ATV

Author: G.O.

  • Demokraci Plus: Komuna e Prishtinës për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri, shpërbleu kompaninë që ka një histori mashtrimi në prokurim publik

    Demokraci Plus: Komuna e Prishtinës për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri, shpërbleu kompaninë që ka një histori mashtrimi në prokurim publik

    Demokraci Plus ka publikuar analizën “Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës – alarm për luftimin e korrupsionit në prokurim publik”. Kjo analizë e shkurtër ka për qëllim të shpalosë raste të caktuara të mashtrimeve në prokurim publik e të cilat nuk janë sanksionuar nga organet përgjegjëse për to, raporton Ekonomia Online.

    Po ashtu, analiza dëshmon që edhe kur kompanitë apo pronarët e tyre janë dënuar nga gjykatat për mashtrime në prokurim publik, dënimet kanë qenë shumë të buta gjë që nuk ka ndikuar në dekurajimin e kompanisë për të vazhduar me mashtrime të njëjta.

    Ardit Dragusha, nga organizata Demokraci Plus, ka paraqitur dy raste se si Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau mbi 700 mijë euro për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës, duke shpërblyer një kompani që ka një histori mashtrimi në prokurim publik.

    “Me datën 18 janar 2024, si pasojë e punimeve të dobëta, erërat rrëzuan kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Kjo ngjarje shpërfaqi pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive të cilat në vazhdimësi shkelin Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau 700,000.002 euro për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Me kontratë u shpërblye kompania ‘NBT-ING Sh.P.K.’, e cila ofertoi me 386,096.29 euro, apo rreth 313,903.71 euro më e ulët se sa vlera e parashikuar për këtë aktivitet. Kompania që u shpall fituese e kontratës dhe zhvilloi punimet në kulmin e objektit të komunës, ka një histori mashtrimi në prokurim publik”, ka thënë ai.

    “Rasti i parë kompania NBT-ING Sh.P.K., në vitin 2018 kishte ofertuar me dokumente të falsifikuar prej 1,000,000.00 euro, të iniciuar nga Komuna e Suharekës. Për këtë mashtrim, Gjykata Themelore në Prizren – Dega Suharekë, me aktgjykimin nr. 341/2019 të datës 29.06.2021, e kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe i shqiptoi gjobë prej 900.00 euro. Rasti i dytë Kompania NTB-ING Sh.P.K., vazhdoi të fitojë kontrata publike, siç ishte tenderi “Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale”, me vlerë të parashikuar 999,800.00 euro. Në këtë aktivitet të prokurimit i zhvilluar në vitin 2020, kjo kompani mashtroi sërish duke ofertuar me dokumente të falsifikuara. Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin nr. 450/2021 të datës 10.10.2022, e kishte shpallur fajtor pronarin e NTB- ING Sh.P.K. për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, duke e gjobitur me 2,000.00 euro dhe dënuar me një vit burgim. Ky aktgjykim u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit me vendimin nr. 602/2022, i datës 12.01.2023. Pra, pavarësisht dy rasteve të dënimit me vendim nga gjykatat kompetente në vitin 2018 dhe 2020 për mashtrim në prokurim publik, kompania NTB-ING Sh.P.K prap ofertoi dhe fitoi tenderin nga Komuna e Prishtinës në vitin 2023 për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Kjo për shkak se autoritetet kontraktuese (Komuna e Suharekës në rastin e parë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në rastin e dytë) nuk kishin bërë kërkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) për diskualifikimin e kompanisë përkatëse dhe rrjedhimisht eliminimin e saj nga mundësia për të konkurruar prapë në tenderë publik”, ka thënë ai.

    Egzona Kozhani, nga kjo organizatë, ka thënë se problem është që gjykatat po shqiptojnë sanksione të buta të cilat nuk po rezultojnë në përmirësimin e gjendjes në terren pavarësisht përcaktimeve të Kodit Penal.

    Sipas saj, pavarësisht se Kodi Penal në fuqi kishte paraparë dënim me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vite, për këdo që falsifikon një dokument, pronari i kompanisë NBT-ING Sh.P.K., në rastin e parë është dënuar me vetëm 900.00 euro gjobë, ndërsa në rastin e dytë, edhe pse Kodi Penal i ri i miratuar në vitin 2019, vetëm sa ka rritur masën e sanksionimit me burg për raste të tilla, pronari i kompanisë u dënua me 2,000.00 euro gjobë dhe një (1) vit burgim.

