ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit

    Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit

    Presidentja Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Bangladeshit, Mosharraf Hossain Bhuiyan, të cilin e ka falënderuar për angazhimin gjatë mandatit të tij.

    Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt për angazhimin e palëkundur të Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

    Në këtë linjë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbështetjes nga Bangladeshit për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.Në takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëlqyera për nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, me theks të veçantë në industrinë e tekstilit, e cila është e zhvilluar në Bangladesh.

    Në këtë kontekst, u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik si një mundësi e shkëlqyer për bizneset nga të dyja vendet për t`i eksploruar perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen.

    Presidentja Osmani, në këtë takim, e ka njoftuar ambasadorin Bhuiyan edhe për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet më 15-16 prill të këtij viti dhe i cili është një mundësi e mirë për bashkëpunim dhe dialog të mëtejshëm.

  • Arrestohet 23-vjeçari në Gjilan, iu gjet më shumë se 1 kilogram marihuanë

    Arrestohet 23-vjeçari në Gjilan, iu gjet më shumë se 1 kilogram marihuanë

    Policia në Gjilan ka njoftuar se ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit A.Sh, 23 vjeçar, në kuadër të hetimit të rastit “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” që ka ndodhur më 10 mars.

    Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 1 kilogram e 154 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

    Ai është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.

    “Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Gjilan, me datën 12.03.2024 në koordinim dhe leje të Prokurorisë Themelore në Gjilan, në kuadër të hetimit të rastit ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ i datës 10.03.2024 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.Sh. (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar shqiptar) nga Gjilani. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 1 kilogram e 154.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cilat do të përdoren në cilësi të provave materiale për gjykatën. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa konform kompetencave lëndore rasti i referohet njësisë për hetim të narkotikëve në rajonin e Gjilanit.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Kurti: Serbia është agresive e nevrike, paraqet rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon

    Kurti: Serbia është agresive e nevrike, paraqet rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shtetet jodemokratike në Ballkanin Perëndimor janë rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon.

    Sipas tij, dallimi etnik nuk është ai që shkakton konflikt, por autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë.

    “Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt. Por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jo demokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë rrezik për sigurinë dhe paqen. Natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta di askush. Ajo çka bëjmë ne është se përgatitemi maksimalisht me krejt çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë qendër shtetërore për siguri kibernetike, për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, tha Kurti, pasi u pyet nga gazetarët se a mund të ketë konflikte ndëretnike, ku mund të përfshihet Kosova.

    Ai theksoi se integriteti territorial, sovraniteti dhe siguria e qytetarëve do të jenë të pacenueshme, pavarësisht kush e kërcënon atë.

    “Ky është partneriteti që po bëjmë edhe marrin donacion dhe blejmë, në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti dhe siguria e qytetarëve të jetë e pa cenueshme, pavarësisht se kush e kërcënon atë. Ne e kemi të qartë se fqinji jonë verior është agresiv dhe nevrik, por kjo na bënë të kujdesshëm dhe assesi të frikësuar”, shtoi ai.

    Këto komente Kurti i bëri pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

  • Një shtetase e huaj raporton se është kanosur nga një burrë në Prishtinë

    Një shtetase e huaj raporton se është kanosur nga një burrë në Prishtinë

    Një shtetase e huaj e ka njoftuar policinë e Kosovës se është kanosur nga një burrë poashtu shtetas i huaj.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar.

    “Prishtinë / Mars-2024-NN. Me 11.03.2024 ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari mashkull shtetas i huaj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Vdes një burrë në Leposaviq, dyshohet se ra në kontakt me rrymën

    Vdes një burrë në Leposaviq, dyshohet se ra në kontakt me rrymën

    Një burrë në Leposaviq dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me rrymën.

    Rastin në polici e ka raportuar një burrë.

    “Një mashkull kosovar ka informuar se viktima mashkull dyshohet se si pasojë e kontaktit me rrymën ka ndërruar jetë. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa rasti është nën hetime.

  • Ministrja Gërvalla në vizitë pune në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel

    Ministrja Gërvalla në vizitë pune në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka filluar një vizitë pune një ditore në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku do të takohet me personalitete të larta drejtuese të strukturave civile dhe ushtarake në NATO, si dhe me ambasadorët e shteteve aleate në NATO.

