ATV

Author: G.O.

  • Vjedhje e rëndë në një xhami në Gjilan, Policia nis hetimet

    Vjedhje e rëndë në një xhami në Gjilan, Policia nis hetimet

    Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.

    Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në xhaminë në fshatin Miresh në Gjilan, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë brenda objektit fetar.

    Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga mirëmbajtësi i xhamisë, i cili ka vërejtur se hajnat kanë demoluar hapësirën e brendshme të objektit dhe kanë vjedhur një shumë parash.

    Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

  • Begaj takohet me Komandantin Suprem të NATO-s: Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë

    Begaj takohet me Komandantin Suprem të NATO-s: Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi ditën e djeshme Komandën Strategjike për Operacionet e NATO-s, ku pati një takim të drejtpërdrejtë me Komandantin e Përgjithshëm, gjeneralin Christopher Cavoli.

    Begaj theksoi se situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë duke paralajmëruar se agresioni brutal rus kundër Ukrainës, tenton të përhapet edhe në rajone të tjera.

    “Sot, situata e sigurisë është përkeqësuar dhe konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe agresioni brutal rus kundër Ukrainës, tenton të përhapet edhe në rajone të tjera. Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë, gjë që na kujton se sa përpjekje dhe përpjekje duhen për të mbrojtur jo vetëm parimet demokratike, por edhe paqen dhe sigurinë e vendeve tona”, tha Begaj.

    Ai e siguroi gjeneralin Cavoli se “Shqipëria do të jetë gjithmonë aty ku i duhet NATO-s, gjë që e dëshmoi me praninë e saj në misionet dhe operacionet e kësaj aleance në Afganistan, Kfor (Kosovë), Letoni, Bullgari, Irak.

    Begaj vlerësoi veçanërisht investimin e NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës, e cila u hap vetëm katër ditë më parë.

    Ai theksoi se “Shqipëria ofron dhe mirëpret angazhimin dhe investimin e NATO-s për të transformuar portin e Porto Romanos në bazën e saj detare”.

  • Limaj: Kuvendi cirk me njerëz të padijshëm – Koalicioni me AAK-në derë e hapur për qytetarët

    Limaj: Kuvendi cirk me njerëz të padijshëm – Koalicioni me AAK-në derë e hapur për qytetarët

    Keqqeverisje e ka cilësuar qeverisjen e Albin Kurtit kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmi Limaj. Ai për Ekonomia Online, ka folur për siç deklaron dështimet dhe gjendjen e rëndë në sektorë të ndryshëm.

    Ai ka folur edhe për koalicionin me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe mundësinë për zgjerimin me partitë tjera, ndërsa 2024-ën e quan vit zgjedhor. Ai konsideron se Kuvendi përbëhet nga njerëz të padijshëm e që punën e parë e kanë si deputet.

    Limaj përmend rënien e investimeve kapitale dhe gjendjen e rëndë në ekonomi. Thekson se Kosova në arenën ndërkombëtare është në pozicion të keq.

    “Për tri vite nuk ka sektor të cilën e kemi parë një hap të ndryshimit. Sot më keq gjendja është në arsim, më keq është gjendja në shëndetësi, më keq është gjendja në infrastrukturë, në ekonomi, në mungesë të investime kapitale, me një buxhet i cili nuk di të menaxhohet, që është kthyer në subvencione, dhe ku praktikisht ne e kemi pasur një administratë sociale momente të caktuara ku kanë bërë shpërndarje parash kohe pas kohe, po nuk kemi pasur drejtues të cilët kanë dhënë energji të re zhvillim vendit, frymë e ndërtim. Praktikisht këto tri vitet e fundit ka treguar që kemi pasur një Qeveri pa plan, pa program, me njerëz jokompetent, ndërsa në planin e jashtëm tashmë, e dimë pozicioni i Kosovës është më keq se asnjëherë më parë, përditë ka tregu që kjo qeverisje nuk ka asnjë ide të pozicionimit të vendit në aspektin strategjik, për të avancuar çështjen e Kosovës, për ta avancuar pozicionin e vendit tonë”, deklaroi Limaj.

    Limaj është i bindur se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme, anipse përfundimi i mandatit të Qeverisë Kurti përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.

    “Ne jemi në vitin zgjedhor më. Ne praktikisht jemi futur në vitin zgjedhor a do të mbahet gjashtë mujorin e parë a gjashtë mujorin e dytë kjo është çështje krejt tjetër, por Kosova është futur në vitin zgjedhorë dhe ky vit do të jetë vit i zgjedhjeve”, deklaron Limaj.

