ATV

Author: G.O.

  • Mbi 100 persona të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalnyn

    Mbi 100 persona të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalnyn

    Të paktën 120 persona janë arrestuar në Rusi pse kanë marrë pjesë në ceremonitë për t’i dhënë lamtumirën e fundit kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është varrosur më 1 mars në Moskë, pas vdekjes së tij të dyshimtë më 16 shkurt në një burg në Arktik.

    Navalny është varrosur në varrezat afër shtëpisë ku është rritur në Moskë, teksa dhjetëra mijëra mbështetës kanë rrezikuar që të përballen me autoritetet dhe kanë shkuar për ta nderuar jashtë kishës ku është mbajtur ceremonia lamtumirëse.

    Familjarët dhe ndihmësit e ngushtë janë lejuar të jenë brenda në kishë, para se ai të varrosej.

    Forcat policore kanë qenë në çdo cep të rrugëve të Rusisë, dhe ndonëse nuk ka pasur raportime për incidente, më shumë se 120 persona janë ndaluar më vonë në Moskë, Shën Petersburg, Novisibirsk, Jetakerinburg dhe qytete tjera, pse kanë marrë pjesë në organizimet për të kujtuar Navalnyn.

    Organizata për të drejta të njeriut First Department, ka raportuar se nëpër gjykatat në katër rajonet ruse, emri i Navalnyt është konsideruar “simbol ekstremist”.

    Në rrjetet sociale kanë qarkullaur fotografi të ceremonisë së zhvilluar në kishë, ndonëse aty janë ndaluar kamerat.

    Në to janë parë prindërit e Navalnyt afër trupit të tij, të hapur deri në kraharor, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund ta shohin për herë të fundit.

    Shumë njerëz kanë vënë lule në makinën që e ka bartur trupin e tij dhe disa janë dëgjuar duke bëtitur ‘jo luftës’, ‘Putini është vrasës’ dhe ‘nuk do të të harrojmë’.

    Në ceremoninë në kishë kanë marrë pjesë edhe shumë diplomatë perëndimorë që janë të angazhuar në Moskë.

    “Puna e Aleksei Navalnyt e ka shpërfaqur një vizion të një ardhmeje më të mirë për Rusinë dhe gjithë rusët. Në fund, ai e ka dhënë jetën për shërbimin patriotik. Për shumë rusë, ai është simbol i asaj që mundet dhe duhet të jetë Rusia”, ka thënë Ambasada amerikane në Moskë, përmes një postimi në Telegram.

    E veja e Navalnyt, Yulia, e cila jeton jashtë Rusisë, për arsye të sigurisë, nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

    Mirëpo më vonë, ajo e ka publikuar një video shumë emocionuese, duke kujtuar momentet më të mira me burrin e saj.

    “Nuk e di si të jetoj pa ty, por do të tentoj të bëj më të mirën për të të bërë të lumtur dhe krenar për mua. Nuk e di a do të mundem, por do të tentoj”, ka thënë ajo, duke aluduar se do të vazhdojë vizionin e tij për demokraci dhe liri në Rusi.

    Para ceremonisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka lëshuar një paralajmërim që organizimet e paligjshme në mbështetje të Navalnyt, konsiderohen shkelje e ligjit.

    Ai, po ashtu, ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka çfarë të thotë për familjen e tij.

    Gruaja e Navalnyt e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin se qëndron mbrapa vdekjes së burrit të saj.

    Të njëjtin mendim ndajnë edhe disa liderë të Perëndimit, ndonëse Kremlini hedh poshtë vazhdimisht këto qëndrime.

    Navalny ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim prej 19 vjetësh për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht./REL/

  • Grafite me simbolin serb në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri

    Grafite me simbolin serb në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri

    Grafite me simbole serbe janë shkruar në një shtëpi të pabanuar te ‘Kroi i Vitakut’, në veri të Mitrovicës, njoftoi Policia e Kosovës.

    “Më 01.03.2024 është vërejtur se në një shtëpi të pabanuar janë shkruar grafitë (kryqi me 4C). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar.

  • Orban: Rikthimi i Trumpit, i vetmi shans serioz për paqe në Ukrainë dhe Gaza

    Orban: Rikthimi i Trumpit, i vetmi shans serioz për paqe në Ukrainë dhe Gaza

    Shtëpinë e Bardhë do të përfaqësonte “të vetmin shans serioz” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Gaza. Në një forum diplomatik në Antalia, Orban konfirmoi se do të vizitojë Trumpin në Florida javën e ardhshme.

