ATV

Author: G.O.

  • Vdes ish-kryeministri kanadez, Brian Mulroney

    Vdes ish-kryeministri kanadez, Brian Mulroney

    Ish-kryeministri kanadez, Brian Mulroney, ka vdekur.

    Ai ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare, shkruan, Mirror.

    Kryeministri i 18-të i Kanadasë, vdiq paqësisht dhe i rrethuar nga familja, tha vajza Caroline Mulroney në një postim në X (ish-Twitter).

    Familja e Mulroney tha verën e kaluar se ai po përmirësohej çdo ditë pas një ndërhyrje në zemër që pasoi trajtimin për kancerin e prostatës në fillim të vitit 2023.

    Sipas familjes, Mulroney vdiq në një spital në Palm Beach, Florida, ku po trajtohej pas disa problemeve së fundmi.

    Udhëheqësi i Partisë Konservatore Progresive nga viti 1983 deri në 1993, Mulroney shërbeu pothuajse një dekadë si kryeministër pasi u zgjodh për herë të parë në vitin 1984 pasi arriti shumicën më të madhe në historinë kanadeze me 211 nga 282 vende.

  • Osmani udhëton në Turqi, do të merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Osmani udhëton në Turqi, do të merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

    Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

    Siç njofton presidenca, gjatë forumit, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

    “Përgjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit”, thuhet në njoftim.

    Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë.

    Forumi i sivjetshëm do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars.

  • Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe drejtorit të departamentit të gatishmërisë në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Mustafë Gashi, ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i shoqëruar nga anëtarët e bordit të AKB-së, Shkëlzen Jusaj, Xhevdet Rexhepi dhe Lumnije Ajdini.

    Ky takim sot i parapriu nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve, përmes së cilit do të ofrohen zbritje në produkte dhe shërbime në bizneset anëtare të AKB-së për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit e Kosovës.

    Ky memorandum bashkëpunimi do të ofrojë zbritje për zyrtarët policor dhe zjarrfikësit në produkte dhe shërbime nga 5-50% në sektorin e ushqimit, veshmbathjeve, derivateve të naftës, shërbime mjekësore, shërbime juridike, transport me taksi, hoteleri dhe gastronomi, si dhe qiramarrje të mjeteve. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit do të njoftohen për fazat e implementimit të kësaj marrëveshje përmes personave të caktuar brenda institucioneve të tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme do të vijojë angazhimin me qëllim të mbështetjes së zyrtarëve dhe agjencive të saj.

  • Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Dita e dytë në Belfast nisi me një takim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris, në kështjellën historike “Hillsborough Castle”.

    Në bisedën mes tyre, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën prej dekadash. Ai foli mbi sfidat dhe mundësitë që i ka Kosova si një shtet multigjuhësor e gjithëpërfshirës. Kryeministri theksoi angazhimin e përkushtimin e Qeverisë sonë për integrimin e komuniteteve joshumicë, sidomos në institucionet shtetërore.

    Në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën, Sekretari Heaton-Harris tha se është e rëndësishme që e kaluara të kujtohet, por edhe të ndërtohet mbi të, për një të tashme e të ardhme më të mirë, veçanërisht për të rinjtë dhe gjeneratat e reja të cilat duan prosperitet, pavarësisht se nga cili komunitet vjen.

    Kurti përmendi trysninë dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, dhe veçanërisht zyrtarët policorë të këtij komuniteti, nga Beogradi zyrtar. Kryeministri evidentoi se qytetarët serbë të Kosovës duan të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit. Ata bashkëpunojnë me policinë në veri të Kosovës për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive kriminale që ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme.

    Në dritën e këtij diskutimi, por edhe më gjerë, rreth sfidave me të cilat përballet vazhdimisht shteti, kryeministri Kurti shfaqi interesin për të dëgjuar më shumë për përvojat e Irlandës Veriore në bashkimin e komuniteteve. Palët theksuan gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha si ekonomia, kultura dhe teknologjia.

  • Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Sot, në një ceremoni të mbajtur para shumë përfaqësuesve të kompanive nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, si dhe Kryetari i Federatës së Odave Ekonomike të Arabisë Saudite, Hassan Al Hawaizy, firmosën zyrtarisht Marrëveshjen e Bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

    Gjithashtu, gjatë Forumit Ekonomik të organizuar sot, kompanitë nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite ishin pjesë të takimeve të strukturuara B2B, për të eksploruar më në detaje mundësitë e investimeve dhe partneriteteve biznesore.

    Ky Forum paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite shprehin gëzimin e tyre për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe angazhohen për të përforcuar më tej lidhjet ekonomike dhe të promovojnë bashkëpunimin reciprok në të ardhmen.

  • Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit I.Z., për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Pas shqyrtimit fillestar ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, gjykata të akuzuarin I.Z. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.

    I pandehuri I.Z., akuzohet se “Me datë 20 shtator 2023, rreth orës 07:15 minuta, në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevës, në parkingun e marketit “M…”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga fshati Vraniq, Komuna Suharekës, në atë mënyrë që me të arritur në vendin e cekur më lartë, tani i ndjeri me veturën Fiat, ngjyrë e bardhë, i cili ishte duke shkuar në punë, ndërsa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E., dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A.B., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armën e llojit SIG SAUER- P320, shtënë pesë herë në kokë të tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy here prapë në drejtim të trupit të tij, përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e mara i ndjeri ndërro jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri largohet me veturën e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.”

    Po ashtu, është konfiskuar një pistoletë e tipit SIG SAUER – P320, 57 fishekë të kalibrit 9×19 mm, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale.

    Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, arma e konfiskuar do të shkatërrohet në rast se e njëjta nuk evidentohet se është përdorur në ndonjë rast tjetër të hapur, nga Libri i Rasteve të Hapura.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

  • ​Komuna e Deçanit ndan 20 mijë euro për shpërndarje të serrave bujqësore për fermerët

    ​Komuna e Deçanit ndan 20 mijë euro për shpërndarje të serrave bujqësore për fermerët

    Në mbledhjen e II-të të kuvendit komunal të Deçanit për këtë vit, është diskutuar çështja e pagesës së shujtave ditore, të cilat sipas ligjit paguhen nga buxheti komunal.

    Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj tha se ky vendim duhet të shfuqizohet për shkak se është vendim që po dëmton buxhetin komunal të Deçanit.

    Ramosaj tha se për shkak të pagesave të shujtave ditore, Deçani ka 1 milionë e 600 mijë euro borxh që duhet të paguajë.

    “Shujtat ditore dy vitet e fundit kanë mundur të mos paguhen, këtë e dimë edhe sindikata edhe punëtorët dhe po përsëritet prapë, disa vendime në këtë shtet janë marrë në etapa politike, sidomos në fushata zgjedhore, që nuk është ditur si implementohen. Kur flasim për kontrata kolektive përgjegjësia nuk ka qenë e asnjë komune. Nëse e marrim këtë vendim si komunë që me e nda një kod buxhetor kur paguajmë edhe pagat edhe mëditjen nuk është e mundur, sepse një gjë të tillë nuk e lejon ligji. 44:45 Obligim për shujta me e paguar organizata buxhetore komunale që jemi penalizuar. Në këtë na kanë mirëkuptuar por zgjidhje nuk mund të bëjmë. Unë kam mundur me mbrojt këtë temë me gjykatë dhe mos me marrë pagesë askush, por kam pas mirëkuptim për shkak të pagave të ulëta, dhe prej kryetarit të sindikatës që në mbledhjen me u shfuqizuar ky vendim.46:02 Komuna e Deçani ka 1 milion e 600 mijë euro për të cilat duhet të paguajë për shkak të këtij defekti që ka ndodhur”, tha Ramosaj.

    Ndërkaq, në mbledhjen mbajtur sot, komuna e Deçanit ka marrë vendim që të ndajë 20 mijë euro për bashkëfinancim me organizata jo qeveritare në sektorin e bujqësisë.

    Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rifat Stokaj tha se do të nis një projekt për shpërndarjen e 50 serrave bujqësore për 50 fermerët e Deçanit.