    “Këto dallime po shpërfaqin një mos përputhje në vendimmarrje në organet kompetente, gjithashtu po inkurajojnë operatorët ekonomik që të vazhdojnë me kryerjen e këtyre veprimeve”, ka thënë ajo.

    Në fund analiza ka ofruar disa rekomandime për institucionet relevante me qëllim përmirësimin e sistemit dhe rritjes së integritetit në prokurimin publik.

  • Apeli aprovon ankesat e mbrojtjes, e kthen në rivendosje aktakuzën ndaj Betim Reçicës dhe të 9 zyrtarëve tjerë të MI-së

    Apeli aprovon ankesat e mbrojtjes, e kthen në rivendosje aktakuzën ndaj Betim Reçicës dhe të 9 zyrtarëve tjerë të MI-së

    Gjykata e Apelit ia kthen në rivendosje Gjykatës së shkallës së parë aktakuzën ndaj Betim Reçicës, Valmira Bllacës dhe të tjerëve për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në tenderin për segmentin e rrugës, në Prevallë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Betim Reçica, Izedin Bytyqi e të tjerët, në cilësinë e personave zyrtarë, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.

  • Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi mbi dy mijë gjoba

    Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi mbi dy mijë gjoba

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2074 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar 50 aksidente në trafikun rrugor, ku 24 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 26 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 24 persona, ndërkaq 19 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Rusia kryen sulm të madh me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase

    Rusia kryen sulm të madh me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase

    Zyrtarët ukrainas thanë mëngjesin e së mërkurës se ushtria ruse e ka goditur infrastrukturën e rëndësishme ukrainase në së paku gjashtë rajone gjatë një sulmi të madh gjatë natës.

    Rusia i lëshoi më shumë se 20 dronë dhe raketa gjatë sulmit, sipas zyrtarëve. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë në kryeqytetin Kiev.

    Ata raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk raportohet për viktima.

    Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, e cilësoi këtë si “një tjetër sulm i madh në industrinë tonë të energjisë” që u krye ndaj gjashtë rajoneve.

    Ai tha se cak i sulmit ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinitsia.

    Kryetari i administratës ushtarake në Poltava, Filip Pronin, tha se një zjarr u ndez si pasojë e një sulmi me dronë ndaj një objekti energjetik në këtë rajon.

    Kryetari i administratës ushtarake në rajonin jugor, Zaporizhja, ku ndodhet termocentrali bërthamor më i madh në Evropë, tha se cak i bombardimeve ruse ishin “objektet e infrastrukturës civile dhe jetike”.

    Në Lviv, në perëndim të Ukrainës, guvernatori tha se Rusia kreu sulm ndaj infrastrukturës jetike energjetike në qarkun Strihi dhe kundër një termocentrali në qarkun Çervonohrad.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Telegram se Rusia kreu sulme me së paku 50 raketa dhe 20 dronë.

    Ai shtoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit dhe të Pajtimit, të cilën Kombet e Bashkuara e shpallën për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.

    “E gjitha bota duhet ta kuptojë qartazi se kush është kush”, shkroi Zelensky. Ai e barazoi agresionin rus kundër vendit të tij me veprimet e Gjermanisë naziste që nxitën atë luftë.

    Rusia e ka sulmuar pareshtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës prej se e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022./REL/

  • Hysen Durmishi paraqitet në Prokurorinë Speciale, po intervistohet për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë

    Hysen Durmishi paraqitet në Prokurorinë Speciale, po intervistohet për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Ai do të intervistohet lidhur me kontratat e nënshkruara për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Ndryshe, javën e shkuar zëvendësministri njoftoi se ka marrë ftesë për intervistim, teksa e cilësoi atë si të bazuar në disa spekulime.

    Ai nuk ka bërë të ditur nëse është ftuar që të intervistohet si i dyshuar apo dëshmitar.

    Kujtojmë se vlera e tenderit që u nënshkrua vitin e kaluar nga Durmishi e për të cilin do merret në pyetje, kap vlerën e 38 milionë eurove.

