ATV

Author: G.O.

  • Vrasje në tentativë në Lipjan, plagoset një person

    Vrasje në tentativë në Lipjan, plagoset një person

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Lipjan, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur një person.

    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës të cilët kanë bërë me dije se personi që u plagos është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, përfshirë të plagosurin.

    “Pas një rasti ku janë përdorur edhe armë zjarri, janë arrestuar tre persona që dyshohet që janë përfshirë në rast, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i plagosuri është duke u trajtuar në QKUK nën mbikëqyrje të policisë dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Krasniqi: E kemi për obligim ta kujtojmë me krenari sakrificën titanike të familjes Jashari

    Krasniqi: E kemi për obligim ta kujtojmë me krenari sakrificën titanike të familjes Jashari

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, së bashku me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, Ramiz Lladrovcin dhe Bedri Hamzën, kanë bërë homazhe në në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, kreu i PDK-së tha se datat 5, 6 dhe 7 mars, shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë.

    “Sa herë që jemi në Prekazin legjendar në këtë vend ku i ka rrënjët liria e popullit tonë, padyshim që kemi emocione e sidomos gjatë Epopesë së UÇK-së, gjatë Epopesë së familjes Jashari, sepse këto janë datat të cilat shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë”, tha Krasniqi.

    “Sepse ato kur ndodhën në vitin 1998 jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare por ato për herë të parë morën edhe vëmendjen ndërkombëtare gjë që ndihmojë në masivizimin e luftës çlirimtare të UÇK-së në kryengritjen e përgjithshme popullore e cila rezultoi me çlirimin tonë e me vonë edhe me ndërtimin e shtetit që e kemi. Andaj e kemi për obligim jo vetëm ta kujtojmë me krenari, ndër e respekt gjithmonë sakrificën titanike të familjes Jashari në krye me komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe të frymëzohemi gjithmonë nga kjo sakrificë e lavdishme për të bërë punë të mira për venin ton dhe qytetarët tanë”, tha Krasniqi.

  • Egjipti: S’ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gazë

    Egjipti: S’ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gazë

    Tri ditë negociata me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelite dështuan që të arrinin përparim të martën, thanë zyrtarët egjiptianë.

    Ky njoftim u bë më pak se një javë para nisjes së Muajit të Ramazanit, që ishte një afat jozyrtar për arritjen e një marrëveshjeje.

    Pothuajse pesë muaj luftime e kanë lënë në gërmadha Gazën dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare, teksa banorët e enklavës, veçmas në veri të territorit, po përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve ushqimore.

    “Ne duhet të dërgojmë më shumë ndihmë në Gazë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, të martën. “Nuk ka më arsyetime. Asnjë”, shtoi ai.

    Grupet e ndihmës kanë thënë se është bërë pothuajse e pamundur dërgimi i furnizimeve në pjesën më të madhe të Gazës për shkak të vështirësive në koordinimin me ushtrinë izraelite, armiqësive që po vazhdojnë dhe për shkak të thyerjes së rendit publik.

    Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për javë të tëra kanë tentuar të ndërmjetësojnë një marrëveshje, sipas së cilës, Hamasi do të lironte deri në 40 pengje në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor, do të liroheshin disa të burgosur palestinezë dhe do të rritej ndihma në territorin e izoluar.

    Dy zyrtarë egjiptianë thanë se rundi i fundit i diskutimeve përfundoi të martën. Ata thanë se Hamasi paraqiti një propozim që ndërmjetësit do ta diskutonin me Izraelin në ditët në vijim. Një nga zyrtarët tha se ndërmjetësit do të takohen të mërkurën me delegacionin e Hamasit, i cili nuk është larguar nga Kajro.

    Hamasi ka refuzuar që të lirojë 100 pengjet që vlerësohet që ende mban dhe mbetjet mortore të afër 30 të tjerëve nëse Izraeli nuk i jep fund ofensivës, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe luftëtarë të lartë të Hamasit, të dënuar me burgim të përjetshëm.

    Zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë skeptikë që Hamasi dëshiron të arrihet një marrëveshje sepse grupi radikal ka refuzuar një sërë kërkesash, që SHBA-ja dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë edhe dhënia e një liste emrash të pengjeve që do të liroheshin.

    “Është në dorën e Hamasit të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të martën.

    “Ne kemi një mundësi për një armëpushim të menjëhershëm që do të lironte pengjet, që do të rriste në mënyrë dramatike ndihmën humanitare për palestinezët që kanë nevojë për të dhe mund të vendosë kushte për një zgjidhje të qëndrueshme”, shtoi ai.

    Zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, tha të martën se grupi ka kërkuar një armëpushim të përhershëm dhe jo një pauzë gjashtëjavore dhe “tërheqjen e plotë” të forcave izraelite.

    “Siguria e popullit tonë mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të përhershëm, dhënies fund të agresionit dhe tërheqjes nga çdo centimetër i Rripit të Gazës”, tha Hamdan për gazetarët në Bejrut.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, publikisht ka refuzuar kërkesat e Hamasit dhe vazhdimisht është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të gjitha pengjet të lirohen. Izraeli nuk ka dërguar një delegacion në rundin e fundit të bisedimeve.

    Izraeli ende pret që Hamasi të dorëzojë listën e pengjeve që janë gjallë dhe të tregojë se sa pengje do të lirohen në këmbim të sa të burgosurve palestinezë, tha një zyrtar izraelit.

    Zyrtari izraelit dhe ata egjiptianë folën në kushte anonimiteti për shkak se nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për negociatat.

