ATV

Author: G.O.

  • Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka refuzuar kërkesën e Rusisë, për të vendosur në rend dite të agjendës, seancë të jashtëzakonshme për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë.

    Vetëm tre anëtarë votuan pro gjatë një procedure formale, ndërsa 12 të tjerë abstenuan ndaj kësaj kërkese.

    Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për këtë seancë.

    Kurse përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar me arsyetimin se kërkesa e saj kishte figuruar në agjendë dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.

  • “Trepça” eksploaton në tokë private, i ndërpritet puna, KPMM: Për këtë parcelë nuk ka licencë

    “Trepça” eksploaton në tokë private, i ndërpritet puna, KPMM: Për këtë parcelë nuk ka licencë

    PËRGATITI: ARMAND HOTI    

    Njësia veriore e ndërmarrjes “Trepça”, në shkurt nisi gërmimet për material argjilor, në këtë parcelë në komunën e Leposaviqit.

    Por ato ua ndali në gjysmë, policia dhe inspektorati i minierave, me arsyen se nuk kishte licencë.

    Për lokacionin në të cilin është shfrytëzuar materiali argjilor, ndërmarrja nuk posedon licencë shfrytëzimi nga KPMM-ja.

    Për këtë tokë, vetë institucionet morën vendime të ndryshme nga njëra-tjetra. Fillimisht, me nënshkrim të kryeministrit Albin Kurti, parcela iu dha Trepçës, për nevoja të flotacionit të Leposaviqit.  

    Prona që propozojmë t’ia japim në shfrytëzim “Trepçës” do të mundësojë ndërtimin e pendës së deponisë së sterileve.

    Mirëpo më pas, doli se nuk ishte pronë e Agjencisë Pyjore, por tokë private e një qytetari të etnisë serbe.

    Parcela me nr. 3129 Kostin Potok, Majdevë-Leposaviq e përshkruar në vendim të Qeverisë, sipas të dhënave nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, është parcelë me pronësi private, ndërsa parcela që menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës, në të cilën janë bërë verifikimet gjendet parcelë fqinje.

    Edhe pse shenjat vërehen në terren, kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti, nuk e konfirmon se aty ka punuar njësia veriore e ndërmarrjes.

    Sapo e kemi marrë vendimin, ne nuk e kemi zbatuar ende, sepse në proces të zbatimit, ka dalë informata nga komuna se prona është private dhe normalisht se e kemi stopuar procesin, dhe në ndërkohë Agjencioni i Pyjeve na ka dërguar një shkresë tjetër ku na ka treguar se na e kanë dhënë gabimisht parcelën, kanë bërë njëlloj permutacioni të numrave. Nuk e kam informatën që është punuar.

    Nga Agjencia Pyjore thanë se “Trepça” dhe Ministria e Ekonomisë, tashmë janë të informuara lidhur me pronësinë e parcelës, dhe u kanë kërkuar që vendimi të korrigjohet.

    Sipas informacioneve që posedon ATV-ja, me rastin është duke u marrë edhe Policia./atvlive.tv/

  • Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në orarin mësimor, nxënësit e dy shkollave në Mitrovicë, nga klasa e 6 deri tek e 9-ta, kanë të paraparë lëndën e artit figurativ. Mirëpo, tash e një muaj këta nxënës nuk po e mbajnë orën e artit figurativ, kjo për shkak se po mungon mësuesja e artit. 

    Madje ka raste, që nxënësit në mungesë të mësimdhënëses, lirohen më herët për në shtëpi.

    “Artin figurativ nuk jemi tu e mbajtë qe një muaj, kur te kena orën e artit shkojmë në shtëpi”, deklaroi një nxënës i klasës së tetë në shkollën fillore “ Musa Hoti”.

    Përveç shkollës fillore “Musa Hoti”, e njëjta mësimdhënëse është e angazhuar edhe në shkollën “Fazli Grajcevci” në Shipol, duke krijuar edhe aty të njëjtën situatë.

    Por, sa do të zgjasë kjo ende nuk dihet, ngase drejtoresha e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, pa dhënë detaje, tha se kanë filluar procedurat për të bërë zëvendësimin e saj.

    Ndërkaq, siç mëson televizioni, kjo nuk është hera e parë që nxënësit e këtyre shkollave mbesin për një periudhë të gjatë pa mësimdhënës. Situatë e njëjtë ishte krijuar edhe para disa muajve, në mungesë të mësimdhënëses së gjuhës gjermane./atvlive.tv/

  • “Investimet në fund të mandatit, propagandë e Qeverisë”

    “Investimet në fund të mandatit, propagandë e Qeverisë”

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Ministria e Infrastrukturës nisi një sërë projektesh në këtë fillimvit. Por jo vetëm. Punë më shumë sesa në 2 vitet e para të mandatit, nisën dhe ministritë e tjera të kësaj qeverie.

