ATV

Author: G.O.

  • ​DASh: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës

    ​DASh: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës

    Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriq, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

    “Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.

    Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

    Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

    Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.

    Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA.

    Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.

    Marko Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe se kur është bërë fotografia.

    Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiqit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

    “Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriqin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiqin, për t’u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiq.

    Bashkimi Evropian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se “me kë takoheni flet për ju”.

    “Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

    Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

    Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.

    Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.

    Lidhur me rrjedhën e procedurës kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radojiçiq është duke u kontrolluar.

  • Komisioni Evropian sot rekomandon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën

    Komisioni Evropian sot rekomandon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën

    Komisioni Evropian pritet që në takimin e kolegjit që do të mbahet të martën në Strasburg, të miratojë rekomandimin për vendimin e Këshillit për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Bosnje e Hercegovinës.

    Për këtë vendim janë pajtuar strukturat e Komisionit dhe në takimin e së martës, më 12 mars, ai do të formalizohet, raporton REL.

    Sipas procedurave të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian jep rekomandime ndërsa vendimet i merr Këshilli Evropian.

    Në këtë rast, pasi të rekomandojë Komisioni, vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën duhet ta miratojnë liderët e 27 vendeve anëtare, në samitin e BE-së m 21 dhe 22 mars në Bruksel.

    Liderët e BE-së, edhe në samitin e tyre në dhjetor të vitit të shkuar, kishin shprehur gatishmërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën por kishin përmendur edhe disa kushte që ky vend do të duhej t’i përmbushte deri në fund të muajit mars.

    Megjithatë ka ende ka disa shtete që janë skeptike ndaj vendimit për nisjen e negociatave me Bosnje e Hercegovinën, apo që kërkojnë që ky vendim të ketë edhe disa kushte shtesë para se negociatat të nisin.

  • Presidenti Begaj këshillon Kosovën: Dëgjojeni më shumë ShBA-në e BE-në

    Presidenti Begaj këshillon Kosovën: Dëgjojeni më shumë ShBA-në e BE-në

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka folur së fundmi për zhvillimet e fundit në vend dhe raportet me aleatët, duke këshilluar Kosovën që të dëgjojë më shumë SHBA-në dhe BE-në.

    Në një intervistë për në RTSH, Begaj theksoi se, sipas tij, çdo vendim të rëndësishëm që Kosova duhet ë marrë, do të ishte mirë ta konsultonte paraprakisht me partnerët e saj strategjikë.

    “Shqipëria është e vogël, por kontributi në politikën e jashtme është i madh, sidomos në rajon, ku është një faktor kontribuues për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Natyrisht Kosova është një pjesë e jona, jemi një komb, dy shtete. Është interesi më madhor i Shqipërisë është detyrim kushtetues të interesohemi për Kosovë.

    Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm. Fat i madh që në Kosovë kemi edhe KFOR-in që garanton sigurinë, kufirin e Kosovës, por çdo vendim që Kosova duhet të marrë, për të zbatuar detyrimet që i takojnë si shtet, do të ishte mirë të bëheshin me këshillimin dhe marrjen e pëlqimit dhe të dëgjonin më shumë këshillat e marra nga SHBA dhe BE”, u shpreh ai.

  • Votimi për shkarkimin e kryetarëve në 4 komunat veriore vlerësohet i panevojshëm

    Votimi për shkarkimin e kryetarëve në 4 komunat veriore vlerësohet i panevojshëm

    Më 21 prill qytetarët e katër komunave veriore kanë mundësi të votojnë për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë nëpërmes referendumit.

    Verifikimi i nënshkrimeve të dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, po vlerësohet si hap pozitiv.

    Megjithatë, sipas Artan Muhaxhirit, e gjithë kjo situatë ka qenë e panevojshme. Sipas tij, kryetarët është dashur të japin dorëheqje.

    Se shkuarja direkt në zgjedhje të reja do të ishte rrugë më e drejtë e thotë edhe shoqëria civile në Mitrovicë të Veriut.

