ATV

Author: G.O.

  • Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

    Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    Këtë e bëri të ditur më 19 mars emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit mes kryenegociatorëve në kryeqyendrën evropiane.

    Lajçak në një postim në platformën “X” njoftoi se në mesin e temave të diskutuara në takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.

    Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

    Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore. Nga ekzekutivi kosovar nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar propozime për dinarin, duke u kapur pas planit 10-pikësh të BQK-së që mundëson një fazë lehtësuese kalimtare – do të zgjasë jo më shumë se tre muaj, në mënyrë që qytetarët e komunitetit serb të mos dëmtohen nga zbatimi i vendimit.

    Përderisa shefi i delegacionit kosovar njoftoi se palët duhet t’i dorëzojnë propozimet e veta mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb, shefi i delegacionit serb theksoi të ketë këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse, sipas tij, ky mekanizëm do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha “institucioneve serbe” në Kosovë.

    Lajçaku fillimisht priti në takim kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin kosovar, pastaj zhvilloi një takim me delegacionin serb të udhëhequr nga Petkoviçi. E ky cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve erdhi në mes të paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë për rritje të presionit ndaj të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë.

    “Unë prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit për operacionet me para të gatshme. Ne u dakorduam që të vazhdojmë këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, deklaroi Lajçaku pas takimeve që zgjatën disa orë.

    Në fakt, ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

    Sidoqoftë, sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, autoritetet kosovare përveçse hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nënvizuan se nuk shkojnë përtej asaj që tashmë është miratuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.

    “Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së. Njëkohësisht, ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme, sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë BQK-ja”.

    Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një paraqitje të fundit televizive, potencoi se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje sa i përket çështjes së përdorimit të valutës serbe në Kosovë, porse Serbia do të gjejë gjithmonë një mënyrë për të dërguar dinarë për serbët, derisa akuzoi autoritetet kosovare për zbatim nëpërmjet forcës të vendimit të BQK-së.

    “Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjen tonë. Nuk do të na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të bëhet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, paralajmëroi presidenti serb në fundjavë.

    E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet, apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Sot mblidhet kryesia e Kuvendit, shqyrtohet projekt-deklarata për raportet Kosovë – ShBA

    Sot mblidhet kryesia e Kuvendit, shqyrtohet projekt-deklarata për raportet Kosovë – ShBA

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhje.

    Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Kosovës me SHBA-në.

    Po ashtu në rend të ditës është edhe votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028.

  • Pas borës së befasishme, sot mot me diell e me vranësira

    Pas borës së befasishme, sot mot me diell e me vranësira

    Të dielën mbrëma pati mot me shi, ndërkaq në disa zona ra edhe borë.

    Ndërkaq, gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot me diell por edhe me vranësira.

    Sipas Meteo Kosovës, në zonat malore të jugut pritet të bie borë e re deri në 30 centimetra.

  • Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë.

    Gjatë stinëve të ftohta njerëzit konsumojnë më pak lëngje duke çuar në një “dehidratim” të organizmit. Në fakt dehidratimi është një problem gjatë verës për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Në dimër, dehidratimi zakonisht është i fshehtë dhe ndodh nga humbja e ujit urinar pjesërisht për shkak të konsumimit më të shumtë të kafesë dhe alkoolit (të cilët kanë efekt diuretik duke nxitur urinimin) dhe humbjes virtuale të ujit për shkak të soluteve të konsumuara më shumë në dimër (kripë dhe sheqer).

    Dehidratimi në vetvete nuk shkakton gurë në veshka, por kushtet e krijuara nga ky proces janë të njohura që përkeqësojnë rastet e gurëve në veshka, kur faktorë të tjerë të nxitjes së formimit të tyre janë të pranishëm, shkruan Ekonomia Online. Ndryshime duhen bërë në sasinë e kripës, kalciumit, oxalateve, proteinave, kaliumit dhe lëngjeve në dietën.

    Nëse ju keni patur një gur nga kripërat e kalciumit, mjeku juaj mund t’ju kërkojë të pakësoni kripën dhe natriumin në dietën tuaj. Ju nuk duhet të shmangni marrjen e kalciumit në dietën tuaj. Është e rëndësishme që ju të mësoni nga mjeku juaj për sasinë e duhur të kalciumit që ju duhet të merrni, sepse pas një diete të ulët në kalcium për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktohet humbja e masës kockore ose osteoporoza.

    Nëse ju keni pasur një gur në veshka që përmban oxalate, sugjerohet që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përmbajtje të lartë të oxalateve: kikirikë, çaj, kafe, panxhar, fasule, manaferra, luleshtrydhe, çokollatë, rrush, birrë etj.

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë. Në mot të nxehtë, ju mund të keni nevojë të pini më shumë për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Kjo do të ndihmojë për të mbajtur urinën tuaj më pak të koncentruar çka ul rrezikun e formimit të gurit. Duhet të zvogëloni sasinë e proteinave shtazore në dietë: mish viçi, lope, pule, derri, peshk, vezë.

    Infeksionet urinare

    Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare.

    Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.

    Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë.

    Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës, etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

    Rritja e tensionit të gjakut (hipertensioni arterial)

    Një nga shkaktarët por dhe komplikacion i rëndësishëm i sëmundjeve kronike të veshkave është dhe hipertensioni arterial. Rënia e temperaturave shkakton rritje të vlerave të tensionit të gjakut, më e shprehur kjo në të moshuarit.

    Studiuesit e shpjegojnë këtë fakt me aktivizimin e shtuar të sistemit nervor simpatik dhe çlirimin e katekolaminave, përgjegjës për ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit të gjakut. Nga një studim i bërë në 8801 adulte mbi 65 vjeç në Francë, rezultoi që si presioni sistolik (maksimal) dhe ai diastolik (minimal) të gjakut rriten në dimër. Këto të dhëna do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të hipertensionit arterial në dimër si ishemia e trurit, hemorragjia nga çarja e enëve të zgjeruara (aneurizma) sidomos në këtë grup moshë, nëpërmjet monitorimit të tensionit të gjakut dhe mjekimit të kujdesshëm.

    Kur duhet të shqetësoheni dhe t’i drejtoheni mjekut:

    Çdo urinim i shpeshtë, i shoqëruar ose jo me djegie;

    urgjenca për urinim;

    dhimbja dhe rendimi në fund të barkut;

    urinimi gjatë natës;

    vështirësia apo pamundësia për të mbajtur urinën;

    era e keqe, jo e zakonshme e urinës;

    temperatura disa herë e lartë e shoqëruar me ethe;

    janë shenjat që duhet t’i shqetësojnë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t’u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.

    Këshilla

    Kontrolloni vlerat e tensionit të gjakut gjatë dimrit duke shmangur luhatjet. Mbani një ditar të tensionit të gjakut për t’ia treguar mjekut tuaj. Kjo do të ndihmojë mjekun nëse keni nevojë për të ndryshuar apo rregulluar barnat e hipertensionit arterial.

    Merruni me aktivitet fizik në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit. Gjatë dimrit ju mund të vazhdoni të ushtroni aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur, vrapuar apo duke lëvizur me biçikletë, të paktën 30 minuta në ditë, tri herë në javë. Fillo ngadalë dhe vazhdo po ashtu. Shmangni aktivitetin e sforcuar fizik, sidomos kur jeni të ekspozuar në temperatura të ulëta. Mundohuni të mos shtoni në peshë gjatë muajve të dimrit duke përdorur ushqime të shëndetshme. Shtimi në peshë përveçse rritjes së vlerave të tensionit të gjakut, ndikon dhe në punën e zemrës. Bëni vizita të rregullta te mjeku. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut vazhdon të jetë i lartë, kontaktoni mjekun për ri-rregullimin e mjekimit për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për njerëzit mbi moshën 65 vjeçare kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndryshimi i mjekimit sipas ndryshimeve sezonale që pëson tensioni i gjakut ju ndihmon të jeni të shëndetshëm gjatë gjithë vitit.

  • 25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

    25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

    25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

    Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

    Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.

