ATV

Author: G.O.

  • Rastet e plaçkitjeve, Latifi kërkon shtimin e prezencës së policisë në Rahovec

    Rastet e plaçkitjeve, Latifi kërkon shtimin e prezencës së policisë në Rahovec

    Rastet e fundit të plaçkitjeve, rrahjeve dhe gjuajtjeve me armë në fshatrat e Rahovecit kanë ngritur shqetësim të qytetarët e kësaj komune.

    Në lidhje me këtë çështje, Komuna e Rahovecit sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale të sigurisë dhe ka vendosur për një koordinim më të fortë në mes të policisë dhe qytetarëve.

    Kryetari Smajl Latifi tha se situata është serioze pasi po cenohen prona dhe pasuria e qytetarëve, dhe kërkoi të rritet prania e ekipeve policore në terren.

    “Shqetësimet serioze të qytetarëve tonë, për disa zhvillime, të cilat kanë cenuar pronën dhe pasurinë, qoftë përmes veprimeve ordinere të keqbërësve apo veprimeve tjera, të cilat paraqesin rrezik sipas vlerësimeve tona… Kanë avancuar në plaçkitje, grabitje të armatosura, gjuajtje me armë, plagosje, rrahje dhe plaçkitje njëkohësisht. Qëllimi i këtij takimi është që të konfirmojmë gatishmërinë tone të plotë, vullnetin tonë për rritjen e nivelit të gatishmërisë së organeve profesionale, organeve kompetente të cilat i ka në veprim shteti ynë. Ky takim ka për qëllim të konfirmojë rritjen e seriozitetit të të gjitha organeve komunale, të policisë dhe organeve të tjera profesionale, me qëllim që të krijojmë në vazhdimësi klimë të fortë të sigurisë, stabilitetit në trojet dhe shtëpitë tona. Kjo ka për qëllim të konfirmojë bashkëpunimin dhe koordinimin më të mirë që të përballemi bashkërisht të gjithë për kërcënimet e sigurisë, të cilat janë theksuar sidomos nga veprimet…Kërkoj prani më të madhe të forcave policore, forcave elitare të policisë, ato janë, por po kërkoj të mbahet ky nivel dhe të forcohet ky nivel dhe të forcohet ky nivel i pranisë dhe i angazhimit, të cilat i disponon Kosova. Përmes pranisë së tyre dhe angazhimit tyre dërgojnë mesazhin qartë se qytetarët tonë janë të qetë dhe të sigurt”, tha Latifi, raporton KP.

    Komandanti i stacionit policor të Rahovecit, Fadil Morina tha se rastet e veprave penale në këtë komunë për këtë vit janë 35% janë më pak.

    Ai tha se situata është paksa shqetësuese për shkak të rasteve të fundit në dy fshatrat e Rahovecit, por se policia ka ndërmarrë të gjitha masat dhe janë rrugës për t’i zgjidhur.

    “Në vitin 2024 në krahasim me vitin e kaluar janë gjithsej 63 raste apo 63 vepra penale, që do të thotë se këta dy muaj të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar kemi 30 raste më pak apo 35 për qind. Është situatë shqetësuese dhe brengë duke u ndërlidhur me dy rastet e fundit, mirëpo mund të garantoj që nuk po hezitojmë dhe jemi të përkushtuar. Sa i përket besueshmërisë, jemi institucion që jemi të përkushtuar pavarësisht gjendjes së rrezikshmërisë të secilit zyrtar që është aktiv”, tha Morina.

  • Anketa e UNDP-së: Kosovarët më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin dhe Konjufcën

    Anketa e UNDP-së: Kosovarët më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin dhe Konjufcën

    UNDP-ja ka realizuar një anketim me 1,306  qytetarë prej të cilëve mesatarisht 42.44 për qind janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%.

    Në gjetjen e anketimit thuhet se kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%.

    “Kënaqshmëria me punën e kryeministrit e kapi vlerën prej 48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%). Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023. Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023”, thuhet në njoftim.

    Kurse edhe për presidenten Vjosa Osmani thuhet se ka një rënie të kënaqshmërisë: “duke e kapur vlerën prej 56.2% krahasuar me 60.3% në prill 2023.

    Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).

    Në përputhje me rritjen e përgjithshme të të gjithë treguesve të indeksit ekonomik, në anketën e nëntorit 2023, kënaqshmëria me drejtimin ekonomik shënoi rritje prej 2.41 pikë përqindje, duke e kapur vlerën prej 20.2% krahasuar me 17.79% në prill 2023.