    Sidoqoftë, bazuar në udhëzimin administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pastaj rezultati i dërgohet presidentes, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://www.youtube.com/live/Gw9mIylVE4I?si=kvgd_a0NYKI-3FWN

  • Policia në Spanjë arreston pesë persona nga Gjermania e Kosova, dyshohen për sulm seksual ndaj një gruaje

    Policia në Spanjë arreston pesë persona nga Gjermania e Kosova, dyshohen për sulm seksual ndaj një gruaje

    Pesë persona me origjinë nga Gjermania dhe Kosova janë arrestuar nga Policia e Spanjës, pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në një sulm seksual ndaj një gruaje 26-vjeçare.

    Siç raporton El Mundo, ngjarja dyshohet se ka ndodhur të martën në një hotel luksoz në Marbella të Spanjës, teksa viktima është me origjinë nga Mongolia.

    Grupi që ra na pranga, dyshohet se kishin planifikuar që viktimën ta dërgojnë në hotelin ku qëndronin e më pas të abuzojnë me të seksualisht.

    Vajza kishte dalë nga dhoma e shqetësuar dhe duke qarë, gjë që ra menjëherë në sy te një punëtore e hotelit e cila denoncoi rastin.

    Siç shkruan gazeta spanjolle, hetimi mbetet i hapur dhe të arrestuarit janë vënë në dispozicion të Gjykatës Hetimore numër 1 në Marbella.

    Tashmë hetuesit, të cilët kanë biseduar me dëshmitarët dhe kanë kërkuar pamje nga kamerat e hotelit – po fokusohen në përcaktimin e shkallës së pjesëmarrjes në ngjarjet që mund të ketë pasur secili prej të dyshuarve.

    Këta persona janë liruar me dakordim të prokurorisë dhe mbrojtjes dhe të gjithë ata hetohen lidhur me dyshimet e sulmit seksual dhe dy kanë detyrimin të paraqiten periodikisht përpara konsullatës spanjolle të qytetit gjerman ku banojnë.

  • Aksidentohet një kamion me një veturë në Gjakovë, lëndohet një person

    Aksidentohet një kamion me një veturë në Gjakovë, lëndohet një person

    Një aksident trafiku me një të lënduar ka ndodhur sot në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.

    Zëdhënësi i policisë, Sheremet Elezaj ka thënë, se në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe një veturë.

    Rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Në fshatin Bishtazhin-Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren) rreth orës 12:50 dy automjete (një kamion dhe një veturë) janë përfshirë në aksident trafiku. Përveç dëmeve materiale deri më tani është raportuar për një person të lënduar. Njësia e trafikut rajonal është duke trajtuar rastin”, ka thënë Elezaj.

  • ​Gjirokastër: 15-vjeçari ther me thikë bashkëmoshatarin, arrestohet nga policia

    ​Gjirokastër: 15-vjeçari ther me thikë bashkëmoshatarin, arrestohet nga policia

    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në policinë e Gjirokastrës arrestuan të miturin, 15- vjeçar si autor të dyshuar të plagosjes së djeshme në qytetin e Gjirokastrës ku rreth orës 08:05 në lagjen “18 shtatori”, gjatë një konflikti të çastit ka goditur me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij.

    Pas ngjarjes i lënduari është transportuar për në spitalin e Gjirokastrës ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën.

    Sipas policisë veprimet procedurale me të miturin e ndaluar vijojnë të kryhen në praninë e prindit, mbrojtësit ligjor dhe psikologut. /euronews.al/

  • Lajçak javën e ardhshme viziton Beogradin

    Lajçak javën e ardhshme viziton Beogradin

    I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd të premten e javës së ardhshme.

    Është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që ka treguar se “Lajcak do ta vizitojë Serbinë më 15 mars.

    Ai ka thënë se me të do të flasë për procesin e largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

    Lajçak më 5 mars ka vizituar Kosovën, ku është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe temë e diskutimit mes tyre ka qenë vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb që të mos përdoret si mjet pagese.