    “E vetmja mundësi serioze për paqe është nëse ai [Trump] arrin të kthehet dhe të bëjë paqe”, u tha Orbán pjesëmarrësve të forumit. “Përndryshe, lufta midis Ukrainës dhe Rusisë do të jetë e gjatë.”

    “Kthimi i Trumpit është parakusht për paqe të fortë dhe të shpejtë në kontinentin evropian”, ka thënë Orban, i cili beson se lufta në Ukrainë do të kishte përfunduar tashmë nëse Trumpi do të kishte qenë në pushtet dy vjet më parë.

    Kryeministri hungarez vlerësoi gjithashtu se Trumpi mund të ndikojë në përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza./abcnews.al

  • Kusari-Lila: Jemi në koordinim me opozitën për vendosjen e datës për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kusari-Lila: Jemi në koordinim me opozitën për vendosjen e datës për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kriteri 80 plus i votave të deputetëve, ka bërë që shumë marrëveshje ndërkombëtare të mos kalojnë. Për këtë, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për Ekonomia Online, se janë në koordinim me LDK-në dhe AAK-në që t’ua mundësojnë kuorumin.

    Kusari-Lila, ka thënë se kjo është duke u diskutuar në mënyrë që të mos rrezikohet as miratimi apo edhe rrëzimi i ndonjë prej marrëveshjeve ndërkombëtare në mungesë të votave të deputetëve.

    “Jemi duke u koordinuar me të dy subjektet opozitare në raport për diskutim gjegjësisht datën e saktë të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duam të hyjmë në procesin e votimit në momentin kur e dimë se nuk i kemi vetëm 80 deputetë por pak më shumë se 80. Në situatën kur kemi qenë në numër të plotë tri grupet parlamentare në këtë rast katër në fakt, dy të opozitës Grupi Parlamentar i LVV-së, Grupi Multietnik, LDK-ja dhe AAK-ja kemi arritur deri në 83 apo 84 deputetë sipas rastit. Prandaj duam që në momentin kur të kemi një datë të caktuar për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në një të ardhme të afërt të jemi në numër të plotë dhe të mos rrezikohet qoftë miratimi i tyre apo edhe rrëzimi i ndonjë prej marrëveshjeve ndërkombëtare në mungesë të votave të deputetëve”.

    “Java pasuese mund të jetë java e cila varësisht nga dakordimet të caktojmë njërën nga ditët e javës, është një javë e cila ka një mori festash siç është ajo e mësuesit dhe përkujtimore siç është Epopeja e UÇK-së prej pesë deri me tetë mars që mbahen dhe shënohen me aktivitete të ndryshme në mbarë Kosovën. Prandaj duhet që paraprakisht qoftë përmes mbledhjes së Kryesisë apo përmes takimeve të diskutojmë se si do ta kemi agjendën prej seancës së veçantë e deri te organizimi pastaj për seancë të rregullt apo seancë me pika për votim”, ka thënë ajo.

    Kusari Lila ka thënë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të vendoset në një të ardhme të afërt.

    Sipas saj, votimi i këtyre marrëveshjeve është i domosdoshëm, pasi disa prej tyre kanë afat. Ajo shtoi se edhe përfaqësues të BE-së insistojnë që këto marrëveshje të kalojnë sa më parë, për shkak se negocimi i tyre është bërë më herët.

    “Janë disa të cilat kanë afat dhe këtë afat e kanë pas prej fillimit të vitit, është marrëveshja me Danimarkën pastaj janë dy marrëveshje tjera me BE-në, për të cilat edhe vetë përfaqësues të BE-së insistojnë të kryen sa më parë për shkak se negocimi i tyre është bërë edhe më herët. Ne po shpresojmë se në një të ardhme të afërt, unë po mendoj praktikisht që të diskutojmë ditët e mundshme gjatë javës së ardhshme jashtë atyre seancave të veçanta që mund të kemi seancë për votime apo një javë pasuese”, ka thënë ajo.

  • Tri ndeshje interesante për titull luhen sot në Superligë

    Tri ndeshje interesante për titull luhen sot në Superligë

    Sot do të luhen tri ndeshje interesante në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll.

    Kampioni aktual, Ballkani i shkon në udhëtim Dukagjinit. Skuadra suharekase është duke kaluar nëpër një formë të dobët dhe do të synojë që të kthehet te fitorja për të mbajtur vendin e parë në tabelë.

    Një tjetër ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Drenas, ku pretendenti për titull, Llapi do të përballet me Feronikelin 74.

    Ndërsa, Fushë Kosova i bën konak skuadrës së Dritës, që është rikthyer në garë për titullin e kampionit.

    Të gjitha takimet do të zhvillohen duke filluar nga ora 13:00.

  • Romano: Situata në Kosovë ende e brishtë – palët të përmbahen nga retorika përçarëse dhe t’i kthehen dialogut

    Romano: Situata në Kosovë ende e brishtë – palët të përmbahen nga retorika përçarëse dhe t’i kthehen dialogut

    Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano, ka thënë se në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë.

    Në përgjithësi, ai tha se rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, ndonëse thekson se ka ende arsye për shqetësim.

    “Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç thuhet në Konceptin Strategjik të NATO-s të miratuar në samitin e Madridit në vitin 2022. Kjo pikë u riafirmua në takime të shumta të nivelit të lartë, duke përfshirë në Samitin e NATO-s në Vilnius korrikun e kaluar, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel nëntorin e kaluar dhe në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel në shkurt. Këtë e theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në rajon nëntorin e kaluar, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm Mircea Đoan gjatë vizitës së fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bosnje dhe Hercegovinë. Në përgjithësi, rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990. Megjithatë, ka ende arsye për kujdes. Edhe pse situata në Kosovë është stabile, ajo është ende e brishtë. Vitin e kaluar pati një rritje të tensioneve dhe dhunës, duke përfshirë sulme të paprovokuara dhe të papranueshme ndaj forcave të KFOR-it në maj, si dhe sulme ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator”, deklaroi ai.

    Tutje ai thotë se përveç kësaj, ka pasur stagnim edhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk ka pasur përparim të dukshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dge Serbisë. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përshkallëzimi i masave, si dhe nga retorika përçarëse, dhe në vend të kësaj të kthehen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE.”

    Ai gjithashtu tha se edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, shohim gjithashtu tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime secesioniste, të cilat kërcënojnë reformat dhe minojnë stabilitetin.

    “Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne shohim gjithashtu tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime secesioniste, të cilat kërcënojnë reformat dhe minojnë stabilitetin. Ky është një trend shqetësues dhe i papranueshëm që sfidon shkronjën dhe frymën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Kjo marrëveshje duhet të respektohet dhe NATO vazhdon të mbështesë plotësisht punën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Përveç kësaj, NATO vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrugën e saj euroatlantike. Ne kemi nevojë për përkushtim të vërtetë dhe një qasje konstruktive nga të gjithë liderët e Bosnjë-Hercegovinës në mënyrë që të sigurojmë mirëmbajtjen dhe funksionimin e strukturave të përbashkëta. Gjatë vizitës së tij në rajon, Sekretari i Përgjithshëm deklaroi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga vendimi i të gjitha palëve për të zgjedhur dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit. Një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euro-atlantike. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, ndër të tjera, përmes misionit tonë të KFOR-it në Kosovë, Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd dhe selisë së NATO-s në Sarajevë”, tha ai në një intervistë për “European Western Balkans.

  • Për dy muaj 116 mijë kërkesa për t’u pajisur me pasaportë – Rritet interesimi edhe i qytetarëve në veri

    Për dy muaj 116 mijë kërkesa për t’u pajisur me pasaportë – Rritet interesimi edhe i qytetarëve në veri

    116 mijë qytetarë kanë aplikuar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për t’u pajisur me pasaportë brenda këtyre dy muajve, ndërsa interesim për marrje të pasaportës biometrike kanë shfaqur edhe qytetarët serb në veri të vendit. Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.

    Camaj ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe pas liberalizimit të vizave, ka pasur mbi 1 mijë e 400 qytetarë nga komunat veriore që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë. Ndërsa në total vetëm në katër komuna veriore, është rreth 7 mijë.

    Camaj ka mohuar pretendimet se ka mungesë të materialit, veçse telashet ishin shfaqur kohë pas kohe. Për këtë, fajin ia lë ndërrimit të lokacionit.

