ATV

Author: G.O.

  • Një 20-vjeçar vdes nga goditja e rrufesë në Maqedoninë e Veriut

    Një 20-vjeçar vdes nga goditja e rrufesë në Maqedoninë e Veriut

    Një 20-vjeçar nga fshati i Koxhalisë në Radovish të Maqedonisë së Veriut ka humbur jetën mbrëmë pasi është goditur nga rrufeja.

    Një mjek nga urgjenca mjekësore nga Radovishi ka konstatuar vdekjen, ndërsa personi tjetër është transferuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza”.

    “Rreth orës 20:00 në Stacionin e Policisë në Radovish është raportuar se në ora 19:30 në një livadh në vendin e quajtur “Vodovod” në Radovish, nga goditja e rrufesë ka ndërruar jetë R.M. (20), ndërsa ka mbetur i plagosur Z.M. (23), të dy nga Koxhaleva”, thuhet në njoftim, shkruan Klan Macedonia.

  • Qeveria sllovene e dërgon në Parlament propozimin për njohjen e Palestinës

    Qeveria sllovene e dërgon në Parlament propozimin për njohjen e Palestinës

    Qeveria e Sllovenisë e ka mbështetur të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e tij ia ka dërguar Parlamentit propozimin për njohjen e Palestinës.

    Parlamenti slloven mund të mblidhet javën e ardhshme dhe ta hedhë në votim propozimin e Qeverisë.

    Nevojitet pajtimi i Parlamentit që vendimi i Qeverisë të jetë i efektshëm. Partia liberale në pushtet e Golobit e ka shumicën në Parlamentin me 90 ulëse dhe votimi rreth njohjes së Palestinës pritet të jetë formalitet.

    Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

    Sllovenia do të bëhej vendi i 10-të i Bashkimit Evropian që e njeh zyrtarisht Palestinën. Norvegjia nuk është pjesë e bllokut 27-anëtarësh, por ajo zakonisht i përshtat politikat e jashtme me ato të bllokut.

    Sllovenia e nisi procesin e njohjes së Palestinës në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

    Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinez kanë ikur atje.

    Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

    Vendimi për njohjen e Palestinës ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës. Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./REL/

  • Biden do ta vizitojë Francën javën e ardhshme

    Biden do ta vizitojë Francën javën e ardhshme

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do t’i vizitojë Normandinë dhe në Parisin nga 5 deri më 9 qershor, për të marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

    Biden do të mbajë fjalim përkujtimor më 6 qershor, dhe pastaj do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris më 8 qershor, si pjesë e një vizite shtetërore, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

    Zyra e Macronit, ndërkohë, tha se dy presidentët do të bisedojnë “për nevojën për mbështetje të palëkundur dhe afatgjate për Ukrainën”, në një kohë kur lufta është rikthyer në Evropë, 80 vjet pasi zbarkimet e trupave çuan në çlirimin e Francës dhe kontinentit prej pushtimit nga Gjermania naziste.

    Javën e ardhshme në Normandi do të mblidhen liderët e 25 shteteve dhe qeverive, së bashku me dhjetëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, për t’i nderuar gati 160.000 trupa nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera, të cilët zbarkuan më 6 qershor 1944.

    Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë.

    Vizita shtetërore e Bidenit do të mundësojë “bashkëpunim të ngushtë” mes Francës dhe SHBA-së për krizat botërore, në prag të ngjarjeve ndërkombëtare, përfshirë të samitit të Grupit të Shtatë ekonomive të mëdha muajin e ardhshëm në Itali, si dhe të samitit të NATO-s në Uashington në korrik.

    Ata do të bisedojnë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me klimën, dhe do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht në fushat si, ekonomi, hapësirë dhe atë nukleare, thuhet në njoftim./REL/

  • BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar

    BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar

    Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE), tha të enjten ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.

    Diplomati evropian theksoi se blloku beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t’i përkushtohej detyrimeve që ka marrë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

    “Ne presim formimin sa më shpejt të një qeverie stabile. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Geer.

    Shkupit i kërkohet prej kohësh të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Këto ndryshime janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet tij dhe Brukselit për anëtarësim në BE.

    Qeveria e re – sipas kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili pritet ta marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri pasi paria e tij i fitoi zgjedhjet – do të formohet në bashkëpunim me koalicionin VLEN të partive opozitare shqiptare, më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.