  • 25 vjet nga masakrat në fshatrat e Rahovecit

    25 vjet nga masakrat në fshatrat e Rahovecit

    ​Sot mbushen 25 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.

    Komuna e Rahovecit sot gjatë ditës organizon tubim përkujtimor te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Brestovc, duke filluar nga ora 10:00.

    Tubime përkujtimore do të mbahen edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Fortesë nga ora 11:00 dhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Celinë nga ora 13:00).

  • Ende s’ka filluar projekti për “Minisheshin” në Bulevardin ‘Bill Clinton’, qytetarët të mllefosur që punimet nuk nisen as pas 2 vjetëve

    Ende s’ka filluar projekti për “Minisheshin” në Bulevardin ‘Bill Clinton’, qytetarët të mllefosur që punimet nuk nisen as pas 2 vjetëve

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në mungesë të shtigjeve për biçikleta, çdo ditë Fadil Dautaj, detyrohet që biçikletën ta lërë, në këtë pjesë të rrugës në Bulevardin “Bill Clinton”.

    Dy vjet më parë kur u publikua projekti për ndërtimin e një “minisheshi” që do të kishte edhe shteg për biçikleta atë e gëzoi shumë.

    Por ky gëzim nuk zgjati shumë ngase komuna nuk i nisi punimet asnjëherë.

    “Qe ku po e la biçikletën, u dashtë me prishë parkun. Kish qenë mirë me u realizua projekti, se ka mjaft biçikleta nëpër Prishtinë”, tha Fadil Dautaj, qytetar.

    I mllefosur për mosrregullimin e këtij shtegu u shpreh edhe themeluesi i grupit “Marakli t’biciklave”.

    “Është planifikua që një pjesë me qenë shtegu për biçikleta, por s’ka ndodhë kurrfarë ndryshimi. Rrugët tjera janë mënjanu fshehurazi vetëm është heshtur e nuk është bë asgjë në atë drejtim. Na jemi interesua vazhdimisht për projektet, po s’kemi marrë asnjëherë përgjigje”, deklaroi Berat Rakovica, themelues i grupit “Marakli t’biciklave”.

    Krahas të gjitha vështirësive dhe ankesave të qytetarëve, punimet nuk do të nisin të paktën edhe për pak kohë.

    Kjo pasi që, zyrtarë nga komuna e Prishtinës i thanë ATV-së, se punimet për këtë projekt do të fillojnë tek pas përfundimit të ndërtimit të dy unazave./atvlive.tv/

  • I arrestuar për narkotikë, ish-asamblisti i LV-së, Besnik Mujeci po mbahet ende në paraburgim

    I arrestuar për narkotikë, ish-asamblisti i LV-së, Besnik Mujeci po mbahet ende në paraburgim

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Nga ulëset e kuvendit komunal të Prishtinës, Besnik Mujeci përfundoi në shtretërit e burgjeve të Shqipërisë.

    Ish-asamblisti dhe ish-këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë verës së vitit 2023, u arrestua në Tiranë si i dyshuar për shitje të narkotikëve të llojit ekstazi e që nga ajo kohë, aktakuza ndaj tij dhe grupit nuk është ngritur.

    “Nga 17 gushti besnik mujeci ndodhet në masën e arrestit me burg. Kjo masë ishte konfirmuar edhe nga Apeli”, tha Sokol Dema, gazetar në Shqipëri.

    Megjithatë, aktakuza ndaj tij dhe grupit ende nuk është ngritur nga prokuroria e Tiranës.

    “Prokuroria e Tiranës nuk i ka mbyllur akoma hetimet. Burimet bëjnë me dije se dosja akoma nuk ka mbërritur në gjykatë, për të nisur gjykimi në këtë rast për shkak të një numri të konsiderueshëm të dozave ekstazi të cilat janë kapur tek Mujeci dhe anëtarët tjerë të grupit”, deklaroi tutje Dema.

    Besnik Mujeci dhe 4 persona të tjerë u arrestuan në kryeqytetin e Shqipërisë në gusht të vitit 2023. Grupit iu gjetën 11 mijë e 300 tableta të llojit ekstazi me peshë 5 kilogramë, vlera e të cilave në treg është 300 mijë euro.

