ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Policia njoftoi se ka arrestuar tre persona në Prishtinë për trafikim me substanca narkotike.

    Sipas njoftimit, të dyshuarit janë kapur gjatë shitblerjes së narkotikëve.

    “Nga njësiti i DHTN-së janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit janë kapur gjatë shit-blerjes së substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar 782 gramë substance narkotike e llojit marihuanë, një peshore dhe 942.5 euro.

  • Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Të paktën 4 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën sot pasi një dron rus u rrëzua një bllok apartamentesh në qytetin port në jug të Ukrainës, Odesa.

    Zyrtarët në Odesa thanë se një person u nxor i gjallë nga rrënojat e një prej ndërtesave.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha në një postim në rrjetin social Telegram se nga rrëzimi i dronit ishin shkatërruar 18 apartamente.

    “Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve. Një dron armik goditi një ndërtesë banimi në Odesa”, shkroi ai.

    Zelenskyy njoftoi të premten se kishte firmosur një marrëveshje në fushën e sigurisë me kryeministrin holandez Mark Rutte, që do të bëjë të mundur një ndihmë ushtarake prej 2.2 miliardë dollarësh gjatë këtij viti.

    Presidenti ukrainas njoftoi hollësi mbi planin, pasi dy udhëheqësit u takuan dhe mbajtën bisedime në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që është vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga Rusia.

    “Marrëveshja mundëson një ndihmë ushtarake prej 2 miliardë eurosh nga Holanda, gjatë këtij viti si edhe ndihmë në fushën e mbrojtjes gjatë 10 viteve në vazhdim”, shkroi Zelenskyy.

    Ukraina paralajmëroi muajin e kaluar se kishte marrë më pak se 1/ 3 e 1 milion predhave të artilerisë që Bashkimi Evropian ishte zotuar se do t’i ofronte dhe se vendi po përballej me vështirësi për t’u mbrojtur.

    Ukraina tërhoqi trupat nga qytetit lindor Avdiivka në muajin shkurt mes vështirësive për të siguruar municione, duke i mundësuar Moskës një fitore të madhe në territor pas më shumë se 1 viti.

    Presidenti Zelenskyy postoi në rrjetin social X video ku ai dhe kryeministri holandez dukeshin duke vizituar qytetin e Kharkivit, përfshirë disa prej 20 mijë ndërtesave që sipas presidentit ukrainas janë shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse./VOA

  • Zgjedhjet në Beograd: Vuçiq bën thirrje për zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it

    Zgjedhjet në Beograd: Vuçiq bën thirrje për zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 2 mars se i ka kërkuar listës zgjedhore të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) që të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.

    “E di që e keni shumicën, mirëpo më mirë është të humbësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kanë kryer vjedhje zgjedhore”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media në Presidencën e Serbisë.

    Ai i ka bërë thirrje qeverisë për të zbatuar menjëherë rekomandimet e bëra prej Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në raportin e publikuar për zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar në Serbi.

    Më 28 shkurt, ODIHR e ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit.

    Në të është thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi “janë dominuar prej pjesëmarrjes vendimtare të presidentit, i cili, bashkë me përparësinë sistematike të partisë në pushtet, kanë krijuar kushte jo të drejta për pjesëmarrësit”.

    Mes tjerash, është përmendur se “në përgjithësi, liritë themelore janë respektuar në fushatë, mirëpo ato janë minuar prej retorikës së ashpër, paragjykimeve në media, presionit te punëtorët e sektorit publik dhe abuzimeve me burime publike”.

    Përveç raportit të ODIHR-it, edhe vëzhguesit e brendshëm në Serbi, dhe ata të huaj kanë përmendur parregullsi në procesin zgjedhor.

    Ditë më parë, edhe Parlamenti Evropian e ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për hetim ndërkombëtar për dyshimet për parregullsi në zgjedhje, si dhe për pezullim të fondeve evropiane, nëse vërtetohet që autoritetet kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në mashtrime zgjedhore.

    Në rezolutë, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që sidomos të hetohen zgjedhjet për qytetin e Beogradit, si dhe dyshimet për bartje të organizuar të votuesve në nivel lokal.