    VMRO-ja thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja kundrejt Shkupit.

    Ndërkohë, Geer nuk deshi t’i komentojë përplasjet mes partive politike dhe në veçanti akuzat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për “mos respektimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje” si dhe bojkotin e seancës kur Afrim Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    “Unë besoj se interesi i këtij vendi është të vazhdojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ne në Bashkim Evropian jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë e re dhe të gjithë ata që mbështesin procesin e reformave, i cili është i nevojshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar këtë vend të përparojë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Geer.

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u konstitua më 28 maj ndërsa për kryetar të Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi nga koalicioni VLEN.

    Zgjedhja e Gashit edhe zyrtarisht konfirmon koalicionin për formimin e qeverisë së re mes VMRO DPMNE-së dhe katër partive shqiptare që përbëjnë koalicionin VLEN.

    BDI-ja tha më 29 maj tha se shumica e re parlamentare dhe rrjedhimisht qeveria që do të formohet “nuk është legjitime”, pasi, sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, “zgjedhjet më 8 maj te shqiptarët janë fituar nga Fronti Evropian, i cili edhe ka legjitimitetin e votuesve shqiptar”.

    Në zgjedhjet e 8 majit Fronti Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, i fitoi 18 mandate, ndërsa koalicioni VLEN 14.

    Kjo e fundit thotë se BDI-ja nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare pasi pjesë e Frontit Evropian janë edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut./REL/

  • ​KOMF-i alarmon institucionet për mbylljen e shërbimeve sociale për fëmijët

    ​KOMF-i alarmon institucionet për mbylljen e shërbimeve sociale për fëmijët

    Me mesazhin “Shërbimet për fëmijët po mbyllen”, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka kërkuar nga institucionet e vendit dhe komunat që të ndërmarrin masa në lidhje me shërbimet sociale pasi këto të fundit për shkak të mos mbështetjes institucionale po rrezikojnë të mbyllen.

    Drejtoresha e KOMF-it Donjeta Kelmendi, ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të hartojnë një plan për zgjidhjen e kësaj situate emergjente dhe hartimin e masave të përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

    “Komunat të marrin masa të menjëhershme të përmbushin obligimet e tyre ligjore në mënyrë që të sigurojnë financim në këtë situatë emergjente për ofruesit e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë…Kërkojmë që qeveria të krijojë një masë të përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike. Thirrja jonë sot shkon edhe për Kuvendin dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. KOMF kërkon që në rishikimet e buxhetit këtë vit të dëgjohet zëri i deputetëve në Kuvend që të ndahet buxhet shtesë për mbrojtjen sociale dhe për shërbime sociale për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Kelmendi.

    Për koalicionin KOMF është e papranueshme fakti që shërbimet sociale për fëmijët po shkojnë drejt mbylljes dhe Kelmendi ka bërë thirrje se kjo duhet të jetë një emergjencë shtetërore për institucionet në vend.

    “Jemi mbledhur këtu sot dhe jemi bashkë më prindërit e fëmijëve, përfitues të shërbimeve sociale, ofruesit e shërbimeve sociale dhe partnerët tanë, për të përçuar mesazhin që shërbimet sociale për fëmijët po mbyllen dhe ky duhet të jetë një alarm për komunat për qeverinë dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

    Ajo e përshkruar situatën tepër të rëndë duke pamundësuar ofrimin e shërbimeve për një pjesë të madhe të fëmijëve, pasi projektet ndërkombëtare kanë përfunduar.

    “Ofruesit e gjendjes sociale janë në gjendjen më të rëndë në vitin 2024, duke pasur parasysh që në dhjetor 2023 për pjesën më të madhe të tyre të ofruesit të shërbimeve kanë përfunduar programet, të cilat kanë qenë në mbështetje të shërbimeve sociale të mbështetura nga donatorët ndërkombëtar”. 01:59 Kjo situatë në qoftë se vazhdon në mënyrën e njëjte edhe për muajt në vijim do të vijojë me mbyllje të tjera që mund të çojë në kolaps në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të përbëjnë precedent për shtetin e Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

    Koalicioni KOMF bën thirrje që shërbimet esenciale për fëmijë pa kujdes prindëror, shërbime për fëmijë viktima të dhunës, abuzimit dhe trafikimit, fëmijëve me aftësi të kufizuara të cilët kërkojnë mbështetje dhe trajtim, kanë nevojë për përkrahje institucionale.