    Ai tha se në këtë projekt do të bashkë financojnë komuna, qytetarët dhe organizatat joqeveritare.

    Stokaj tha se nëse ky projekt ka rezultate të mirë të prodhimtarisë, do të nisin edhe projekte të tjera.

    “Neve kemi qenë në negociata me tre organizata jo qeveritare për ngritjen e këtyre serave që janë për të mirën e fermerëve tonë. Projekti total do të jetë diku rreth 60 mijë euro, 20 mijë euro participimi i Deçanit, 10 mijë euro nga qytetarët dhe 30 mijë euro nga shoqata. Neve na është kërkuar se cili do të jetë kapaciteti i Deçanit, sa fermerë janë në ato projeksione dhe gjithë materiali është aty, tjetër diçka nuk ka ende pa u nënshkruar marrëveshja. Për ndihmesën e 50 fermerëve me serra, të cilat do të jenë të kapacitetit një ari 10 me 10 apo 5 me 20 varësisht se në çfarë forme i kërkojnë fermerët, ata do të përfitojnë nga ndërtimi i tyre, pjesa metalike, pjesa e mbulesës, pra fermerët do të janë të gatshëm të fillojnë punën në ato serra. Do të bëhen mbi 50 vizita te fermerët dhe ato të kthehen në letër por se a do të ketë projekt të dytë do të shohim se a ka rritje të prodhimtarisë pastaj vazhdojmë me projekte tjera”, tha Stokaj.

  • Hovenier i dëshiron mirëseardhje anëtarëve të rinj të KFOR-it në Kosovë

    Hovenier i dëshiron mirëseardhje anëtarëve të rinj të KFOR-it në Kosovë

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier i ka dëshiruar mirëseardhje anëtarëve të rinj të misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

    “I lumtur të marr pjesë në ceremoninë e transferimit të autoritetit në Komandën Rajonale të KFOR-it në lindje”, ka shkruar ai në X.

    Tutje ai ka përmendur se nga cilat garda kombëtare vijnë këta ushtarë.

    “Unë u shpreh një mirëseardhje të ngrohtë në Kosovë anëtarëve të Gardës Kombëtare të Gjeorgjisë, Gardës Kombëtare të Luizianës, dhe elemente mbështetëse dhe i ofroj mirënjohjen time më të thellë Gardës Kombëtare të Teksasit, Gardës Kombëtare e Rhode Island, dhe elemente mbështetëse për shërbimin e tyre si pjesë e NATO-s misionin për ta mbajtur Kosovën të sigurt”, ka shkruar ambasadori amerikan.

  • Abazi: S’ka shiringa në Pediatri, asnjë premtim i kësaj Qeverie s’po realizohet

    Abazi: S’ka shiringa në Pediatri, asnjë premtim i kësaj Qeverie s’po realizohet

    Deputeti Haki Abazi, ka kritikuar qeverinë Kurti për gjendjen në shëndetësi. Ai iu drejtua ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se në spitalin e Pediatrisë në Prishtinë nuk ka shiringa, dhe me këtë rast, prindërit detyrohen t’i blejnë vetë ato, raporton Ekonomia Online.

    Abazi ka deklaruar se premtimet që janë bërë nga kjo Qeveri, asnjëra prej tyre nuk po realizohet.

    “Nuk mbrohet fakti që në Pediatri nuk ka shiringa, fëmija 6 muajsh me kancer duhet të presë që prindi të dalë t’i blejë shiringat, nuk është qasje strategjike kjo. Nuk është qasje e drejtë me dalë Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë me fol si me qenë fushatë elektorale. Tri vjet qeverisje gati katër të qeverisjes Kurti dhe janë 10 vite të ekzistencës së VV-së për analizat e dëmshme dhe mangësive që ka ky sektor. Premtimet që janë bërë, fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk po realizohet, mos e merr krejt barrën mbi vete sepse nuk ka plan për preventivë, sepse po vazhdohet të digjet qymyri e mbeturinat, po vazhdon të dëmtohet shëndeti publik”, ka deklaruar ai.

