ATV

Kosova dështoi të pranohet në KiE, Kurti hesht tash e dy ditë

kryeministri albin kurti

Written by

in

PËRGATITI: ARTON HAMITI   

Kur Ministrja për Punë të Jashtme Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre drejtuar Këshillit të Evropës u zotua se drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, kryeministri Albin Kurti ishte në Mal të Zi.

As nga Kotori e as nga Prishtina, kryeministri nuk u deklarua rreth mundësisë së anëtarësimit në KiE. Shefi i ekzekutivit nuk tha asnjë fjalë as të premten kur përfundimisht, Kosova nuk ishte në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave.

Kryeministri u mjaftua vetëm më një komunikatë, ku e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur gjatë takimit të komitetit të ministrave

Njohës të rrethanave politike, vlerësojnë se qeveria duhet të dalë me një sqarim se pse Kosova dështoi të pranohet në organizatën e cila dje shënoi 75-vjetorin e themelimit.

“Kjo është një temë që zgjon shumë debat andaj duhet të dilet me sqarime dhe arsyetime. E dimë që Asociacioni ishte kusht por edhe kryeministri edhe ministrat përkatës duhet të dalin të thonë se nuk duam të shkojmë përpara me Asociacionin”, deklaroi juristi Taulant Hodaj.

Heshtja e kryeministrit po shihet edhe si tentim për ta larguar përgjegjësinë nga vetja.

“Mendoj që kryeministri Kurti po provon të gjejë një arsyetim për dështimin e Kosovës në anëtarësimin në Këshillin e Evropës duke u mundu me e kamufluar këtë dështim dhe duke u mundu me i hedh përgjegjësitë diku tjetër. Por, çfarëdo arsyetim do të jetë i pasinqertë sepse si kryeministër, përgjegjësinë kryesore e ka zotëri Kurti”, tha politologu Fidan Ukaj.

Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk ka qenë e konsultuar për letrën që Ministria e Jashtme i kishte dërguar Këshillit të Evropës, tha se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm çështje kohe.

Këshilli i Evropës është organizata më serioze ndërkombëtare ku Kosova ka pasur mundësi real të pranohet viteve të fundit./atvlive.tv/

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *