ATV

Author: G.O.

  • Komandanti i KFOR-it: Shtuam 1 mijë trupa, pasi ngjarjet e ndodhura vitin e kaluar në Kosovë cenuan sigurinë e rajonit

    Komandanti i KFOR-it: Shtuam 1 mijë trupa, pasi ngjarjet e ndodhura vitin e kaluar në Kosovë cenuan sigurinë e rajonit

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash, në një aktivitet të mbajtur sot ka thënë se ngjarjet e ndodhura gjatë vitit të kaluar në Kosovë e kanë ndikuar negativisht situatën e sigurisë në rajon.

    Ulutuas në fjalën e tij ka thënë se për këtë arsye, NATO ka dërguar 1 mijë trupa shtesë pas tensioneve. Duke folur për batalionin turk, Ulutas ka thënë se ushtarët turq që kanë ardhur në kuadër të forcave shtesë, janë duke thënë kontribut në mënyrë profesionale dhe që do të bëjë ndryshimin.

    Ai gjithashtu ka thënë se ata janë të trajnuar shumë mirë dhe se kjo i jep besim forcës së KFOR-it.

    “Siç e dini, batalioni ynë komando nga Turqia po shërben në fushën e operacioneve si njësi rezervë. Në rastin e batalionit tonë turk, ushtarët tanë po japin një kontribut që do të bëjë ndryshimin këtu në një mënyrë profesionale, shumë të trajnuar. Kjo na jep besim”, ka deklaruar Ulutas.

  • Supremja e kthen në rigjykim rastin e të dënuarit me 8 muaj burgim për dhunimin e 15-vjeçares

    Supremja e kthen në rigjykim rastin e të dënuarit me 8 muaj burgim për dhunimin e 15-vjeçares

    Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarit P.K i ngarkuar me veprën penale “dhunim”e për të cilën vepër ishte dënuar nga Gjykata e Apelit me 2 vite burgim.

    Vendimi i Supremes del të jetë marrë më 16 prill 2024 nga gjykatësit: Mejreme Memaj-kryetare, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi anëtarë raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht Gjykata e Qarkut në Pejë (atëkohë) të akuzuarin P.K e kishte dënuar me 2 vite burgim për veprën penale të dhunimit dënim të cilin Gjykata Apelit e kishte kthyer në rigjykim.

    Tutje, në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore në Pejë me 15 korrik 2021 të akuzuarin P.K e dënon me 8 muaj e 8 ditë burgim dhe sërish Apeli me 6 korrik 2023 çështjen e kthen në rigjykim.

    Pas kthimit në rigjykim sërish nga Apelit, Themelorja në Pejë tash të akuzuarin P.K e dënon me 5 vite e 6 muaj burgim për veprën e njëjtë penale, por tash Apelit ndryshon këtë aktgjykim dhe P.K e dënon me 2 vite burgim.

    Mbi këtë aktgjykim të fundit të Apelit, mbrojtja e të akuzuarit P.K paraqet kërkesë për rishikim të procedurës penale Gjykatës Themelore në Pejë me pretendimin se në çështjen penale ndaj P.K janë paraqitur prova të reja.

    Por kjo Gjykatë refuzon kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit P.K për rishikim të procedurës me arsyetimin se rishikimi i procedurës penale mund të kërkohet vetëm në rastet kur kemi aktgjykim të formës së prerë e i cili sipas Themelores në Pejë nuk ekziston, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dhe del se ky vendim i Themelores në Pejë të jetë i aprovuar edhe nga ajo e Apelit me arsyetimin se vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm andaj Supremja e kthen çështjen në rivendosje Apelit që të vlerësojë saktë kërkesën e mbrojtjes për rishikim të procedurës.

    Por Apeli edhe në rivendosje sërish refuzon kërkesën e mbrojtjes për rishikim por se sipas Supremes nga një vendim i tillë i Apelit rezulton se nuk janë aplikuar udhëzimet se si të veprohet në rivendosje nga ana e Apelit.