    Megjithatë, monitoruesit e punës së ekzekutivit thonë se dora e shtetit nisi të ndihej pak vonë te qytetarët, meqë ky është viti i fundit, para se qeverisë t’i skadojë mandati.

    Sipas tyre, kjo nuk është rastësi, meqë thonë se tashmë është krijuar një praktikë, sa për të fituar edhe një mandat.

    “Kjo është një praktikë e keqe që e kemi tash e një kohë. Ne e kemi parë vazhdimisht sa herë ka pasur zgjedhje lokale, apo qendrore, kanë fillu projekte të mëdha. Kjo është një praktikë shumë e keqe, për arsye se mandati dhe besimi i qytetarëve është që të punojnë vazhdimisht që të përmirësohen kushtet nëshëndetësi, infrastrukturë e në gjithë resorët tjerëdhe jo të lidhet me mandatet qeverisëse”, deklaroi Fidan Ukaj, politolog.

    Por, një gjë e tillë konsiderohet se është edhe e dëmshme, meqë projektet mund të dështojnë fare lehtë kur nisin vonë.

    “Kjo përmban një rrezik në vete sepse në rast se ndërrojnë qeveritë, atëherë ndërrojnë edhe prioritetet qeveritare. Ne kemi qenë dëshmitarë që kur është bërë ndërrimi i qeverisë, atëherë është folur autostrada e Dukagjinit, në qeverinë Kurti e kemi rrugën për Tetovë, ndërsa rruga për Gjilan ka mbetur që disa vite pa u përfunduar”, tha Diana Metushi nga KDI-ja.

    Në tri vjetët e para, sipas raporteve financiare të qeverisë, pothuajse asnjë ministri nuk ka shpenzuar as 50 për qind të mjeteve për investime kapitale./atvlive.tv

  • Bruksel, nuk ka pajtim për propozimet lidhur me rregulloren e BQK-së

    Bruksel, nuk ka pajtim për propozimet lidhur me rregulloren e BQK-së

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Pa pajtim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me rregulloren e BQK-së për operacionet me para të gatshme, përfundoi vazhdimi i diskutimeve të nisura javën e kaluar, në Bruksel.

    Një takim i ri për ndikimet nga zbatimi i kësaj rregulloreje, në raport me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, planifikohet javën e ardhshme / më 4 Prill.

    Pa dhënë detaje, pas takimit trepalësh që zgjati rreth triorë e gjysmë, dhe atij veçmas me ndërmjetësin evropian, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u tha gazetarëve se pozicionet e palëve mbesin të largëta.

    “U pa se ka një dallim të madh mes dy propozimeve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo… Mendoj që pala jonë ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv, që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë.”, tha Bislimi.

    Teksa vlerësoi se zgjidhja është e mundshme, Bislimi theksoi se për të duhet vullnet politik.

    “Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolike, por e ka qytetarin në fokus kryesor. Por unë kisha dashur të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, shtoi tutje Bislimi.

    Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, tha se propozimi i Kosovës nuk çon drejt zgjidhjes.

    Ai theksoi se vazhdimi i funksionimit të Bankës Postare të Serbisë në Kosovë, është thelbi i propozimit të tyre.

    Pas dakordimit në takimin paraprak të kryenegociatorëve, të premten, Kosova dhe Serbia i paraqitën BE-së propozim zgjidhjet e tyre lidhur me ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së në raport me dinarin serb./atvlive.tv/

  • Shtrenjtimi i shërbimeve për mbeturina në Gjilan, përplasje mes komunës dhe kompanisë

    Shtrenjtimi i shërbimeve për mbeturina në Gjilan, përplasje mes komunës dhe kompanisë

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Qytetarët e Gjilanit tash e një kohë po paguajnë me shtrenjtë faturën e mbeturinave. Kompania që merret me menaxhimin e tyre rriti çmimin e shërbimeve për 1 euro e 20 centë, pasi thonë se u shtrenjtua edhe çmimi për deponi.

    Ministria ka bërë rritjen e tarifave për deponi dhe rrjedhimisht jemi detyruar që të marrim edhe ne një vendim për rritje të tarifave”, tha Senad Ramaj, drejtor i kompanisë “ Eco-Higjiena”.

    Megjithatë, me mënyrën se si është bërë kjo rritje, nuk po pajtohen nga komuna e Gjilanit, meqë thonë se kjo duhej vendosur në kuvend komunal.

