ATV

Author: G.O.

  • Dua Lipa thuhet se do të luajë rolin e Megit në filmin e ri “Hercules”

    Dua Lipa thuhet se do të luajë rolin e Megit në filmin e ri “Hercules”

    Vitet e fundit, Disney ka bërë filma ‘live-action’ të disa filmave të vjetër të Disney.

    Këtu përfshihen: “Aladdin”, “Little Mermaid”, “Beauty and the Beast”, “Moana” dhe “Hercules”.

    Për këtë të fundit është diskutuar emri i artistes shqiptare, Dua Lipa, në rolin e Megit.

    Ky film deri më tani ka qenë i prodhuar vetëm në versionin e animuar të vitit 1997.

    “Duke mos thënë si fakt 100%, por një emër që dëgjoj që Disney e pëlqen tani është Dua Lipa”, thuhet në njoftimin nga mediat ndërkombëtare.

    Megjithatë, nuk ka asgjë zyrtare dhe nuk është zbuluar ndonjë datë për premierë.

    Me fjalë të tjera, do të kalojë shumë kohë para se të shohim diçka nga filmi.

    Bukuroshja nga Kosova së fundmi është shfaqur në “Barbie” dhe do të jetë pjesë e “Argylle”.

    Ajo po shijon suksese të mëdha edhe në muzikë, derisa vetëm pak më parë ka publikuar albumin e ri “Radical Optimism”. /Telegrafi/

  • Osmani e ashpër me Konjufcën dhe Qeverinë Kurti: Oferta për KiE-n ndryshoi zotimet e liderëve për Asociacionin

    Osmani e ashpër me Konjufcën dhe Qeverinë Kurti: Oferta për KiE-n ndryshoi zotimet e liderëve për Asociacionin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, për mosinformim rreth letrës që ministrja e Jashtme, Gërvalla, e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, duke e arsyetuar se Osmani ka qenë në vizitë jashtë vendit.

    Këtë deklaratë të Konjufcës, e para e shtetit e ka quajtur qesharake, duke thënë se në kohën moderne ekzistojnë mundësitë e shumta të komunikimit siç është telefoni.

    Osmani ka thënë se letra e dërguar nga kryediplomatja, Donika Gërvalla, ka rënë në ujë oferta e nënshkruar nga tre liderët institucional që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova.

    “Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftëse dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

    “Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i kuvendit sepse me të si kryetar i kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tea të rëndësishme edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat ka mënyra të sigurta të komunikimit të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, u shpreh Osmani.

    E para e shtetit ka shtruar një pyetje për Konjufcën e ekzekutivin se si dikush në Gjermani e kuptoi për letrën që po i dërgohej KiE-s, e asaj nuk i ishte dërguar, me arsyetimin se ka qenë jashtë vendit.

    “Në qoftë se tema paska qenë të mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, ka thënë Osmani.

    Presidentja Osmani ka folur edhe për avancimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të cilën e quan arritje të madhe e diplomacisë parlamentare. Osmani ka thënë se në arenën ndërkombëtare, diplomacia parlamentare ka qenë një prej mjeteve më të forta për të hapur dyert Kosovës.

    “Natyrisht që është një e arritur shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, është një e arritur e diplomacisë sonë parlamentare është testament i punës që po e bëjnë deputetët e të gjitha partive politike në mënyrë që të avancojë statusi i Kosovës në arenën ndërkombëtare diplomacia parlamentare gjithnjë ka qenë një prej mjeteve më të forta për të hapur dyer edhe në raste kur është shumë e vështirë dhe mendoj se vetë rezultati i para disa ditësh në këtë votim ka treguar se Kosova vërtetë mes parlamentarësh ka përkrahje shumë të madhe ishte vetëm një votë kundër është një hap që tregon që siç e kam thënë edhe publikisht atë ditë NATO është fati i Kosovës të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt dhe është shumë e rëndësishme që ne ta avancojmë edhe me hapa tjerë tani natyrisht duke ecur drejtë anëtarësimit në NATO këtu Asambleja Parlamentare nuk ndërlidhet me aspektin procedural me anëtarësimin në NATO siç lidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me anëtarësim në Këshill të Evropës por megjithatë është mesazh shumë i rëndësishëm se Kosova e ka vendin në NATO dhe i plotëson kriteret për një gjë të tillë”, u shpreh Osmani për Ekonomia Online.