    Sipas Supremes në rastin konkret është paraqitur një situatë specifike pasi që bazë për rishikim të procedurës është shkalla e dytë dhe krejt kjo pasi qe sipas ankesës është paraqitur provë e re konkretisht nënshkrimi në ankesën e paraqitur nga pala e dëmtuar ishte i falsifikuar duke nënkuptuar se ankesa është paraqitur nga një person i paautorizuar.

    Përmes ekspertizës së ekspertit S.G del se ankesa e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë ku P.K ishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim nuk është paraqitur nga ana e të dëmtuarës, pra nënshkrimi në ankesë nuk është i palës së dëmtuar.

    Kësisoj sipas Supremes në rigjykim Apeli duhet të shqyrtojë lejueshmërinë e ankesës së paraqitur nga pala e dëmtuar ndaj aktgjykimit të Themelores në Pejë ku i akuzuari P.K ishte dënuar me burgim dhe kjo në raport me ekspertizën e ekspertit të grafologjisë S.G.

    Lidhur me këtë, më 27 tetor 2021, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci kishte kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha që të ndërmarrë veprimet ligjore për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast.

    Për këtë rast, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina.

    Kurse, më pas Kurmehaj, pas vlerësimit të shkresave të lëndës, ka filluar inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores për të mitur, Lirije Morina, përkitazi me rastin e dhunimit të 15 vjeçares.

    Ndërsa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e 270-të të mbajtur më 27 tetor 2021, me dyer të mbyllura, ka marrë vendim për suspendimin e gjykatëses së Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi, e cila shqiptoi tetë muaj e tetë ditë burgim ndaj P.K., për dhunimin e të miturës.

    Këtë vendim e konfirmoi edhe Supremja, me vendimin e marrë më 6 dhjetor 2021, ku rezulton se është refuzuar ankesa e ushtruar nga gjykatësja Zatriqi, ndaj vendimit të KGJK-së për suspendim.

    Por, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 28 prill 2022, ka nxjerrë vendim për degradimin dhe transferimin e përhershëm të gjyqtares Florije Zatriqi, në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin e Kundërvajtjes në kuadër të Gjykatës Themelore në Pejë.

    Ndryshe, Gjykata e Apelit, më 13 mars 2014 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim, për shkak të mosarsyetimit të zbutjes së dënimit ndaj kryesve të veprës.

    Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 26 mars 2012 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari P.K, ngarkohet se në ditë të pacaktuara të muajit janar 2021, në një shtëpi të pabanuar, së bashku me të miturit F.H dhe A.I, kanë kryer dhunimin e të miturës N.N, e moshës 15 vjeçare.

    Sipas aktakuzës, pasi e mitura kishte dalë nga spitali, i pandehuri P. së bashku me të miturin A.I, përmes dhunës e nën kërcënimin e thikës nga i mituri A.I, e kishin dërguar në një shtëpi të pabanuar e pastaj i mituri A.I e kishte thirr të miturin F.H, i cili kishte shkuar në shtëpinë në fjalë dhe aty gjatë tërë natës i pandehuri dhe të miturit kishin kryer veprën penale të dhunimit ndaj të miturës, pastaj e mitura në orët e hershme të mëngjesit, kishte ikur nga shtëpia dhe kishte paraqitur rastin në polici.

    Me këtë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të “dhunimit”, nga neni 193, par.3 pika 5 lidhur me par.4 të KPP, për të cilin parashihet dënimi prej 5 vite deri në 20 vite burgim.

    Lidhur me këtë aktakuzë, fillimisht Gjykata e Qarkut në Pejë më 6 nëntor 2012, e kishte dënuar të pandehurin P.K, me dënim në kohëzgjatje prej 1 viti, kurse ndaj të miturve kishte shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 1 viti.

    Më pas, ky vendim ishte prishur nga Gjykata e Apelit më 13 mars 2014 dhe rastin e kishte kthyer në rivendosje në Gjykatën e Pejës.

    Tutje, në rigjykim, pas veçimit të procedurës ndaj të pandehurit P.K, gjykatësja e çështjes, Florije Zatriqi, me kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Idriz Daci kishte caktuar seancën e rishqyrtimit gjyqësor më 17 korrik 2021, në të cilin ishte prezent, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, mirëpo nuk ishin prezent e dëmtuara, as përfaqësuesi për Mbrojtjen e Viktimave, Rauf Pozhegu, i cili mungesën nuk e kishte arsyetuar.

    Në këtë seancë të rigjykimit, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lirije Morina, i akuzuari është deklaruar fajtor për akuzën që i vihet në barrë.

    Për këtë pranim të fajësisë, gjykatësja e çështjes, të pandehurin e ka gjykuar me 8 muaj e 8 ditë burgim.

    Në arsyetimin e këtij dënimi, gjykatësja nuk kishte gjetur asnjë rrethanë rënduese, mirëpo vetëm rrethana lehtësuese.

    “I akuzuari ka treguar sjellje korrekte gjatë shqyrtimit fillestar, e për më tepër e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për veprën penale që e ka kryer. Tani ka krijuar lidhje jashtëmartesore dhe nga kjo lidhje ka një fëmijë vajzë 4 muajshe, se nga kryerja e veprës kanë kaluar gati 10 vite, si rrethanë lehtësuesi gjykata pati parasysh se në kohën e kryerjes, i akuzuari ka qenë madhor i moshës 21 vjet, e po ashtu karakteristikat personale të akuzuarit se në atë kohë, është shoqëruar me dëshmitarit F.H dhe A.I, të cilët kanë qenë të mitur dhe i ka pasur shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se në rastin e marrëdhënieve seksuale, nuk ka pasur lëndime”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Zatriqi. /BetimipërDrejtësi

  • Kurti për skemën sociale: Heq diskriminimin dhe familjet e varfra mbështeten nga Qeveria

    Kurti për skemën sociale: Heq diskriminimin dhe familjet e varfra mbështeten nga Qeveria

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati morën pjesë në shënimin e fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Kurti gjatë prezantimit të punës së Qeverisë që ai drejton tha se kemi rritje e zhvillim në çdo aspekt të jetës.

    “Qysh në shtator të viti 2021 ndihmuam me shtesat për lehona e fëmijë. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë që përfitojnë nga këto skema. Ndamë mbi 100 milion euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale”, ka thënë Kurti.

    “Si Qeveri nuk u ndalëm por vazhduam me ndihma në disa sektorë. Fokusi ynë ishte reformimi rrënjësor i sistemeve e politikave që ishin keq të dizajnuara. Dizajni i skemës aktuale sociale është diskriminues sepse në momentin që fëmija në një familje mbushur moshën 5-vjeçare atij i është ndërprerë ndihma”,  shtoi tutje ai.

     

  • Haziri thotë se Kurti nuk po guxon ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese

    Haziri thotë se Kurti nuk po guxon ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese

    Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri thotë se kryeministri Albin Kurti nuk ka guxim që draftin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

    “Një kryeministër që nuk guxon ta dërgojë vendimin e vet në Gjykatë Kushtetuese, nuk mund ta dërgojë, nuk guxon”, tha ai.

    “S’po guxon një vendim të qeverisë ta dërgojë në Gjykatë, të ia besojë burrave dhe grave që janë niveli më i lartë i drejtësisë që lidhet me kushtetutën”, shtoi Haziri.

    Ish-kryetari i Gjilanit, kështu u shpreh në një konferencë për media të cilën e mbajti në Zyrat e LDK-së në qytetin të cilin Haziri dikur e udhëhiqte.

  • ​Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK-ja jep detaje nga Plani i veprimit

    ​Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK-ja jep detaje nga Plani i veprimit

    Agjencia e Statistikave e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka falënderuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën.