  • Shtyhet gjyqi i ish-presidentit Trump për dokumentet sekrete

    Shtyhet gjyqi i ish-presidentit Trump për dokumentet sekrete

    Gjyqi i ish-presidentit Donald Trump në Florida për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra është shtyrë për një kohë të pacaktuar, vendosi gjykatësja federale e kësaj çështje të martën, duke ulur ndjeshëm shanset e fillimit të njërit nga gjyqet për akuza penale para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

    Trump, i cili është në garë për një mandat të dytë presidencial, më parë ishte planifikuar të dilte në gjyq më 20 maj për akuzat mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, por prokuroria dhe mbrojtja e kishin pranuar se gjyqi do të duhej të shtyhej.

    Gjykatësja federale Aileen Cannon, e cila u emërua nga Trump në vitin 2020, tha të martën se gjyqi nuk do të fillonte më 20 maj, por nuk caktoi një datë të re të fillimit të tij.

    Ish-presidenti Trump është deklaruar i pafajshëm për 40 akuza federale për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete të sigurisë kombëtare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, në shtetin e Floridës, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i tërhequr ato.

    Trump është kandidati i pritshëm republikan për president, që pritet të sfidojë presidentin demokrat Joe Biden, i cili e mundi atë katër vjet më parë.

    Prokurori i posaçëm Jack Smith përballet me pengesa të mëdha për të çuar njërën nga dy çështjet federale kundër Trump në gjyq përpara zgjedhjeve.

    Gjykatësja Cannon ende nuk ka vendosur për disa çështje ligjore thelbësore lidhur me çështjen e dokumenteve dhe ka sinjalizuar mbështetje për mbrojtjen e Trump për disa çështje.

  • Gruaja raporton se ish i dashuri po e shqetëson vazhdimisht përmes telefonit

    Gruaja raporton se ish i dashuri po e shqetëson vazhdimisht përmes telefonit

    Një grua në Mitrovicë të Veriut ka raportuar se është duke u shqetësuar vazhdimisht përmes telefonit nga ish i dashuri i saj.

    “Me kërkesë të ankueses është lëshuar urdhër mbrojtës për çka është njoftuar edhe i dyshuari”, njoftoi tutje Policia.

    Tutje, bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • ​Arrestohen dy persona për vjedhje të rëndë në Shtime

    ​Arrestohen dy persona për vjedhje të rëndë në Shtime

    Policia e Kosovës njofton se dje se policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes, në objektin e antenës së Telekomit të Kosovès është duke u kryer një vjedhje.

    “Patrullat e policisë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në një veturë Ford Focus me targa vendore dhe dy persona të dyshuar. Gjatë legjitimimit dhe kontrollimit të tyre dhe veturës, në bagazhin e veturës janë gjetur 4 bateri akumuluese elektrike, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, ndërsa kishin dëmtuar alarmin dhe ( kapakun e baterive ) të antenës.

    Sipas policisë, Të dy personat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime. Të arrestuarit janë, M.M i moshës 44 vjeçar dhe M.P e moshës 43 vjeçare.

    “Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit policorë me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Aksident i rëndë te konviktet, lëndohen gjashtë persona

    Aksident i rëndë te konviktet, lëndohen gjashtë persona

    Një aksident ka ndodhur në afërsi të Fakultetit Teknik, në Prishtinë.

    Dy vetura duket se janë përplasur me njëra-tjetrën dhe dëmet janë të mëdha.

    Nga aksidenti gjashtë persona kanë mbetur të lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia, e cila ka njoftuar se në aksident janë përfshirë dy vetura.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira,dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën se në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje.

    Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

  • Nga paraburgimi në arrest shtëpiak, u ndryshohet masa e sigurisë referentëve të dyshuar për korrupsion

    Nga paraburgimi në arrest shtëpiak, u ndryshohet masa e sigurisë referentëve të dyshuar për korrupsion

    Gjykata e Apelit ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Deli Halili dhe Ismajl Ismaili. Sipas vendimit të siguruar nga ATV-ja, Halili e Ismajli nëse e shkelin vendimin i cili do të zgjasë deri më 29 maj, do të mund të kthehen në paraburgim.

    “Detyrohen të pandehurit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë të drejtë të largohen nga shtëpitë e tyre të banimit, përveç kur kjo është domosdo e nevojshme për përmbushjen e nevojave jetësore ose për kryerjen e ndonjë pune, dhe atë me lejen e Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet ndër të tjera në vendim.

    Halili bashkëpunëtor profesional, e Ismajli referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim me qëllim të përfitimit material. Halili, e ka pranuar fajësinë gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës u arrestuan më 29 janar, dhe rasti i ka kaluar Gjykatës dhe Prokurorisë së Prizrenit.