ATV

Author: G.O.

  • Spanca: Në 2023-ën i kemi dërguar 51 raste në Prokurori, dyshimet janë për mashtrim dhe korrupsion

    Spanca: Në 2023-ën i kemi dërguar 51 raste në Prokurori, dyshimet janë për mashtrim dhe korrupsion

    Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca tha se ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese me rezultatet përkatëse. Spanca ka thënë se bashkëpunim kanë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ku nga viti 2018, kanë dërguar mbi 300 raste të dyshuar për mashtrim e korrupsion.

    Ajo tha se duke kryer auditime dhe publikuar 125 raporte të auditimit të fushave financiare/pajtueshmërisë, si dhe të performancës.

    “Gjatë vitit 2023, janë kryer 107 Auditime Financiare dhe të Pajtueshmërisë të pasqyrave vjetore financiare, objektivë e të cilave ishte të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keçdeklarime materiale, si dhe të ofrojmë opinionin e auditimit në lidhje me këto pasqyra. Përveç, opinionit, ne kemi shprehur konkluzionin e auditimit për pajtueshmërinë me legjislacionin e zbatueshëm përkatës. Këto auditime kanë përfshirë të gjitha organizatat buxhetore përfshirë nivelin qendror, nivelin lokal dhe institucionet e pavarura, mandej një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve publike si dhe projektet e financuara nga donatorë siç janë Banka Botërore dhe DEMOS – projekti Helvetas”, tha Spanca.

    Tutje, Spanca ka deklaruar se Raportet e auditimit për vitin 2023 kanë identifikuar mangësi të ndryshme, disa prej të cilave i veçoi para anëtarëve të këtij komisioni.

    “Në Organizatat buxhetore. Cilësia e raportimit financiar ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur për shkak se nga 86 auditimet e pasqyrave vjetore financiare, 33 sosh kishin keq deklarime materiale të cilat kanë rezultuar me opinion të modifikuar/kualifikuar. Ndërsa 53 të tjera kanë rezultuar me opinion të pamodifikuar. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar cilësia e raportimit financiar është përmirësuar për shkak se në vitin 2022 janë 13 organizata buxhetore më pak të cilat kanë marrë opinion të modifikuar. Prezantimi i saktë dhe i plotë i informatave financiare e rrit besueshmërinë e lexuesve ndaj raportimit financiar. Përveç këtyre, ZKA ka evidentuar çështje që lidhen me kontrollet dhe menaxhimin financiar si: Planifikim dhe realizim të buxhetit, rritje e llogarive të arkëtueshme, detyrimet e papaguara dhe kontigjente, pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe pasuritë jo financiare”.

    “Te Ndërmarrjet Publike-Cilësia e raportimit financiar edhe pse krahasuar me vitin e kaluar është përmirësuar, ende vazhdon të mos jetë në nivelin e pritur. Nga 11 auditimet e pasqyrave financiare të këtyre ndërmarrjeve, vetëm tek 1 është dhënë opinion i pamodifikuar, ndërsa tek 10 të tjera opinion i modifikuar (7 të kualifikuar dhe 3 të kundërta).

    Punë të mirë, Spanca ka thënë se po bëjnë edhe në adresimin e rasteve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2023, kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale

    “Në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA edhe gjatë vitit dhe 2023 fokus të rëndësishëm i ka  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve më mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. Nga rezultatet e nxjerra në vitin 2023, kemi dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe 3 raporte të auditimit në tërësi. Ndërsa, nga viti 2018 kemi dërguar ne Prokurori te Shtetit, mbi 300 raste me dyshime për mashtrim e korrupsion. Nga gjithsejtë këto raste, nga Prokurori i Shtetit në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit kemi pranuar informata kthyese për 143 raste ( raste janë për vite të ndryshme). Sipas këtyre informatave: janë ngritur vetëm 3 aktakuza, 81 raste janë në proces të hetimit (pra janë ndërmarrë veprimet hetimore) dhe për 59 raste me raport të Prokurorit rastet janë mbyllur”.

  • Osmani përkujton masakrën e Stagovës, thotë se s’do të ndalen për vendosjen e drejtësisë

    Osmani përkujton masakrën e Stagovës, thotë se s’do të ndalen për vendosjen e drejtësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të ndalen në angazhimin e tyre për vendosjen e drejtësisë për ata që kanë kryer masakra në luftën e fundit në Kosovë.

    Këtë, ajo e ka thënë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, teksa ka përkujtuar 25 vjetorin e masakrës së Stagovës së Kaçanikut.

    “25-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit. Në këtë ofensivë barbare, forcat kriminale shkatërruan 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati atëkohë. Ende askush nuk është dënuar për këtë krim makabër, ndaj nuk do të ndalemi në angazhimin për vendosjen e drejtësisë dhe për të pasur kuptim liria jonë”, ka thënë Osmani.