    Gjithashtu, ASK-ja ka bërë të ditur se tashmë regjistrimi i popullsisë është shtyrë deri më 24 maj, duke dhënë detaje mbi planin e veprimit.

    “Meqenëse regjistrimi i popullsisë në terren, sipas vendimin të qeverisë të datës 21 nëntor 2023 ishte deri më 17 maj 2024, bazuar në kërkesat e disa komunave dhe duke u bazuar në sistemin monitorues që ka ngritur Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) për ta monitoruar ecurinë e procesit, vlerësuam se mund të ketë individë, ekonomi familjare ose edhe ata që kanë refuzuar (për momentin) dhe kërkuam nga qeveria një shtyrje të afatit të regjistrimit të popullsisë (ReKos2024) deri më 24 maj 2024 që është aprovuar nga qeveria”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

    ASK-ja thotë se gjatë kësaj periudhe, regjistrimi do të bëhet në çdo zonë regjistruese (fshat e komunë) të Kosovës dhe do të zhvillohen vetëm nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Po ashtu ASK-ja bën thirrje për qytetarët që nuk janë regjistruar të kërkojnë të regjistrohen, duke inkurajuar ata që t’i kontaktojnë zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

  • I dyshuari për atentat ndaj kryeministrit sllovak del para gjykatës

    I dyshuari për atentat ndaj kryeministrit sllovak del para gjykatës

    Personi i akuzuar për tentim-vrasje të kryeministrit sllovak, Robert Fico, ka arritur të shtunën në gjykatë, e cila do të vendosë për masën e paraburgimit.

    Siç raporton AP, i akuzuari, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeçar, e ka qëlluar me armë Ficon, pas një takimi qeveritar të mërkurën.

    Para gjykatës të shtunën janë parë shumë forca policore.

    Cintula ka shtënë pesë herë me armë kundër Ficos, ndërsa e ka qëlluar katër herë – përfshirë goditjen në abdomen – teksa kryeministri ka qenë në afërsi të mbështetësve të tij, pas takimit qeveritar të zhvilluar në qytezën Handlova.

    Fico është dërguar në spital me helikopter dhe i është nënshkruar një operimi për pesë orë.

    “Nëse do të goditej vetëm disa centimetra më lart, do të goditej mëlçia e kryeministrit”, ka thënë ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok për mediat lokale.

    Fico, i cili është në pushtet prej kur partia e tij popullsite e qendrës, Smer, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit të kaluar, e ka pasur edhe një tjetër operim dyorësh të premten.

    “Pacientit i është kthyer vetëdija, gjendja e tij është stabile, mirëpo është ende në zonën për kujdes intensiv” kanë thënë zyrtarë të spitalit në qytetin sllovak Banska Bystrica.

    Gjykata në Pezinok do të shqyrtojë kërkesën e prokurorit që Cintula të jetë në paraburgim, pasi është akuzuar për tentim-vrasje me paramendim.

  • ​Çitaku: Zgjedhjet më së largu në korrik, koalicioni me LV-në vështirë i mundshëm

    ​Çitaku: Zgjedhjet më së largu në korrik, koalicioni me LV-në vështirë i mundshëm

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në muajin maj në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhje të parakohshme më së largu deri në javën e parë të korrikut. Çitaku paralajmëron se koordinim me partitë opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, derisa thekson se në bazë të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë të vështirë të lidhin koalicion pas zgjedhor.

    Zyrtarja e PDK-së në një intervistë për KosovaPress thotë se zgjedhjet e parakohshme kanë kuptim të mbahen deri në 50 ditët e ardhshme, pasi nëse shkohet nga vjeshta e tutje do të hyhet në cikël normal zgjedhor.