    Vizita e Ministres Gërvalla po realizohet në një kohë kur Evropa po kalon nëpër sfida kritike, cenim të vazhdueshëm të paqes dhe sigurisë si dhe influencës malinje në Evropë dhe në rajonin tonë.

    Në kuadër të takimeve të sotme do të përcjellët mesazhi i vendit tonë si faktor i rëndësishëm dhe kontributdhënës për paqen dhe sigurinë në rajon dhe përtej.

    Republika e Kosovës ndan vlerat e përbashkëta me NATO-n. Mbi 90% e qytetarëve të saj mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE. Gjatë këtyre takimeve Ministrja Gërvalla do të kërkojë thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike deri në anëtarësim të plotë në NATO të Republikës së Kosovës.

  • ​Aksident i rëndë trafiku në Klinë, vdes një person e lëndohen tre të tjerë

    ​Aksident i rëndë trafiku në Klinë, vdes një person e lëndohen tre të tjerë

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orëve të vona në fshatin Shtaric të Klinës ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person.

    Në njoftimin e policisë thuhet se në aksident ishin të përfshirë dy vetura civile me targa vendore dhe deri tek aksidenti kishte ardhur teksa i dyshimti ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Klinës në drejtim të fshatit Ujmir dhe me të arritur në fshatin Shtaric- Klinë, kalon në anën e majtë dhe me pjesën e parë ballore përplaset në automjetin e viktimës qe ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt.

    “Në vend të ngjarjes mjeku kujdestarë ka konstatuar vdekjen e njërit nga të lënduarit (i dyshuari) gjerë sa tre persona të lënduar janë dërguar për në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor. Me urdhër të Prokurorit shtetit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, njofton Policia e Kosovës.

  • Sot mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot mblidhen gjashtë komisione, për të diskutuar dhe shqyrtuar çështje të ndryshme.

    Nga ora 10:00, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport diskuton mbi gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës. Raportojnë Arbërie Nagavci, ministre e MAShTI dhe Musa Selimi, dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.

    Në ora 10:30, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal bën shqyrtimin në parim të Projektligjit për shqyrtimin administrativ të akteve të komunës; si dhe shqyrtimin në parim të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.

    Më pas në ora 11:00 takohet Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili shqyrton Projektligjin për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë; themelohet Grupi i punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrje publike etj.

    Në po të njejtën orë, pra nga 11:00, vijon Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili zhvillon diskutim mbi zbatimin e rekomandimeve, nga Organizatat buxhetore, në veçanti ato të dhëna nga Kuvendi/ Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë vitit 2022/2023. E ftuar auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

    Nga ora 13:00, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione bën shqyrtimin dhe miratimin e draft-planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror të vitit 2024.

    Për orën 13:00 është përcaktuar edhe mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, i cili bën shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”, etj.

  • Spektakël sonte në Ligën e Kampionëve

    Spektakël sonte në Ligën e Kampionëve

    Gara më prestigjoze evropiane në nivel të klubeve, Liga e Kampionëve ritkehet sonte me dy ndeshje që garantojnë spektakël, sidomos duke pasur parasysh rezultatet e arritura nga ballafaqimet e para ndërmjet këtyre katër skuadrave.

    Në stadiumin “Emirates”, Arsenali e pret Porton me objektivin për ta përmbysur humbjen 1-0 nga sfida e parë në Portugali dhe për të kaluar në çerekfinale të kësaj gare, transmeton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, edhe Porto synon të shkojë sa më larg në këtë kompeticion duke synuar të jetë në mesin e tetë skuadrave më të mira dhe zbarkon në Angli më synimin për ta mbrojtur fitoren 1-0 para tifozëve të vet.

    Ballafaqimi tjetër i zjarrtë do të zhvillohet në stadiumin olimpik “Lluís Company”, aty ku Barcelona e pret Napolin e Italisë. Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin “Diego Armando Maradona” përfundoi me barazim 1-1, andaj gjithçka ka mbetur e hapur sa i përket mundësive se cila skuadër do të vazhdojë tutje.

    Të dy ndeshjet nisin nga ora 21:00.

  • 32 vjet nga vdekja e Martin Camajt

    32 vjet nga vdekja e Martin Camajt

    Sot bëhen 32 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

    Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza.

    Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

    Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

    Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

    Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj.

    Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

    Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet derisa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

    Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.

    Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

    Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

    Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

    Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

    Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.

    Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih.

    Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

    Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

    Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

    Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

    Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991./KosovaPress/