ATV

Author: G.O.

  • Sot mësohet finalisti i dytë i Ligës së Kampionëve, Real dhe Bayern luftojnë për finalen e madhe

    Sot mësohet finalisti i dytë i Ligës së Kampionëve, Real dhe Bayern luftojnë për finalen e madhe

    Sot (e mërkurë) është në orar për t’u zhvilluar ndeshja kthyese e fazës gjysmëfinale, ku Real Madridi dhe Bayern Munichu luftojnë për një vend në finale.

    Real Madridi është nikoqir i Bayern Munichut në ndeshjen e cila pritet të zhvillohet në “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00.

    Ekipi i Carlo Ancelottit synon fitoren dhe një vend në finale, pasi mori rezultat pozitiv, barazim në Mynih.

    Në anën tjetër, ekipi i Thomas Tuchelit gjithashtu luan vetëm për fitore pasi dëshiron të rikthehet në finale pas katër vitesh.

    Finalisti i sotëm do t’i bashkohet Borussia Dortmundit në finalen e 2 qershorit, pasi gjermanët eliminuan Paris-Saint-Germain.

  • Policia e Kosovës shkatërron një laborator droge në Leposaviq, një i arrestuar e një në kërkim

    Policia e Kosovës shkatërron një laborator droge në Leposaviq, një i arrestuar e një në kërkim

    Një operacion i koordinuar nga Policia e Kosovës ka rezultuar në bastisjen dhe shkatërrimin e një laboratori tjetër të drogës në Leposaviq.

    Në operacionin e mbrëmshëm, u arrestua një person të cilësuar me inicialet M.I., ndërsa një tjetër me inicialet S.S., është ende në kërkim nga autoritetet.

    Njësia e Antidrogës së (DHTN) Mitrovicë Veri, pas marrjes së informacioneve të besueshme nga hetimet në terren, ka realizuar bastisjen e suksesshme në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit në fshatin Miokovicë.

    Në një nga objektet e kontrolluara u gjet një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit.

    Gjetjet përfshijnë 409 bimë me gjatësi ndërmjet 5 dhe 15 cm, një pushkë gjuetie me 43 fishek, dhe pajisje të ndryshme të përdorura në improvizimin e laboratorit, duke përfshirë poca, sisteme ventilimi, termostate dhe nxehëse.

    Një skaj tjetër, policët gjithashtu gjetën një xhaketë të Policisë së Kosovës në pronësinë e të dyshuarit.

    Njësia e Forenzikës ka marrë përsipër fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive nga vendi i ngjarjes.

    Me udhëzim të prokurorit për krime të rënda, është vendosur që të merren mostra nga bimët për testim laboratorik, ndërsa pjesa tjetër është urdhëruar të shkatërrohet.

    I dyshuari M.I. është mbajtur në paraburgim për 48 orë me aktvendim të prokurorit, ndërsa kërkimet për S.S. vazhdojnë.

    Policia e Kosovës dhe njësia e (DHTN) Mitrovicë Veri do të vazhdojnë të hetojnë rastin për të zbuluar më shumë lidhje të mundshme me aktivitete kriminale dhe për të parandaluar përhapjen e substancave të ndaluara.

  • Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Maqedonia e Veriut sot në raundin e dytë zgjedh presidentin e vendit për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

    Pas raundit të parë të zhvilluar më 24 prill, në garë kanë mbetur dy kandidatë.

    Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale që nga pavarësia e vendit në vitin 1991.

    Me votim të fshehtë në Kuvend u zgjodh vetëm presidenti i parë i shtetit dhe që atëherë kreu i shtetit zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

    Në zgjedhjet e vitit 1994 u paraqitën vetëm dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme, pesë vjet më vonë, votuesit zgjodhën midis gjashtë kandidatëve.

    Në zgjedhjet e treta të drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2004, morën pjesë katër kandidatë, dhe në vitin 2009, ashtu si tani, ishin shtatë kandidatë rekord për presidencën.

    Zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 janë më të ngjashme me ato të sotmet, pasi janë mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Atëherë ishin katër kandidatë, ndërsa në zgjedhjet e fundit presidenciale, zgjedhja ishte mes tre kandidatëve.

    Në katër zgjedhjet e fundit radhazi, presidenti është zgjedhur në raundin e dytë të zgjedhjeve. Mbetet edhe detyrimi që të paktën 40% e votuesve të regjistruar të dalin në zgjedhje, pra të përmbushin censusin.

    Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, kur dalja ishte 42,61% e votuesve të regjistruar.