    “Qe nga korriku i vitit të kaluar PDK-ja në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka marrë të mos votojë asnjë nismë ligjore të Qeverisë dhe ka kërkuar që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje. Sigurisht, modeli jonë i preferuar ka qenë dorëheqja apo shkarkimi, mirëpo meqenëse votat na mungojnë për një procedurë të tillë, ne jemi në opsionin të dytë për shpërndarjen e Kuvendit. Ne nuk e kemi monopolin për këtë proces, por ne duam të bashkëpunojmë me parti të tjera opozitare…Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit. Kjo ka kuptim të bëhet deri në fund të qershorit, eventualisht java e parë e korrikut. Pastaj zgjedhjet e parakohshme s’kanë asnjë lloj logjike, pasi nga vjeshta e tutje hynë në cikël normal zgjedhor”, thekson Çitaku.

    Sipas saj, PDK-ja nuk do të bëjë veprime të njëanshme në Kuvend, por do të ketë koordinim me partitë opozitare në mënyrë që mocioni eventual i mos besimit ndaj Qeverisë Kurti të rezultojë i suksesshëm.

    “Ne nuk do të bëjmë veprime të njëanshme. Ne do të vazhdojmë të komunikojmë me kolegët tanë në opozitë dhe shpresojmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të kemi një mocion, i cili do të ishte i suksesshëm. Ne nuk jemi në këtë përpjekje për bajraktarizëm. Ne nuk e kemi bërë tërë këtë përpjekje tash e një vit as për të bërë një fjalim të zjarrtë në Kuvend dhe për të rezultuar me një mocion që dështon. Ne duam që mocioni të jetë i suksesshëm dhe do të bëjmë përpjekje dhe do të vazhdojmë komunikimin me kolegët tanë opozitarë”, thotë ajo.

    Sa i përket koalicioneve pas zgjedhore, Çitaku thotë se është ende herët që ato të diskutohen, por në bazë të qeverisjes aktuale e kanë të vështirë të bashkëpunojnë me partinë në pushtet.

    “Për koalicione flet kandidati ynë për kryeministër Bedri Hamza pas zgjedhjeve. Nuk është koha të flasim për koalicione. Megjithatë, është e qartë se ne duam t’i japim vendit një qeverisje tjetër. Një qeveri që ofron stabilitet, parashikueshmëri, zhvillim, që e ka në qendër qytetarin e Kosovës dhe përmirësimin e jetës së kualitetit të tij, një qeveri që rikthen urat e bashkëpunimit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kam drojën se këtë lloj agjende e kemi vështirë të përmbushim me Lëvizjen Vetëvendosje si partner”, deklaron ai.

    Duke folur për takimin e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, ajo thotë se i njëjti ishte vetëm për t’u dakorduar për zgjedhjet e parakohshme.

    Sipas saj ndryshimi i qëndrimit të PDK-së për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk ka dalë nga ai takim, por ka ardhur si kërkesë e kandidatit për kryeministër të PDK-së Bedri Hamza.

    “Kandidati ynë për kryeministër Bedri Hamza, qe nga fillimi i prillit, menjëherë pas nominimit për kryeministër, ka kërkuar nga PDK-ja që të ndryshojë qëndrim për marrëveshjet ndërkombëtare. Në fund të fundit, ato nuk janë dokumente të qeverisë, por marrëveshje të Kosovës me mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Ka bërë përpjekje serioze dhe këtë e ka bërë të ditur. Pra, qëndrimi jonë për marrëveshjet ndërkombëtare është rezultat i përpjekjeve të Bedri Hamzës që disa procese në parlament t’i përmbyllim dhe mos të humbin kohë në mënyrë që të hapet dera për të shkuar në zgjedhje. Vendimi për marrëveshje ndërkombëtare nuk është i ndërlidhur me takimin e kryeministrit Kurti me kryetarin Krasniqi”, përfundon ajo.

     

  • Ambasadori Hovenier viziton kampin Notting Hill në veri të Kosovës

    Ambasadori Hovenier viziton kampin Notting Hill në veri të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka takuar sot personelin amerikan të dislokuar me Komandën Rajonale në Lindje të Misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Kampin Notting Hill.