    Tutje, Abazi u shpreh se nëse një qytetar sëmurët, detyrohet të thërras dikë për të gjetur “të njohshëm” për me marr shërbim.

    “Nëse arrin deri te momenti kur jemi të sëmurë si qytetar, qoftë nga gripi, ne përfundojmë në thirrje telefonike të njerëzve të njofshëm për me marr shërbim, sot në vitin 2024. E keni pru parlamentin në ditë të zeza, e keni bo leckë”, tha më tej Abazi.

  • ​Varhelyi: Kemi një plan ambicioz, rajonit t’i ndahen edhe 6 miliardë euro tjera

    ​Varhelyi: Kemi një plan ambicioz, rajonit t’i ndahen edhe 6 miliardë euro tjera

    Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, gjatë fjalës së tij në punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë u shpreh se Plani i Rritjes është ambicioz.

    Në Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, Varlehyi potencon se procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë vetëm me kapitujt.

    Sipas tij, procesi ka të bëjë me integrimin e ekonomive dhe shoqëritë të rajonit në BE.

    Sipas Varhelyi, në mënyrë që të ecet përpara, një gjë duhet ta bëj edhe rajoni dhe të arrihen rezultate në reforma të cilat do ta bënin funksional planin.

    “Edhe pse ne po afrojmë fundin e mandatit tonë, gjithsesi unë dëshiroj që të lëmë diçka pas serioze, e prekshme, e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm për procesin e zgjerimit që procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë me kapituj të ndryshëm të legjislacionit apo me mënyra të ndryshme administrative që ne i kemi apo me agjenci të ndryshme por është proces integrimi. Ky proces integrimi do të thotë se ekonomia e Ballkanit Perëndimor dhe shoqëritë të integrohen në Bashkimin Evropian që do të thotë në vetvete gjithashtu që edhe Bashkimi Evropian duhet që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjell anëtarësimi përpara se vendet tuaja të bëhen shtete anëtare të BE-së. Kjo është ideja që kemi ne dhe që sjellim me këtë plan të rritjes, në fakt si plan është plan ambicioz, por ne kemi gjysmën e kohës në dispozicion për ta vënë atë në zbatim, ai do të vazhdonte deri në 2027-tën, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme. Që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vet me shpejtësi dhe kjo do të thotë të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional, dhe ky plan do të funksionojë nëse ju aplikoni rregullat e Bashkimit Evropian dhe i pranoni të gjitha këto rregulla dhe pastaj mund të bëheni pjesë e tregut të vetëm edhe përpara se të bëheni shtet anëtar,” tha Varhelyi.

    Ai gjithashtu u bëri thirrje partnerëve që përveç 30 miliardë eurove të ndara, rajonit t’i ndahen edhe 6 miliardë euro të tjera në mënyrë që të arrihet niveli i fondeve strukturore i Bashkimit Evropian për shtetet anëtare.

    Varhelyi theksoi se institucionet financiare si BERZH dhe FMN duhet ta përshpejtojnë punën e tyre të cilat sipas tij do të ndihmonin në rritjen ekonomike të rajonit.

    “Dëshira që dëshiroj të shpreh këtu përpara jush, sot është një dëshirë që e shpreh për partnerët tanë të institucioneve financiare që përveç 30 miliardë eurove ne kërkojmë që ju të na jepni edhe një 6 miliardë tjetër euro që e sjell në fakt të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të Bashkimit Evropian për shtete anëtare, pra 19 për qind e atyre që do të ofrohen në rajon do të merren deri në vitin 2027, por ama këto duhet të bëhen pjesë e ekonomisë sepse bazohet tek ekonomitë e këtyre vendeve dhe jo thjesht për trashëgimin kulturore, por e kam fjalën për vendet e punës rritjen ekonomike dhe këto para do të arrijnë vetëm në rast se ju si institucione financiare tregoheni të shpejt që do të thotë Banka Evropiane e Investimeve, BERZHI, FMN, të gjithë tani duhet të përshpejtoni punën, përpjekjet tuaja dhe duhet të tregoheni shumë më të shpejtë se sa që jeni treguar më parë”, tha ai në fjalën e tij.