ATV

Author: G.O.

  • Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot është paraparë që të mblidhen katër komisione parlamentare.

    Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të diskutojë sot rreth angazhimit të ekspertëve.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do ta shqyrtojë sot raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) për vitin për vitin 2023.

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport sot do të shqyrtojë Projektligjin për rininë, si dhe atë për sport.

    Ndërkaq, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e shqyrton sot raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, ku e ftuar është edhe auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

  • “Na rrihnin tërë natën me kabllo elektrike, kanë përdorë torturë sikur në shtazë”/ ATV-ja sjell rrëfimet e të burgosurve politikë gjatë vitit 1999

    “Na rrihnin tërë natën me kabllo elektrike, kanë përdorë torturë sikur në shtazë”/ ATV-ja sjell rrëfimet e të burgosurve politikë gjatë vitit 1999

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Rrahje me shkop gome, kabllo elektrike, gypa të ujit e keqtrajtime nga më të ndryshmet kishin përjetuar të burgosurit politikë, gjatë muajve maj e qershor të 1999-ës, në burgun e Prishtinës.

    Në mesin e tyre ishte edhe Isak Shabani, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.

    “Në orën 22:00 kur binte zilja për të fjetur, 2-3 minuta më pas na merrnin, na lidhin dhe na dërgonin te zyrat e sigurimit shtetëror… ata na rrihnin tërë natën, ndërkohë në mëngjes na kthenin në qeli kinse për të pushuar, por torturat vazhdonin përsëri. E kam një rast të veçantë që kur ka ardhë një gardian shqiptar, më ka pyetur si je… I kam thënë se jemi tu përjetu gjithçka, vetëm me e mbytë veten, se tjetër çka nuk dimë çka me ba”, tha Shabani.

    Për keqtrajtimet që dyshohet se i kanë bërë ndaj Shabanit dhe të tjerëve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj ish-drejtorit të burgut të Prishtinës, Ljubomir Çimburoviq, dhe gardianëve, Predrag Bradiq dhe Millivoje Iviq.

    “Kam pasur rastin ta takoj edhe drejtorin e burgut dhe këta gardianë. Me urdhër të drejtorit nga këta gardianë janë rrahur të burgosurit politikë dhe jam rrahur edhe unë. Ka qenë një gardian qe ka përdorë torturë sikur në shtazë dhe ai gardian është quajtur Bradic”, shtoi tutje ai.

    Në aktakuzën të cilën e ka siguruar ATV-ja shpjegohen në detaje format e keqtrajtimeve, nga data 24 maj e deri më 10 qershor të 99-tës, në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit. Veç rrahjes, të burgosurit të cilët ishin sjellë nga burgu i Dubravës, ishin privuar edhe nga ushqimi.

    “Agron Ramadani tri ditë rresht kishte qëndruar në objektin e sigurimit të shtetit, ku ishte maltretuar dhe rrahur në forma të ndryshme si me shkop gome, shkop druri, shok elektrik, ia kishin djegur pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave kishte humbur vetëdijen. Tortura më e madhe në këtë burg, përveç rrahjeve kishte qenë mungesa e madhe e ushqimit dhe ujit. Gjatë natës vazhdimisht kishin dëgjuar britma të njerëzve të cilët rriheshin, keqtrajtoheshin dhe torturoheshin nëpër pavijonet e tjera të burgut”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

    Nga keqtrajtimet, dy nga të burgosurit kishin vdekur. Në aktakuzë përmendet gjithashtu edhe gardiani Dragisha Millenkoviq tashmë i akuzuar për krime lufte, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar në Graçanicë./atvlive.tv/

  • 5 vjet prej kur Kosova “hoqi dorë” nga aplikimi për anëtarësim në INTERPOL

    5 vjet prej kur Kosova “hoqi dorë” nga aplikimi për anëtarësim në INTERPOL

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Që nga viti 2018 kur dështoi në votimin në Asamblenë e Përgjithshme, Kosova më nuk arriti as të futej në rend dite për anëtarësim eventual në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL.

