ATV

Author: G.O.

  • Gërvalla dhe Kusari-Lila vazhdojnë takimet në Kanada, diskutojnë për sigurinë dhe forcimin e partneritetit

    Gërvalla dhe Kusari-Lila vazhdojnë takimet në Kanada, diskutojnë për sigurinë dhe forcimin e partneritetit

    Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe forcimi i partneritetit mes dy shteteve në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës ishin temat kryesore në takimin që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, bashkë me Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila patën me John McKay, Kryetar i Komisionit të Përhershëm për Mbrojtje Kombëtare në Parlamentin e Kanadasë, në kuadër të vizitës zyrtare në Kanada.

    Avancimi i statusit të Kosovës në anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përgatitja dhe profesionalizmi i ushtrisë së Kosovës, i arritur si rezultat i bashkëpunimit me shtetet anëtare të NATO-s dhe sipas standardeve të tyre ushtarake, ishin po ashtu pjesë e diskutimit mes Gërvallws dhe deputetit federal, John McKay.

    Krahas aspekteve të mbrojtjes dhe sigurisë, gjatë këtij takimi Gërvalla e njoftoi Kryetarin McKay rreth progresit të arritur nga Republika e Kosovës në fushën e demokratizimit të vendit, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin ekonomik.

  • Avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s, Quni: Çështje e ngritur që nga ish-presidenti Rugova

    Avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s, Quni: Çështje e ngritur që nga ish-presidenti Rugova

    Avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, po shihet nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kontribut i dhënë nga i gjithë spektri politik në vend, e jo vetëm nga Qeveria Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Madje, deputeti i kësaj partie, Anton Quni, ka thënë për Ekonomia Online, se integrimi i Kosovës në Aleancën Veri-atlantike, është artikulim që nga ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.

    “Kjo çështje është ngrit shumë vite para luftës, që nga artikulimi që e ka bërë presidenti historik Ibrahim Rugova, gjithnjë është ripërsërit gjatë okupimit kur e kemi arritur lirinë, e po ashtu edhe kur u shpall pavarësia e Kosovës, do të thotë është meritë e tërë spektrit, të gjitha personaliteteve, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet ta përshëndesim të gjithë së bashku”, tha Quni.

    Deputeti i LDK-së, Anton Quni, shtoi se avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s, është një mundësi e mirë për sigurinë nacionale.

    “Është përshëndetur nga i tërë spektri politik i Kosovës, po ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga fakti se tani edhe zëri jonë do të dëgjohet në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Është një mundësi e mirë që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë nacionale, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, të trajtohen në raporte bilaterale, por edhe në tërësi me autoritetet dhe përfaqësuesit e NATO-s, për të gjitha çështjet që na takojnë ne, por edhe vetë organizatën politiko-ushtarake të NATO-s”, theksoi Quni për Ekonomia Online.

    Të hënën, Asambleja Parlamentare e NATO-s votoi me shumicë votash pro avancimit të statusit të Kosovës nga vëzhguese, në anëtare të asociuar.

    Asambleja Parlamentare e NATO-s është themeluar në 1955, i cili mbledh të gjithë deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe vendeve partnerë të NATO-s.

    AP e NATO-s, përbëhet nga 281 delegatë nga 32 vendet anëtare të Organizatës Veri-atlantike.

    Në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asociuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

  • ​Një vit nga sulmi i protestuesve serbë në Zveçan, reagon komandanti i KFOR-it

    ​Një vit nga sulmi i protestuesve serbë në Zveçan, reagon komandanti i KFOR-it

    Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit, thuhet në një reagim të KFOR-it.

    Sipas njoftimit thuhet se 93 efektivë u plagosën, disa prej të cilëve me lëndime të rënda.

    Këto sulme thuhet se ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme.

    “Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën në vijën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë…. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.

    Në reagim po ashtu thuhet se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës.

    Pas dhunës, sipas komunikatës thuhet se NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

    Tutje është bërë me dije se është rritur qëndrimi i KFOR-it në veri të Kosovës dhe se është trefishuar numri i patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.

    Sipas KFOR-it, kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.

    “Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë,” tha gjeneralmajor Ulutaş.

  • Përfshihet nga zjarri Spitali i Pejës

    Përfshihet nga zjarri Spitali i Pejës

    Rreth orës 4 të mëngjesit zjarri ka përfshirë një nga dhomat e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

    Lajmi është bërë i ditur nga vet Spitali.

    Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka rënë në katin e katërt, si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.

    “Mbrëmë rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik. Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit”, bën të ditur Spitali i Pejës.

    Tutje në njoftim thuhet se shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht.

    “Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur. Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”, thuhet në njoftim.

  • Një grua në Shtime thotë se u sulmua nga familjari pas një fjalosjeje

    Një grua në Shtime thotë se u sulmua nga familjari pas një fjalosjeje

    Një grua në Shtime i ka thënë policisë se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar.

    Kjo sipas viktimës ka ndodhur për shkak të një fjalosjeje.

    “DHUNË NË FAMILJE- Shtime / 28.05.2024 – 16:30. Viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se pas një fjalosje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari kosovar’, thuhet në raportin policor.

    Policia njoftoi tutje, se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Stuhitë e fuqishme me erëra shkatërruese s’kanë të ndalur në ShBA

    Stuhitë e fuqishme me erëra shkatërruese s’kanë të ndalur në ShBA

    Stuhi të fuqishme, erëra shkatërruese dhe breshër në madhësi të topit të golfit goditën pjesën veriore të Teksasit të martën. Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur.

    Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas, ndërsa ai shtet u godit nga një valë e hershme e të nxehtit. Njoftohet se 800,000 abonentë nuk kishin energji elektrike të martën.

    Ndërsa zhvillohej një balotazh në atë shtet, disa qendra votimi njoftuan mungesë të energjisë elektrike. Rreth 100 qendra votimi në qarkun e Dallas-it nuk kishin qasje në rrjet.

    Gjykatësi i qarkut të Dallas-it, Clay Jenkins, e shpalli atë rajon zonë fatkeqësie ndërsa vuri në dukje se disa shtëpi pleqsh po përdornin gjeneratorët. “Kjo tregon se do të përballemi me një situatë shumë-ditore të ndërprerjes së energjisë elektrike”, tha zoti Jenkins të martën.

    Parashikimet e motit tregojnë për një mot të ashpër dhe shira të dendura në zonën e Dallas-it mbrëmjen e së martës. Edhe qyteti i Hjustonit pritet të përballet me stuhi të forta, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për erëra që kapin shpejtësinë mbi 100 kilometra në orë që mund të shkaktojnë dëme. Rreth dy javë më parë Hjustoni u përball me uragane që ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 800,000 abonentë.

    Stuhitë shkatërruese gjatë fundjavës shkaktuan vdekje në Teksas, Oklahoma, Arkansas, Mizuri, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

    Shtatë persona humbën jetën në kontenë Cooke të Teksasit, nga një tornado që goditi një lagje të varfër, thanë zyrtarët. Shteti Arkansa njoftoi për tetë viktima. Dy të vdekur u raportuan në kontenë Mayes në Oklahoma. Rrëzimi i një peme shkaktoi vdekjen e një burri nga Mizuri të dielën. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha në një konferencë shtypi të hënën se pesë persona kishin vdekur në shtetin e tij.

    Një tornado e mundshme dëmtoi një shkollë të mesme dhe disa shtëpi në Pensilvani mbrëmjen e së hënës. Nuk ka njoftime për të lënduar.

    Rreth 160,000 shtëpi dhe biznese nuk kishin energji elektrike të martën pas stuhive që goditën Kentakin, Arkansasin, Virxhinian Perëndimore dhe Mizurin.

    Javën e kaluar tornadot në Ajova lanë të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Gjatë këtij muaji rreth tetë vetë kanë humbur jetën në Hjuston nga stuhitë. Stuhitë vijnë pasi ndryshimet klimatike në përgjithësi kontribuojnë në ashpërsinë e stuhive në mbarë botën.

    Fundi i majit shënon kulmin e sezonit të tornadove, por stuhitë e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshme, duke prodhuar tornado shumë të forta, tha Victor Gensini, profesor i meteorologjisë në Universitetin e Illinoisit të Veriut.

    “Gjatë fundjavës kemi pasur ajër shumë të nxehtë dhe të lagësht që i kanë ushqyer këto stuhi”, tha zoti Gensini.

    Harold Brooks, shkencëtar në Laboratorin Kombëtar të Stuhive të Rënda në Norman të Oklahomës, tha se ajri i ngrohtë dhe të lagësht është fajtor për tornadot gjatë dy muajve të fundit. /VOA

  • Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Një person është arrestuar dje në Podujevë, nën dyshimin se ai ka sulmuar seksualisht, viktimën femër kosovare.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

     

  • 29 maji – ​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

    29 maji – ​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin si Ditën Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të OKB-së.

    Kjo ditë ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes, si dhe nderimin e gjithë burrave dhe grave që vazhdojnë shërbimin në operacionet e OKB-së, për profesionalizimin e lartë, përkushtimin dhe kurajën.

    Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, rreth 3 mijë e 200 ushtarë, policë dhe staf civil, kanë humbur jetën në shërbim të paqes, si pasojë e aksidenteve, dhunës, apo sëmundjeve, përcjell KosovaPress.

    Paqeruajtësit e përdorin këtë ditë për të forcuar lidhjet me popullsinë lokale të cilës i shërbejnë. /KosovaPress/

  • Kurti merr pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës

    Kurti merr pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës

    Sot në Prishtinë do të mbahet një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginën e Preshevës.

    Aty do të merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkon aty për të përkrahur kandidatët për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, Ardita Sinani, përkatësisht Ragmi Mustafi.

    Ky event organizohet për qytetarët e Luginës, që jetojnë në Kosovë.

    Tubimi nis nga ora 18:00, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik.

  • Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

    Kjo shoqatë e themeluar në vitin 2013, luan rol kyç në nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për kompanitë në aktivitetet e tyre komerciale dhe duke vepruar si një katalizator për zhvillimin ekonomik.

    Gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

    Ky i fundit, cilësohet nga qeveria me prioritet të lartë, si sistem kyç për ndërlidhjen e tregut me fuqinë punëtore.

    Aktualisht janë 12 profile të ndryshme të arsimit dual në 14 komuna përreth vendit, me pritshmërinë që në qershor të vitit të ardhshëm të dalin të parët absolventë me një çertifikatë të zyrtarizuar të përfundimit të arsimit.

    Më tej, kryeministri Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës.

    Gjatë bisedës u nënvizua poashtu që deri më tani, Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, 6 nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.