    Ai shoqërohej nga Komandanti Rajonal i KFOR-it-Lindje, Kol. Jason Baker, i cili e informoi atë për kontributin e SHBA-së në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

    Baket e ka quajtur këtë një takim produktiv.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), reaguesi i parë dhe i dytë, respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, theksohet në komunikatën e KFOR-it.

  • Vazhdon aksioni i komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave publike

    Vazhdon aksioni i komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave publike

    Inspektorati i Kryeqytetit edhe gjatë së shtunës ka vazhduar me aksion për lirimin e hapësirave publike që ishin uzurpuar dhe po shfrytëzoheshin si pjesë e lokaleve në zona të ndryshme.

    “Një tjetër ndërprerje dhe ndërhyrje nga ana e Inspektoratit të Kryeqytetit ndaj punimeve ilegale në hapësirë publike në qendër të kryeqytetit – Rruga Fehmi Agani”, ka shkruar drejtori i Inspektoriatit Florian Dushi.

  • Qentë endacakë në Prishtinë, një krizë e pazgjidhur nga Komuna e Prishtinës

    Qentë endacakë në Prishtinë, një krizë e pazgjidhur nga Komuna e Prishtinës

    Ani pse Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po dhuron nga 50 euro në muaj për çdo adoptim të qenve endacak, problemi me qentë endacakë vijon të jetë i pazgjidhur. Qytetarët ende nuk kanë sigurinë që të lëvizin lirshëm nga qentë endacak të cilët ndodhen pothuajse në çdo lagje e rrugë të kryeqytetit.

    Deri më tani, miliona euro janë shpenzuar për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, duke krijuar 23 pika ushqyese për strehimin e tyre, blerjen e çipave pas dyshimeve që qentë po vinë nga komuna të tjera, strehimoreve të shumta të premtuara nga çdo kryetar e kryeministër që ka qenë, prapë se prapë ky shihet si proces i dështuar, kjo pasi Policia e Kosovës ka njoftuar KosovaPress-in, se gjatë vitit 2023 numri i sulmeve ndaj viktimave nga qentë endacakë ishte mbi 130.

    Premtime të tilla ka bërë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, duke premtuar se do të hartojë strategjinë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë.

    Po ashtu, Kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, atëherë ka deklaruar se ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës së atëhershme për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë, por, i cili nuk ka marrë përgjigje asnjëherë.

    Edhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë premtime të tilla, por mision i pa përmbushur.

    Në një intervistë të fundvitit në 2023-tën për KosovaPress-in, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka theksuar se Qeveria ka bllokuar ndërtimin e strehimores sepse Ministria e Mjedisit ka kthyer mbrapa vendimin e Komunës duke mos i lejuar të ndërtojnë, sepse nuk ka qenë në plan zhvillimor komunal.

    “Një prej projekteve të dështuara, është projekti i strehimores së qenve endacak, por lidhet me bllokadat e Qeverisë, sepse neve na u kthye prapa. E votuam lokacionin për ndërtimin e strehimores së madhe të qenve endacak, kurse Ministria e Mjedisit e kthen mbrapa vendimin tonë, dhe thotë nuk keni të drejtë me e ndërtuar, sepse nuk e keni të parapamë në plan zhvillimor komunal, i cili në fakt është shkruar në plan zhvillimor në vitin 2013 para 10 viteve, atëherë me të vërtetë nuk është parapa, por tash është emergjencë”, ka thwnw Zogaj.

    Tani, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci ka paralajmëruar se deri në fund të shtatorit të këtij viti në Hajvali është duke u ndërtuar Qendra për Evakuim emergjent, një hapësirë prej tetë hektarësh, në të cilën është ndërtuar edhe qendra e veterinarisë.