    Nga viti 2019 qeveritë e ndryshme kishin tërhequr dokumentacionin ose nuk kishin nisur fare procedurat, me arsyetimin se nuk kanë siguruar mbështetjen e mjaftueshme.
    Përkundër premtimeve, deri tani, as pushteti aktual nuk i ka çuar në nivel tjetër përpjekjet për të qenë pjesë e organizatës më të rëndësishme policore në botë.

    “Do t’i ndërmarr të gjithë hapat e mundshëm që anëtarësim i Kosovës, vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, pati deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Gjashtë muaj para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila do të mbahet në Nëntor, në Skoci, Qeveria nuk tregoi nëse ka nisur përgatitjet.

    Pasi mosaplikimin për anëtarësim, në tre vjet të kësaj Qeverie, e cilësoi neglizhencë dhe papjekuri politike në dëm të sigurisë kombëtare, eksperti Drizan Shala tha se mungon një strategji që do t’i përfshinte të gjitha partitë.

    “Ku mbi këtë koncept-dokument të gjithë, pa dallim, do të angazhoheshin në mënyra të ndryshme që t’i garantohen Kosovës votat e mjaftueshme, përmes kanaleve të caktuara, që më pastaj Kosova të marrë dritën jeshile për të qenë pjesë e mekanizmave të rëndësishëm, të domosdoshëm, për të garantuar sigurinë publike, njëkohësisht për të reflektuar mbi sigurinë nacionale të Republikës të Kosovës”, deklaroi Shala.

    Në vlerësimin e Shalës, sulmi terrorist-paramilitar më 24 Shtator përbën një mundësi të çuar dëm nga Kosova, në synimet për të qenë pjesë e INTERPOL-it.

    “Ta shfrytëzojë këtë momentum dhe të kërkojë anëtarësimin. Dhe, përmes anëtarësimit në INTERPOL do të ishte përmbyllur edhe rasti i Banjskës, do të silleshin para drejtësisë personat e involvuar – përmes flet-arresteve dhe këmbimit të informacioneve në kohë reale”, shtoi tutje ai.

    Pasi theksoi se Policia e Kosovës i përmbush të gjitha kriteret e kërkuara, profesori universitar Avni Islami si pengesë përmendi angazhimin diplomatik kundërshtues të Serbisë.

    “Serbia nuk është e interesuar që Kosova të aderojë në organizata të rëndësishme, siç është INTERPOL-i. Sepse, po të jetë pjesë e INTERPOL-it, Policia e Kosovës e ka të drejtën të lëshojë letër-rreshtime të ndryshme, siç kishim rastin e Radoicicit”, tha Islami.

    Para 2018-tës, Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe më 2015, 2016 dhe 2017 – në dy raste nuk kishte arritur të futej në rend dite, ndërsa herën e tretë ishte tërhequr, në mungesë mbështetjeje.

    Për herë të parë, Kosova shprehu zyrtarisht interesimin për të qenë pjesë e kësaj organizate më 2010 – por kërkesa e saj ishte shpërfillur./atvlive.tv/

  • Kosova dështoi të pranohet në KiE, Kurti hesht tash e dy ditë

    Kosova dështoi të pranohet në KiE, Kurti hesht tash e dy ditë

    PËRGATITI: ARTON HAMITI   

    Kur Ministrja për Punë të Jashtme Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre drejtuar Këshillit të Evropës u zotua se drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, kryeministri Albin Kurti ishte në Mal të Zi.

    As nga Kotori e as nga Prishtina, kryeministri nuk u deklarua rreth mundësisë së anëtarësimit në KiE. Shefi i ekzekutivit nuk tha asnjë fjalë as të premten kur përfundimisht, Kosova nuk ishte në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave.

    Kryeministri u mjaftua vetëm më një komunikatë, ku e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur gjatë takimit të komitetit të ministrave

    Njohës të rrethanave politike, vlerësojnë se qeveria duhet të dalë me një sqarim se pse Kosova dështoi të pranohet në organizatën e cila dje shënoi 75-vjetorin e themelimit.

    “Kjo është një temë që zgjon shumë debat andaj duhet të dilet me sqarime dhe arsyetime. E dimë që Asociacioni ishte kusht por edhe kryeministri edhe ministrat përkatës duhet të dalin të thonë se nuk duam të shkojmë përpara me Asociacionin”, deklaroi juristi Taulant Hodaj.