  • Mes lotësh, familjarët e 26-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë e falin gjakun

    Mes lotësh, familjarët e 26-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë e falin gjakun

    Familjarët e 26-vjeçarit që mbeti i vdekur si pasojë e aksidentit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë sot ia kanë falur gjakun familjes së të dyshuarës që ka shkaktuar aksidentin.

    “Ky gjak familjes Kllokoqi-Berisha iu fal sot, mos me e çu më gat, e para se me falë xhenazen e djalit. Veç me ia bë hallall, pa ja jep dorën. Në prezencën e burrave këtë punë me ia lënë në dorë të Zotit, por jo na me u marrë me atë punë”, ka thënë shehu prezent.

    Familjarët janë parë të emocionuar në momentin e faljes së gjakut.

    Aksidenti i rëndë ku mbeti i vdekur 26-vjeçari ndodhi para dy ditësh në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

    26-vjeçari u godit për vdekje, pasi vetura kishte përplasur semaforin.

  • Zelensky falënderon Shqipërinë për ndihmën: Të mbështesim njëri-tjetrin në integrimin evropian

    Zelensky falënderon Shqipërinë për ndihmën: Të mbështesim njëri-tjetrin në integrimin evropian

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

    Presidenti ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen dhe ka theksuar që vendet të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit evropian.

    “Së pari e mbi të gjitha dëshiroj tju falenderoj juve Edi, popullin tuaj, të gjithë shqiptarët për mbështetjen e sinqertë që ju na keni dhënë ne, popullit tonë dhe mbështetjen që i jepni drejtësisë në Europë. Ju falenderojmë për të gjitha paketat që keni mbështetur. Dëshiroj t’ju falenderoj për bashkëpunimin politik. Na duhet më shumë besim të çfarë mund të bëjmë ne. Duhet që ju të keni besim te ne. Ne mbështesim edhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimro në BE, por duhet që edhe jut ë na mbështesni ne. faleminderit për vullnetin tuaj të qartë. Ukraina si edhe i gjitha rajoni i Europës Juglindore, duhet të bashkëpunojmë, të ecim përpara, të na mbështesni edhe në formulën tonë të paqes, planin me një pika. Lufta është filluar nga një person i vetëm, por punën për paqe do ta bëjmë të gjithë së bashku”, tha Zelensky.

    Lexoni edhe:

    Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

  • ​Bislimi kërkon nga Sarrazin largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    ​Bislimi kërkon nga Sarrazin largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Sipas një njoftimi thuhet se palët diskutuan mbi situatën në vend dhe rajon dhe zhvillimet e fundit politike.

    Derisa një prej temave të adresuara ishte edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ato vijojnë të jenë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sarrazin për përkushtimin, angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv dhe për këtë vizitë të radhës në vendin tonë.

  • Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

    Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën hapëse të Samitit mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, fajësoi presidentin Putin si shkaktarin e luftës në Ukrainë.

    Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

    Rama tha se ëndrrat e vjetra perandorake të Putinit janë ato të cilat kanë shkaktuar luftën e armatosur. Sipas shefit të qeverisë, lideri rus donte që ta fshinte nga harta brenda ditës Ukrainën, por ai nuk ia ka dalë, pasi përkundrazi sot Ukraina është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian.

    “Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeriu i trajtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është një kujdesë që ai nuk ia ka dalë. Pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike Rusia neo-imperialistë nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk ia ka dalë të shtyp vullnetin e Ukrainës të jetojë në një vend të lirë, nuk ia ka dalë të shtyp të vërtetën, kontrasti nuk mund të jetë më i madh se aq. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës, por Ukraina sot është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë”, tha Rama.

    Ai nga ky forum ka bërë thirrje Rusisë që ta ndal luftën, pasi duan një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

    “Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore, pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh marrëdhëniesh të ngrita. Të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë, për t’u takuar. Për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona. Pavarësisht asaj për të cilën ende s’mund të mos biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën. Prania juaj këtu zoti President na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë ne përgjatë viteve, na bashkon tanimë me popullin e Ukrainës. Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti President e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.”, tha ai.

    Rama shtoi se të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë.

    “Ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare dhe ushtarake për të cilën ka nevojë Ukraina për të mbrojtur si duhet veten dhe popullin e vet. Kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për anëtarët më të mëdhenj e më të pasur të bashkësisë sonë demokratike për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Evropës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij. Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat. Kolegë dhe miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë dhe kontinenti ynë nuk janë të panjohur me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Evropa siç e njohim, doli pas dy luftërash të tmerrshme botërore vetëm shekullin e shkuar. Në këtë rajon, në rajonin tonë pas më shumë se një çerek shekulli plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë diktatura e fundit e Evropës sonë të përbashkët ende duhen shëruar, por kemi parë dhe ndërtim të paqes pasqyruar mbi të gjitha në vizionin e urtinë e pashembullt dhe kurajën e punën e madhe që çoi në krijimin dhe zhvillimin e BE.”, tha ai.

    Sipas tij, vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrihet vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm.

  • Muriqi: Jemi gati për finalen, dështimin nuk e mendojmë

    Muriqi: Jemi gati për finalen, dështimin nuk e mendojmë

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi do të jetë protagonist i një finaleje të madhe të futbollin spanjoll. Skuadra e tij, Majorka e ka siguruar finalen e Kupës së Mbretit pasi në gjysmëfinale e eliminuan Real Sociedadin pas ekzekutimit të penalltive ku në mesin e realizatorëve ishte edhe sulmuesi Dardan.

    Përmes një shkrimi në rrjetin social Instagram, Muriqi ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për ndeshjen finale dhe se nuk atje janë duke menduar vetëm për lavdinë e madhe, transmeton KosovaPress.

    “Ne nuk mendojmë dhe nuk kemi frikë nga dështimi, e vetmja gjë për të cilën mendojmë është lavdia! Hapi i fundit për të realizuar një ëndërr! Do ta arrijmë me të gjithë ju!”, ka shkruar Muriqi.

    Në finale, Majorka do të ballafaqohet me fituesin e ndeshjes Athletic Bilbao-Atletico Madrid që zhvillohet të enjten.

  • Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

    Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

    Pas përfundimit të Samitit për Ukrainën, që po mbahet në Tiranë, pjesëmarrësit kanë realizuar “fotografinë familjare”.

    Në fotografi, siç shihet kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky janë në qendër, ndërsa krah tyre gjenden presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.

  • “Nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është e thyer” – Gazetarja që ndoqi rastin në Gjykatë tregon për mizorinë që përjetoi 18-vjeçarja

    “Nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është e thyer” – Gazetarja që ndoqi rastin në Gjykatë tregon për mizorinë që përjetoi 18-vjeçarja

    Të premten, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, derisa reagimet ndaj këtij vendimi kanë qenë të menjëhershme.

    Ndërkohë, për të diskutuar lidhur me këtë çështje, e ftuar në emisionin “A LIVE”, ishte gazetarja e ATV-së, Krenare Mulliqi e cila përcolli gjithë procesin gjyqësor.

    Duke iu referuar aktakuzës së ngritur nga Gjykata Themelore në Ferizaj në lidhje me këtë rast, Mulliqi tha se Marigona Osmani ishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme, duke mos mbetur asnjë pjesë e trupit të saj, pa u dëmtuar.

    “Në bazë të aktakuzës të ngritur nga Gjykata thuhet se nuk ka pjesë të Marigonës që nuk është thyer apo dëmtuar. Ka pasur thyerje të nofullës, duarve, brinjëve, dëmtime në kokë, andaj edhe konsiderohet si një nga rastet më mizore të vrasjeve në Kosovë, pasi që ajo ka vdekur nga dhimbjet e shkaktuara nga dhuna e përdoruar sepse është maltretuar për më shumë se 72 orë. Madje në aktakuzë thuhet se janë gjetur shishet të ujit në tavolinë, të cilat Krivaça i ka përdorur, duke ia hedhur ujin Marigonës që ajo të këndellet dhe ti ndjej dhimbjet më shumë”, tha Mulliqi.

    Ndryshe, në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.

    Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, një ditë më herët Krivaqa dyshohet se aty, pa pëlqimin e Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, ata akuzohen se e kishin privuar atë nga jeta, në përpjekje për ta fshehur veprën penale të dhunimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Emisari gjerman shkon në UNMIK, Ziadeh: Dialogu e vetmja rrugë përpara

    Emisari gjerman shkon në UNMIK, Ziadeh: Dialogu e vetmja rrugë përpara

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Caroline Ziadeh, është takuar sot me emisarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Ziadeh ka treguar se me politikanin gjerman kanë biseduar për situatën aktuale një vit pas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Ziadeh që drejton zyrën e UNMIK-ut në Kosovë ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë e mundshme përpara.

    “Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Ziadeh u takua me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, duke diskutuar situatën aktuale një vit pas Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë e mundshme përpara”, thuhet në njoftimin e UNMIK-ut.