    Ditën e 17 dhjetorit, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

    Seanca konstitutive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që është paraparë të mbahet më 1 mars, është shtyrë për herë të dytë për 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Pjesëtarët e partisë SNS dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) nuk kanë marrë pjesë në seancë./REL/

  • ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohen pesë persona

    ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohen pesë persona

    Pesë persona kanë marrë lëndime si pasojë e një aksidenti mes tri veturave sot në rrugën Prishtinë-Podujevë.

    Lajmi e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 11:00, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën Prishtinë -Podujevë. Në aksident janë përfshirë tri automjete, ku pesë persona kanë pësuar lëndime trupore”, tha ajo.

  • Arrestohen dy persona në Obiliq, kishin kryer vjedhje në muajin shkurt

    Arrestohen dy persona në Obiliq, kishin kryer vjedhje në muajin shkurt

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar në Obiliq.

    Arrestimi i tyre ka ndodhur pas hetimeve të zhvilluara.

    Personat e arrestuar dyshohen për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në muajin shkurt.

    Njoftimi i plotë:

    Fsh. Milloshevë, Obiliq 24.02.2024 – 19:00. Sot më 01.03.2024 pas hetimeve të zhvilluara janë arrestuar dy meshkuj kosovarë si të dyshuar lidhur me një rast vjedhje. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Pahor takohet me presidenten Osmani në Turqi, konstaton se dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar

    Pahor takohet me presidenten Osmani në Turqi, konstaton se dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar

    Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.

    Pahor ka treguar se kanë biseduar për situatën në rajon dhe në mënyrë specifike për atë Pahor e ka cilësuar si ngërç në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

  • ​Osmani falënderon Erdoganin për mbështetjen ndaj Kosovës

    ​Osmani falënderon Erdoganin për mbështetjen ndaj Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani gjatë pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalisë ka takuar edhe homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan.

    Ajo me këtë rast ka falënderuar kreun e shtetit turk për miqësinë, përkushtimin dhe mbështetjen e treguar ndaj Kosovës.

    “Kënaqësi ta rikonfirmojmë punën tonë të përbashkët për thellimin e raporteve bilaterale dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Ndryshe, Osmani në Forumin Diplomatik të Antalisë ka akuzuar Serbinë se është bërë e dorë e zgjatur e Rusisë për destabilizimin e rajonit.

    “Përtej faktit që jemi fqinjë me Serbinë, që fatkeqësisht jo vetëm tash së voni, por për një kohë të gjatë, është bërë një dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për të destabilizuar rajonin. Historikisht Rusia është përpjekur të gjejë terren ku do të mund të zgjeronin konfliktin. Gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt. Kemi pasur krizë pas krize në rajon për shkak se interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin tonë në të 90-at kur ka pasur luftëra e konflikte”, ka thënë ndër tjera Osmani.

  • ​Szunyog: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale

    ​Szunyog: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në fjalën e tij në konferencën vjetore të prokurorëve, ka deklaruar se ata luajnë një rol jetik në sistemin e drejtësisë.

    Ai theksoi se prokuroria është shtylla e shtetit ligjor dhe një nga themelet e funksionimit të demokracisë.

    Duke folur për rolin e një prokurori, Szunyog tha se puna e tij ka të bëjë me sigurimin e dënimeve dhe në të njëjtën kohë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin se “Askush nuk është mbi ligjin” dhe duke dëshmuar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit.

    Ai gjithashtu përmendi edhe sulmet e Qeverisë në drejtim të Prokurorisë duke thënë se këto sulme tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë dhe të njëjtët minojnë pavarësinë e institucioneve.

    “Prokuroria është një shtyllë e shtetit ligjor dhe është një nga gurët e themelit të funksionimit të demokracisë, kjo sigurisht që është e vërtetë. Por duhet të kujtojmë se kjo nuk është vetëm një deklaratë ceremoniale, kjo është diçka që çdo prokuror duhet ta ketë parasysh çdo ditë, në punën e përditshme. Puna e një prokurori ka të bëjë me sigurimin e dënimeve, por në të njëjtën kohë ka të bëjë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin ‘Askush nuk është mbi ligjin’, duke demonstruar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit, privilegjit apo pozitës. Në këtë aspekt, pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme, duke garantuar që vendimet të bazohen vetëm në ligj dhe në themelet e rastit, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje, qoftë të jashtme apo të brendshme. Kohët e fundit, për fat të keq, kam vërejtur deklarata të qeverisë në media që sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Unë e kam kritikuar publikisht këtë, duke nënvizuar rëndësinë themelore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave. Sulmet që tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë, apo minojnë autoritetin e institucioneve janë të papranueshme dhe duhet të largohen”, tha ai.