    Sa i përket koalicioni me AAK-në, Limaj e quan dëshirë të elektoratit për të pasur një front të përbashkët opozitarë.

    “Ideja e atij frontit të përbashkët ka marrë formë një front opozitarë, tashmë më një nevojë urgjente, të kampit opozitarë ka qenë nevojë urgjente bashkimi i forcave politike dhe ne kemi bërë këtë hap duke respektuar edhe dëshirat e qytetarëve në terren, ose dispononimin e tyre, ku ata kanë kërkuar dhe kërkojnë vazhdimisht të kenë një opozitë sa më të konsoliduar, një alternativë serioze, dhe duke respektuar këtë ne kemi shkuar drejtë një koalicioni një fronti të përbashkët opozitarë , kemi filluar me Aleancën kemi vazhduar me forumin intelektualëve, me listën konservatore dhe komplet personaliteteve që po i bashkohen”, thotë ai për EO.

    Koalicionin me AAK-në, Limaj e quan derë të hapur për qytetarët që janë të pakënaqur me këtë qeverisje. Thotë se Kuvendi i Kosovës është kthyer në cirkus dhe me njerëz papërvojë.

    “Besoj që tani më qytetarët e Kosovës e kanë parë që nuk bën me bë eksperimente më shumë se kurrë na duhen njerëz në parlament që kanë një background, që din çka thojnë, që kontribuojnë në unitet unifikim, dhe qëllime të mëdhaja për vendin, që dinë me qenë të ndryshëm po të bashkuare me tema të rëndësishme për vendin, parlamenti i Kosovës na u ka kthyer një cirkus me njerëz anonimë me njerëz si me thënë me punën e parë të tyre, pa asnjë ide pa vizion përvojë, pa dije, një parlament që praktikisht secili asamble (komunale) është më e fuqishme se Parlamenti i Kosovës. Besoj qytetarët tanë të Kosovës e kanë parë dhe është koha që të vihet ndryshimi, dhe fronti jonë opozitarë është një derë një mundësi për të gjithë ata njerëz që janë të shqetësuar dhe të pakënaqur me gjendjen aktuale në Kosovë”, u shpreh ai.

  • AAK-ja mban konferencë për media

    AAK-ja mban konferencë për media

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë konferencë për media

    Në njoftim thuhet se konferenca e AAK-së, do të mbahet në Hollin e Kuvendit, nga ora 10:30.

    Derisa nga kjo parti nuk kanë bërë të ditur arsyen për thirrjen e kësaj konference.

  • PDK-ja thërret konferencë për media

    PDK-ja thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbajë konferencë për media.

    Nga kjo parti kanë njoftuar se konferenca do të mbahet në Selinë Qendrore të saj, nga ora 12:00.

    Ndërkohë, aryeset e konferencës nuk janë bërë të ditura.

  • ​Osmani kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit

    ​Osmani kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot një delegacion nga Zyra për Koordinimin e Këshillave Kombëtare Boshnjake, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me ftesë të përfaqësuesve boshnjakë në Këshillin Konsultativ për Komunitete,

    Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Osmani ka bërë thirrje për bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.

    Presidentja po ashtu theksoi se është e nevojshme të zbatohen të gjitha parimet e nënshkruara në marrëveshjet e Procesit të Berlinit, duke filluar nga liria e lëvizjes.

    “Presidentja bëri thirrje për bashkëpunim edhe më të ngushtë, në radhë të parë të natyrës institucionale, ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, e pastaj ndërmjet mes popullit shqiptar dhe atij boshnjak, për projekte të përbashkëta dhe shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Ndahen nga 500 euro për policët që u plagosën në veri dhe për ata me sëmundje të rënda

    Ndahen nga 500 euro për policët që u plagosën në veri dhe për ata me sëmundje të rënda

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 500 euro për të gjithë policët e plagosur apo të lënduar në veri të vendit, dhe për ata që janë duke u trajtuar me sëmundje të rënda.

    Sipas vendimit të Këshillit Drejtues, paratë do të ndahen për të gjithë ata policë që janë anëtarë të sindikatës.

    “Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë ka mbajtur mbledhje dhe ka shqyrtuar listat e propozuara nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore dhe nga Shoqatat Sindikal për zyrtarët policorë, të cilët janë plagosur dhe lënduar në veri të Kosovës dhe për ata që janë duke u trajtuar me sëmundje të rënda”.