  • Toni Kroos njofton tërheqjen nga futbolli

    Toni Kroos njofton tërheqjen nga futbolli

    Toni Kroos ka njoftuar tërheqjen e tij pas dhjetë vitesh në Real Madrid përpara finales së Ligës së Kampionëve të klubit të tij në “Wembley” muajin e ardhshëm. Reprezentuesi gjerman është gati të tërhiqet plotësisht nga futbolli dhe lajmin e ka thënë përmes një postimi në Intsagram.

    34-vjeçari tha se ishte ‘i lumtur dhe krenar’ që gjigantët spanjollë ishin ‘klubi i tij i fundit’ dhe theksoi dëshirën e tij për të përfunduar me një fitore kundër Borussia Dortmundit në kompeticionin kryesor evropian.

    “17 korrik 2014 – dita e nisjes së raportit tim në Real Madrid, dita që ndryshon kohën e jetës. Jetën ime si futbollist, por sidomos si person. Ishte fillimi i një kapitulli të ri në klubin më të madh në botë. Pas 10 vitesh, në fund të sezonit ky kapitull merr fund”, ka shkruar fillimisht Kroos, përcjellë KosovaPress.

    “Kurrë nuk do ta harroj atë kohë të suksesshme! Veçanërisht dua të falënderojë të gjithë ata që më pritën me zemër të hapur dhe më besuan. Por do të doja t’ju falënderojë, juve madrilenë, për dashurinë tuaj nga dita e parë deri në të fundit. Njëkohësisht ky vendim që karriera si futbollist aktiv të mbyllet do të jetë pas kampionatit evropian”.

    “Jam i lumtur dhe krenar, që në mendjen time gjeta kohën e duhur për vendimin tim dhe që mund ta zgjidhi vetë. Ambicia ime ishte gjithmonë të përfundoja punën në kulmin e nivelit të performancës sime. Tani e tutje ka vetëm një mendim kryesor, trofeun e 15 të Ligës së Kampionëve! HALA MADRID Y NADA MAS! ”, ka shkruar Kroos.

  • Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

    “Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, tha Clanton.

    Prokurorja tha se dëshmiari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.

    Dëshmitari tha se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, më 1999-ën, ai tha se ka qenë major.

    Po ashtu, Klaus-Jensch pohoi se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

    Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Gili feston sot ditëlindjen, mbush 58 vjet

    Gili feston sot ditëlindjen, mbush 58 vjet

    Këngëtarja e njohur kosovare, Gili feston sot ditëlindjen.

    Ajo ka mbushur plotë 58 vite jetë.

    Gili ka një karrierë shumë të bujshme në skenën e muzikore, debutimin e saj në muzikë e bëri qysh në vitin 1980.

    Ajo është e martuar me Ilir Beranin dhe është nënë e dy fëmijëve, Roberit dhe Redonit.

  • Bullgaria sot dërgon 100 ushtarë në Kosovë

    Bullgaria sot dërgon 100 ushtarë në Kosovë

    Bullgaria do të nisë një kontingjent prej rreth 100 ushtarësh në Kosovë, në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR) për mbështetjen e paqes, posaçërisht pas tensioneve midis Kosovës e Serbisë.

    Ndërsa në ceremoninë që do të fillojë në orën 11:00 në sheshin “Georgi Izmirliev” në Blagoevgrad, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë.

    “Rreth 100 pjesëtarë të shërbimit ushtarak, kryesisht nga Komanda e Brigadës së 3-të në Blagoevgrad, do të dislokohen për operacionet e Forcës së NATO-s në Kosovë.

    Kontingjenti i Bullgarisë do të angazhohet në aktivitete që synojnë të mbështesin përpjekjet për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, raportoi agjencia bullgare e lajmeve “Novinite”.

  • Arrestohet një gjykatës i Supremes në Shkup, dyshohet për ryshfet

    Arrestohet një gjykatës i Supremes në Shkup, dyshohet për ryshfet

    Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme, i cili u arrestua të hënën mbrëma nën dyshimin se kishte marrë rreth 10.000 euro ryshfet.

    “Gjyqtari është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB ) në një komunikatë.

    Sipas Policisë, gjykatësi Naqe Georgiev dyshohet për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

    Ai dyshohet se kishte premtuar masa lehtësuese në një procedurë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike.

    Këshilli Gjyqësor – që është organi më i lartë gjyqësor për emërimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve – ia hoqi imunitetin Georgievit dhe e miratoi kërkesën për futjen e tij në paraburgim.

    “Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RSM-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.

    Arrestimi i gjykatësit të Supremes ndodhi në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për gjyqësor të korruptuar dhe joefikas.

    Përbërja aktuale e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 6 shtator 2023 kishte miratuar ndryshimet në Kodin Penal që çuan në lirimin nga ndjekja penale si dhe uljen e dënimit të dhjetëra ish zyrtarëve të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale.

    Sipas hulumtimit të opinionit Publik nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm një për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në pushtetin gjyqësor./REL/

  • Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit, Policia po i heton rastet

    Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit, Policia po i heton rastet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar dy raste të vdekjeve që kanë ndodhur në 24 orët e fundit.