    Heshtja e kryeministrit po shihet edhe si tentim për ta larguar përgjegjësinë nga vetja.

    “Mendoj që kryeministri Kurti po provon të gjejë një arsyetim për dështimin e Kosovës në anëtarësimin në Këshillin e Evropës duke u mundu me e kamufluar këtë dështim dhe duke u mundu me i hedh përgjegjësitë diku tjetër. Por, çfarëdo arsyetim do të jetë i pasinqertë sepse si kryeministër, përgjegjësinë kryesore e ka zotëri Kurti”, tha politologu Fidan Ukaj.

    Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk ka qenë e konsultuar për letrën që Ministria e Jashtme i kishte dërguar Këshillit të Evropës, tha se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm çështje kohe.

    Këshilli i Evropës është organizata më serioze ndërkombëtare ku Kosova ka pasur mundësi real të pranohet viteve të fundit./atvlive.tv/

  • Shiu dhe ujërat e zeza, shkaktarë për shembjen e dheut në rrugën Dollc-Gjakovë

    Shiu dhe ujërat e zeza, shkaktarë për shembjen e dheut në rrugën Dollc-Gjakovë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI   

    Në orët e para të së shtunës, një pjesë e kodrës përfundoi në mes të asfaltit.

    Sasia e madhe e dheut dëmtoi rëndë 150 metra të rrugës Dollc-Gjakovë, duke e bërë kështu të pakalueshme.

    Meqë rruga është e bllokuar, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës njoftuan qytetarët për rrugët alternative.

    “Po mundohemi që Brenda një kohe të shkurtër rruga të lirohet për qarkullim, mendojmë që sot në mbrëmje apo nesër, udhëtaret t’i përdorin njëherë rrugët alternative”, tha Qamil Feka, drejtor i Departamentit për menaxhimin e rrugëve.

    Disa vozitës që këtë rrugë e përdorin pothuajse çdo ditë, të shtunën u detyruan ta bëjnë në këmbë.

    Shembja e dheut ua kishte lënë në gjysmë shëtitjen edhe disa vizitorëve.

    Rruga 30 kilometërshe, Dollc-Gjakovë, ishte planifikuar të zgjerohej nga muaji mars i vitit 2019, kështu për t’u shtuar edhe dy shirita qarkullues.

    Ndonëse i paraparë të përfundoj për 3 vjet, punët nuk janë afër përfundimit as pas 5 vjetësh.

    Pavarësisht kësaj, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, projekti me vlerë mbi 41 milionë euro, pritet të përfundojë në fund të vitit 2024./atvlive.tv/

     

     

  • Zgjatja e afatit për regjistrim të popullsisë, qytetarët që ende nuk janë regjistruar duhet ta thërrasin ASK-në

    Zgjatja e afatit për regjistrim të popullsisë, qytetarët që ende nuk janë regjistruar duhet ta thërrasin ASK-në

    PËRGATITI: BENITA ZENELI   

    Pas shtyrjes së afatit për regjistrim të popullsisë, qytetarët do të mund t’i nënshtrohen këtij procesi edhe për shtatë ditë.

    Madje, Agjencia e Statistikave të Kosovës, të shtunën,ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga qytetarët, të cilët nuk janë regjistruar deri më tani.

    Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është ky proces, sipas demografit Hazer Dana, institucionet është dashur të punojnë më shumë, që mos të ketë dështime.

    Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qeveria vendosi që edhe për mërgimtarët ta shtyjë procesin e regjistrimit deri më 31 gusht.

    Gjithëpërfshirja është mirëpritur nga ekonomistët.

    Për të punuar më intensivisht për këtë proces, ASK-ja tashmë ka publikuar 10 numra telefonik, duke propozuar po ashtu, kohën e përshtatshme për t’i zhvilluar intervistat që mund të realizohen nga ora 09:00 deri në 19:30.