  • Serwer: Gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit

    Serwer: Gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit

    Shtetet kyçe të BE-së të cilat janë të involvuara edhe në procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli kanë qenë të palëkundura në kushtëzimin e tyre që Kosova duhet të bëjë progres të dukshëm sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nëse Prishtina zyrtare dëshiron të marrë përkrahje për anëtarësimin në Këshill të Evropës. Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar ta çojë Draftin e BE-së në Kushtetuese duke e humbur kështu mundësinë që Kosova të anëtarësohet në KiE gjatë majit.

    Por, çfarë nënkupton për besueshmërinë në mes Kosovës dhe aleatëve një raport i tillë i kushtëzuar e ku letrat me nënshkrime e zotime s’kryejnë më punë tek ndërkombëtarët.

    Lidhur me këtë ka folur profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer. Ai ka thënë se më raportin e kryeministrit të Kosovës me evropianët dhe amerikanët ka mungesë të besimit dhe efektivitetit.

    Serwer thotë se është një gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke qenë se është prioriteti kryesor i Beogradit në dialog e në ndërkohë Kosova s’përfiton asgjë.

    “Të gjithë të interesuarit duhet ta rilexojnë marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ku kërkohet jo vetëm Asociacion por gjithashtu edhe njohja nga Beogradi e vlefshmërisë së Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mos interferimin në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Beogradi asnjë nga këto kërkesa nuk i ka përmbushur”, ka thënë Serwer për Express.

    I pyetur nëse mendon se Kosova do ta implementojë ndonjëherë Draftin e BE-së, meqë Kurti ishte në gatishmëri të dështojë anëtarësimin në KiE dhe të mos e çojë në Kushtetuese, Serwer shprehet se s’sheh rrugë përpara për Asociacionin pa të paktën njohje de fakto të Kosovës nga Serbia.

    “Nuk shoh se si Asociacioni mund të ecë përpara pa njohjen de facto nëse jo de jure të Kosovës nga Serbia”, ka potencuar Serwer.

    Serwer për Express ka folur edhe për ofertën e minutave të fundit të bërë nga kryediplomatja Donika Gërvalla për Asociacionin me qëllim të marrjes së përkrahjes së aleatëve për KiE dhe për mos koordinimin me presidenten e Kosovës. Profesori amerikan thotë se çështja e koordinimit është punë për ata që janë të përfshirë dhe shton se mendon se Kosova duhet ta përgatis një draft që do ta konsideronte të pranueshëm, me kusht që Beogradi përmbush detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

    “Unë mendoj se Kosova duhet të përgatisë një draft që do ta konsideronte të pranueshëm, me kusht që Beogradi të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013”, ka potencuar Serwer.

    Pasi kushtëzimi për KiE dështoi, Serwer thotë se e vetmja mënyrë për ta bindur Kosovën që të lëviz përpara me themelimin e Asociacionit, është që të bindet Beogradi të kryejë obligimet e veta.

    Serwer, i pyetur nëse mos krijimi i Asociacionit do të krijojë hapësirë për rikthimin e idesë së korrigjimit të kufijve në rast të një rikthimi potencial të ish-presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë thotë se me apo pa Asociacion, ideja e shkëmbimit të territoreve do të rikthehet përsëri nëse Trump rizgjidhet president.

    “Nuk kam dyshim se ideja e shkëmbimit të tokave do të lindë përsëri nëse Trump rizgjedhet, pavarësisht nëse ka apo jo hapa drejt Asociacionit”, ka përfunduar Serwer.

  • BE-ja paralajmëron vendosjen e FRONTEX-it në Serbi

    BE-ja paralajmëron vendosjen e FRONTEX-it në Serbi

    Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka dhënë dritën e gjelbër për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e migrimit ilegal.

    Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e migrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.

    BE-ja ka njoftuar se Këshilli e ka miratuar këtë vendim të enjten në Bruksel.

    “Marrëveshja do t’u mundësoj BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do t’i ndihmojnë Serbisë për të menaxhuar valët e migrimit, të veprojë kundër imigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

    BE-ja edhe deri më tash ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.

    FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar evropian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).

    Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve, sigurinë e brendshme brenda BE-së dhe menaxhimin e migracionit, duke përfshirë një politikë efektive të kthimit, duke ruajtur lëvizjen e lirë të personave brenda unionit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore.