    I pyetur nëse Hamasi a një listë të pengjeve që janë ende gjallë, Hamdan tha se kjo çështje nuk është e rëndësishme në bisedime dhe akuzoi Izraelin se po e përdorë këtë si arsyetim për të shmangur angazhimin në negociata.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Më shumë se 100 pengje janë liruar gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.

    Sulmi i Hamasit nxiti ofensivën izraelite në enklavën prej 2.3 milionë banorësh dhe Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se nga lufta janë vrarë më shumë se 30.000 palestinezë. Grupet e ndihmës kanë thënë se luftimet kanë detyruar që shumica e popullatës të zhvendoset dhe kanë shtyrë çerekun e popullsisë buzë urisë./REL/

  • Jep dorëheqje kryeministri bullgar, Nikolai Denkov

    Jep dorëheqje kryeministri bullgar, Nikolai Denkov

    Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, të martën ka paraqitur dorëheqjen e tij në parlament si pjesë e një hapi të planifikuar me partnerin e koalicionit qeverisës të partisë së tij sipas një marrëveshjeje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.

    Denkov e përshkroi dorëheqjen e tij si një “ftesë për negociata” me partnerin e koalicionit, me partnerin e koalicionit, partinë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), përmes një deklarate.

    “Dorëheqja ime nuk është një lojë politike, por rezultat i një premtimi të bërë më parë”, tha Denkov.

    Ai ka thënë se qeveria e tij do të vazhdojë detyrat e saj deri në formimin e qeverisë së ardhshme.

    Ministrja e Jashtme, Maria Gabriel, e cila përfaqëson partinë GERB, do të marrë postin e kryeministres, ndërkohë dorëheqja e Denkov duhet të miratohet nga parlamenti.

  • Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja apelon për kujdes

    Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja apelon për kujdes

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se cilësia e ajrit në Prishtinë nuk është e mirë.

    IKSHPK bën thirrje për kujdes për personat e ndjeshëm.

    “Kujdes për personat e ndjeshëm! Ajri jo i shëndetshëm!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Më tej, Instituti ka ndarë disa rekomandime:

  • Mblidhet sot KQZ-ja, ky është rendi i ditës

    Mblidhet sot KQZ-ja, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Sipas një njoftimi të KQZ-së thuhet se në rend dite janë katër pika.

    “Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së, Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbaleve Nr. 8, 9, 10/2024, Shqyrtimi dhe miratimi i Rregulloreve Zgjedhore Nr. 01, 02, 03, 04/2024 dhe të ndryshme”, thuhet në njoftim.

    Kjo mbledhje do të mbahet nga ora 13:30.

  • Presidenti amerikan: Një mandat i ri për Trump do të ishte një kthim në kaos për vendin

    Presidenti amerikan: Një mandat i ri për Trump do të ishte një kthim në kaos për vendin

    Presidenti amerikan Joe Biden teksa ka folur për zgjedhjet në SHBA, ka theksuar se një mandat i ri për ish-presidentin Donald Trump do të ishte një kthim në kaos.

    “Një mandat i dytë presidencial për Trump në Shtëpinë e Bardhë do të nënkuptonte një kthim në kaos”, thuhet në një deklaratë me shkrim të dhënë nga Presidenti amerikan Joe Biden.

    Gjithashtu ai shtoi se Donald Trump nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim për SHBA.

    “Katër vjet më parë kam kandiduar për shkak të kërcënimit ekzistencial që Donald Trump i paraqiti Amerikës në të cilën të gjithë besojmë”, shprehet Biden teksa përmend progresin e arritur nga administrata aktuale presidenciale në punësimin, inflacionin, çmimet e drogës dhe kontrollin e armëve.

    “Trump drejtohet nga inati dhe mashtrimi, i fokusuar në hakmarrje dhe jo te populli amerikan”, akuzoi Biden.

  • Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

    Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

    Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

    “Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me
    kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryeministrin, Albin Kurti bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin për media.

    Të martën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare.

    Kurse, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për Epopenë e UÇK-së.

    Gjithashtu një manifestim është mbajtur në kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

    Në të gjitha aktivitetet u vlerësua lartë sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

  • Besnik Berisha zgjidhet kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës

    Besnik Berisha zgjidhet kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës

    Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) zgjodhi kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët në organet e tjera, ku me 40 vota të delegatëve në krye të OAK-së u zgjodh avokati, Besnik Berisha.

    Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Zgjedhor të saj, Berisha la pas vetes kundërkandidatët e tij, Behar Ejupi që mori 16 vota, Nasuf Hasani 7 vota dhe Yll Zekaj 18 vota.

    Berisha ka thënë se puna e tij si kryetar i Odës do të fokusohet në tri shtylla: dinjitet, zhvillim dhe disiplinë.

    Në votim morën pjesë 83 delegatë, të cilët ishin të pranishëm në këtë Kuvend Zgjedhor.

  • Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor”, që e kishte emëruar vetë në 2022

    Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor”, që e kishte emëruar vetë në 2022

    Qeveria e Kosovës ka shkarkuar sot Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, që e kishte emëruar vetë në gusht të vitit 2022.

    Arsyetimin për shkarkim e dha Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe raportin vjetor për 2023, Kompania Rajonale e Ujit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve në planin e biznesit. Përveç devijimeve nga plani i biznesit, gjithashtu është evidentuar edhe moskomunikimi i rregullt me njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi, konsiderohet se bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit dhe për këto arsye rekomandojmë shkarkimin”, tha Rizvanolli.

    Në po këtë mbledhje u emërua edhe Bordi i Përkohshëm me Ismet Vrapçani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare.