ATV

Author: G.O.

  • Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për proteza të reja

    Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për proteza të reja

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka deklaruar se janë paguar 15 milionë euro borxh të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore gjatë vitit 2023, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, Vitia tha se Fondi vitin e kaluar në total ka shpenzuar mbi 22 milionë Euro.

    Vitia foli edhe për shërbimin e veteranëve me proteza të reja, duke thënë se do të bëhet kompensimi i tyre me proteza të reja.

    “Sa i përket invalidëve shumica kërkesave janë bërë në nëntor dhjetor 2023, përveq dy tri kërkesave që janë nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe kur kemi parë që janë analizuar të gjitha rrugët dhe e gjithë qeveria jo vetëm  Ministria ka pasur ndjeshmërinë maksimale të gjendet njëherë e mirë që të institucionalizohet i gjithë ky proces e të shkojë përmes fondit të sigurimeve shëndetësore dhe nga vendimi që kemi marrë para pak ditësh në Qeverinë Republikës  së Kosovës dhe të gjitha këto kërkesa janë miratuar dhe të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen  për mirëmbajtjen për proteza të reja. Natyrisht është obligim, më së paku që mund të bëjmë për këtë kategori, në anën tjetër Ministria Shëndetësisë në tri vitet e ardhshme ka ndarë një buxhet  mbi 2 milion e 100 mijë që këto shërbime përmes  një plani të veprimit që ka miratuar në vitin e kaluar më këto investime edhe investime materiale dhe shtimin e numrit të resuresve njerëzore, këto shërbime mbas tri viteve invalidët e UÇK-së të mos kenë nevojë të dalin jashtë institucioneve tona publike, jashtë vendit tonë mirëpo t’ i marrin nga institucionet shëndetësore publike që ne se si shoqëri kemi obligim për t’ ju mundësuar sa do pak që mundemi, edhe problemet që ka kjo kategori”.

  • Ministri Maqedonci priti në takim gjeneralin e lartë Gulmezoglu

    Ministri Maqedonci priti në takim gjeneralin e lartë Gulmezoglu

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga Shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së, gjeneral brigade, Ilir Qeriqi dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë tjerë të MM/FSK, priti sot në takim Shefin e Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral brigade Omer Nafiz Gulmezoglu, të shoqëruar nga zyrtarë dhe oficerë të lartë të Turqisë.

    Ministri Maqedonci e falënderoi gjeneralin Gulmezoglu për mbështetjen e pakursyer të Republikës së Turqisë nëpër të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe shprehi vullnetin e fuqishëm për vazhdimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi të ngushtë në mes të të dyja vendeve.

    Nga ana e tij, gjenerali Gulmezoglu e falënderoi ministrin Maqedonci për pritjen miqësore dhe vuri në dukje se Turqia gjithmonë do ta mbështesë Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj strategjike.

    Gjenerali Gulmezoglu pohoi se Republika e Turqisë është e interesuar dhe angazhohet në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë e në rajon dhe se kjo më së miri dëshmohet me prezencën e trupave turke në kuadër të KFOR-it.

  • Hoxha: Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet sivjet, Prishtina qytet i ngarkuar me aktivitet kriminal

    Hoxha: Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet sivjet, Prishtina qytet i ngarkuar me aktivitet kriminal

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u shpreh se këtë vit do të synohet të bëhet Policia e Kryeqytetit, pasi e konsideron Prishtinën qytet të ngarkuar me aktivitete kriminale, raporton Ekonomia Online.

    Hoxha tha se projekti parasheh që të themelohet një drejtori e veçantë për Prishtinën me “një strukturë unike”, që përfshin njësi të trafikut, njësi të reagimit të shpejtë e njësi të hetimeve.

    “Projekti ynë lidhet me strukturën e re të Policisë që ne e kemi aprovuar vitin që shkoi. E në kuadër të kësaj strukture ne kemi paraparë që në kuadër të drejtorisë rajonale në Prishtinë me e themelu një drejtori të veçantë të Policisë për kryeqytetin, për Prishtinën. Ajo do të ketë një strukturë unike. Drejtori i kësaj drejtorie do t’i japë llogari drejtorit rajonal dhe zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë. Kjo drejtori do të ketë më shumë kapacitete policore. Do të ketë një njësi të veçantë të trafikut, do të ketë një njësi të veçantë të reagimit të shpejtë ose njësi mbështetëse operacionale; do të ketë njësi unike të hetimeve për të gjitha tri stacionet policore të Prishtinës, do të ketë njësi të planifikimit, një zëdhënës dhe do të ketë kapacitete në mënyrë që t’u dalë ballë sfidave që i ka Prishtina si kryeqytet dhe si qytet shumë i ngarkuar me aktivitet kriminal dhe dinamikë të madhe të zhvillimit dhe të frekuentimit të njerëzve. Kjo ka qenë perspektiva jonë”, ka deklaruar Hoxha në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Hoxha tha se disa shërbime për Policinë e Kryeqytetit tashmë janë unifikuar.

    “Kemi unifiku disa prej shërbimeve. Për shembull, e kemi pasë një shërbim mbështetës në Vranjevc, një shërbim mbështetës në qendër, një në jug.. i kemi bërë një, një qendër komunikimi të përbashkët, i kemi unifiku disa njësi”, tha ai.

    Drejtori i Policisë parlajmëroi se “do të ketë një shtim të numrit të policëve në këtë drejtori të veçantë”.

    “Qëllimi ka qenë që Prishtinës t’i japim më shumë potencial dhe strukturë unike, në mënyrë që përgjegjësia për siguri të bie mbi një drejtor, jo në tre komandantë të stacioneve policore, pastaj edhe mënyra e raportimit dhe marrja e përgjegjësisë do të jetë më e drejtpërdrejtë”, tha Hoxha. “Ne do të synojmë që gjatë këtij viti t’i kompletojmë këto struktura, në mënyrë që t’i shohim rezultatet e punës gjatë këtij viti”.

  • Kërkohet përjashtimi i Xhevat Krasniqit nga UP-ja, akuzohet për ngacmim seksual

    Kërkohet përjashtimi i Xhevat Krasniqit nga UP-ja, akuzohet për ngacmim seksual

    Lëvizja Feministe ka protestuar të martën para Fakultetit të Edukimit, duke kërkuar shkarkimin e profesorit të këtij fakulteti, Xhevat Krasniqi dhe anëtarëve të Këshillit të Etikës, raporton Ekonomia Online.

    Aktivistët thanë se mungesa e reagimit nga UP-ja jo vetëm që normalizon, por edhe institucionalizon ngacmimin seksual brenda këtij institucioni.

    Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt pranë Fakultetin e Edukimit, është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, në Këshill të Etikës, ndërsa menjëherë pas denoncimit ka ndërprerë bashkëpunimin me Krasniqin, por jo edhe Universiteti i Prishtinës. Ai vazhdon të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit.

  • Hoxha: Siguria në veri mbetet e brishtë, gjatë 2023-ës dhanë dorëheqje 11 policë atje

    Hoxha: Siguria në veri mbetet e brishtë, gjatë 2023-ës dhanë dorëheqje 11 policë atje

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të vendit mbetet e brishtë, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023., Hoxha ka përmendur incidentet kriminale gjatë vitit të kaluar.

    “Vlen të veçohen disa prej rasteve dhe incidenteve kriminale gjatë vitit 2023 si sulmi ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë”, tha ai.

    Ai përmendi edhe disa prej veprave më të rënda kriminale gjatë vitit 2023. “Kemi pasur rritje nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, fatmirësisht ka pasur ulje gjatë këtij viti prej 10.77%”, deklaroi Hoxha.

    Ai ka theksuar se gjatë vitit 2023 janë zbatuar 73 urdhra operativ, teksa plane operative kanë qenë 1889.

    Tek aksidentet me fatalitet, Hoxha tha se 96 sosh kanë qenë në vitin 2023. ”Numri i personave të vdekur në aksidente ka mbetur i njëjtë si vitin e kaluar 106″, shtoi ai.

    Hoxha ka thënë tutje se në vitin 2023 në Drejtorinë Policore në veri kanë dhënë dorëheqje 11 zyrtarë policorë, ndërsa në vitin 2024 nuk ka dorëheqje në Policinë e Kosovës.

  • Ministri Sveçla dhe tre deputetët e LV-së deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministri Sveçla dhe tre deputetët e LV-së deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Deklarimin rreth fajësisë, ministri dhe deputetët e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sveçla, Millaku dhe Zyba thanë se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Po ashtu, edhe Pacolli-Dalipi, e cila shtoi se ka vepruar në përputhje me betimin që ka dhënë si deputete.

    “Deklarohem si e pafajshme, kam vepru në përputhje me betimin që kam dhanë si deputete e Kosovës, që punoj për interes të vendit tim”, tha Pacolli-Dalipi.

    Meqenëse të pandehurit nuk e pranuan fajësinë, të njëjtit u njoftuan se brenda afatit ligjor mund të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

  • ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anusiq nesër do ta vizitojë Kosovën, ku ndër të tjera do ta vizitojë edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ai do të jetë në ministri në orën 16:30.

     

  • Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Suharekë, 25 vjet më parë, ku 46 anëtarë të familjes Berisha u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

    Osmani ka shkruar se edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha.

    “Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!”, thuhet në postim.

  • Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Një urë e madhe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

    Ekipet e shpëtimit thanë se janë duke i kërkuar së paku shtatë njerëz në ujë.

    Anija e goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, duke e shkaktuar shembjen e saj. Anija shpërtheu në zjarr për pasojë.

    “Kjo është një gjendje serioze emergjente”, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

    “Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.

    Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.

    Carwright tha se anija quhej “Dali”. Ajo po lundronte përmes Baltimore në drejtim të Kolombos në Shri Lankë, sipas autoriteteve. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit, raportoi radio WTOP.

    “Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.

    Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit./REL/

  • Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, kanë qenë cak të martën i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës. Aksionin gjatë ditës së sotme ka përcjellë nga afër Ekonomia Online.

    Aksioni që ka nisur të hënën, ka për qëllim t’i identifikojë taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, pasi konsiderohen si shkaktarë të tollovisë në Kryeqytet.

    Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, vlerësoi lartë mbështetjen që kanë marrë nga Policia e Kosovës. Tha se kjo dukuri është e shfaqur tejmase në rrugët e Prishtinës.

    “Jemi sot në një aksion i cili po vazhdon që nga dje në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, i cili ka për qëllim linjat e autobusëve, taksitë ilegalë, taksitë që punojnë me pa leje pune por edhe kombibusët. Ju e dini që një nga problemet më të mëdha sipas vlerësimeve tona por edhe sipas vlerësimeve të policisë, këto janë nga disa çështjet që po e mbingarkojnë jashtëzakonisht rrjedhën e komunikacionit në Prishtinë prandaj kemi vendosur që prej dje t’i vendosim disa pika kontrolle në Kryeqytet dhe të shohim bashkërisht dhe të bëjmë kontrollin e nevojshëm për të parë sa është shfaqur kjo dukuri në Kryeqytet”, tha Dushi.

    “Gjithashtu është me rëndësi që të theksohet se si Inspektorat ne kemi pasur kontrolle edhe në të kaluarën ndaj këtyre problematikave në Kryeqytet por megjithatë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë që koordinimin që e kemi me Policinë dhe mbështetjen, veçanërisht këtë aksion që ka filluar dje”, tha tutje Dushi.

    Ndërsa zëvendëskomandanti rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, tha se Policia e përkrah aksionin e përbashkët për këtë dukuri negative.