    Pjesëmarrja më e madhe është regjistruar në zgjedhjet e para presidenciale të drejtpërdrejta pas pavarësisë, në vitin 1994, kur 77.4 për qind e votuesve të regjistruar dolën në votime. /Alsat.mk

  • Kurti mbledh ministrat

    Kurti mbledh ministrat

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Kryeministri Kurti, bashkë me ministrat e tij, do të takohet me fillim nga ora 11:00.

    Ndonëse nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës, nga Zyra e Kryeministrit kanë ndarë agjendën e Kurtit përgjatë ditës.

  • Të jetuarit në fshat ndikon pozitivisht në shëndetin mendor

    Të jetuarit në fshat ndikon pozitivisht në shëndetin mendor

    Njerëzit që jetojnë në zonat rurale janë më të lumtur se sa banorët e qytetit.

    Kështu thonë hulumtimet e fundit të realizuara në Kanada në të cilin u analizuan 400 mijë njerëz duke përdorur një shkallë për të njohur shifrat e lumturisë.

    Qytetet kanë paga më të larta, nivele të arsimit të lartë dhe norma më të ulëta të papunësisë.

    Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte asgjë në kuptimin e gëzimit: njerëzit që jetonin në fshat ishin, mesatarisht, tetë herë më të lumtur sesa njerëzit në zonat urbane, zbuloi studimi.

    Studiuesit thanë se të gjeturat gjetën zanafillën e rëndësisë së pamohueshme të komuniteteve të forta mbi izolimin social.

  • Sylvinho, trajneri i 13-të më i ranguar për Euro 2024

    Sylvinho, trajneri i 13-të më i ranguar për Euro 2024

    Sajti i njohur “FourFourTwo” ka bërë rangimin e selektorëve që do të udhëheqin përfaqësueset në Euro 2024.

    Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, sipas këtij mediumi është ranguar i 13-ti.

    Didier Deschamps i Francës është në krye të listës e pas tij janë Luciano Spalletti i Italisë e Julian Nagelsmann i Gjermanisë. Në dhjetëshe janë edhe Gareth Southgate i Anglisë, Zlatko Daliq i Kroacisë, Roberto Martinez i Portugalisë, Domenico Tedesco i Belgjikës, Luis de la Fuente i Spanjës, Kasper Hjulmand i Danimarkës e Marco Rossi i Hungarisë.

    Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq është renditur i fundit.

  • Ukraina thotë se e parandaloi një komplot rus për ta vrarë Zelenskyn

    Ukraina thotë se e parandaloi një komplot rus për ta vrarë Zelenskyn

    Hetuesit e kundërinteligjencës ukrainase e kanë shpartalluar një komplot rus për ta vrarë presidentin, Volodymyr Zelensky, si dhe figura të tjera ushtarake dhe politike, tha të martën Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Ukrainës (SBU).

    Dy kolonelë të Gardës Shtetërore të Ukrainës, e cila i mbron zyrtarët e lartë, u arrestuan nën dyshimin se po e zbatonin planin e përpiluar nga Shërbimi i Sigurisë Federale i Rusisë, sipas njoftimit.

    Kolonelët në fjalë ishin rekrutuar para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, sipas SBU-së.

    Vaysl Maliuk, shefi i SBU-së, u citua të ketë thënë se, sipas komplotit, parashihej një sulm para se presidenti rus, Vladimir Putin, ta bënte betimin për mandatin e pestë presidencial të martën.

    Maliuk tha se ai personalisht e ka udhëhequr operacionin e fshehtë për ta parandaluar komplotin.

    Pretendimet e Ukrainës për përpjekjet ruse për vrasjen e Zelenskyt nuk janë diçka e re.

    Më 2022, Zelensky tha se kishte së paku 10 tentime për ta vrarë atë.

    Ndërkohë, prokurorët në Poloni thanë muajin e kaluar se e kishin arrestuar një polak nën akuzat se ishte i gatshëm të spiunonte për inteligjencën ushtarake të Rusisë në një komplot të dyshuar për ta vrarë Zelenskyn.

    SBU-ja tha se agjentët rusë të inteligjencës kërkonin anëtarë të ushtrisë ukrainase, që janë të afërt me sigurimin e presidencës, të cilët do të mundë ta merrnin peng presidentin dhe pastaj ta vrisnin më vonë.

    Plani gjithëpërfshirës i komplotit ishte identifikimi i lokacionit të zyrtarëve të lartë ukrainas dhe sulmimi i tyre me predhë fillimisht, pastaj me dronë dhe raketa./REL/

  • Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre

    Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, që akuzoheshin për keqpërdorim detyre.