    Një rast ka ndodhur në Gjilan, ku një burrë ka raportuar se derisa ka qenë në oborrin e shtëpisë, viktimës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte në oborr, viktimës i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe të njëjtin e kishte transportuar në Spitalin e Gjilanit. Nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti ka arritur pa shenja jete”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Ndërkohë një rast tjetër ka ndodhur në Dragash.

    “Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Ministri kroat i mbrojtjes: Situata në Kosovë nuk është ajo që do të donim të ishte, shpresoj që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit

    Ministri kroat i mbrojtjes: Situata në Kosovë nuk është ajo që do të donim të ishte, shpresoj që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit

    Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, dërgoi dje në mënyrë ceremoniale kontingjentin e 41-të të Forcave të Armatosura Kroate (HRVCON) në operacionin paqeruajtës të KFOR-it në kazermën e Brigadës së Parë të Gardës Tigrat në Zagreb, duke vënë në dukje se kontingjentet e mëparshme, me gjithsej 1,888 ushtarë, u vlerësuan si të shkëlqyera.

    Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor. Ai përbëhet nga 131 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, nga të cilët tetë janë gra, të cilat do të zëvendësojnë kontingjentin e 40-të, transmeton Hina.

    Anushiqi në një fjalim tha se para disa muajsh ka vizituar kontingjentin e 40-të në Kosovë dhe ka theksuar se ushtria dhe ushtarët tanë janë gjithmonë në gjendje të mirë dhe ndër më të mirët. Ai shprehu besimin se ky kontingjent do ta bëjë sërish.

    Ai u ka theksuar ushtarëve se duhet të mbajnë uniformat dhe shenjat e ushtrisë fitimtare dhe ka thënë se është i sigurt se do ta kryejnë me nder misionin në të cilin do të caktohen së shpejti.

    Në një prononcim për media, ai ka thënë se situata në Kosovë dhe rrethinë “nuk është ajo që do të donim të ishte” dhe se është “jo e kënaqshme dhe jo e mirë”.

    “Nëse situata do të ishte e mirë, nuk do të duhej të dërgonim forca të armatosura në misionin e KFOR-it, shpresojmë që NATO dhe forcat e NATO-s dhe KFOR-it të arrijnë ta stabilizojnë situatën, që të mos ketë tepricë dhe të mos ketë zgjerim të dhunës”, tha ai.

    Ai shtoi se ka pasur disa situata që “ishin kufitare”.

    “Të gjitha ato situata janë shkaktuar nga pala serbe. Për këtë arsye është e nevojshme të ruhet rendi dhe qetësia në atë zonë. Prania e kontingjentit kroat dhe të gjithë atyre që janë në Kosovë sigurisht që na jep të drejtë të mendojmë se siguria në Kosovë do të ruhet”, tha Anushiq.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se lufta është fjalë e vështirë sepse luftë nuk do të ndodhë, duke thënë se për këtë janë forcat tona – për të ruajtur paqen.

    “Ne jemi një ushtri e gatshme për parandalim, nuk po përgatitemi për asnjë sulm dhe luftë, por për parandalim, duhet të jemi të fortë dhe të fortë për të penguar këdo që mendon se mund të përsërisë vitin 1991 dhe kur flasim konkretisht për Kosovën, sinqerisht shpresoj… edhe në Bosnje-Hercegovinë, që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit”, theksoi Anushiq.

    Operacioni i NATO-s KFOR u krijua me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 10 qershor 1999 dhe detyrat kryesore të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë janë parandalimi i ripërtëritjes së armiqësive, ndërtimi i një mjedisi sigurie. , për të mbështetur përpjekjet humanitare ndërkombëtare, për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve të lidhura dhe për të mbështetur zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

    Presidenti Zoran Milanoviç duhej të ishte në ceremoninë e lamtumirës për ushtarët kroatë, por ai e anuloi mbërritjen e tij një orë më parë për shkak të “detyrimeve të paparashikuara”, njoftoi zyra e tij. Në vend të kësaj, Milanoviç dërgoi këshilltarin e tij mbrojtës Ivica Olujiq.

  • Qeveria mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Qeveria mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, duke filluar nga ora 10:00.

    Në rend dite në mbledhjen e sotme janë 16 pika.

    Qeveria sot do të shqyrtojë nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime sociale me qeverinë e Turqisë.

    Po ashtu qeveria do të shqyrtojë projektligjin për Ratifikimin e Amandamendtimit nr.2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian.

    Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe projekt-rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu do të bëhet shqyrtimi i Darftit të Raportit për Vlerësimin ex-Post të Ligjit për Kundërvajtje.

    Ndër të tjera, Qeveria do të shqyrtojë propozim-vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në Ministrinë e Zhvillimit Rural.

    Në rend të ditës së mbledhjes së nesërme të Qeverisë është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndarje të mjeteve buxhetore për realizimin e projketit përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Komebeve të Bashkuara.

    Qeveria gjithashtu do të shqyrtojë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për “The Kosova American Fund” me qëllim të propovimit të vendit.