ATV

Author: G.O.

  • Meta takon Pahorin në Ljubljanë: Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht marrëveshjet, rruga e vetme drejt normalizimit

    Meta takon Pahorin në Ljubljanë: Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht marrëveshjet, rruga e vetme drejt normalizimit

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar në Ljubljanë ish-presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

    Në njoftimin e bërë në Facebook, Meta ka treguar se kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve përmes BE-së dhe ShBA-së.

    Postimi i plotë:

    I lumtur të mirëpritesha në Ljubljanë, nga Presidenti vizionar Borut Pahor, avokat i paepur i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Vlerësova se Forumi Strategjik i Bledit dhe Procesi i Brdo-Brijunit mbeten dy platforma të shkëlqyera që na përafrojnë më shpejt me BE dhe se reformat e vërteta dhe të vendosura në këtë drejtim do të luajnë rolin e forcës kryesore shtytëse për shoqëritë tona, për të përmirësuar standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, llogaridhënies në çdo nivel dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe standardeve shoqërore. Ndamë qëndrimin për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve. Mbështetemi shumë tek Sllovenia dhe vlerësojmë se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë miq meritojnë rezultate shumë konkrete në nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

  • “Ministër dil nënshkruaje”, QIKA kërkon nga Murati heqjen e taksës për pecetat menstruale

    “Ministër dil nënshkruaje”, QIKA kërkon nga Murati heqjen e taksës për pecetat menstruale

    Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, heqjen e taksës për pecetat menstruale.

    Në këtë aksion, kjo Qendër ka dorëzuar peticionin me 7 mijë e 500 nënshkrime për heqjen e taksës prej 18 për qind për këto peceta.

    Përfaqësuesja e QIKA-s, Medina Dauti, theksoi se pasojat ekonomike e taksës për peceta prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra të cilat janë veçanërisht te goditura.

    “Ministër dil nënshkruaje! Sot, ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks” për t’ia kujtuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës që vitin e kaluar kanë kërkuar heqjen e taksës prej 18% për produkte menstruale. Simbolikisht, ia sollëm edhe vendimin që Murati do të duhej të kishte vetë guximin dhe vullnetin që ta hartonte. Taksimi i produkteve menstruale është seksist. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik te grave dhe të gjithë personave që menstruojnë. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si te tilla nuk mund te taksohen”, tha Dauti.

    Ajo shtoi se përkundër kërkesave të aktivisteve feministë për heqjen e taksës, Murati nuk e tha as edhe një fjalë në publik për këtë çështje.

    “Ministër, nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston. QIKA beson se taksa e cila thellon pabarazitë gjinore ekzistuese ishte antikushtetuese dhe e kundërligishme, andaj duhet te largohet menjëherë. Arsyetimin politik, bazën ligjore, lapsin, të gjitha i ke këtu. Ministër merre guximin e dil nënshkruaje vendimin”, tha ajo.

    Sipas kësaj organizate, qasja në produkte menstruale është e drejtë bazike, jo privilegji.

  • Tejkaloi lejen e ndërtimit, Inspektorati vendos për rrënimin e një objekti në lagjen ‘Arbëria’

    Tejkaloi lejen e ndërtimit, Inspektorati vendos për rrënimin e një objekti në lagjen ‘Arbëria’

    Ka filluar sot rrënimi dhe evitimi i tejkalimeve të lejes ndërtimorë të bëra nga ana e palës konform vendimit të Inspektoratit të kryeqytetit në një ndërtim në lagjen Arbëria.

    Kështu thuhet në një postim të bërë në rrjetin social në Facebook të faqes “Kryeqyteti Prishtina”.

    Në postim thuhet po ashtu se inspektorati i Kryeqytetit vazhdimisht do të bëjë përcjelljen e rrënimit deri në përmbarimin e plotë të aktvendimit për rrënim të lëshuar nga inspektorët kompetent të kryeqytetit.

    “Pas pranimit të ankesave dhe inspektimeve në terren nga ana e Inspektoratit të Kryeqytetit, ka filluar rrënimi dhe evitimi i tejkalimeve të lejes ndërtimore të bëra nga ana e palës konform vendimit të Inspektoratit të Kryeqytetit në një ndërtim në lagjen Arbëria.
    Inspektorati i Kryeqytetit vazhdimisht do të bëjë përcjelljen e rrënimit deri në përmbarimin e plotë të aktvendimit për rrënim të lëshuar nga inspektorët kompetent të kryeqytetit”, thuhet në postim.

  • Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosin ta njohin Palestinën si shtet

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosin ta njohin Palestinën si shtet

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur.

    Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.

    Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.

    Këto tri vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.

    I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.

    Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.

    “Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe arabe”, tha ai.

    Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.

    Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

    “Terrori është kryer nga Hamasi [i shpallur grup terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja] dhe nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, dhe nga shteti i Izraelit”, tha lideri i Qeverisë norvegjeze.

    “Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur”, tha ai.

  • Presidentja Osmani kujton Masakrën e burgut të Dubravës

    Presidentja Osmani kujton Masakrën e burgut të Dubravës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e Masakrës së burgut të Dubravës, ka thënë se pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politikë dhe i plagosi 300 të tjerë.

    Osmani ka thënë se kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.

    “25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, ka shkruar Osmani.

  • Turma të mëdha mblidhen në Teheran për ceremoninë e varrimit të Raisit

    Turma të mëdha mblidhen në Teheran për ceremoninë e varrimit të Raisit

    Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran të mërkurën për të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri më 19 maj.

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpalli pesë ditë zie, i udhëhoqi ceremonitë, të cilat nisën në Universitetin e Teheranit në qendër të kryeqytetit, ku u mblodhën mijëra njerëz duke mbajtur në dorë portrete të Raisit.

    “O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin. Njerëzit u afruan për t’i prekur arkivolet, afër të të cilave qëndronte presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhaber.

    Arkivolet e Raisit dhe viktimave të tjera të rrëzimit të helikopterit u sollën në Teheran me nderime më 21 maj. Ato u mbështjellën me flamuj iranianë dhe mbi to u vendosën fotografitë e tyre. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejt nga Profeti Muhamed.

    Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe disa personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe një delegacion nga udhëheqësit talibanë të Afganistanit, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.

    Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pa gjatë transmetimit drejtpërdrejt duke marrë pjesë në ceremoni gjithashtu.

    Irani e ka armatosur dhe mbështetur Hamasin gjatë luftës së tanishme me Izraelin në Rripin e Gazës.

    I pranishëm ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani.

    Raportohet se turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.

    Ceremonitë e varrimit nisën më 21 maj në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, ku morën pjesë mijëra njerëz.

    Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm./REL/

  • Haradinaj: Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb

    Haradinaj: Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Dubravës të 22 majit të vitit 1999.

    Haradinaj ka thënë se kjo masakrës si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik.

    “Nga 19 e deri më 22 maj 1999, shteti serb kreu një akt të përgjakshëm dhe të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë. Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar.

    “Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën “22 Maji” në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012. Edhe pse këto masakra janë nga ngjarjet më të dokumentuara, me emër e mbiemër, askush nuk është gjykuar për krimet e kryera. Ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar”, është shprehur Haradinaj.

  • Vdes një burrë në QKUK, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Vdes një burrë në QKUK, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Policia e Kosovës njoftoi se një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, si pasojë e lëndimeve që mori pasi ra nga lartësia e vendit ku po punonte.

    “Novobërdë 21.05.2024-10:25. Raportohet se viktima mashkull kosovar gjersa ka qenë duke punuar në një shtëpi është rrëzuar nga çatia. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në QKUK ku ka ndërruar jetë”, thuhet ne raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Pejë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Pejë

    Një grua është gjetur e vdekur dje në Pejë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, derisa hetimet për vdekjen e saj kanë nisur.

    “Pejë 20.05.2024-NN. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante ku mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron viziton sot Tiranën.

    Ai do të zhvillojë takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, për të diskutuar për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Pas takimit me Ramën, është parashikuar një konferencë e përbashkët në orën 12:50. Në orën 14:30, diplomati britanik do të takohet me Begajn.

    Sërish në fokus do të jetë ndalimi i emigracionit të paligjshëm, thuajse dy vite pas arritjes së marrëveshjes për kthimin e menjëhershëm të qytetarëve shqiptarë ilegalë nga Britania e Madhe.

    Cameron do të shpallë po ashtu një program për anti-korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar për sistemin gjyqësor, e cila do t’i shërbejë të dyja vendeve.

    Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar do të vijojë mbështetjen për forcat e Policisë shqiptare, në kuadër të zbatimit të reformave për vendin tonë.

    Disa ditë më parë, kryeministri Rama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak për raportet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Anglisë.

    Britania ka njoftuar një plan ndërkombëtar, në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, pjesë e të cilit janë bërë 19 shtete.