ATV

Author: G.O.

  • Lugina e Preshevës, 32 vjet që kur shqiptarët kërkuan bashkim me Kosovën

    Lugina e Preshevës, 32 vjet që kur shqiptarët kërkuan bashkim me Kosovën

    Më 1 dhe 2 mars shënohet 32-vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

    Para 32 vjetësh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

    Është me rëndësi të theksohet se në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit.

    Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

    Nga distanca 26 vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjate vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

    Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

    Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptarë nga Lugina e Preshevës për këto tri komuna. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit .Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe. U hapën 75 vendvotime në shtëpi dhe lokale private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime.

    Dolën mbi 46.000 votues. 98 % e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm. Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u morr vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbush në praktikë, pasi nuk u respektua nga ana serbe.

  • Osmani takohet me Lajçakun në Turqi, flasin për ecurinë e dialogut dhe zgjedhjet në veri

    Osmani takohet me Lajçakun në Turqi, flasin për ecurinë e dialogut dhe zgjedhjet në veri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë punimeve të Forumit të Diplomacisë, që po mbahet në Antalya të Turqisë.

    Për takimin mes tyre ka njoftuar vetë Lajçak, përmes një postimi në platformën “X”, derisa ka treguar edhe temat e diskutuara.

    “Një bisedë për t’u vlerësuar me presidenten Vjosa Osmani në margjina të Forumit Demokratik të Antalisë. Folëm rreth zhvillimeve të fundit në dialog, në veçanti për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimin e fundit që e mirëprita në Bruksel”, ka shkruar Lajçaku.

  • Tahiri: Fatkeqësi e madhe që vendimi i brendshëm i BQK-së të bëhet temë ndërkombëtare

    Tahiri: Fatkeqësi e madhe që vendimi i brendshëm i BQK-së të bëhet temë ndërkombëtare

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se është fatkeqësi e madhe që vendimi  brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovës të bëhet temë ndërkombëtare.

    Tahiri ka thënë se AAK I mbështetë marrëveshjet ndërkombëtare përderisa kanë kërkesa eksplicite për reflektim sa i përketë dy temave që i ka parashtruar Aleanca.

    “Pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit theksova se Grupi Parlamentar i AAK-së do t’i mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare, përderisa kemi kërkesa eksplicite që të ketë reflektim mbi dy kërkesat tona kryesore: të votohet rezoluta për sigurimet shëndetësore si dhe amandamentimi i Ligjit të Pagave”, ka thënë Tahiri.

    Tahiri ka thënë se valuta e vetme në Kosovë është Euro dhe ajo duhet të jetë.

    “Sa i përket çështjes së dinarit, qëndrimi ynë është i saktë: Euro është valuta e vetme në Kosovë dhe ajo duhet të jetë. Për këtë temë duhet të ketë diskutim të brendshëm në Kosovë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me argumentimet që i ka qeveria në mënyrë që të arrihet deri tek një zgjidhje dhe assesi kjo temë nuk duhet që të bëhet temë e dialogut në Bruksel”, është shprehur Tahiri.

    Sipas tij, është fatkeqësi e madhe që vendimi I brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovës të bëhet temë ndërkombëtare.

    “Është fatkeqësi e madhe, që ky vendim i brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovë të bëhet temë ndërkombëtare! Të gjithë hapat e qeverisë kanë qenë dhe janë të gabuar – është dashur që të ketë një njoftim paraprak, të jepet një afat kohor dhe të merret një vendim i pakthyeshëm dhe jo kjo çështje të bëhet problem ndërkombëtar”, ka përfunduar Tahiri.

  • Konjufca: Ka qenë befasi për mua që lirohem tërësisht nga akuza

    Konjufca: Ka qenë befasi për mua që lirohem tërësisht nga akuza

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se është befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me akuzën për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e kryesisë më 18 gusht 2016.

    Ai të premten ka thënë ka pritur që të dënohej me kusht ose me gjobë.