    “Kërkesat kanë qenë në rritje tani situata vetëm ka filluar me u stabilizu nga fundi i muajit shkurt në muajin janar janë diku rreth 71 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta dhe në muajin shkurt diku rreth 45 mijë qytetarë që kanë pajisur për pasaporta”, tha Camaj.

    Materiali i nevojshëm për pasaporta tashmë nuk është edhe problematik pasi sipas Camajt, ka material të mjaftueshëm. Megjithatë për shkak të ndërrimit të lokacionit nga objekti i Gërmisë në Rilindje iu ka shkaktuar pak vështirësi derisa sistemi është stabilizuar.

    “Material kemi mjaftueshëm, linja e prodhimit është e tillë që i prodhon 2 mijë pasaporta në ditë, po presim nga muaji mars të ndërrojmë muajin e prodhimit dhe të rrisim kapacitetin. Vështirësi nuk kemi, kemi pasur dy ditë probleme pak me sistemin se i kemi bërë bartjen nga objekti i ‘Gërmisë’ dhe kemi kaluar në ‘Rilindje’ dhe kur ndërrojnë ato paraqesin probleme, por megjithatë prodhimi tani është stabilizuar”, tha Camaj për Ekonomia Online.

    Krahas interesimit për marrje të pasaportave në komunat tjera, interesim goxha të madh kanë shprehur edhe qytetarët në veri të vendit. Sipas Camajt, 7 mijë serb janë pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

    “Edhe qytetarë të komunave veriore kanë shfaqur interes të madh për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës vetëm në muajin janar dhe shkurt në katër komuna veriore kanë aplikuar diku rreth 1 mijë e 400 qytetarë. Në total vetëm në katër komuna veriore janë të pajisur diku rreth 7 mijë qytetarë me pasaportë biometrike”, tha Camaj për Ekonomia Online.

  • 99 vjet nga vrasja e Luigj Gurakuqit

    99 vjet nga vrasja e Luigj Gurakuqit

    Luigj Gurakuqi ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

    Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit 20 në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lekë Gruda.

    U lind në Shkodër më 20 shkurt 1879, ndërsa në një dorëshkrim shënohet data 19 shkurt 1880 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjerë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon.

    Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarjet e së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqën ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:

    “Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”. Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria asaj kohe. Luigji ishte ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13-vjeçare i shfaqen prirjet për gjuhën shqipe dhe krijime letrare, vjershën e parë e ka shkruar 13-vjeç. Prej Kolegjit Saveriane doli më 1897. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Takimin me ‘të, Gurakuqi e kujton:

    “… tue pà syt e tij të mekun kah ndizeshin e shkëlqeshin, tue e përmendë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé…!”

    Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për sciences naturelles, duke pas ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjekësisë në vitet 1901-1906, ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t’i përpilonte një parathënie, të cilën Konica do t’ia paraqiste botës frënge me një përkthim të bukur në të përkohshmen “Albania”. I përpirë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipërisë detyrohet të lë studimet përgjysmë që t’i kushtohej valës së luftërave për lirinë kombëtare duke marrë emrin e tyre në pseudonimin Lekë Gruda.

    Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906), bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit, botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár”.

    Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali “Dy Koloní Shqiptare n’Italí deri tash të panjohtuna” Më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë që kishin bërë faje politike.

    Më korrik 1908 mbërrin në Shkodër i adhuruar nga populli, mban një fjalim në gjuhën shqipe në praninë e Komitetit të Turqve të Rinj, e përcjellin deri në shtëpi. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.

    Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë.

    Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejt luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve.

    Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit 20. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh.

    Detyrohet të ikë prej Elbasanit, të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.

    Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe do të merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vjenë. Me vaporin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 pasdite, u nisën të nesërmen më 25. Një natë fjetën në Çermë te Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor, në darkë.

    Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Nga gjendja e tensionuar në Shqipërinë e mesme, pasi qëndresa nuk u shfaq e frytshme tërhiqet në Shkodër me Aqif pashën ku vihet në krye të një Komisioni Sundimtar të Përkohshëm. Me Luftën i Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916.

    Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Korparmatës XIX të komanduar nga gjeneral Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Lubjanës, më parë profesor në Universitetin e Gracit në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Gurakuqin. Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e gramatologjisë.

    Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore të individit në fushën e arsimit, dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit, ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në Ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, Luigj Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qëndroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës. Iu dha edhe posti i ministrit të Brendshëm, në kabinetin disaditorë të Hasan Prishtinës. Këto ide e mendime Luigj Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht në artikullin: “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare që mund të lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri. Më 1921-1924 ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit. Ai ankohej se:

    “Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t’atdheut duke na lanë si një trup pa kokë”.

    Tingëllojnë të freskta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë:

    “Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti”,- deklaronte ai,- “për t’i ndërrue fytyrën Kosovës”. Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Luigj Gurakuqi është partizan për të ndihmuar e për t’i dalë zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.

    Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte në atë se ata ishin shqiptarë e donin të mbeteshin shqiptarë.

    Ndër fjalimet më të fuqishme të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte:

    “Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.”

    Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”.

    Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Kur në Parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet,

    “Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”.

    Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar as bolshevik e as socialist, koncepte këto që në vitet ’20 ishin të baras vlefshëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, me kryengritje. Gurakuqi do të shkruajnë se ishte trim, por s’e pëlqente gjakderdhjen. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme nëpërmes ligjeve, zgjidhjeve “me drejtësi e në mënyrë të butë”. Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. Miku i tij, Mustafa Merlika-Kruja shkruan në letërkëmbimin me Atë Paulin Margjokajn:

    “Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qenë kundërshtar deri që nuk qe vendosun, ka luftue si Luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen ma vonë njana mbas tjetrës. Por, mjerisht, mandej kur s’i eci fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin”.

    “Gurakuqi u tërhoq (në revolucion) pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë sa u ndodhën në Vlorë”. – shkruante Stavro Vinjau.

    Për veprimtarinë e tij si ministër vazhdojmë të lexojmë Vinjaun: “… si ministër i Financavet i Kabinetit Noli bëri çudira. Gjeti 4 milion franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngursimet e tij (ngursente parat e Shtetit më tepër se paratë e tij) arriti që jo vetëm buxhetin e ri t’a mbyllnjë me një tepricë prej 1.000.000 franga ari, po edhe të gjithë borxhet e Shtetit të kohës së kaluar të paguhen; nëpunësit të cilët prej 2-3 vjetëvet qenë mësuar të paguheshin me një vonesë prej 3-4 muajsh, arritne ditët e fundit të administrimit të tij të paguhen rregullisht. Dhe barasimin e buxhetit e bëri pa mbyllur asnjë pagesë të dobishme në arësim e P. Botore, pa pakësuar ushtrin dhe duke i dhënë xhandarmëris sa kërkoj Komanda e Përgjithëshme.”

    Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të hotel “Cavour”, kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij. Në xhepat e shqyer të ish-ministrit të Financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat.

    Në organizimin e këtij atentati kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë:

    “Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!… Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”

    Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. Në ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dëborë” për t’ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj.

  • Sot mbahet konferenca vjetore e prokurorit të shtetit, marrin pjesë edhe Hovenier e Szunyog

    Sot mbahet konferenca vjetore e prokurorit të shtetit, marrin pjesë edhe Hovenier e Szunyog

    Sot, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet konferenca vjetore e prokurorit të shtetit.

    Përveç kryeprokurorëve dhe prokurorëve nga të gjitha prokuroritë, në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Në konferencë do të jenë pjesëmarrës edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, si dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj.

    Kjo është agjenda:

  • 580 vjet nga Besëlidhja e Lezhës

    580 vjet nga Besëlidhja e Lezhës

    Besëlidhja e Lezhës, e njohur si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të viteve 1444, të cilët dëshironin të shkëputen nga lidhja me perandorin osmane e cila krijohej me ndikimin ushtarak Osman.

    Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Si organizatorë të kuvendit merret i posa kthyeri nga Stambolli, gjenerali  shqiptar në perandorin osmane Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që më këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.

    Princërit që morën pjesë ishin Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjerë në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

    Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.

    Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

    Për më shumë vite e shekuj, por edhe sot ky Kuvend merret si shembull i krijimit dhe mbajtjeve të kuvendeve me karakteristika shqiptare demokratike, në të cilat vendos shumica e pjesëmarrësve dhe udhëhiqen nga një i ri që respekton mendimet e pleqërisë shqiptare.