    Bashkimi Evropian tashmë ka marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

    Për Bashkimin Evropian marrëveshjet me vendet fqinje për t’i mundësuar FRONTEX-it të veprojë në territorin e tyre, janë identifikuar si të domosdoshme për të penguar që ato të jenë rrugë transiti për imigrimin masiv ilegal për në vendet e BE-së.

    E ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” që ndiqet nga migrantët, vazhdon të jetë shqetësuese për BE-në, e cila ka për qëllim që numri i imigrantëve ilegal që kalojnë përmes saj drejt BE-së, të zvogëlohet.

    Për shkak të numrit të madh të imigrantëve ilegalë që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, Sllovenia ka suspenduar zbatimin e rregullave të Schengenit në kufirin me Kroacinë dhe ka vendosur kontrollet kufitare në atë pikë kalimi.

    Pos bashkëpunimit me FRONTEX-in, BE-ja pret nga vendet e rajonit që t’i përshtaten dhe politikës së vizave të BE-së për qytetarët e vendeve të treta. Kjo ka për qëllim parandalimin e futjes me lehtësi të imigrantëve pa viza në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe kalimin ilegal në vendet e BE-së, si në Kroaci apo Hungari.

    BE-ja pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të imigrimit, pasi qytetarët e tyre gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në vendet e bllokut./REL/

  • ​Përplasje në Komisionin për Shëndetësi, Haxhiu: Qeveria e ka varfëruar Kosovën

    ​Përplasje në Komisionin për Shëndetësi, Haxhiu: Qeveria e ka varfëruar Kosovën

    Në Komisionin parlamentar për Shëndetësi pati diskutime mes pozitës dhe opozitës, ku kjo e fundit kritikoi qeverinë aktuale për rritjen e varfërisë në Kosovë.

    Anëtari i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu u shpreh i zhgënjyer pas publikimit të listës së çmimeve të barnave, ngase sipas tij vërehet shtrenjtimi i tyre.

    Haxhiu potencoi se rritja të çmimit të barnave ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e varfërisë së qytetarëve.

    Ndërkaq, lidhur me këtë është kundërpërgjigjur anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, për çka tha se qeveria aktuale në këto tri vite e gjysmë ka treguar se është shumë e interesuar për zvogëlimin e varfërisë.

    “Rritjen e çmimeve e cila ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e varfërisë. Sa e sa kohë që ne e monitorojmë këtu, ligjin për shërbime sociale…Për këtë na tregon shumë edhe ligji tjetër, të cilin ne e kemi votuar si Kuvend, ligji për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale me të cilin qëllimi dhe synimi i të gjithëve ka qenë që me këtë ligj të ulen çmimet e barnave dhe të ketë një unifikim të çmimit të barnave në nivelin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, i zhgënjyer me atë që kam parë pas publikimit të listës së çmimeve të barnave, ku barnat të cilat sot janë në treg me pakicë, në listën e çmimeve dalin shumë më shtrenjtë sesa që janë në treg me pakicë…Rritja të çmimit të barnave ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e varfërisë së qytetarëve”, tha Haxhiu.

    Avdyli potencoi se qeveria me vendime e përkrahje direkte ka ndikuar në eliminimin e formave të varfërisë.

    “Kjo qeveri në këto tri vite e gjysmë ka treguar se është shumë e interesuar për zvogëlimin e varfërisë, me vendime direkte me përkrahjen direkte me materiale lehona, me përkrahjen direkte të fëmijëve, pastaj me Superpunën, me përkrahjen e të rinjve, me produkte të veçanta ka ndikuar drejtpërdrejtë në eliminimin e formave të varfërisë që është objektivi i parë…Meqenëse kolegu Bekim e dha një vështrim për këtë qeveri, jo për këtë raport, ne mund të themi që edhe përkrahja që është bërë përmes subvencioneve, granteve në bujqësi ka qenë si asnjëherë më parë”, tha Avdyli.

    Në kuadër të Komisionit për Shëndetësi i cili u thirr për të vlerësuar përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, diskutimi mes deputetëve pozitë dhe opozitë ka vazhduar.

    Lidhur me atë se qeveria ka punuar në zvogëlimin e varfërisë, deputeti Haxhiu mohoi një gjë të tillë, për çka tha se politika e kësaj qeverie është që të varfërojnë qytetarët me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe produkteve.

