ATV

Author: G.O.

  • Konjufca e quan të paqëllimshëm përplasjen e Osmanit me Qeverinë

    Konjufca e quan të paqëllimshëm përplasjen e Osmanit me Qeverinë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar si të paqëllimshëm, moskordinimin e Qeverisë me presidenten Vjosa Osmani, rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Pas letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i kishte dërguar KiE-së, se do ta dërgojnë në fund të majit një draft-statut për Asociacionin, kishte reaguar presidentja Osmani, për mos koordinim me të.

    Por, sipas kreut të legjislativit, përplasja ka ardhur për shkak se e para e shtetit ka qenë jashtë vendit dhe qeveria, përkatësisht MPJD-ja, nuk kanë arritur ta informojnë Osmanin me kohë.

    “Kuvendi, Presidenca, unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur me ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte  në ShBA e për shkak të largësisë me siguri. Jo çdo hollësi e cila  ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe koordinohet, pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëj diçka te qëllimshme kundër Presidentes. Ka qenë thjeshtë teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësi që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndaj të gjitha me Presidencën, dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj. E keni parë e ky reagim vjen me siguri si pasojë e asaj që ata kane menduar që çdo hollësi do duhej të ishte ndarë”, theksoi Konjufca.

    Kreu i Kuvendit ka folur edhe për kritikat që shefi i EULEX-it ia bërë institucionit që ai drejton për mos kalimin e raportit vjetor për vitin 2022 të institucionit të Avokatit të Popullit.

    “Kjo ka ndodh për shkak se mazhoranca konstatoi që raporti ishte i paplotë, deputet kishin secili vërejtjet e tyre në përgjithësi një numër i madh i deputetëve nga ana e mazhorancës herë pas here e kanë kritikuar institucionin e avokatit të popullit. Unë dua të rezervohem nga ajo, nga mendimet e mia për avokatin e popullit sepse këtë deklaratë po e jap në cilësinë e kryetarit të parlamentit. Zyra e avokatit është e ndarë prej institucioneve tjera, është zyrë e pavarur e cila do duhej ta kryente punën e vet, por në anën tjetër edhe gjithçka që kemi, mendoj që duhet të dëgjohet më mirë prej avokatit të popullit edhe kur ne japim kritika si deputet po prej institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

  • Memli Krasniqi mban sot konferencë për media

    Memli Krasniqi mban sot konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, mban sot konferencë për media.

    Në njoftimin e PDK-së thuhet se konferenca do të nisë në orën 14:30.

    “Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mban sot (e mërkurë), konferencë për media.Vendi: Partia Demokratike e Kosovës. Koha: 14:30″, thuhet në njoftim.

  • Konfirmohet rimeçi mes Usyk dhe Furyt, kjo është data dhe vendi

    Konfirmohet rimeçi mes Usyk dhe Furyt, kjo është data dhe vendi

    Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të zhvillojnë rimeçin e tyre, pas duelit të parë të zhvilluar këtë muaj.

    Ndeshja e Tyson Furyt me Oleksandr Usyk do të zhvillohet më 21 dhjetor në Riad, ka njoftuar kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit të Arabisë Saudite, Turki Alalshikh.

    Usyk doli fitimtar nëpërmjet vendimit të ndarë kur rivalët u takuan në fillim të këtij muaji për t’u bërë kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda që nga Lennox Lewis në 1999.

    Ishte publikuar mirë në fillim të luftës se kontrata Fury-Usyk përfshinte një klauzolë rimeçi.

    Duke shkruar në mediat sociale të mërkurën, Alalshikh tha: “Revanshi… është planifikuar tani më 21 dhjetor 2024 gjatë sezonit të Riadit. Bota do të shikojë përsëri një tjetër luftë historike. Përkushtimi ynë ndaj tifozëve të boksit vazhdon. Shpresojmë që t’ju pëlqejë”.

  • Erdogan kritikon ashpër OKB-në për luftën në Gazë

    Erdogan kritikon ashpër OKB-në për luftën në Gazë

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër Kombet e Bashkuara dhe i bëri thirrje “botës islamike” të reagojë pas sulmeve të fundit vdekjeprurëse izraelite në Gazë.

    “OKB-ja nuk mundet ta mbrojë as stafin e vet. Çfarë po prisni që të veproni? Shpirti i OKB-së është i vdekur vdekur në Gazë”, tha Erdogan para ligjvënësve të partisë së tij, AKP, më 29 maj.

    Deklaratat e Erdoganit vijnë në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet për të diskutuar për sulmet e fundit të Izraelit në një kamp në Rafah.

    Sulmi i fundit në një kamp në perëndim të Rafahut të martën la të vrarë 21 persona, sipas zyrtarëve të Mbrojtjes Civile në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Po ashtu, të dielën u vranë dhjetëra persona në një kamp në Rafah.

    Presidenti turk po ashtu kritikoi shtetet me shumicë myslimane për dështim që të marrin një veprim të përbashkët sa i përket sulmeve izraelite.

    “I kam disa fjalë që dua t’ia them botës islamike: çfarë po prisni që të merrni një vendim të përbashkët”, tha Erdogan.

    “Izraeli nuk është vetëm kërcënim për Gazën, por për gjithë njerëzimin”, shtoi ai.

    Sipas presidentit turk, asnjë shtet “më nuk është i sigurt pasi që Izraeli nuk respekton ligjin ndërkombëtar”, duke përsëritur akuzën e tij se Izraeli po kryen “gjenocid” në Gazë.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, Erdogan vazhdimisht ka kritikuar Izraelin për veprimet në këtë territor palestinez.

    Erdogan po ashtu ka thënë se nuk e konsideron Hamasin organizatë terroriste dhe sipas tij, por sipas tij është një grup luftues për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave palestineze./REL/

  • ​Bordi i Trustit pa anëtarin nga Sindikatat, Hoti: Qeveria Kurti po nëpërkëmbë të drejtat sindikale

    ​Bordi i Trustit pa anëtarin nga Sindikatat, Hoti: Qeveria Kurti po nëpërkëmbë të drejtat sindikale

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Avdullah Hoti ka deklaruar se mosemërimi për gati një vit i një anëtari nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit.

    Ish-ministri Hoti ka shkruar në Facebook se të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi.

    “Mos emërimi për gati një vit i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit. Të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi. Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë. Fillimisht, Trusti u la pa bord për disa muaj, ku për pasojë miliarda euro mbetën pa menaxhim adekuat. Kur u emërua bordi para gati një viti, nuk u përfshi edhe anëtari nga sindikatat. Arsyet që u dhanë për këtë ishin se asnjëri nga aplikantët nuk i plotësonte kushtet ligjore. Nga ajo kohë nuk është rishpallur konkursi”, ka shkruar ai.

    Ai ka shtuar se: “Kjo neglizhencë nuk ka si të mos jetë e qëllimshme”.

  • Suedia i jep ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh

    Suedia i jep ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh

    Qeveria e Suedisë njoftoi më 29 maj për paketën më të madhe të saj të ndihmës ushtarake që i ka ofruar Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj.

    Paketa, e 16-ta që nga nisja e luftës, është në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh.

    Ndihma suedeze përfshin avionë vëzhgues dhe të kontrollit, me qëllim që të forcohen aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha Qeveria suedeze përmes një njoftimi më 29 maj.

    Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Suedia i ka ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 4.1 miliardë dollarësh.

    Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia si dhe Norvegjia, braktisën politikën e tyre të mosangazhimit ushtarak duke u anëtarësuar në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s./REL/

  • Lansohet projekti për politikat e përgjegjshme gjinore, kërkohet barazi në ndarjen e punëve mes burrave dhe grave

    Lansohet projekti për politikat e përgjegjshme gjinore, kërkohet barazi në ndarjen e punëve mes burrave dhe grave

    UNFPA dhe Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm kanë bërë lansimin e projektit “Më shumë zgjedhje: Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen për sektorin privat në Kosovë – Faza 2”, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, theksoi se sot po zyrtarizohet nisja e fazës së dytë të një projekti me rëndësi të madhe.

    Kreu i legjislativit, tha se agjenda e drejtë është agjenda e bazuar mbi principin e ndarjes së barabartë në familje.

    “Ndarja e pabarabartë e punës në kurriz të grave dhe vajzave ua merr kohën që u takon, e që është këputje e karrierës, kreativitetit e prodhimit”, ka thënë Konjufca.

    Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se qeveria aktuale është duke punuar në zgjidhjen e barazisë gjinore, njohjen e punës së gruas në familje dhe ndryshimin e legjislacionit të lidhur me këto çështje.