    “Kompania nuk ka pasur të drejtë ta bëjë shtrenjtimin e tarifave, pa u bërë plotësim-ndryshimi i rregullores për taksa dhe ngarkesa komunale, ku përcaktohen edhe tarifat e mbledhjes së mbeturinave, dhe kjo është dashur të diskutohet në kuvend dhe po e njëjta të aprovohet në kuvendin komunal. Ndërmarrjet komunale duhet t’i raportojnë kuvendit komunal, e kanë obligim ligjor, edhe pse nuk po përfillet jo vendimi, por rregullorja për taksa”, u përgjigj drejtori i shërbimeve publike në Gjilan, Mentor Mihovci.

    Andaj, Kuvendi ka kërkuar që të zbritet kostoja e shërbimeve, por, sipas tyre, kompania nuk po i merr parasysh.

    “Ka vite që higjiena nuk përfill asnjëherë kuvendin komunal, por edhe nuk e përfill kontratën me të cilën e ka të nënshkruar. Nuk përgjigjet aspak partneriteti i Eco–higjienës në ndryshimin e tarifave”, tha Refik Rama, anëtar i Kryesisë së PDK-së në Gjilan.

    Megjithatë, sipas drejtuesve të Eco Higjienës, për shtrenjtimin e tarifave vendos bordi i aksionarëve, meqë kompania është në partneritet publiko-privat dhe se posedojnë shumicën e aksioneve.

    “Kuvendi i aksionarëve ka bërë ngritjen e tarifave dhe ne po i zbatojmë. Në kuvendin e aksionarëve marrin pjesë të tri komunat me përfaqësuesit e tyre dhe një gjë e tillë është pritur si diçka normale”, tha Ramaj tutje.

    Ky thotë se kompania që drejton është e rregullt nëkryerjen e shërbimeve, dhe se u përgjigjen të gjithëqytetarëve që kanë nevojë, derisa mbulojnë Gjilanin me rrethinë. Kontrata për bashkëpunim e nënshkruar më 2012, skadon më 2027./atvlive.tv/

  • Zgjedhjet e jashtëzakonshme, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Kryeministri Albin Kurti thonë se është dorëzuar, andaj opozita po kërkon dorëheqjen tij.

    Veçse para kësaj, do të përgjigjet para deputetëve për,siç thonë, dështimet në tri vjetet e para të qeverisjes.

    Partitë opozitare shprehen të bindura në rrëzimin e qeverisë, veçse pranojnë se vetë s’mund ta bëjnë këtë.

    Kundër rrëzimit të kryeministrit Kurti është partia e tij, mirëpo ajo shprehet e gatshme, nëse ka marrëveshje me partitë politike që të shpërbëhet Kuvendi.

    Sidoqoftë, Kuvendi do të mblidhet gjatë kësaj jave nënjë seancë të jashtëzakonshme.

    Opozita po konsideron themelimin e një komisioni hetimor për kontrata njëburimore, temë kjo kyçe në seancën e së enjtes.

    Pas përfundimit të kësaj seance, të zgjedhurit e popullit do të vazhdojnë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluar.

    Një seancë e veçantë u caktua më 11 prill, në nderim të përvjetorit të Koshares./atvlive.tv/

  • Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, dëshmitar i ZPS-së

    Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, dëshmitar i ZPS-së

    PËRGATITI: NORA LUTA     

    Ish-shefi i misionit mbikëqyrës diplomatik të SHBA-së, në Kosovë gjatë periudhës 1998 – 1999, Shaun Byrnes, është kthyer sërish në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit.

    Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, diplomati i pensionuar amerikan ka treguar se ishte i pranishëm kur pesë serbë të ndaluar në fshatin Likoc ishin liruan me urdhër të Jakup Krasniqit në janar të 1999-s.

    Këtë vendim, sipas tij, e kishte kundërshtuar komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.

    “Sami Lushtaku kishte kapur 5 serbë të moshuar që ishin kapur një ditë më herët, me ç’dukej dhe më pyeti nëse duhej t’i lironim apo jo, më pyeti mua dhe zotin Walker dhe David Mayerin dhe ne thamë po dhe më pas ai dha urdhrin që të liroheshin këta 5 vetë. E rëndësishme është që unë kam qenë i pranishëm dhe më kujtohet vetë kur janë liruar 5 fshatarët e moshuar serbë.”, deklaroi Byrnes.

    Tutje, gjatë dëshmisë, ai ka thënë se komandant Remi furnizohej me armë nga një kolonel në Ushtrinë Jugosllave.

    “Remi na ka thënë që ai po blinte armë nga një kolonel i Ushtrisë Jugosllave në Shtabin e Korpusit të Prishtinës dhe koloneli i dërgonte një kamion plot me armë deri në Podujevë. Ai paguhej në marka gjermane. Rrahman Rama në Zonën e Shalës po bënte të njëjtën gjë dhe Ramushi po bënte të njëjtën, ma ka thënë vetë.”, shtoi tutje dëshmitari Byrnes.

    Gjatë përgjigjes në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, ish–diplomati amerikan tha se në vitin 1998 dinte shumë pak për strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së.

    Mishetiq iu referua disa raporteve të shkruara nga dëshmitari, ku thuhej se nuk kishte ndonjë udhëheqës, por disa i referoheshin si epror edhe Thaçit.

    “UÇK-ja origjinale fillestare ka bërë një bërje bashkë, e atyre që do t’i shpjegoja si një forcë mbrojtje territoriale dhe ne në fakt në raportimet tona për Uashingtonin, i kemi quajtur pra persona që kishin të bënin me grupe civilësh, që i kemi quajtur si ata civilët amerikanë që luftonin kundër trupave ushtarake britanike, në revolucionin tonë në vitin 1700, dhe ne të njëjtën terminologji kemi përdorë edhe për këta, sepse mbronin shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre.”, tha Byrnes.

    Ish-shefi i misionit mbikëqyrës diplomatik të SHBA-së, kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës, në rastin e ish-gjeneralit të policisë serbe, Sreten Lukiq.

    Pasdite, me kërkesë të mbrojtjes së Thaçit, dëshmia e tij ka vazhduar në seancë private./atvlive.tv/

  • Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Gati tri vjet nga ngritja e aktakuzës ndaj ish–kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, ish–ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani dhe të tjerëve, gjykimit po i vjen fundi.

    Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale se duke shfrytëzuar pozitën e tyre, kanë mundësuar shpronësimin në disa zona, për të mundësuar Zonën Ekonomike në Malishevë.

    E të hënën mbrojtja është deklaruar rreth provave të PSRK-së, duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara mes tyre, dhe përgjimet telefonike, që sipas avokatit të Begajt, ato nuk tregojnë asgjë relevante për rastin.

    Gjatë seancës ku ishte paraparë edhe dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve, u dorëzuan edhe nga ana e tyre prova materiale për administrim.

    Gjykimi ndaj Begajt dhe të tjerëve do të vazhdojë, të mërkurën, pasi me kërkesë të avokatëve seanca u shty.

    Sipas Prokurorisë, Begaj, Hasani, dhe ish–zëvendësministri, Faton Thaqi, kanë keqpërdorurpozitat e tyre, duke mundësuar shpronësimin e tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim më të lartë, gjatë periudhës maj-qershor 2018, për të mundësuar zonën ekonomike.

    Përveç tyre, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi e Malë Krasniqi, ndërsa Ahmet Rrahmanaj akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, e Nazmi Kafexholli për “Mashtrim”./atvlive.tv/

  • Arrestohet në Mitrovicë i kërkuari nga Interpoli, kishte identitet të rremë

    Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, (NJRHKEK), ka arrestuar një person të dyshuar për kryerje të veprave penale “ Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.

    I njëjti nga Interpoli i Greqisë kërkohet për disa vepra të rënda penale, si: ‘Krimi i organizuar’, ‘Grabitje’, ‘Detyrim’, ‘Lëndim të rëndë trupor’, ‘Dhënie e deklaratave false’, ‘Posedim ilegal të eksplozivit dhe mjeteve shpërthyese’, ndërsa nga Interpol i Malit të Zi kërkohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

    “Si rezultat i bashkëpunimit të njësive të lartcekura policore me zyrtarët kompetent të ARC-së dhe zhvillimit të punëve intensive, operative dhe hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit, me datën 22.03.2024, në qendrën për pajisje me dokumente në komunën e Zubin Potokut është arrestuar një person i dyshuar me të dhëna të rreme i cili ka tentuar të pajiset me dokumente personale pasaportë dhe patentë shoferi”, thotë policia.

    Personi i dyshuar (i njëjti), tashmë me datën 07.06.2013, përmes dokumenteve të falsifikuara është regjistruar me të dhëna të rreme si D. B. i lindur në vitin 1980 në Mitrovicë si shtetas i Kosovës, ku edhe është pajisur me dokumente personale të RKS-së si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi.

    Ndërsa me datën 05.01.2024, personi i dyshuar me të dhënat e lartcekura është paraqitur për aplikim në Zubin Potok për të vazhduar afatet kohore të dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, ku gjatë verifikimit të dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, NJRHKEK-Mitrovicë e Veriut, ka ardhur deri tek një dyshim i bazuar se i dyshuari NN ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së.

    Lidhur me rastin me qëllim të vërtetimit të identitetit të saktë të personit të dyshuar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për Zbatim të Ligjit – ILECU, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, ka pranuar raport nga Interpoli ku ka rezultuar se gjurmët e gishtërinjve përputhen me personin në arrati me iniciale G. S. (viti 1977) në Greqi.

    Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor, dhe pas masës së ndalimit policor, personit të dyshuar me vendim të gjykatës I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.