ATV

Author: G.O.

  • Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Xh.D. nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht një 18-vjeçare me aftësi të kufizuara mendore.

    Vepra dyshohet se ndodhi nga data 1 deri më 2 maj, në një motel në Ferizaj.

    Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e kishte detyruar viktimën të kryente akt seksual pa pëlqim.

    Ai akuzohet se fillimisht e kishte bindur të dëmtuarën që të dilte me të dhe e kishte dërguar në një motel e ndaj saj kishte ushtruar dhunë seksuale e fizike duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas kësaj, ai e kishte lënë në rrugë viktimën.

  • Ben Affleck shfaqet i dëshpëruar dhe në gjendje jo të mirë mes thashethemeve për ndarje nga Jennifer Lopez

    Ben Affleck shfaqet i dëshpëruar dhe në gjendje jo të mirë mes thashethemeve për ndarje nga Jennifer Lopez

    Ndërsa përballet me probleme serioze martesore, Ben Affleck vazhdon të shfaqet i vetmuar.

    Fituesi i çmimit ‘Oscar’, 51 vjeç, veshi një pallto sportive ngjyrë bezhë të hënën teksa doli për të festuar diplomimin e vajzës Violet në Los Angeles.

    Përfundi xhaketës ka te veshur një këmishë të bardhë, xhinse e çizme lëkure të errëta.

    Ndërsa Lopez qëndron në rezidencën e tyre prej 60 milionë dollarësh në Bel Air, Affleck po jeton në një shtëpi me qira mujore prej 100 mijë dollarësh, e cila është vetëm pak larg nga shtëpia e ish Garnerit në Brentwood.

    Ai dhe Garner, 52 vjeçe, ishin të martuar nga viti 2005 deri në vitin 2018, dhe ata ndajnë Violet, Fin, 15 dhe Samuel 12 vjeç.

    Ylli u pa pa unazën e tij të martesës javën e kaluar mes aludimeve se është ndarë nga aktorja e “Hustlers”.

    Raportimet për problemet martesore të Affleck dhe Lopez filluan të qarkullojnë javën e kaluar pasi dyshja nuk ishin parë së bashku që nga fundi i marsit.

    Sidoqoftë, një deklaratë zyrtare akoma nuk është bërë nga vet dyshja e famshme. /Telegrafi/

  • ‘Deja vu’ – çfarë e shkakton ndjenjën se diçka e keni përjetuar më herët

    ‘Deja vu’ – çfarë e shkakton ndjenjën se diçka e keni përjetuar më herët

    Shumë prej nesh e kanë pasur atë ndjenjën rrëqethëse se një situatë e re duket aq e njohur, sa duket sikur tashmë ka ndodhur.

    Çfarë saktësisht po ndodh dhe pse e përjetojmë? Këtu është një hyrje e thellë në këtë fenomen intrigues, me të dhëna nga një psikolog klinik.

    “Déjà vu” është një term francez që përkthehet “tashmë e parë”. Megjithëse shkaku i saktë mbetet pak mister, disa teori janë propozuar për ta shpjeguar atë.

    Dr. Sanam Hafeez – një psikologe, neuropsikologe dhe drejtoreshë klinike Shërbimeve Psikologjike Konsultative Gjithëpërfshirëse në New York – thotë se disa mendojnë se arsyeja është mënyra se si kujtimet përpunohen në tru, duke përfshirë potencialisht vonesa ose gabime në rikthimin e kujtimeve.

    “Disa sugjerojnë se mund të lidhet me mënyrën se si kujtimet përpunohen në tru, duke përfshirë potencialisht vonesa ose gabime në rikthimin e kujtesës”, është shprehur Dr. Hafeez, citon NY Post.

    Sipas saj, teori të tjera sugjerojnë se mund të rezultojë nga përpunimi i informacionit nga truri përmes rrugëve të shumta në të njëjtën kohë. Një tjetër teori intriguese përfshin idenë e kujtimeve të ruajtura në një mënyrë komplekse dhe të ndërlidhura në tru.