    “Sot dua të theksoj se kjo ngjarje i dedikohet ditës ndërkombëtare të familjes. UNFPA është partner i vazhdueshëm, meqë edhe emri i tij si i tillë prej shtyllës kryesore siç është familja. Duke lehtësuar dhe rishpërndarjen e barrës në familje, e dimë se gratë shpenzojnë tri orë më shumë në ditë në kujdes ndaj familjes. Ligji i ri i punës do të përfshijnë këtë barazinë, pushimin prindëror dhe natë të kujdestarisë. Aktualisht jam pjesë e një qeverie që promovon vlera barazie, ku kemi shtuar shtesat për femijë, sigurimi i bursave për vajzat në teknologji dhe informacion përmes buxhetit ka filluar edhe zbatimi i planit për banim social dhe rritjen e qendrave publike për kujdes ndaj fëmijëve”, theksoi ajo.

    Mulhaxha-Kollçaku tha se sipas agjendës së qeverisë, aktuale janë duke u ndryshuar disa ligje.

    “Projekti që po e lajnsojmë sot nuk do ishte e mundur pa ndihmën e miqëve tanë, fondi i kombit amerikan dhe atij austriak. Direktiva rrjedh nga agjenda globale për pranimin e përfshirjes sociale në të cilën jemi të kushtuar ne si Kuvend, po e provojmë rëndësinë qe ka ky projekt. Institucionet tona kanë treguar vendosmëri për adresimin e çështjeve problematike si pabarazia gjinore në tregun e punës dhe balancinë punë-jetë, ajo qe mbetet ende sfidë është implementimi që kërkon bashkëpunim mes institucioneve publike dhe atyre private, e kam bindjen që ky projekt do shërbej si inkurajim për gjithë punonjësit t’i zbatojnë këto politika në vendin e punës prej së cilave fitimi është i dyanshëm”, shtoi Mulhaxha-Kollçaku.

    Ndërsa, Sandra Horina, shefe e zyrës austriake për zhvillim, tha se janë të lumtur me përkushtimin politik për që të ndiqen reforma legjislative në këtë fushë.

    “Ne jemi mbledhur këtu për shkak se ekziston 20% e grave të këtij vendi marrin pjesë në bendin e punës ndërsa në rajon 40%, e për dallim në Kosovë populli jeton 60% në zona rurale, e dimë që politika familjare ndikojnë në ato zona të ndikuara nga varfëria. Ato gra duhet të marrin vendim nëse duan të marrin pune ose të kujdesen për familjen, shpresojmë që me këtë projekt do ecim para ne këtë drejtim. 7 kompani kanë qenë, një prej tyre është gjirafa dhe disa t’i dalënderoj për politikat e tyre ndaj familjes”, tha Horina.

    Kurse, Visare Mujko-Nimani, shefe e zyrës se UNFPA-së në Kosovë, tha se duke adresuar normat e ndryshme shoqërore mund të ç’rrenjosim sterotipet mes burrit dhe gruas brenda familjes.

    “Gratë shpenzojnë tri herë më shumë se burrat në kujdesin familjar. Për fat të mirë qeveria e njeh rëndësinë e harmonizimit të kësaj çështje, vlerësojmë lartë përgjigjen pozitive të Kuvendit ndaj kësaj çështje, me këtë harmonizim forcohen lidhjet e kosovës me kornizën evropiane”, tha ajo.

    Në hollin e Kuvendit u shfaq një ekspozitë e ndërlidhur me temën e trajtuar në këtë projekt.

  • MAShTI ndanë 150 mijë euro për punën hulumtuese të profesorëve

    MAShTI ndanë 150 mijë euro për punën hulumtuese të profesorëve

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka ndarë 150 mijë euro për hulumtime shkencore për profesorët universitar. Nga kjo shumë, stafi akademik i universiteteve publike mund t’i fitojë nga 10 mijë euro për secilin grand që paraqesin.

    Ministrja Arbërie Nagavci thotë se MAShTI është e përkushtuar që ta rrisë prodhimin shkencor në Kosovë. Për këtë, ajo tha se ka marrë një varg masash e veprimesh, duke synuar që ta bëjë hulumtimin pjesë të kulturës së punës në universitetet publike.