    Ndërkaq diaspora mund ta bëjë regjistrimin vetëm përmes platformës online eDiaspora./atvlive.tv/

  • Lansohet “Pilotimi i Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, zyrtarët qeveritarë thonë se me këtë reformë s’do të ketë diskriminim ndaj të varfërve

    Lansohet “Pilotimi i Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, zyrtarët qeveritarë thonë se me këtë reformë s’do të ketë diskriminim ndaj të varfërve

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI   

    Nga sot të gjitha familjet që të ardhura mujore i kanë nga 100 euro për anëtar, mund të aplikojnë për marrje të skemës sociale.

    Kjo do të mundësohet me reformën që do të bëhet në Asistencën Sociale, pilotimi i së cilës u bë të shtunën publike.

    Me këtë reformë, parashihet të largohen disa kushte të cilat aktualisht duhet t’i plotësojnë personat të cilët aplikojnë për të qenë fitues të skemës sociale.

    Familjet do të kenë mundësi të marrin mbështetje financiare edhe pasi gjithë fëmijët e tyre të jenë mbi moshën 5 vjeçare.

    Sipas, shefit të Qeverisë, Albin Kurti, me këtë projekt nuk do të ketë më diskriminime.

    Pas aplikimit në e-Kosova do të ndiqen disa procedura siç është vlerësimi i varfërisë e vizita për verifikim.

    Ndërkaq, mjetet financiare nuk do të jenë të njëjta për gjitha familjet.

    Personat të cilët nuk kanë aftësi të kufizuar, do të regjistrohen si punëkërkues dhe ndaj tyre ndihmë sociale do të ketë vetëm për 6 muaj.

    Reforma në skemën sociale do të bëhet përmes ndihmës nga Banka Botërore.

    Të gjitha familjet që marrin asistencë sociale aktualisht do të vazhdojnë ta marrin.

    Ndërkaq implementimi i skemës sociale për herë të par nisi në 2007 dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim./atvlive.tv/

  • Konfirmohet arratisja e Enver Sekiraqës, Policia: Nuk e gjetëm në shtëpi, kemi informuar të gjitha vendkalimet kufitare

    Konfirmohet arratisja e Enver Sekiraqës, Policia: Nuk e gjetëm në shtëpi, kemi informuar të gjitha vendkalimet kufitare

    Policia e Kosovës ka njoftuar Enver Sekiraqa është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, ku Apeli dy ditë më parë vendosi që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

    Policia ka thënë se pas pranimit të aktvendimit të Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë, Enver Sekiraqës i është dërguar ftesa, mirëpo nuk është hasur në vendbanimin e tij.

    “Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi.  Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi.  Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”,  kanë thënë nga policia.

  • Ballkani mposht Llapin, zyrtarisht kampion i Superligës së Kosovës

    Ballkani mposht Llapin, zyrtarisht kampion i Superligës së Kosovës

    Ballkani edhe zyrtarisht është fitues i titullit të kampionit të Albi Mall Superligës së edicionit 2023-24.

    Suharekasit kanë siguruar matematikisht titullin kampion me një xhiro pa përfunduar kampionati.

    E kjo u arrit pikërisht ndaj rivalit kryesor për titull, Llapit, duke triumfuar në Podujevë.

    Suharekasit mposhtën llapjanët me rezultat minimal 1-0, që i mjaftoi për t’u shpallur kampion.

    Heroi i ‘portokallinjve’ ishte Bernard Karrica, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 73-të.

    Ky është titulli i tretë i Ballkanit në histori të klubit – i treti radhazi – duke barazuar tashmë rekordin e KF Besës.

  • ​Baraliu: Evropa u turpërua me Kosovën, kërkon kushte të panevojshme

    ​Baraliu: Evropa u turpërua me Kosovën, kërkon kushte të panevojshme

    Mos anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po konsiderohet si shumë e dëmshme. Mos prania e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane do të pengojë qytetarët të realizojnë të drejtat e tyre duke iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Po ashtu, anëtarësimi në KiE do të shënonte progres në demokraci dhe vendi do të fitonte reputacion duke qenë pjesë e një organizate të tillë.