    “Pavarësisht nga mekanizmi i saktë, ‘deja vu’ është një përvojë kalimtare dhe e zakonshme që zgjat vetëm për një kohë të shkurtër, duke prekur njerëzit e të gjitha moshave dhe nuk konsiderohet si një gjendje patologjike. Përderisa mbetet një enigmë, ‘deja vu’ vazhdon të jetë një aspekt magjepsës i ndërgjegjes njerëzore”, ka sqaruar psikologia.

    Sipas WebMD, 60 deri në 70 për qind e njerëzve përjetojnë një formë të ‘deja vu-së’ gjatë jetës së tyre dhe kjo mund të shkaktohet nga pamjet, tingujt dhe aromat e njohura. Megjithatë, është interesante se ndodh më shpesh te njerëzit e moshës ndërmjet 15 dhe 25 vjeç, ndërsa njerëzit me arsim të lartë, ata që udhëtojnë shumë dhe ata që mund të kujtojnë ëndrrat e tyre, gjithashtu kanë më shumë gjasa të përjetojnë ‘deja vu’.

    Megjithatë, frekuenca e përvojave të tilla mund të ndryshojë midis individëve dhe disa njerëz mund të përjetojnë rrallë ‘deja vu’, ndërsa të tjerët mund ta përjetojnë atë më shpesh.

    “Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se deja vu nuk lidhet me ndonjë gjendje specifike mjekësore ose psikologjike. Zakonisht është një përvojë e shkurtër dhe kalimtare që konsiderohet një aspekt normal i perceptimit dhe kujtesës njerëzore”, ka shtuar Dr. Hafeez.

    Sidoqoftë, ekzistojnë disa gjendje shëndetësore dhe çrregullime neurologjike, në të cilat përvojat e ngjashme me ‘deja vu’ mund të ndodhin më shpesh ose në një formë të ndryshuar, dhe këto gjendje, sipas psikologes, përfshijnë: epilepsi, migrenë, ankth, skizofreni. /Telegrafi/

  • Përfitimet shëndetësore nga uji me limon

    Përfitimet shëndetësore nga uji me limon

    Limoni përmban vitamina C, një antioksidant, i cili mbron qelizat kundër efekteve të radiokaleve të lira. Radikalet janë molekula që prodhohen kur trupi shpërbën ushqimet, ose kur ka ekspozime ndaj ambientit si p.sh ndaj duhanit, tymrave dhe rrezatimit.

    Vitamina C është e rëndësishme për lëkurën, kockat dhe indet lidhëse. Ajo përshpejton shërimin dhe ndihmon trupin të përthithë hekurin. Vitamina C gjendet në fruta dhe perime. Një burim i mirë janë specat e kuq jo djegës, specat jeshil, qitrot, agrumet, brokoli dhe perimet me gjethe jeshile.

    Disa njerëz mund të kenë nevojë për vitaminë C ekstra, p.sh. gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri, njerëzit që pinë duhan, njerëzit që dalin nga një operacion etj.

    Limoni është një nga frutat më të rëndësishme në planet pasi mbron nga shumë tipe sëmundjesh. Limonat përmbajnë bioflavonoid, pektinë, acid folik, vitamina C, A, B1, B6, kalium, magnez dhe fosfor. Ky frut i shkëlqyer ka efekte shumë të mëdha për zorrët, stomakun, sistemin imunitar dhe për shëndetin kardiovaskular.

    Nëse konsumoni limona rregullisht, mund të parandaloni sëmundje si laringit, bronkit, grip, artrit, tension i lartë i gjakut, infeksione bakteriale dhe gurët në veshka. Sipas kërkimeve të fundit, limoni mund të parandalojë kancerin.

    Shumë njerëz e përdorin ujin me limon edhe si një zëvendësues të kafesë, ndaj, nëse po përpiqesh t’i largohesh sadopak kafeinës, uji i ngrohtë me limon mund të të ndihmojë në këtë proces. Më poshtë do të lexoni 10 arsyet se pse duhet të pini rregullisht ujë me limon përgjatë ditës:

    1. Reduktohet risku për infarkt në zemër.

    2. Pastron lëkurën dhe redukton shenjat e plakjes, duke përfshirë edhe eliminimin e rrudhave.

    3. Përmirëson humorin dhe ekuilibron emocionet.

    4. Përmirëson shenjat e inflamacionit dhe vepron si një reduktues i dhimbjes së lehtë.

    5. Lehtëson infeksionet e traktit urinar.

    6. Parandalon dehidratimin dhe lodhjen e veshkave.

    7. Parandalon lodhjen e trurit në punë, apo në shkollë.

    8. Forcon sistemin tuaj imun.

    9. Pastron organet e brendshme dhe i ndihmon ato të funksionojnë në mënyrë optimal.

    10. Nxit funksionimin normal të aparatit tretës.

  • Temperaturat e larta mund t’ju çojnë drejt pirjes së ujit të ftohtë, por cilat janë dobitë dhe dëmet që shkakton?