    Për dallim prej shumë rasteve të tjera, Lajçak ka kryer takimit në Prishtinë dhe është kthyer direkt në Bruksel, pa bërë ndalesë në Beograd.

     

  • Një maune aksidentohet në afërsi të Bllacës, bllokohet rruga që vjen në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas

    Një maune aksidentohet në afërsi të Bllacës, bllokohet rruga që vjen në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas

    Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjatë orëve të para të mëngjesit në rrugën kryesore Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Një kamion i mbushur me rreth 25 tonë plastikë PVC është rrotulluar në rrugë, duke bllokuar dy shiritat dhe si rrjedhojë është ndërprerë qarkullimi në të dy drejtimet.

    Nuk raportohet për të lënduar.

    “Më datë 09.03.2024 në ora 06:50 në rrugën kryesore Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin TMV MAN ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në rrugë, duke i zënë të dy shiritat, nuk ka të lënduar. Policia është njoftuar për vendkalimin kufitar Bllacë dhe komunikacioni do të jetë i ndërprerë në të dy drejtimet. Nga kamioni me rreth 25 tonë plastikë PVC po shkarkohet në vend malli, i pranishëm është edhe shërbimi doganor”, thuhet në njoftim.

  • Dogana shpall konkurs për oficerë doganor, vendos kriter moshën nga 18 deri në 30 vjeç

    Dogana shpall konkurs për oficerë doganor, vendos kriter moshën nga 18 deri në 30 vjeç

    Dogana e Kosovës ka shpallur konkurs për oficerë doganor. Konkursi do të jetë i hapur deri më 22 mars të këtij viti.

    Ajo çka bie në sy në këtë konkurs, është kriteri i moshës që është vendosur, ku aplikantët duhet të jenë nga 18 deri në 30 vjet.

    “Të jetë i moshës tetëmbëdhjetë (18) deri tridhjetë (30) vjeç”, është një nga kriteret e aplikimit. Nëse nuk e përmbushni këtë kriter, s’mund të vazhdoni fare me aplikimin.

    Kritere tjera për aplikim janë: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për t’i kryer detyrat e dhëna; Të ketë diplomë universitare të kualifikimit bachelor ose kualifikim të barasvlershëm- preferohet në drejtësi, ekonomi, kimi, farmaci, biologji, teknologji dhe doganë; Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëpërashme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në Doganë; Dëshmi nga organet kompetente (Gjykata) se personi nuk është i dënuar ose ndaj saj/tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, si dhe Të ketë reputacion të lartë professional dhe integritet personal.

    Në fazën e parë do të bëhet përzgjedhja në bazë të dokumenteve të paraqitura dhe aplikacioneve, njoftimi i kandidatëve të diskualifikuar si dhe atyre të cilët do t’i nënshtrohen procedurave tjera të testimit.

    Në fazën e dytë, procedurat e testimit, testi me shkrim dhe intervista me gojë.

    “Dogana e Kosovës gëzon të drejtën ligjore për prerjen e listës së kandidatëve dhe krijimin e listës më të ngushtë që do t’i nënshtrohen testit me shkrim dhe intervistës me gojë, duke u bazuar në lartësinë e pikëve të marra nga procesi i vlerësimit të aplikacioneve dhe testit me shkrim, në rastet kur numri i aplikantëve që kanë përmbushur kërkesat e konkursit, respektivisht kanë kaluar pragun e kalueshmërisë nga procesi i vlerësimit të aplikacioneve dhe testit me shkrim, është më i lartë se dhjetë (10) kandidatë të përshtatshëm për një pozitë të lirë.

    Njoftimi i kandidatëve për orarin, vendin dhe procedurat e testimit do të bëhet së paku dhjetë (10) ditë kalendarike para datës së testit me shkrim, respektivisht intervistës me gojë”, thuhet në konkurs.