ATV

Author: G.O.

  • ​Itali: Paralajmërohen reshje të shiut dhe të borës, rrezik për përmbytje

    ​Itali: Paralajmërohen reshje të shiut dhe të borës, rrezik për përmbytje

    Italia do të përfshihet nga më shumë shi dhe borë duke shkaktuar rreziqe përmbytjesh në disa pjesë këtë javë, ndërsa fundjava e ardhshme do të shohë ardhjen e dy fronteve të reja të stuhisë, pasi një valë e motit ekstrem vazhdon të godasë Bel Paese, tha të martën meteorologu Lorenzo Tedici.

    Temperaturat më të ulëta do të rrisin rrezikun e më shumë orteqeve edhe në veri të Italisë, tha ai.

    Në anët më të ndritshme, reshjet e bollshme të shiut dhe borës duhet të sigurojnë që problemet kronike të thatësirës së pranverës në Itali të lehtësohen disi këtë vit, tha Tedici.

    Dy frontet e reja të stuhisë do të derdhin një grumbull tjetër dëbore në Alpe këtë fundjavë, tha Tedici, një meteorolog në faqen e internetit IlMeteo.it. /ANSA/

  • Andi Pajazitit i vazhdohet paraburigmi edhe për dy muaj

    Andi Pajazitit i vazhdohet paraburigmi edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit Andi Pajaziti, i cili dyshohet për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant”.

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Gashi konfirmoi se të dyshuarit Pajaziti, masa i është vazhduar deri më 4 maj 2024.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.P iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Masa e paraburgimit të njëjtit i llogaritet prej datës 05.03.2024 deri me datën 04.05.2024”, thuhet në përgjigje.

    Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.

    Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

    Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

    Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave./BetimipërDrejtësi

  • “Është një shembull i shkëlqyer”, Inzaghi falënderon publikisht Kristjan Asllanin

    “Është një shembull i shkëlqyer”, Inzaghi falënderon publikisht Kristjan Asllanin

    Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka vendosur ta lavdërojë publikisht mesfushorin shqiptar, Kristjan Asllani, pas fitores ndaj Genoas të hënën mbrëma.

    Interi fitoi me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Genoas në ndeshjen e javës së 27-të të Serie A, duke çuar në 15 pikë epërsinë ndaj Juventusit të vendit të dytë.

    Mesfushori shqiptar, Asllani hapi serinë e golave në minutën e 30-të, ndërsa Alexis Sanchez shënoi golin e dytë në 38-të.

    Për Asllanin kjo ishte ndeshja e tretë radhazi si titullar dhe e dyta për 90 minuta të plotë, pasi ka zëvendësuar turkun Hakan Calhanoglu, i cili është i lënduar.

    Se zëvendësimi i njërit nga lojtarët kryesor të skuadrës ka qenë i përkryer e thotë edhe trajneri i Interit, Inzaghi, i cili e ka lavdëruar publikisht mesfushorin shqiptar.

    “Duhet ta lavdërojmë Asllanin, pasi ai pati tre ndeshje në javë dhe ka qenë kaq i çmuar për ne, duke u stërvitur në maksimumin e tij, edhe kur nuk luajti aq shumë”, ka thënë fillimisht Inzaghi pas ndeshjes.

    “Bëmë mirë kundër Lecces për ta bërë këtë të duket e lehtë, por ishte një ndeshje intensive. E njëjta gjë vlen edhe për Atalantën dhe Genoan”.

    “Unë dua ta lavdëroj publikisht Krisjanin. Ne kemi nevojë për të gjithë këtë sezon dhe ai është një shembull i shkëlqyer për këtë”, përfundoi trajneri i Interit.

    Kujtojmë që Interi renditet e para në tabelën e Serie A, me 72 pikë.

  • Liga e Kampionëve/ Bayern Munich-Lazio, Real Sociedad-PSG

    Liga e Kampionëve/ Bayern Munich-Lazio, Real Sociedad-PSG

    Sonte janë në orar për t’u zhvilluar dy ndeshje kthyese të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve.

    Tri javë pas ndeshjeve të para të fazës së 1/8-tës, tani i ka ardhur koha e ndeshjeve kthyese të skuadrave që duan një vend në çerekfinale.

    Ndeshje më interesante pritet të zhvillohet në ‘Allianz Stadium’, ku Bayern Munichu e pret Lazion dhe pret ta shkrijë disavantazhin e humbjes 1-0 nga ndeshja e parë në Olimpico.

    Në ndeshjen tjetër, Paris Saint-Germain pritet të ketë më lehtë në udhëtim te Real Sociedadi në ‘Reale Arena’ pas fitores 2-0 në Parc des Princes.