    “Lidhur me këtë çështje Këshilli Drejtues, me shumicë të votave, ka marr vendim që nga listat e përpiluara të ndahen për secilin nga pesëqind (500) euro, për të gjithë ata që janë anëtarë të sindikatës, kurse ata që nuk janë anëtarë të kontaktohen dhe t’ju mundësohet pranimi i kësaj ndihme në momentin që e bëjnë deklarimin e anëtarësimit në sindikatë”, thuhet në komunikatën për media.

  • Bislimi uron Suedinë për anëtarësim në NATO

    Bislimi uron Suedinë për anëtarësim në NATO

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nëpërmjet një shkrimi në X ka uruar Suedinë për anëtarësimin në familjen euroatlantike, NATO.

    “Anëtarësimi i Suedisë në NATO si anëtari i 32-të, është dividend i sigurisë, bashkëpunimit dhe unitetit më të madh”, ka shkruar ai.

    Tutje Bislimi ka thënë se vetëm me bashkim, bota demokratike jep shpresë për paqe.

    “Vetëm së bashku, bota e bashkuar demokratike perëndimore, jep shpresa për paqe dhe prosperitet, duke kapërcyer kërcënimet dhe agresionet e përfaqësuara nga autokratë”, ka shkruar zëvendëskryeministri.

  • Zelensky viziton Turqinë për sigurinë ushqimore dhe bashkëpunimin në mbrojtje

    Zelensky viziton Turqinë për sigurinë ushqimore dhe bashkëpunimin në mbrojtje

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, viziton Turqinë më 8 mars për të biseduar me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për luftën kundër Rusisë, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurinë e eksporteve ushqimore ukrainase.

    Presidenca ukrainase tha se dy udhëheqësit po ashtu do të bisedojnë për formulën për paqe prej 10 pikash të Kievit që synon t’i japë fund konfliktit, por edhe për lirimin e të gjithë të arrestuarve ukrainas dhe të dëbuarve, si dhe për sigurimin e stabilitetit ushqimor botëror përmes transitit të sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

    Formula për paqe e Ukrainës bën thirrje për tërheqjen e të gjitha trupave ruse nga Ukraina, rivendosjen e kufijve të shtetit të vitit 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe mbajtjen përgjegjëse të Rusisë për veprimet e saj. Më herët, Kremlini ka refuzuar kërkesa të tilla.

    “Një vëmendje e veçantë gjatë vizitës do t’iu jepet projekteve të përbashkëta në sferën e mbrojtjes dhe industrisë”, tha Presidenca ukrainase përmes një njoftimi në Telegram, duke shtuar se Zelensky do të vizitojë një kantier detar ku po ndërtohen pjesë për Marinën ukrainase. Ai po ashtu do të takohet me përfaqësuesit e kompanive turke të mbrojtjes.

    Presidenca turke tha se bisedimet do të përfshijnë edhe “diskutime të detajuara për rrjedhën e luftës Ukrainë-Rusi, për situatën aktuale sa i përket vazhdimisht të Marrëveshjes për korridorin e drithërave [në Detin e Zi] dhe përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në rajon”.

    Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka mbajtur raporte të mira me Moskën dhe Kievin dhe së bashku me Kombet e Bashkuara ka ndërmjetësuar një marrëveshje që i ka lejuar Kievit eksportimin e sigurt të drithërave nga portet e tij. Por, korrikun e kaluar Rusia u largua nga marrëveshja, e njohur si Nisma e Detit të Zi, pasi argumentoi se eksportet e saj ushqimore dhe të plehrave artificiale nuk gëzonin të njëjtat kushte.

    Turqia ka synuar që të bindë Moskën që të kthehet në marrëveshje, por deri më tani Rusia ka refuzuar.

    Pas takimit pasditen e së premtes, Erdogan dhe Zelensky do të mbajnë një konferencë për media.

    Zelensky për herë të fundit kishte vizituar Turqinë në korrikun e viti të kaluar./REL/

  • Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Haxhiu bën homazhe te Memoriali Heroinat

    Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Haxhiu bën homazhe te Memoriali Heroinat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe te Memoriali Heroinat në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së shumë grave të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998-99 kundër shtetit okupator, Serbisë.

    Ajo ishte e shoqëruar nga nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, si dhe deputetet e Republikës së Kosovës dhe aktiviste të Lëvizjes.

    “Vuajtjet e të gjitha atyre grave që përjetuan tmerrin e dhunës seksuale kanë goditur zemrat e të gjithë neve, për të mos i harruar kurrë, dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e shkaktuara ndaj tyre”, tha kryetarja e Gratë për Vetëvendosje, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.