    “Ky është një proces që është zvarritur se tepërmi. Nuk ka qenë proces gjyqësor me standarde të njëjta. Ka ndodhur dënime me kushte e me gjoba. Në momentin që nuk është vendosur përmes një kriteri të njëjtë, unë mendoj që qysh në atë kohë gjykata i ka ndërruar standardet dhe pastaj as unë vetë nuk e kam ditur çfarë dënimi do të më presë. Por, që lirohem krejt ka qenë befasi edhe për mua. Kam pritur që të jetë dënim ose me kusht ose me gjobë. Nuk do ta kisha problem që të jem i dënuar”, ka thënë Konjufca.

  • Irani mban sot zgjedhjet e para pas protestave masive

    Irani mban sot zgjedhjet e para pas protestave masive

    Në Iran janë hapur të premten kutitë e votimit, për herë të parë prej protestave kundër udhëheqësisë, më 2022.

    Zgjedhjet e së premtes po konsiderohen si shumë të rëndësishme për legjitimitetin dhe mbështetjen kombëtare për udhëheqësinë e Iranit – ndonëse pritet të ketë dalje të vogël.

    Apatia në mesin e votuesve mbetet e lartë, pas një periudhe trazirash të lidhur me vdekjen e një gruaje të re, e cila ka vdekur ka qenë në mbajtje policore për mosvendosje të hixhabit në “mënyrën e duhur”.

    Më shumë se 61.2 milionë njerëz kanë të drejtë vote.

    Në këtë vend janë duke u zhvilluar dy lloje zgjedhjesh, njëra për deputetët e rinj parlamentarë, dhe tjetra për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve.

    Asambleja zgjedh dhe mbikëqyr figurën më të fuqishme të Iranit, njëherësh komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, liderin suprem, i cili merr vendime kyçe për votuesit, sikurse liritë sociale dhe kushtet ekonomike.

    Të enjten, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei – i cili është në pushtet për më shumë se tri dekada – i ka inkurajuar votuesit që të dalin në votime.

    Ai ka thënë se mosdalja në zgjedhje “nuk zgjidh asgjë”.

    Media shtetërore ka tentuar t’i inkurajojë njerëzit që të dalin dhe të votojnë duke krijuar edicione maratonike për kandidatët.

    Megjithatë, dalja në zgjedhje pritet të jetë e ulët. Një agjenci për sondazhe publike, e lidhur me shtetin, ka parashikuar dalje prej 41 për qind për zgjedhjet parlamentare.

    Nëse shifra është e saktë, ajo do të jetë më e ulëta në 12 zgjedhjet e fundit.

    Prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, dhe shtypjes së tyre nga dora e shtetit, atmosfera në Iran është bërë shumë e rëndë dhe publikut i është shtuar ndjenja e pakënaqësisë ndaj qeverisë.

    Këtë vit, një numër rekord prej 15.200 kandidatëve kanë të drejtë të garojnë për 290 ulëset e parlamentit, por vetëm 30 prej tyre janë prej kampit reformist.

    Ata i kanë përshkruar zgjedhjet si “pa asnjë kuptim, të padrejta, dhe joefektive”.

    Të enjten, zyrtari amerikan Mathhew Miller, ka thënë se “një numër i madh i iranianëve” nuk kanë pritshmëri që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta./REL/

  • ​Gjermani: 4 të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një familje

    ​Gjermani: 4 të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një familje

    Katër persona u vranë nga të shtënat me armë në një familje në veriperëndim të Gjermanisë, raportuan mediat të premten.

    Personi i armatosur, i cili qëlloi tre të rritur dhe një fëmijë në qytetin verior të Rotenburgut, ishte një ushtar gjerman, tha një zëdhënës i policisë për transmetuesin publik NDR.

    I dyshuari është në mbajtje pasi është dorëzuar tek autoritetet, ka konfirmuar zëdhënësi, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Sipas të përditshmes Bild, viktimat ishin ish-gruaja e ushtarit dhe një fëmijë, partneri i ri i gruas dhe nëna e tij. /Anadolu Agency/

  • Masa të rrepta të sigurisë afër zonës ku do të varroset Navalny

    Masa të rrepta të sigurisë afër zonës ku do të varroset Navalny

    Forcat ruse të sigurisë janë duke u mbledhur afër varrezës Borisovskoye në Moskë, ku do të mbahet ceremonia përkujtimore për kritikun e Kremlinit, Aleksei Navalny, para se të varroset trupi i tij.