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë tha se prokuroria duhet të jetë e hapur pasi ajo është pjesë e sistemit kushtetues, ku kompentencat e institucionit janë të balancuara.

    “Prokuroria është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, duhet të jetë e hapur dhe transparente. Për më tepër, prokuroria është pjesë e sistemit kushtetues, ku kompetencat e institucionit tonë janë të balancuara dhe të kontrolluara nga organe të tjera kushtetuese. Kjo është një ndërveprim i pavarësisë dhe llogaridhënies shërben si garanci për integritetin e sistemit juridik dhe të demokracisë. Përfundimi është se pavarësia kushtetuese nuk është privilegj, është përgjegjësi; përgjegjësi për të respektuar të gjitha aspektet e sistemit kushtetues dhe për të vepruar gjithmonë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë”, shtoi Szunyog.

    Duke folur për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, Szunyog tha se kjo çështje nuk duhet të zgjatet dhe se kjo po ndikon negativisht në sistemin prokurorial.

    Ai përmendi edhe reformën e drejtësisë për të cilën tha se synon vlerat e sundimit të ligjit e llogaridhënien si dhe efikasitetin.

    “Dëshiroj të përmend zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Me gjithë respektin për ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të shtetit, kjo zgjidhje e përkohshme nuk duhet të zgjatet. Situata aktuale po ndikon negativisht në sistemin prokurorial dhe KPK duhet të marrë përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që funksionet e duhura të menaxhimit janë në vend. Deklarata e përbashkët e angazhimit për reformën në drejtësi është një shembull i situatës ku bashkëpunimi në interesin më të mirë të qytetarëve duhet të jetë në qendër. Është një reformë thelbësore, që synon në thelb vlerat e sundimit të ligjit, llogaridhënien, profesionalizmin, efikasitetin”, theksoi ai.

  • Haradinaj kujton Agron Haradinajn: Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por ai qëndroi gjithmonë i palëkundur

    Haradinaj kujton Agron Haradinajn: Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por ai qëndroi gjithmonë i palëkundur

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, Agron Haradinaj në përvjetorin e ndarjes nga jeta.

    Haradinaj ka thënë se Agroni një jetë ia kushtoi lirisë së atdheut.

    “Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por Agroni qëndroi gjithmonë i palëkundur. Qysh si i ri ai ndoqi rrugën e atdhedashurisë të cilën e kishte trashëguar nga babai, Smajl Haradinaj. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se jeta e vepra e Agronit do të kujtohen si sinomin i guximit dhe përkushtimit për liri.

    “Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Agronit, nderuam kujtimin për të dhe veprën që la ai pas. Vepra e tij jetësore në shërbim të Atdheut do të kujtohet e nderohet përherë si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri”, është shprehur Haradinaj.

    I pari i AAK-së ka vizituar familjen Halilaj pas ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj.

    “Po ashtu sot, në Gllogjan i shpreha ngushëllime familjes Halilaj pas shkuarjes në përjetësi të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj, njëherësh vëlla i dëshmorit Hasim Halilaj. Do ta kujtojmë gjithmonë me krenari si një njeri me vlera të larta njerëzore e i respektuar gjatë gjithë jetës”, ka thënë Haradinaj.

    “Sot shënojmë gjithashtu shënojmë përvjetorin nga jeta edhe të bashkëluftëtarit nga Carrabregu, Beqë Mustafë Likaj.

    I përjetshëm kujtimi për Beqën!”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Krasniqi takon Lajçakun: I kërkova që të luajë rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

    Krasniqi takon Lajçakun: I kërkova që të luajë rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi njoftoi se gjatë takimit me Lajçakun, i kishte kërkuar atij që të luaj rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Bashkë diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë. Emisarit Lajçak i shpreha shqetësimin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkova nga ai që të luaj rol ndihmues për heqjen e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

    “Orientimi euro-atlantik i qytetarëve dhe shtetit tonë është i paalternativë dhe i pakthyeshëm”, shkroi mes tjerash Krasniqi.