    Profesori universitar, Mazllum Baraliu në një intervistë për KosovaPress, thotë se marrja parasysh e kërkesës së Serbisë nga shtetet e fuqishme si Franca , Gjermania dhe Italia, që Kosovës t’i vihet kusht formimi i asociacionit, në mënyrë që të bëhej pjesë e KiE, mund të konsiderohet si dëm kolateral për vendin tonë.

    “Humbin qytetarët e Kosovës, të cilët do të kishin mundësi, po të ishte anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës, që atëherë kurdo në të gjitha instancat gjyqësore, institucionale të Kosovës nuk i realizojnë të drejtat e tyre, të mund t’i drejtohen gjykatës në Strasburg dhe atje do të mund t’i realizonin të drejtat e tyre. Pastaj, do të kishte mundësi që të zhvillohej më shumë dhe më intensivisht demokracia. Kjo është me rëndësi, shteti sigurisht që do të kishte reputacionin në një organizatë regjionale të rëndësishme më shumë. Të jetë anëtar Kosova, sepse kemi nevojë ende për afirmim të subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Por, sigurisht më vital është interesi i Kosovës që të mbrohet interesi shtetëror. Pra, të mos pranojë të vihen kushte jo parimore, të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe perspektivën e tij”, tha Baraliu.

    Kushtet e vendosura për Kosovën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, Baraliu i konsideron të panevojshme dhe si të tilla nuk do të duhej të kërkoheshin. Ai thotë se me këtë kërkesë, Evropa u turpërua, ngase sipas tij kjo e fundit po tregon mosinteresim për realizimin e të drejtave të njeriut.

    “Është dëm kolateral ndoshta suksesi i Serbisë përmes disa shteteve të rëndësishme. Franca konkretisht, Gjermania, Italia të cilat e dëgjuan kërkesën e Serbisë dhe të Vuçiq dhe fatkeqësisht e dëmtuan Kosovën duke kërkuar kushte, të cilat nuk kërkohen, të jashtëzakonshme, të panevojshme që nuk kanë të bëjnë me Këshillin e Evropës. Aq më tepër, u turpërua Evropa mendoj unë, për arsye se Asambleja Parlamentare me 82 vota e votoi një zëri, e shprehu vullnetin për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill, ndërkohë që Komiteti i Ministrave nuk e futi në rend dite dhe kjo nënkupton mosinteresim real të Evropës për të drejtat e njeriut e aq më pak për të drejtat e minoriteve, për të cilat Këshilli i Evropës do të duhej të kishte kujdesin më të madh, për nga definicioni dhe kompetencat që ka”, potencon Baraliu.

    Për KosovaPress, Baraliu thotë se Serbia nuk ka interesim real për avancimin e të drejtave të qytetarëve siç po pretendon, porse sipas tij qëllimi i saj është që të mos ketë stabilitet në Kosovë. Formimi i asociacionit, Baraliu thotë se nënkupton rrënimin e shtetit të Kosovës dhe futjen e Serbisë në Kosovë.

    “Edhe Serbia po ashtu e cila po kërkon vazhdimisht kinse avancimin e të drejtave të komunitetit të vet dhe komuniteteve të tjera në Kosovë për të cilat në mënyrë paternaliste ajo interesohet kinse, edhe ajo ishte kundër dhe tregon që nuk e ka interesin real për avancimin e të drejtave të qytetarëve të vet, por e ka interesin territorial dhe hegjemon që në Kosovë të mos ketë stabilitet, përkundrazi që të rikthehet në Kosovë dhe ta ushtrojë hegjemoninë e saj…Kosova duhet ta mbrojë në radhë të parë dhe pavarësisht interesin shtetëror. Interesi shtetëror është që mos të formohet asociacioni me ato kompetenca që i ka në projekt-statutin euro-amerikan, për arsye se nënkupton rrënimin e shtetit të Kosovës, perspektivës së tij, futjen e një Serbie brenda Kosovës dhe futjen e Kosovës brenda Serbisë”, tha Baraliu për KosovaPress.

    Këshilli i Evropës nuk e vendosi Kosovën në agjendën e paralajmëruar për anëtarësim më 17 maj, pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti në të cilën kushtëzohet hyrja e Kosovës në këtë organizatë evropiane me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.