ATV

Author: G.O.

  • Rohde: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht

    Rohde: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht.

    “Mosbërja e tyre dëmton procesin e dialogut”, shkruan ai në X.

    Kësisoj diplomati gjerman ka komentuar në një postim të Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

    “Serbia nuk mund të injorojë një marrëveshje ku u zotua se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” dhe pastaj të argumentojë se, për shkak të së njëjtës marrëveshje, Kosova duhet të bllokohet”.

    “Kjo thjesht dëmton procesin e dialogut”, shkroi Knaus.

    Duke iu referuar një deklarate të kryeministres serbe rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ai ka deklaruar se dialogu i Brukselit dhe anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë janë çështje të ndara.

  • Nënshkruhet kontrata 21 milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë

    Nënshkruhet kontrata 21 milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata për fillimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc.

    Kontratë kjo që kap vlerën e njëzet e një milionë eurove.

    Aliu tha se rruga do të jetë me katër korsi, e ndarë në katër llote dhe përshkon gjatësi prej 12.8 kilometra.

    Ministri shton se kjo rrugë do të ndikojë në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit.

    “Tashmë janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të Rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc. Rruga është me katër korsi, e ndarë në 4 llote, dhe përshkon gjatësi totale prej 12.8 km, rrugë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Takimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, janë duke vazhduar në Bruksel, ku Kosova është duke u përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga Petar Petkoviq.

    Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, tani do të ketë takim ndaras mes palëve.

    Një takim ndaras mes Bislimit dhe Lajçakut ka filluar tashmë dhe pritet të pasohet nga një takim mes Petkoviqit dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.

    Takimet e sotme janë vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

    Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtyre takimeve të sotme.

  • Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e Brestoc.

    Haradinaj ka thënë se është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët, e ende nuk ka drejtësi për shumë masakra.

    “Është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët ndërsa ende nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb, në civilë të pambrojtur”, ka thënë Haradinaj.

  • Gërvalla: Rusia përpiqet të ngrejë paralele absurde midis ndërhyrjes në Kosovë dhe luftës së saj në Ukrainë

    Gërvalla: Rusia përpiqet të ngrejë paralele absurde midis ndërhyrjes në Kosovë dhe luftës së saj në Ukrainë

    Ministrja e Punëve të Brendshme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia po përpiqet të ngjallë një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive ruse në Ukrainë.

    Ajo këtë tentativë të Rusisë për të krijuar një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që ndaloi veprimet gjenocidale të Serbisë, dhe veprimeve të Rusisë në Ukrainë e sheh si absurde dhe të papranueshme.

    Ajo këtë deklaratë e ka bërë teksa ka përkujtuar masakrën në Krushë të Madhe të Rahovecit, dhe fshatrat përreth, ku Serbia vrau 241 shqiptarë civilë.

    “25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngrejë një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

  • Krasniqi në 25-vjetorin e masakrave në Rahovec: Sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal

    Krasniqi në 25-vjetorin e masakrave në Rahovec: Sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar masakrat në fshatrat e Rahovecit, ku mbeten të vrarë 68 civilë në Fortesë, 75 në Celinë, 49 në Brestoc.

    Krasniqi ka shkruar se në mesin e të vrarëve ishte edhe gjyshi i tij, Hysni Zhuniqi.

    “25 vite më parë, regjimi gjenocidal serb filloi masakrat ne fshatrat e Rahovecit, duke vrarë 68 civilë në Fortesë, 75 në Celinë, 49 në Brestoc, e ku ranë edhe pesë dëshmorë në mbrojtje të popullatës shqiptare.
    Në mesin e martirëve të Fortesës ishte edhe gjyshi im, Hysni Zhuniqi, bashkë me familjarë të shumtë.
    Sakrificat, vuajtjet dhe dhembja e popullit tonë në rrugën e çlirimit kanë qenë të mëdha – por akoma më e madhe ishte vendosmëria për liri dhe pavarësi. Prandaj, sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal.
    Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, ka shkuar Krasniqi.

  • Hovenier takon udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës e Serbisë, flasin si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve

    Hovenier takon udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës e Serbisë, flasin si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar se ka zhvilluar takim me kryetarin e Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna, dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.

    Hovernier ka thënë se me ta ka biseduar për mënyrat se si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve.

    “Diskutim i mirë me liderët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë për mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin mes komuniteteve të biznesit kosovar dhe serb në Kosovë dhe Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve do ta rrisë stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, ka shkruar Hovenier.

  • Kusari- Lila: Nuk mbështesim një mocion mosbesimi nga një parti

    Kusari- Lila: Nuk mbështesim një mocion mosbesimi nga një parti

    Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca plenare.

    “Sot u morën disa vendime. Në agjendën e seancave plenar për këtë javë më 28 mars në ora 10 seanca e jashtëzakonshme me të njëjtën temë me javën e kaluar, seancë kjo që synon themelimin e Komisionit Parlamentar për kontrata një burimore. Në orën 12 seanca me vazhdimin e pikave të pa përfunduar. Më datë 11 prill do të mbahet edhe një seancë e veçantë për përvjetorin e Koshares”.

    Ajo ka thënë se nuk do ta mbështesin mocionin e mosbesimit përderisa nuk ka konsensus mes partive politike.

    “Ne jemi deklaruar në raport për kërkesën e mocion mos besimi. Nuk mbështesim një mocion mosbesimi nga një parti, ende nuk ka konsensus mes partive politike”, ka thënë ajo.

  • Tahiri: Qeveria po i bën temë çështjet e brendshme, po i shkaktohet dëm të madh Kosovës

    Tahiri: Qeveria po i bën temë çështjet e brendshme, po i shkaktohet dëm të madh Kosovës

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë që çështjet e brendshme të Kosovës janë duke u diskutuar në Bruksel, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se me këtë çështje Kosovës është duke iu shkaktuar një dëm i madh.

    “Një çështje puro e brendshme të cilën e rregullon një institucion kushtetues, e ai është BQK-ja. Unë po e shoh dëmi që po i shkaktohet Kosovës më këtë temë. Në vend se me u diskutua gjërat ndërkombëtare, ne jemi duke u marr me çështje e brendshme që zgjidhet shumë shpejt”, ka thënë ai.

  • Policia konfiskon 21 paketime me marihuanë në Skenderaj

    Policia konfiskon 21 paketime me marihuanë në Skenderaj

    Policia e Kosovës gjatë kontrollit në automjet të të dyshuarit mashkull kosovar, ka gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Sipas Policisë, ai është ndalur mbrëmë në Skenderaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar 21 paketime në qese plastike dhe dy koka të Marihuanës, të gjitha në peshë 14.4 gram i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.