    Temperaturat e larta mund t’ju çojnë drejt pirjes së ujit të ftohtë, por cilat janë dobitë dhe dëmet që shkakton?

    Temperaturat e larta, sidomos ato që kemi përjetuar gjatë këtyre ditëve, mund t’ju shtyjnë që të konsumoni ujin e ftohtë, ndonjëherë edhe shumë të ftohtë, gjë e cila ka dobitë (padyshim të freskuarit është i pari), por edhe anët e veta negative

    Në fakt, mendohet se pirja e ujit të ftohtë mund të ketë më shumë efekte negative sesa pozitive, ndërsa ekspertët sugjerojnë se uji i ftohtë mund të bëjë që stomaku juaj të kontraktohet, duke e bërë kështu procesin e tretjes më të vështirë.

    Disa studiues të tjerë gjithashtu besojnë se trupi duhet të punoj më shumë nëse pini ujë në temperaturën nën 4 gradë, çka po ashtu konsiderohet si një efekt negativ, ndërsa po ashtu, një tjetër studim ka dalë në përfundimin se konsumimi i ujit të ftohtë ndikon në trashjen e mukozës së hundës, duke e bërë më të vështirë ajrin të kaloj nga hundët, rrjedhimisht edhe frymëmarrjen më të vështirë.

    Meqë jemi tek dëmet që mund të shkaktojë, një tjetër studim thotë se pirja e ujit të ftohtë është e lidhur me migrenën apo dhimbjen e kokës, ndërsa mjekësia kineze sugjeron se konsumimi i tij gjatë vakteve krijon një çekuilibër brenda trupit, prandaj ushqimi sipas kinezëve, duhet të hahet me ujë të ngrohtë. Gjithsesi, nuk ka prova të mjaftueshme për këtë teori, të paktën shkencërisht.

    Megjithatë, sigurisht që uji i ftohtë ka edhe benefite, të cilët mund të jenë:

    Balancimi i temperaturave të trupit pas stërvitjeve. Pirja e ujit të ftohtë mund të parandalojë mbingrohjen e trupit tuaj pas një seance të vështirë stërvitje dhe konsumimi i saj ja bën trupit më të lehtë të rikthej temperaturën normale. Mund të sigurojë energji, teksa pirja e ujit në këto temperatura është dëshmuar se mund t’i sigurojë trupit më shumë energji gjatë ditës, edhe pse nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë në këtë aspekt. Mund të promovojë humbjen e kalorive.

    Sipas disa ekspertëve, uji i ftohtë ndihmon në mirëmbajtjen e peshës, duke e rritur shpenzimin e energjisë apo kalorive. /Telegrafi/

     

     

     

  • KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me fushatën informuese dhe edukuese për të rinjtë të cilët mund të jenë votues për herë të parë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

    Gjatë ditëve të fundit, KQZ takoi të rinjtë nga komunat Ferizaj, Skënderaj, Klinë, Deçan, Hani i Elezit dhe Viti, për t’i informuar lidhur me aspekte të ndryshme për procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës.

    Kush ka të drejtë vote? Kush garon në zgjedhje? Pse duhet të votosh? Çka është vota? – janë vetëm disa nga pyetjet me përgjigjet e të cilave po informohen të rinjtë gjatë fushatës edukuese dhe informuese: Vota jote, zëri yt!

    Deri më tani, ligjëratat dhe takimet e tilla janë mbajtur në komunat tjera, si: Prishtinë, Prizren, Gllogoc, Gjilan, Istog, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Shtime, Novëbërd, Gracanicë. Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Shtërpcë dhe Junik.

  • Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Një tërmet prej 2.4 ballësh ka ndodhur sot në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Shkup.

    Siç raportohet, lëkundjet janë ndjerë edhe në Kosovë.

  • Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka nënshkruar të martën një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo në Bruksel.

    Zelensky ka thënë se marrëveshja në vlerë të 977 milionë dollarëve tregon për përkushtimin e Belgjikës për t’i ofruar mbështetjes Ukrainës në periudhë 10-vjeçare.

    Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja tregon “për herë të parë” që Ukraina do të pranojë 30 aeroplanë ushtarakë F-16, dhe i pari do të dërgohet më vonë gjatë këtij viti.

    Kjo marrëveshje e sigurisë është rezultat i një vendimi të marrë prej krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, përgjatë një samiti në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, në korrik të vitit të kaluar.

    Atëherë, vendet anëtare janë pajtuar që të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me Ukrainën, për t’ia garantuar sigurinë këtij vendi në periudhë afatgjatë.

    Marrëveshjet garantojnë që Ukraina do të pranojë armë dhe ndihmë financiare, për t’i mbushur zbrazëtirat që ka, derisa vendi të jetësojë synimin për anëtarësim në NATO.

    Marrëveshja vjen teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë në tokën ukrainase.

    Ushtria ukrainase e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Për shkak i akuzuari Rrustem Berisha mungoi për arsye shëndetësore, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”,

    Nga zyra e gjykatësit Gazmend Bahtiri kanë njoftuar se mbrojtësi i Berishës, avokati Artan Qerkini ka njoftuar me e-mail se i mbrojturi i tij ka probleme shëndetësore, duke bashkëngjitur edhe raporte mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, u bë e ditur se palët janë njoftuar paraprakisht për anulimin e kësaj seance, ndërsa e radhës nuk është konfirmuar ende se kur do të mbahet.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi

  • Pse disa njerëz djersinë më shumë, sipas dermatologëve – ja si të veproni

    Pse disa njerëz djersinë më shumë, sipas dermatologëve – ja si të veproni

    Sa herë e keni pyetur veten pse djersini kaq shumë? Jeni ndjerë në siklet pasi keni veshur një fustan që evidenton edhe më shumë djersitjen në sqetulla apo gjithë trupin? Nuk jeni vetëm

    “Djersitja është një reagim normal i trupit për të nxjerrë toksina dhe për të rregulluar temperaturën optimale të trupit në situata si nxehtësia e lartë, stërvitja intensive ose stresi akut”, thotë dermatologia Michele Green për Glamour.

    “Gjëndrat e djersës ndalojnë kur ti ndalon një aktivitetet fizik, kur është piku i të nxehtit të verës dhe jo vetëm. Por, ky sinjal nuk ndodh kurrë tek disa persona ku gjëndrat e djersës vazhdojnë ta prodhojnë atë.”

    Pse disa njerëz djersinë shumë?

    “Njerëzit djersiten me ritme të ndryshme për shkak të një kombinimi të faktorëve gjenetikë dhe ndikimeve mjedisore”, thotë Jody Alpert Levine, dermatologe në NYC.

    “Numri i gjëndrave të djersës, aktiviteti i tyre ndaj stimujve mund të ndryshojnë sipas njerëzve. Disa mund të kenë një numër më të madh të gjëndrave të djersës ose i kanë më aktive, gjë që çon në djersitje të shtuar. Faktorë të tjerë janë tiroidet, ankthi, faktori gjenetik, kushtet neurologjike dhe efektet anësore të ilaçeve”.

    Veshjet të lirshme me nuanca pastel janë një zgjidhje

    Veshjet e bollshme me ngjyra pastel, janë një ide e mirë për t’i ikur ose për të fshehur djersitjen e tepërt. Jo veshje me ngjyrë të zezë apo të errëta, pasi ato reflektojnë rrezet e diellit dhe nuk e thithin nxehtësinë. Veshjet e lirshme janë një gjetje sepse largojnë lagështinë.

    Këto dy teknika ndihmojë në reduktimin disi të djersitjes së tepërt, por ulin edhe rrezikun e akneve të shkaktuara nga djersa, çarja e lëkurës dhe skuqjeve. /Telegrafi/