    Ish-sekretari Betim Reçica, e zyrtarët Isa Berisha, Mirdit Emini e Leonora Limani akuzoheshin për përzgjedhje të operatorëve ekonomikë që nuk i kishin ofertat më të lira për tenderin e Autostradës së Gjilanit.

    Reçica akuzohej se si ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit ka ushtruar presion mbi anëtarët e komisionit vlerësues për ta bërë një raport brenda 10 ditësh në favor të kompanisë “Gjoka Konstruktion”, e më pas i kishte ndryshuar raportet e komisionit vlerësues duke e shpallur atë kompani fituese. Mbi të rëndonin edhe akuzat për shpëlarje parash, dhe dyshohej se me para me prejardhje kriminale, me qëllim të fshehjes së tyre, e ka blerë një veturë sportive “Audi” duke e lënë në emër të të vëllait.

    Mbi Berishën, Eminin e Limanin rëndonin akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi dyshoheshin se nuk zgjodhën operatorët më të lirë.

  • Kurti bën homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bën homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të martën ka bërë homazhe pranë varrit të heroit, Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Kurti tha se Bahri Fazliu ra në një ballafaqim të rreptë me forcat serbe.

    “Sot më 7 maj  janë mbushur 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit te kombit, Bahri Fazliut. Ai u vra në betejë, ballafaqim me forcat armike serbe në vendin i cili ndodhet në kufi të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, pra një vend domethënës i cili është në përputhje edhe me idealet e Bahri Fazliut”, u shpreh Kurti.

  • Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah

    Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah

    Ushtria izraelite tha të martën se ka marrë kontrollin e pikëkalimit kufitar në Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, pjesë kjo e cila ka qenë jetike për dërgimin e ndihmave dhe daljen e njerëzve të plagosur nga lufta në Gazë.

    Ushtria tha se forcat po skanonin zonën në mëngjes pasi nisën një operacion tokësor dhe ajror në një pjesë të Rafahut lindor të hënën mbrëma, mes përpjekjeve diplomatike jashtë vendit për të arritur një armëpushim të ri.

    Autoriteti i Kalimeve të Gazës tha në një deklaratë se marrja e kontrollit nga Izraeli ishte një “dënim me vdekje” kundër banorëve të Gazës, veçanërisht të sëmurëve dhe të plagosurve.

    Gjatë gjithë luftës shtatëmujore, Rafahu – i vetmi vendkalim që nuk drejtohet nga Izraeli – ka qenë linja kryesore e shpëtimit të popullatës palestineze prej 2.3 milionësh të Gazës, duke lejuar futjen e furnizimeve humanitare në Gazë dhe transportin e pacientëve jashtë saj mes mungesave të rënda dhe shkatërrimit të objekteve të kujdesit shëndetësor.

    Ushtria izraelite tha se një operacion i kufizuar në Rafah kishte për qëllim të vriste luftëtarët dhe të çmontonte infrastrukturën e përdorur nga grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Aleati më i afërt i Izraelit, SHBA-ja, ka këshilluar kundër ndërmarrjes së një sulmi në Rafah, qyteti që është streha e fundit për rreth gjysmën e popullsisë së Gazës.

    Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se tanket dhe avionët izraelitë goditën disa zona në Rafah gjatë natës, duke vrarë 20 palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë gjatë goditjeve në të paktën katër shtëpi.

    Banorët thanë se Izraeli kishte lëshuar fletushka të reja të martën, duke i paralajmëruar përsëri njerëzit të largoheshin nga zonat në lindje të Rafahut.

    Tanket izraelite bombarduan gjithashtu zonat lindore në Beit Laha, Jabalia dhe Beit Hanun në veri të Rripit të Gazës, thanë banorët.

    Ushtria izraelite tha se shumica e njerëzve dhe disa organizata ndërkombëtare ishin evakuuar nga zona e Rafahut lindor, ndërsa tha se vrau rreth 20 luftëtarë dhe gjeti tri boshte tuneli.

    Një vendkalim tjetër aty pranë, i kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, u mbyll të martën për arsye sigurie dhe do të rihapet sapo të lejojë situata e sigurisë, tha ushtria.

    Izraeli ka vrarë më shumë se 34.700 palestinezë në sulmet e tij ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

    OKB-ja ka thënë se kriza e urisë që ka kapluar njerëzit në veri të Gazës, po bartet bartet edhe drejt jugut.

    Lufta filloi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 252 të tjerë, nga të cilët 133 besohet se mbeten në Gazë, sipas të dhënave izraelite./REL/