    Në platformën për mesazhe Telegram, po raportohet se në atë zona ka forca të mëdha të sigurisë.

    Ceremonia do të mbahet në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.

    Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike.

    Ka raportime që të paktën 40 makina tv policisë janë parkuar afër kishës në mëngjesin e 1 marsit.

    Yarmysh ka thënë se për ata që nuk mund të marrin pjesë, ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.

    Ende nuk është e qartë sa njerëz do të marrin pjesë.

    Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule nëpër qytet për të përkujtuar Navalnyn.

    Ivan Pavlov, avokat i njohur rus për të drejta të njeriut, i cili është larguar prej shtetit, ka thënë se autoritetet ruse do ta konsiderojnë funeralin si “organizim masiv i padëshirueshëm” dhe do të tentojnë të kufizojnë sa më shumë numrin e pjesëmarrësve.

    “Jam i sigurt që do të ketë kordone të policore dhe vëzhgim me video prej të gjitha anëve”, ka thënë ai.

    “Si masë parandaluese, ata do t’i marrin në pyetje aktivistët nëpër stacione policore, apo do t’i vizitojnë nëpër shtëpi për t’iu dhënë paralajmërime. E kemi parë tashmë këtë”.

    Në ceremonitë ortodokse, njerëzit zakonisht parakalojnë para trupit të të vdekurit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe më pas ceremonia udhëhiqet prej një prifti dhe më pas një kori.

    Ivan Zhdanov, ish-udhëheqës i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, ka thënë se ka thashetheme në media që vetëm familjarët do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

    Trupi i Navalnyt i është dorëzuar nënës së tij, Lyudmila më 24 shkurt, më shumë se një javë pas vdekjes së tij prej “shkaqeve natyrore” në një burg në rajonin rus të Arktikut.

    Ai ka qenë 47-vjeçar.

    E veja e Navalnyt, Yulia, ka thënë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është përgjegjës për vdekje e burrit të saj.

    Edhe disa zyrtarë perëndimorë e kanë të njëjtin mendim./REL/

  • Mbi një miliard njerëz përballen me obezitet në botë

    Mbi një miliard njerëz përballen me obezitet në botë

    Më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet.

    Në këto shifra përfshihen rreth 880 milionë të rinj dhe 159 milionë fëmijë, sipas të dhënave të vitit 2022.

    Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80 për qind e të rinjve jetojnë me obezitet.

    Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftimit të obezitetit.

    Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje të kancereve.

    Ndër gjetjet kryesore të raportit janë se:

    • Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 10-të në botë për obezitet te burrat dhe në vendin e 36-të për gratë.
    • India zë vendin e 19-të prej fundit për obezitet te gratë dhe 21-të për burrat
      Hulumtuesi i lartë, profesori Majid Ezzati, nga Kolegji Imperial i Londrës, i ka thënë transmetuesit britanik BBC, se “në shumë prej këtyre vendeve, janë dy mundësi, qasja në ushqim të shëndetshëm dhe ushqimi i pashëndetshëm”.

    “Në disa raste kemi parë fushata agresive të marketingut, duke promovuar ushqime të pashëndetshme, derisa çmimi dhe qasja në ushqimet e shëndetshme mund të jetë më problematike”.

    Në krahasimin mes vitit 1990 dhe 2022, është gjetur se shkalla e obezitetit është katërfishuar në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

    Sa u përket të rriturve, norma është më shumë se dyfish më e madhe te gratë dhe gati trefish më e madhe te burrat.

    Ndërkohë, përqindja e të rriturve që konsiderohen nënpeshë ka rënë për 50 për qind, mirëpo hulumtuesit kanë thënë se edhe kjo pikë është problematike, sidomos në vendet e varfra.

    Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se “ky studim i ri shpërfaq rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit prej moshës së hershme përmes dietave, aktivitetit fizik dhe kujdesit adekuat”.

    Rrjeti me mbi 1.500 hulumtues, ka bashkëpunuar me OBSh-në, dhe ka analizuar gjatësinë dhe peshën e rreth 220 milionë njerëzve mbi moshën pesëvjeçare./REL/

  • “Ikje e përgjegjësisë dhe gafë e madhe” – Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje fizike në Samitin e Tiranës

    “Ikje e përgjegjësisë dhe gafë e madhe” – Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje fizike në Samitin e Tiranës

    Deputetët opozitarë në një intervistë për Ekonomia Online, e kanë quajtur gabim të rëndë mospjesëmarrjen e kryeministrit në këtë Samitin rajonal që u mbajt në Tiranë, ndërkaq kërkojnë nga Kurti që të mos i ikë përgjegjësisë.

    PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar se kryeministri Albin Kurti, është dashur të marrë pjesë në këtë Samit, që për dy ditë u mbajt në Tiranë.

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, konsideron se mungesa e Kurtit në këtë Samit është ikje prej përgjegjësisë. Këmbëngul se Kosova është dashur të përfaqësohet në këtë Samit.

    “Samiti në Tiran është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe shtetet pjesëmarrëse mirëpo edhe për Kosovën. Mospjesëmarrja fizike është ikje prej përgjegjësisë, ikje prej ballafaqimit edhe fatkeqësisht prej argumenteve. Nuk duhet të frikohet zotri Kurti të ballafaqohet se e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha aspektet dhe këtë e shoh një ikje prej përgjegjësisë për një ballafaqim që duhet të ndodh për shkak se e ka fituar 50 përqindëshin dhe ky kryeministër e përfaqëson Kosovën dhe duhet ta përfaqësoj Kosovën në këtë forum”, u shpreh Tahiri.

    Mendim të njëjtë ndan edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Zemaj e quan joserioze mospjesëmarrjen fizike të Kurtit, ndërkaq thekson se nuk ka asnjë arsye që Kurti të mungonte në këtë Samit.

    “Është jo serioze e para, e dyta nuk mund të mbizotëroje asnjë arsye tjetër për shkak të rëndësisë që ka edhe bashkëpunimi rajonal por edhe interesin që e ka Kosova të jetë pjesë e forumeve të rëndësishme cilat kanë karakter ndërkombëtarë edhe kur flitet sidomos për sigurinë dhe qasjet sigurisë që janë në interes edhe të rajonit por edhe të mbështetjes ndërkombëtare mbi të gjitha miqve të Kosovës ata të cilët kanë kontribuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e saj”, deklaroi Zemaj.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e quan gafën më të madhe të bëra nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

    “Njëri nga lëshimet e mëdha edhe politike edhe ekonomike dhe në aspektin e përgjithshëm imazh i keq për shtetin e Kosovës ku në Shqipëri, në Tiran në këtë nivel të liderëve evropian, kryeministri nuk merr pjesë. E tha edhe kryetari i PDK publikisht një lëshim i tij ku diskutohet për fonde deri në një miliard mos prezenca e ekzekutivit e kryeministrit në këtë rast është njëra nga gafat më të mëdha të kësaj qeverie që po ndodh realisht ditëve të fundit”, tha Shala.

  • Edhe sot shi me baltë në Kosovë, parashihen edhe erëra të fuqishme

    Edhe sot shi me baltë në Kosovë, parashihen edhe erëra të fuqishme

    Për të premten në Kosovë parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku priten edhe reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara mund të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Si pasojë e prezencës së pluhurit saharian, reshjet e shiut do të përcillen edhe me baltë.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 9 gradë C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 15 gradë.

    Siç njofton MeteoKosova era do të fryjë nga drejtimi i juglindjes, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme në Rrafshin e Kosovës, me shpejtësi prej 15-70 km/h! Ka mundësi të ketë dëme materiale në zona të caktuara.