    “Të gjithë profesorët që kanë kontratë të rregullt pune me universitetet publike si staf akademik mund të fitojnë 10 mijë euro grant për ta aplikuar hulumtimin në procesin e punës. Thirrja për aplikim në këto grante tashmë është publikuar, dhe qëndron e hapur deri sa të jepen 15 grante 10 mijë Euro secili”, deklaroi ministrja Nagavci.

    Ajo me këtë rast i fton profesorët e universiteteve publike, të aplikojnë me ide kreative dhe të guximshme për mësimdhënie të bazuar në hulumtim. “Ju siguroj se 15 më të mirët prej jush do ta fitojnë grantin me 100% meritokraci”, ka shkruar ministrja e Arsimit.

  • Sulmet izraelite vrasin të paktën 37 palestinezë në Gazë

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 37 palestinezë në Gazë

    Granatimet dhe sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 37 persona, shumica të strehuar në tenda, jashtë qytetit jugor të Gazës, Rafah, gjatë natës dhe të martën, thanë dëshmitarët, punëtorët e emergjencës dhe zyrtarët spitalorë.

    Sulmet u kryen në të njëjtën zonë ku ndodhën sulmet ajrore që shkaktuan një zjarr vdekjeprurës ditë më parë në një kamp të të zhvendosurve palestinezë, raporton Associated Press.

    Zjarri në kamp nxiti zemërim ndërkombëtar, përfshirë edhe të disa prej aleatëve më të ngushtë të Izraelit, lidhur me zgjerimin e ofensivës ushtarake në Rafah.

    Ushtria izraelite sugjeroi se zjarri i së dielës në kampin me tenda u shkaktua nga shpërthimet dytësore, potencialisht nga armët e militantëve palestinezë. Ushtria izraelite tha se shkaku i zjarrit ende është duke hetuar, por zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha të martën se municionet izraelite që u përdorën – që ushtria tha se janë përdorur për të shënjestruar dy luftëtarë të Hamasi, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ishin të vogla sa të ishin burimi i zjarrit.

    Sulmi i Izraelit në Rafah, i nisur më 6 maj, shtyu më shumë se 1 milion persona të largoheshin nga qyteti, tha të martën agjencia e Kombeve të Bashkuara që ndihmon refugjatët palestinezë. Shumica e tyre veçse janë zhvendosur disa herë për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi pothuajse tetë muaj më parë.

    Sulmet e ditëve të fundit kanë goditur zona në perëndim të Rafahut, ku ushtria izraelite nuk ka urdhëruar civilët që të evakuohen. Trupat tokësore izraelite dhe tanket janë duke operuar në lindje të Rafahut, në pjesët qendrore të qytetit dhe përgjatë kufirit Gaza-Egjipit.

    Granatimet mbrëmje e së hënës dhe në orët e para të së martës në perëndim të Rafahut vranë të paktën 16 persona, tha Mbrojtja Civile palestineze dhe Gjysmëhëna e Kuqe palestineze. Shtatë nga të vrarët ishin në tenda, rreth 200 metra nga vendi i sulmit të së dielës.

    SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të Izraelit e kanë paralajmëruar kundër një ofensive në shkallë të plotë në këtë qytet. SHBA-ja e konsideron një ofensivë të tillë si “vijë të kuqe”, duke thënë se do të bënte që Uashingtoni të ndalte furnizimin me armë sulmuese për Izraelin.

    Sulmet e fundit në Rafah vijnë pasi javën e kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që të ndalë ofensivën në Rafah. Vendimi i GJND-së është pjesë e rastit të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin se po kryen gjenocid kundër palestinezëve në Gazë.

    Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore, tokësore dhe detare, duke vrarë më shumë se 36.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë.

    OKB-ja ka thënë se rreth 80 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës janë zhvendosur dhe disa pjesë të territorit po përballen me uri.

    Luftimet në Rafah po ashtu e kanë bërë pothuajse të pamundur për grupet humanitare të dërgojnë ndihma në jug të Gazës./REL/

  • Tre persona qëllojnë me sende të forta në kokë avokatin e Sali Berishës, dërgohet me urgjencë në spital

    Tre persona qëllojnë me sende të forta në kokë avokatin e Sali Berishës, dërgohet me urgjencë në spital

    Avokati Sokol Mëngjesi është qëlluar këtë mëngjes nga disa persona të paidentifikuar, në rrugën “Pjetër Bogdani” në kryeqytet.

    Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me sende të forta në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.

    Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.

    Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrin Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar u la në arrest shtëpie pas hetimeve për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv, Partizani.