    “Me ia shtrenjtua rrymën i nderuari Haxhi, qytetarëve mbi 100 për qind edhe me iu dhanë qytetarëve 1 herë nga 100 euro nuk është politikë për zhvillim të qëndrueshëm por është lëmoshë për qytetarët. Sepse, sipas asaj që po e shoh, politika e qeverisë është që të varfërojnë qytetarët me shtrenjtimin e energjisë dhe produkteve”, tha Avdyli.

    Ndërkaq, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi eksperti, Fitim Mulolli i cili potencoi se Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare zë vend të rëndësishëm për realizimin e objektivave sepse, derisa shton se raporti i vlerësimit i përmbush rreth 11 targete.

    Ai tha se janë 169 targete për t’u përmbushur në të gjitha fushat, derisa shtoi se qëllimi është që gradualisht deri në vitin 2030 të përmbushen sa më shumë këto objektiva.

    “Edhe Këshilli për zhvillim të qëndrueshëm si organ koordinues i këtyre objektivave, ka bërë mjaft aktivitete për të parë se ku po qëndron Kosova dhe për t’u munduar të rrisë vetëdijen e institucioneve së pari, rreth përmbushjes së këtyre objektivave. Në këtë drejtim ligji për shërbime sociale dhe familjare zë vend goxha të rëndësishëm për realizimin e këtyre objektivave sepse, siç e thotë raporti vlerësimi i përmbush rreth 11 targete. Pra, janë 169 targete për të gjitha fushat, e të gjitha fushat e të gjitha aspekteve që duhet të mbulohen institucionet e çdo shteti, në këtë rast edhe të Republikës së Kosovës. Ky ligj me mjaft sukses (përmbushi) rreth 11 prej tyre plus rreth 3 targete të fushës së arsimit, ndonëse nuk është fushë prioritare të mbulohet, prapë i prek ato. Qëllimi është gradualisht që deri në vitn 2030 të përmbushen sa më shumë këto objektiva”, tha Mulolli.

  • Bebe Rexha ndan simptomat e sëmundjes, flet për shtimin në peshë dhe aknet

    Bebe Rexha ndan simptomat e sëmundjes, flet për shtimin në peshë dhe aknet

    Bebe Rexha ndau simptomat e saj të PCOS të mërkurën gjatë një videoje në TikTok.

    Këngëtarja 34-vjeçare u pyet për simptomat e saj nga sindroma e vezores policistike (PCOS) dhe shpeshtësinë e tyre dhe u përgjigj me detaje për rreth 8.5 milionë ndjekësit e saj.

    Këngëtarja 34-vjeçare u pyet për simptomat e saj nga sindroma e vezores policistike (PCOS) dhe shpeshtësinë e tyre dhe u përgjigj me detaje për rreth 8.5 milionë ndjekësit e saj.

    Ylli i muzikës zbuloi se simptoma e saj e parë ishte se kishte perioda të parregullta dhe zbuloi se një muaj ajo kishte periodat për 20 ditë.

    “Super, super e parregullt,” tha Bebe.

    “Mjeku im dikur më tha se një grua me PCOS mund të hajë një tas me boronica dhe do të ishte e barabartë me një person normal që hante një byrek të tërë pica,” tha Bebe.

    Bebe tha se simptoma e saj e dytë ishte shtimi në peshë dhe se ajo kishte shtuar ‘shumë në katër vjet’.

    Ajo foli për numërimin e kalorive dhe ndau foto të vetes e cila paraprakisht e peshon ushqimin e saj çdo ditë.

    Bebe tha se konsumon vetëm 1400 kalori në ditë dhe digjte rreth 700 kalori në stërvitje.

    Për herë të parë e zbuloi në 2023 se ajo kishte PCOS.

    “Unë padyshim që luftoj me peshën time dhe kam vështirësi me pamjen time dhe ka qenë e vështirë për mua. Sapo mora vesh kohët e fundit se kam PCOS dhe shumë gra e kanë atë dhe nuk e dinë”, tha Bebe.

    ‘Është e vështirë. Unë mendoj që kam luftuar me peshën time, dhe kam luftuar me ushqimin”, shtoi ajo.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak kuorumi

    Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak kuorumi

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në rend dite, ky komision kishte shqyrtimin e Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin për vitin 2023.

    Po ashtu, në këtë mbledhje parashihej edhe formimi i grupeve të punës për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.