    “Jemi duke e krijuar një Qendër për Evakuim Emergjent, është një hapësirë prej tetë hektarësh ku po bëhet rrethoja, pritet që rrethoja të jetë e përfunduar brenda disa ditëve. Aty tanimë veçse është ndërtuar qendra e veterinarisë e cila është pajisur edhe me mekanizmin përkatës, janë angazhuar dy veterinarë dhe mendoj që deri në fund të muajit shtator do e kemi të përgatitur”, ka paralajmëruar ai.

    Ndërsa, Zyrtari për Hapësira Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri ka shtuar se dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptim të qenve endacakë dhe që nga viti 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3 mijë 400 qenë endacakë.

    “Prej vitit 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3.400 mijë qenë endacak. Projekti nuk ka qenë, por është vendim, i cili është nxjerrë prej kuvendit të kryeqytetit, është duke vazhduar, nga java e kaluar veç ka filluar fushata vetëdijësuese për në opinion. Dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptimin e qenve endacak, mirëpo ajo çka është me rëndësi, që jo vetëm kush e kërkon shkojmë dhe t’ia japim, por gjithsesi janë kushtet që duhet plotësuar, disa kushte minimale, që ata nuk guxojnë të shkojnë atje të trajtohen apo të keqtrajtohen në forma të ndryshme, mirëpo të kenë hapësirën e mjaftueshme siç është e paraparë edhe me udhëzim administrativ, mbikëqyrjen, kontrollin, ushqimin, të gjitha këto, në mënyrë që të mos e heqim prej rrugëve dhe të shkon atje të keqtrajtohet në ndonjë formë tjetër. Deri tani janë adoptuar diku mbi 70”, ka shtuar Qorri.

    Gjithashtu, për kufizimin e lëvizjes së lirë nga qentë endacak, janë ankuar edhe qytetarët duke fajësuar Komunën e Prishtinës.

    Qytetari, Vesel Veseli është shprehur se në ditët e sotshme më i vlefshëm është një qen endacak sesa qenia njeri. Sipas tij, është më mirë që ato 50 euro që jep komuna për çdo adoptues në muaj, të u jepet për ndihma sociale e personave me nevoja.

    “Këto janë evidente, sa raste po i kemi që edhe fëminë nënat po i kanë në dorë për t’i mbajtur, po i kafshojnë, plus nxënësat duke shkuar në shkollë po i kafshojnë dhe pengojnë që sa kohë. Ku janë këta, duhet me i qel sytë. Gjejnë arsyetim se unë do të kisha strehuar por po vijnë prej komunave të tjera. Një urdhëresë qeveritare nga lartë në secilën komunë obligo në terrenin e vet ti strehojë këta qenë endacak dhe t’i mbrojë popullatën, fëmijët, pleqtë e invalidët prej tyre. Paskemi ardhë në ditë me qen një qen endacak më i vlefshëm sesa një fëmijë e një prind i joni. Nuk e di a jemi në tokë të bukës në këtë mënyrë apo çfarë. Duhet në masa sa më të shpejta me i lënë këto pallavra, sa më shpejt duhet me i eliminuar ose me i strehuar në vendin e duhur, kush të dëshiron sipas dëshirës le të adopton.50 euro, më mirë është atë buxhet me e hargjuar për ndihma sociale e varfanjakëve me ia dhënë, po më duket absurde se qeni po bëhet më i vlefshëm se njeriu..3:37 Po na kufizohet e drejta e lëvizjes së lirë që na garantohet me kushtetutë e me çdo ligj”, është shprehur Veseli.

    Ndërkaq, Isak Gërguri ka shtuar se habitet nga Komuna e Prishtinës që nuk ndërmerr asgjë për qenët e pastrehë, e sipas tij projekti i 50 euro nuk duhet të bëhet.

    “Çdo vend që dal, shumë më pengojnë dhe më habit rasti pse nuk po ndërmerr komuna diçka për këta qenë. Shumë raste unë i shoh, i sulmojnë fëmijët, është dëm i madh me i lejuar, komuna ka faj aty. Nuk më hyn në kokë ashtu, nuk bën jo 50 po 500 euro me qenë”, ka shtuar ai.