    Të dy ndeshjet pritet të fillojnë nga ora 21:00.

  • Shqipëria e zyrtarizon miqësoren e fundit para Euro 2024, ndaj Azerbajxhanit më 7 qershor

    Shqipëria e zyrtarizon miqësoren e fundit para Euro 2024, ndaj Azerbajxhanit më 7 qershor

    Pas dakortësisë për të luajtur një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin, Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur gjuhën e përbashkët me Federatën e Azerbajxhanit për të zhvilluar një tjetër miqësore në muajin qershor, para nisjes së Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

    Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin do të luhet më datë 7 qershor, ndërkohë mbetet për t’u përcaktuar orari dhe stadiumi ku do të luhet kjo sfidë.

    Kjo do të jetë ndeshja e gjashtë në histori mes dy skuadrave, teksa Shqipëria numëron tre fitore, një barazim dhe një humbje kundër Azerbajxhanit.

    Kombëtarja shqiptare fillimisht do të luajë dy takime miqësore në muajin mars.

    Kuqezinjtë do të përballen me Kilin më datë 22 mars në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, duke nisur nga ora 20:45.

    Ndërsa tre ditë më vonë më datë 25 mars, Kombëtarja do të luajë me Suedinë në stadiumin “Friends Arena”të Stokholmit.

    Në muajin qershor Shqipëria do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore.

    E para me Lihtenshtejnin më datë 3 qershor, ndërsa takimi i fundit miqësor para nisjes së Europianit do të jetë ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor.

    Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”.

    Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

    Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

  • Shpërthim dhe zjarr në një depo nafte në Belgorod të Rusisë

    Shpërthim dhe zjarr në një depo nafte në Belgorod të Rusisë

    Guvernatori i rajonit rus Belgorod, Vyacheslav Gladkov, tha më 5 mars se një ndërtesë e rëndësishme u përfshi nga zjarri që u shkaktua nga një shpërthim.

    Sipas tij, kjo ndodhi në qarkun Gubkin të këtij rajoni.

    Mediat raportuan se ndërtesa e përmendur nga Gladkov ishte një depo nafte në fshatin Dolgoje.

    Kjo depo e naftës i përket gjigantit rus të energjisë, Rosneft.

    Ueb-faqja Ukrayinska Pravda në Ukrainë, duke cituar burime, tha se shpërthimi dhe zjarri i shkaktuar ishin si rezultat i një sulmi të kryer nga inteligjenca ushtarake e Ukrainës.

    Autoritetet në Belgorod ngritën alarmin për sulme me raketa në qarqet e Gubkinit dhe Stari Oskolit.

    Edhe në të kaluarën, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, në Belgorod, që gjendet në kufi me Ukrainë, ka pasur shpërthime dhe sulme të ndryshme, për të cilat i është vënë faji Kievit./REL/

  • “Mora fjalë” në Kuvend nga Shkurte Fejza

    “Mora fjalë” në Kuvend nga Shkurte Fejza

    Artistja e njohur, Shkurte Fejza ka qenë mysafire speciale në Kuvendin e Kosovës, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Paraprakisht, u intonuan himni shtetëror dhe kombëtar.

    “Mora Fjalë” ishte kënga të cilën artistja e interpretoj për nder të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Kjo ka qenë hera e parë që ka pasur performancë të tillë të drejtpërdrejtë në Kuvend.

  • Koreja e Veriut paralajmëron për pasoja Uashingtonin dhe Seulin

    Koreja e Veriut paralajmëron për pasoja Uashingtonin dhe Seulin

    Koreja e Veriut tha më 5 mars se Uashingtoni dhe Seuli do të paguajnë “çmim të lartë” për shkak të stërvitjeve të mëdha ushtarake që këto vende nisën gjatë kësaj jave, duke u bërë thirrje që të ndalojnë “stërvitjet e luftës”.

    Deri më tani gjatë këtij viti, Pheniani e ka shpallur Korenë e Jugut si “armiken kryesore”, teksa vendi hoqi dorë nga bashkimi i dy Koreve, duke u zotuar për luftë nëse do të shkelet një centimetër tokë e Veriut.

    Uashingtoni dhe Seuli kanë nisur stërvitjet e tyre vjetore ushtarake të hënën. Në stërvitjet e sivjetme marrin pjesë numër më i madh i trupave krahasuar me vitin 2023. Këto stërvitjet kanë për synim që të forcohet përgatitja në përgjigje ndaj kërcënimeve bërthamore të Veriut, kanë thënë dy shtetet.

    Në këto stërvitjet do të zhvillohen 48 ushtrime fushore, por edhe stërvitje për pengimin e raketave, bombardime dhe sulme nga ajri.