  • Memli Krasniqi mohon një koalicion të mundshëm me LV-në

    Memli Krasniqi mohon një koalicion të mundshëm me LV-në

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mohuar një koalicion të mundshëm mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

    “Sa i përket spekulimeve dhe interpretimeve, t’ju them sinqerisht unë kam qenë edhe i zbavitur këto ditë nga mënyra e interpretimeve të jashtëzakonshme, imagjinare dhe imagjinative të kujtdo qoftë për sa i përket mundësisë së koalicionet ndërmjet nesh e Vetëvendosjes të arritur për dy orë takim. Nuk munden dy orë takim të tejkalojnë hendekun e gati dy dekadave. Ai takim është thirr për agjendë legjislative. Unë kam thënë që po shkoj në takim vetëm për zgjedhje. Agjenda e PDK-së kanë qenë zgjedhjet e parakohshme. Ne kemi shkuar me këtë agjendë dhe kjo është ajo që e ka dominuar diskutimin. Pra, asgjë as të fshehtë dhe as të panjohur s’ka pasë nga ky takim. Nuk janë temë as afërsisht koalicioni”, deklaroi Krasniqi.

  • Arrestohet një 23-vjeçar në Prishtinë, kishte 12 urdhëresa të Gjykatës

    Arrestohet një 23-vjeçar në Prishtinë, kishte 12 urdhëresa të Gjykatës

    Një 23-vjeçar me iniciale E.Z., është arrestuar mbrëmë në Prishtinë, pasi po kërkohej me 12 urdhëresa nga gjykatat.

    Këtë e ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media.

    “Mbrëmë nga Njësiti për Reagim të Shpejtë në Prishtinë, është arrestuar një person i cili kërkohej me urdhëresa të gjykatës. Ndaj personit të dyshuar: E. Z mashkull 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, kanë qenë aktive 12 urdhëresa nga gjykatat, për veprat grabitje, posedim i narkotikëve, vjedhje, lëndim trupor etj. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, nga zyrtarët e stacionit veriu në Prishtinë dhe zyrtarëve të stacionit të Vushtrrisë, personi i dyshuar është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim

  • Krasniqi: Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar

    Krasniqi: Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme tashmë është ezauruar, raporton Ekonomia Online.

    Krasniqi, në një konferencë për media tha se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.

    “Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie”, është shprehur kreu i PDK-së.

    Krasniqi theksoi se edhe për PDK-në dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje, por mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.

    “Prandaj, duke parë nevojën e madhe që vendi të shkoj në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi sesa mënyra. Gjatë kësaj periudhe, PDK ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe gatishmërinë e saj për zgjedhje të parakohshme në shumë raste. Këtë e dëshmuam edhe kur nominuam si kandidat për Kryeminsitër Bedri Hamzën me 27 mars të këtij viti. Këtë e dëshmuam edhe të premten, me 24 maj, kur PDK u paraqit në sallën e Kuvendit për t’iu përgjigjur rezolutës së AAK-së për shkarkimin ose dorëheqjen e Qeverisë. Këtë e ridëshmuam për të satën herë edhe përmes letrës së fundit që u dërgova kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ai.

    Krasniqi tha se angazhimi i shtuar i PDK-së për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë Kurti, për shkak të stagnimit të shtetit në të gjitha nivelet dhe funksionet e tij, para se të jetë kërkesë partiake, është nevojë qytetare.

    “Në tri vitet e fundit, jemi dëshmitarë të një stagnimi të madh ekonomik, rritje enorme të çmimeve që ka rezultuar me përkeqësim të mirëqenies së qytetarëve, izolim diplomatik i shpërfaqur me masa ndëshkuese ndaj shtetit tonë e posaçërisht së fundmi me mos-futjen në agjendë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, regres të theksuar në arsim e shëndetësi, e deri te emigrimi i madh i qytetarëve”, shtoi ai.

    Propozimin për shpërndarjen e Kuvendit, PDK e ka dhënë në mbledhjen e Këshillit Drejtues qysh në korrik të vitit 2023 dhe e ka përsëritur në mbledhjen e radhës në shkurt të këtij viti, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila rikthen Kosovën në kursin e zhvillimit dhe integrimit.

    “Për këtë arsye, unë pranova edhe ftesën e Kryeministrit Kurti për takim me 13 maj, duke bërë të qartë që PDK takohet vetëm për ta diskutuar datën e zgjedhjeve të reja. Të gjithë e dini epilogun e atij takimi: PDK doli me qëndrimin e saj dhe, madje, propozoi edhe dy data konkrete për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Krasniqi.

    Krasniqi uroi që deri në përfundim të mandatit të rregullt të Qeverisë Kurti 2, Kosova dhe qytetarët e saj nuk do të marrin ndonjë goditje të re, nga brenda ose jashtë, që do të ishte me pasoja të rënda dhe afatgjate.

    “Kosova po humbë kohë të vlefshme, procese të rëndësishme e miq me vlerë – si pasojë e këtij mentaliteti qeverisës. Ne jemi të bindur se fundi i kësaj Qeverie – do të nënkuptonte një fillim të ri për shtetin tonë. Për fat të keq, kolegët tanë nga partitë opozitare nuk ishin të gatshëm njësoj si ne. Ndoshta atyre u duhet më shumë kohë, por koha nën këtë qeverisje po shkon në dëm të interesit qytetar”, tha lideri i PDK-së.

    Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend, duke kundërshtuar politikat e gabuara të kësaj qeverie.

    “Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të ofrojmë alternativën më të mirë për qytetarët e Kosovës, përmes vizionit dhe programit të kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza. Një alternativë që i jep Kosovës një qeveri të përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, për të cilën ka aq shumë nevojë Kosova sot”, përfundoi ai.

  • Shkrepën armët në Prishtinë, plagoset një person

    Shkrepën armët në Prishtinë, plagoset një person

    Një person është plagosur në Prishtinë, pasi janë shkrepur armët.

    Sipas dyshimeve të para një person është plagosur në këmbë me kallashnikov në garazhin e shtëpisë.

    Siç raporton Gazeta Sinjali, i plagosur është shtetas rumun, dhe është plagosur në objektin ku ai banon.

  • Krimet ekonomike sërish në Veri, bastisin objektin e Bankës së Kursimeve Postare

    Krimet ekonomike sërish në Veri, bastisin objektin e Bankës së Kursimeve Postare

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës kanë hyrë sërish në ambientet e Bankës së Kursimeve Postare në Mitrovicën e Veriut.

    Siç raporton medium serb Kossev, Policia e Kosovës bashkë me patrullat dhe oficerët e EULEX-it janë duke qëndruar në hapësirat e Shërbimit të Pagesave për të kontrolluar një kasafortë.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë në veri, kasaforta në fjalë nuk ishte kontrolluar më parë për shkak se nuk kishte çelës.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, pas një aksioni të hënën e 20 majit, mbyllën gjashtë njësi të kësaj banke serbe.

  • Konjufca, Borrellit: Bankat e paligjshme të Serbisë në Kosovë u mbyllën sipas ligjit

    Konjufca, Borrellit: Bankat e paligjshme të Serbisë në Kosovë u mbyllën sipas ligjit

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duhet ta pasqyrojë realitetin në raport me aksionin e Policisë së Kosovës, e cila javën e kaluar mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, njoftoi në një konferencë për media të martën se raporti i Borrell, në dorën e të cilit është largimi i masave ndëshkuese, akoma nuk është finalizuar, ndërsa shtoi se operacioni i fundit policor në Veriun e Kosovës do të ndikojë “negativisht” në këtë çështje.

    Për Konjufcën, institucionet kosovare në këtë rast vetëm e ka zbatuar ligjin, andaj ai ka vlerësuar si jo të drejtë që një çështje e tillë të ndikojë negativisht në largimin e masave ndëshkuese të BE-së të vendosura Kosova në qershorin e vitit të kaluar

    “Do të ishte mirë që kur Borrell ta shkruaj raportin të thotë që këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë. Ato ishin banka të Serbisë në Republikën e Kosovës, si të tilla nuk mendoj se janë të lejueshme dhe duhet të trajtohen si e thotë ligji, ligji thotë që ato duhet mbyllur’, ka thënë ai në një prononcim për media.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin ish-presidentit Thaçi

    Specialja ia vazhdon paraburgimin ish-presidentit Thaçi

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Kjo pasi trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

    Në dokumentin publik thuhet se vendimi është marrë më 24 maj.

    “Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të gjashtëdhjetë e pestë (65th) dëshmitarë dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, është thënë nga DhSK-ja në vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qeveria gjermane voton pro zgjatjes së mandatit të ushtarëve në Kosovë

    Qeveria gjermane voton pro zgjatjes së mandatit të ushtarëve në Kosovë

    Kabineti qeveritar i Gjermanisë, nën udhëheqjen e kancelarit të Olaf Scholz, ka miratuar vendimin për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Njoftimi u dha nga Ministria Federale e Mbrojtjes së Gjermanisë.

    Kjo ministri thekson se ky vendim vjen pas ngritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ushtarët e dislokuar aktualisht përfshijnë rreth 210 të një kompanie operative gjermane që do të vendosen në terren për një vit në të ashtuquajturën Komanda Rajonale Perëndimore. Kompania e re synon të zëvendësojë forcat austriake dhe të trajnohet për të kontrolluar trazirat”, thuhet në njoftim.
    Bundeswehr-i gjerman është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999.

    Në përgjigje të trazirave të vitit 2023 dhe situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës, NATO ka bërë thirrje për përforcime për forcat e sigurisë së KFOR-it.

    Misioni është të krijojë dhe të mbajë një mjedis të sigurt në Kosovë për vendosjen e rendit civil të paqes dhe të garantojë sigurinë dhe rendin publik.

    KFOR-i gjithashtu ofron ndihmë humanitare në situata emergjente, promovon kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe mbështet organizatat ndërkombëtare të ndihmës në punën e tyre.

    Aktualisht në Kosovë ka një prezemcë prej 290 ushtarësh gjermanë.

    Tani i mbetet në dorë Bundestagut të votojë për këtë vendim.