e disa aditivëve, laktozës ose alergeneve në disa pluhura proteinash.

    Pije energjike

    Pijet energjike, të njohura për efektet e tyre stimuluese dhe përmbajtjen e kafeinës, mund të kontribuojnë në fryrjen e barkut tek disa njerëz. Këto pije shpesh përmbajnë nivele të larta sheqeri, ëmbëlsues artificialë dhe karbonacion, të cilat mund të çojnë në rritjen e formimit të gazit dhe fryrje. /Telegrafi/

  • Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia. Kështu tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të kontinentit të mbajtur në Paris.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

    “Ne po ashtu kemi vendosur t’i japim një shtysë të re koalicionit të mbrojtjes ajrore, gjë për të cilën ka bërë thirrje presidenti ukrainas [Volodymyr Zelensky], dhe të krijojmë koalicionin e nëntë këtë mbrëmje, një koalicion për raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryhen sulme të thella”, tha Macron gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit.

    Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

    Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Trupat ukrainase, që janë më të pakta në numër dhe me mungesë armatimesh, së fundi u detyruan të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, teksa një paketë e ndihmës ushtarake e SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

    Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

    Ai tha se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë. Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

    Ndaras, presidenti polak Duda, tha për gazetarët pas takimit se “nuk kishte entuziazëm” në mesin e pjesëmarrësve lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

    Pjesëmarrësit në takim thanë se ka rritje të mbështetjes nga shtetet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’i dërguar në Ukrainë.

    Kryeminsitri Mark Rutte tha se Holanda ka vullnet që të ofrojë mbi 100 milionë euro për këtë qëllim./REL/

  • Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Një person derisa ka qenë në vuajtje të dënimit në Qendra e Paraburgimit në Hajvali të Prishtinës, është gjetur pa shenja jete.

    Rasti është raportuar dje në mëngjes dhe vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    “Qendra e Paraburgimit Hajvali, Prishtinë 26.02.2024 – 07:51. Derisa ka qenë në vuajtje të dënimit një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete, vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Raportohet se i njëjti ka qenë përdorues i substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Rrëmbehet një person në Prishtinë

    Rrëmbehet një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për rrëmbimin e një burri dje në Prishtinë.

    Sipas Policisë për rrëmbimin e tij, ka njoftuar shoku i tij.

    ”Rr. Fadil Vata, Prishtinë 26.02.2024. Policia ka pranuar një informatë nga një qytetar se një shok i tij është rrëmbyer nga një person dhe i njëjti është dërguar në një mal në afërsi të Prishtinës. Njësitë policore kanë filluar ta trajtojnë rastin. Pas disa orësh personi që dyshohet se ka qenë i rrëmbyer është paraqitur në stacion policor. Njësitë e hetimeve rajonale janë duke e trajtuar rastin. nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Sot në Bruksel takimi për dinarin

    Sot në Bruksel takimi për dinarin

    Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës për qarkullimin e valutave do të jenë temë kyçe në Bruksel të martën (sot), në ditën kur janë ftuar për takim përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë. Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se takimet me palën kosovare dhe serbe do të mbahen në mëngjes. Është bërë e ditur se “ai do të kenë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”.

    Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli ka deklaruar se të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk ka saktësuar se kush do të shkojë nga Kosova në këtë takim.

    “Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre“ ka thënë ajo.

    Nga BQK-ja kanë thënë se kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).

    Nga Serbia është thënë se do të shkojë kryenegociatori, Petar Petkoviq.

    Brukseli zyrtar ka konsideruar si të nevojshëm takimin për gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e Rregullores së BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda shtetit, ani se Kosova ka përgatitur një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores.

    Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.

    Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

    Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.

    Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për Kosovën për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si tentim për dëbim të serbëve nga Kosova.

  • Rizvanolli dhe Aliu raportojnë në komisionet e Kuvendit

    Rizvanolli dhe Aliu raportojnë në komisionet e Kuvendit

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të raportojë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Kurse, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu do të raportojë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

    Rizvanolli do të raportojë lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024. Ndërsa, Aliu lidhur me raportin e auditimit të performances” Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”. Sipas njoftimit, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, do të shqyrtojë edhe raportin e auditimit të PVF-ve, të Postës së Kosovës sh.a për vitin 2022, ku të ftuar do të jenë bordi dhe kryeshefja ekzekutive.

    Ndërsa, në Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, përveç ballafaqimit me Rizvanollin, do të shqyrtojë edhe planin e Performancës të AKP-së për vitin 2024 dhe planin e Performancës të AKRK-së për vitin 2024 – i reviduar.