    Një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Veriut u bëri thirrje Uashingtonit dhe Seulit që të ndalin stërvitjet “e pamatura” dhe “të luftës”.

    Ushtria e Phenianit “dënon fuqishëm stërvijet e pamatura ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe i paralajmëron ashpër që të ndalin çdo lëvizje që mund të shkaktojë provokim të mëtejmë dhe paqëndrueshmëri”, tha zëdhënësi përmes deklaratës, raportoi agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA.

    Koreja e Veriut për një kohë të gjatë ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Uashingtonit dhe Seulit, duke i quajtur ato si përgatitje për një pushtim.

    Në të kaluarën kur janë mbajtur stërvitje të tilla, Koreja e Veriut ka kryer testime armësh.

    Seuli tha të martën se ushtria e tij është e përgatitur për provokimet e mundshme të Koresë së Veriut.

    “Nëse Koreja e Veriut do të na provokojë drejtpërdrejt nën pretekstin e stërvitjeve tona ushtarake, ne do të përgjigjemi në bazë të parimit të veprimit të menjëhershëm, të shpejtë dhe final”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes në Seul.

    Muajin e kaluar, lideri verikorean, Kim Jon Un, tha se Pheniani nuk do të hezitojë që “t’i japë fund” Koresë së Jugut, nëse sulmohet./rel/

  • Hoti: Çdo fillim marsi na përkujton rëndësinë e lirisë që e gëzojmë

    Hoti: Çdo fillim marsi na përkujton rëndësinë e lirisë që e gëzojmë

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se çdo fillim marsi, Ditët e Epopesë së UÇK-së na përkujtojnë rëndësinë e lirisë që e gëzojmë.

    Ai ka shkruar se për popullin tonë, vendosmëria dhe sakrifica e Familjes Jashari u shndërruan në forcën që ndryshoi rrjedhën e historisë.

    “Epopeja e UÇK-së – moment lavdie e përkulje për të rënët, moment inspirimi për të ardhmen tonë si shtet i lirë e i pavarur, i integruar në BE e NATO, e në fqinjësi të ngushtë me SHBA-në. Çdo fillim marsi, Ditët e Epopesë së UÇK-së na përkujtojnë rëndësinë e lirisë që e gëzojmë.

    Frymëzuesi i lëvizjeve për të drejtat civile dhe lirinë në të gjithë botën, Mahatma Gandhi thotë: “Një grup i vogël i shpirtrave të vendosur, të pushtuar nga një besim i pashuar në misionin e tyre, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”. Për popullin tonë, vendosmëria dhe sakrifica e Familjes Jashari u shndërruan në forcën që ndryshoi rrjedhën e historisë. Familja Jashari u kthye në simbolin e sakrificës për liri, e cila u bë pjesë e historisë botërore të sakrificës së popujve për liri”, ka thënë ai.

    Tutje, Hoti ka thënë se cdo përvjetor i Epopesë së UÇK-së duhet të na shtojë përgjegjësinë në detyrat që kemi, pavarësisht dallimeve.

    “ Vetëm kështu mund ta kemi ndërgjegjen të qetë se jemi duke nderuar të rënët për lirinë që e gëzojmë sot e përjetë.Të lartësuar qofshin gjithmonë të rënët për liri”, ka shkruar Hoti.

  • Maqedonci: Familja Jashari, simbol i lirisë e burim frymëzim i ushtarëve të FSK-së

    Maqedonci: Familja Jashari, simbol i lirisë e burim frymëzim i ushtarëve të FSK-së

    Ministri i Mbrojtjes, ministri Ejup Maqedonci, në 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Shaban Jashari dhe të bijtë Ademi e Hamza së bashku me të gjithë anëtarët e familjes, dhanë shembullin e një rezistence totale, duke vazhduar luftën deri në frymën e tyre të fundit.

    Ai ka theksuar se ata u bënë simbol i lirisë dhe një epopeje që shënoi historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edhe pas 26 vitesh, ministri Maqedonci, ka thënë se rezistenca e Jasharëve është burim frymëzimi për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Që nga atëherë para 26 viteve dhe deri sot, rezistenca dhe lufta e Jasharëve të Prekazit, është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri, duke u trashëguar deri te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në misionin e tyre për ta ruajtur këtë liri. 26 vjet përpjekje për ta kultivuar luftën e drejtë për liri dhe për ta frymëzuar me të luftën për shtetndërtim. 26 vjet Epope e UÇK-së: 26 vjet lavdi!”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.

    Po ashtu, ai ka thënë se gjatë 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, fshati Prekaz bëhet dëshmi e një rezistence të palëkundur dhe heroike.