    Ish-asamblistin e Vetëvendosjes, Komisioni Qendror Zgjedhor tek në janar të 2024 e zëvendësoi me Arbër Limanin./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=mrUTGCkZan_rJbPW

  • Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm edhe 8 ditë kanë mbetur deri në mbylljen e afatit për deklarimin e pasurisë. Për 23 ditë nga 10 mijë zyrtarë publik vetëm mbi 2 mijë e 500 prej tyre e kanë kryer këtë obligim.

    Sipas drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka shpresë që për këto pak ditë që kanë mbetur zyrtarët të përfundojnë këtë obligim.

    Këtë vit procedurat e deklarimit të pasurisë po konsiderohen më të lehta.

    Për ata që nuk e deklarojnë pasurinë fillimisht ju shqiptohet gjobë në vlerë prej 500 eurosh, por megjithatë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shpresojnë që zyrtarët publik të jenë të përgjegjshëm dhe deklarimin ta kryejnë më kohë.

    Vitin e kaluar vetëm 30 zyrtarë publik nuk e deklaruan pasurinë. Ndërkaq për herë të parë deklarimit të pasurisë ju nënshtruan edhe profesorë universitar e mjekët për të cilët afati përfundoi më 12 mars./atvlive.tv/

  • Kodi i Sjelles pritet t’i ndalë ofendimet, sharjet e dhunën në Kuvend

    Kodi i Sjelles pritet t’i ndalë ofendimet, sharjet e dhunën në Kuvend

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Ofendimet e sharjet janë të shpeshta në Kuvend.

    Pos sharjeve, Kuvendi i Kosovës u komentua botërisht meqë edhe episodet e dhunës ishin të shpeshta.

    Por, Kodi i Sjellës që do të shkojë për miratim së shpejti në Kuvend, pritet të shihet nëse do të ketë ndikim tek deputetët.

    Ata që ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seanca të Kuvendit, do të dënohen deri në 20 për qind të pagës bazë, derisa do t’iu pamundësohet edhe pjesëmarrja në tri seanca plenare.

    “Kodi i sjelljes parasheh të themelohet një këshill i etikës brenda Kuvendit të Kosovës, që përbëhet nga deputetët me një balancë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ky këshill do të trajtojë ankesat e rasteve të paraqitur në lidhje me atë që pretendohet se është shkel kodi i sjelljes. Kodi i sjelljes parasheh shkelje të lehta dhe të rënda, në varësi të llojit të shkeljes janë përcaktuar edhe masat. Natyrisht për shkeljet e lehta janë parapa vërejtjen me gojë, me shkrim, publikimi i vërejtjes në ueb faqen e Kuvendit.”, deklaroi Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.

    Kodi parasheh sanksione edhe për veshjen e papërshtatshme.

    “Ky kod po ashtu e sanksionon edhe kodin e veshjes, gjatë zhvillimit të punimeve të një seance plenare në Kuvend, deputeti apo deputetët duhet të kenë një veshje zyrtare e cila duhet të përcaktohet. Kodi i veshjes duhet të respektohet edhe nga pjesëmarrësit të tjerë”, tha Besnik Tahiri nga AAK-ja.

    Përpjekjet që përmes kodit të sjelljes, Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve po shihet si pozitivë nga monitoruesit e legjislativit.

    “Në përgjithësi dokumenti synon të rregullojë prej sjelljes së deputetëve në kuptim të fjalorit që ata përdorin, deri tek veshja e tyre apo le të themi çështje të tjera si pranimi i dhuratave dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë… Përmbajtja e tij fillestare ka qenë paska seksiste, në disa përshkrime ka lënë shije seksiste apo përcaktime joadekuate në kuptimin gjinor…Në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve.”, deklaroi, Arbër Thaci, hulumtues në IKD.

    Për hartimin e këtij kodi përveç ligjvënësve, kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

    Aktualisht Kuvendi ka Rregulloren e cila vlerësohet të jetë e përgjithshme, e që u miratua në korrik të 2022-tës, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja e kaluar e këtij institucioni./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=xvs37mHiwKAJzWYm