ATV

Author: G.O.

  • Këngëtarja Teuta Selimi në zi, i vdes babai

    Këngëtarja Teuta Selimi në zi, i vdes babai

    Familja e këngëtares Teuta Selimi ka dhënë lajmin e hidhur për vdekjen e më të dashurit të tyre, raporton Sinjali.

    Babai i Teutës, Hamit Selimi ka vdekur sot, njoftuan familjarët në Facebook, me ç’rast kanë dhënë detajet e ceremonisë së varrimit.

    “Me dhimbje dhe pikëllim te thelle njoftojmë familjarët, miqtë, dashamirët se ndërroj jetë babai yne HAMIT SELIMI. Varrimi i te ndjerit bëhet sot ne ora 13:30 në varrezat e Prishtinës-Dragodan.” – thuhet në njoftim.

     

  • ​QKUK-ja pa objekt të veçantë për trajtimin e pacientëve me sulm në tru

    ​QKUK-ja pa objekt të veçantë për trajtimin e pacientëve me sulm në tru

    Funksionalizimi i një qendre të veçantë në Kosovë për goditjet në tru, po konsiderohet si nevojë e domosdoshme nga neurokirurgët dhe neurologët. Ani pse ky intervenim bëhet aktualisht në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të disa klinikave, vlerësohet se duhet ndërtuar një objekt për Qendrën Strok, me staf mjekësor dhe aparatura të veçanta.

    Rastet e shpeshta të pacientëve me sulm në tru dhe koha e kufizuar për intervenim, janë ndër arsyet që profesionistët shëndetësor renditin, derisa potencojnë rëndësinë e ndërtimit të një qendre të tillë.

    Drejtori i Klinikës së Neurologjisë në QKUK, Edmond Komoni ka thënë për KosovaPress, se në kuadër të klinikës, është e ndarë një pjesë për trajtimin pacientëve me goditje në tru.

    Sfidë kryesore në trajtimin e rasteve me sulm në tru, Komani potencon kohën e intervenimit, e cila sipas tij, më së largu duhet të jetë deri në 3 orë pas goditjes.

    “Është krijuar një plan nacional në kuadër të cilit përveç organizmit brenda vetë shëndetësisë, janë të nevojshme edhe kampanjat për informimin e popullsisë, pasi që këto simptome mund të njihen edhe prej vetë popullatës dhe ata të dijnë që sa më herët pacientët të dërgohen në qendrat mjekësore…Në kuadër të këtij plani është e paraparë që të krijohet edhe Qendra e Strokut, e cila është një objekt me të gjitha pajisjet tjera. Ne ende nuk e kemi komplet të krijuar këtë qendër. Mirëpo, jemi duke i kryer, si objekt po flas fizikisht, mirëpo procedurat të cilat janë të nevojshme për pacientin jemi duke i kryer…Bashkë me Klinikën e Emergjencës, me Urgjencën e qytetit të Prishtinës, që të vijnë pacientët dhe me spitalet rajonale…Problemi kryesor është te koha, zakonisht ende nuk e kemi arritur një standard evropian të arritjes sa më herët të pacientëve në QKUK. Është mirë që terapia të aplikohet për tre orë, mirëpo rezultate sa më herë janë më të mira”, thotë Komoni.

    Ndër të tjera, Komoni tregon se intervenimi te pacientët me goditje në tru bëhet përmes dy metodave, njëra me terapi intravenoze dhe tjetra mekanike, përmes kateterëve.

    Duke qenë se trajtimi rekomandohet të bëhet në tre orët e para, pas sulmit, Komoni për KosovaPress, thekson faktin se i gjithë sistemi shëndetësor duhet të jetë i organizuar, që pacientët të arrijnë sa më shpejtë në klinikë.

    “Bëhet fjalë për, në popull njihet si sulmi në tru, pika në tru. Është një sëmundje më e shpeshta në pjesën e Neurologjisë e cila është pasojë e ndërprerjes së përnjëhershme të qarkullimit të gjakut në tru dhe me pasojat e saj të cilat shkaktojnë lloje të ndryshme të deficiteve ose pengesave të pacientëve…Në ditët e sotme trajtohet në dy metoda, me të cilën ne tentojmë që atë ndërprerje të qarkullimit të gjakut që ka ndodhur për arsye të ndryshme, ta rivendosim përsëri në trup. Kjo bëhet në dy mënyra, me terapi intravenoze, me infuzion, me ilaç i cili quhet alteplast, të cilin e posedojmë. Po ashtu, metoda tjetër është mekanike, përmes kateterëve depërtohet deri tek ena e gjakut që është e mbyllur të tentohet që të hapet…Trajtimi rekomandohet të bëhet në tre orët e para, duhet të jetë i organizuar i gjithë sistemi shëndetësor që këta pacientë të arrijnë sa më shpejtë në QKUK, që të vijnë sa më herë”, thotë Komoni.

    Derisa goditja në tru konsiderohet të jetë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë, domosdoshmërinë për funksionalizmin e një qendre në Kosova, ku bëhet trajtimi i saj, e thekson edhe neurokirurgu, shef i Njësisë së Neuroradiologjisë Intervencionuese në Spitalin “Lariboisiere” në Paris, Emanuel Houdart.

    Në një prononcim për KosovaPress, Houdart tregon se si bëhet trajtimi i këtyre pacientëve në Francë.

    “Përparimi në specializimin tim ka qenë trajtimi i goditjes në tru, që është shkaku kryesor i paaftësisë dhe shkaku kryesor i vdekshmërisë. Pra, e dini, ndoshta ajo goditje nuk trajtohet nga neuroradiologu intervenues dhe nga një ndërhyrje e quajtur trombektomi që nënkupton faktin për të tërhequr trombin në një arterie intra-arteriale. Për këtë ndërhyrje duhet të bëjmë gjashtë deri në tetë orë pas fillimit të deficitit neurologjik. Kur një pacient bie në hemiplegji, kur humb aftësinë për të folur, kemi 6 orë për ndërhyrje, kështu që pika kryesore në specializimin tim do të ishte që Kosova të kishte një ekip që do të mund të centralizonte në Prishtinë goditjen në tru dhe gjithashtu të ketë organizatën që lejon pranimin e atyre pacientëve në atë kohë, që do të thotë se zakonisht në Francë, ne, pacienti, familja, i afërmi i pacientit, nuk telefonon mjekun e përgjithshëm, ata thërrasin një numër urgjence ku ka një mjek që merr telefonatën dhe i shpjegoni mirë që burri juaj nuk mund të lëvizë, nuk mund të flasë më, po përjeton një goditje në tru, ne dërgojmë ambulancën, e marrim nga shtëpia dhe e sjellim në qendrën e infarktit ku do të bëhet trombektomia. Pra, në aspektin teknik, Kosova do të duhet të zhvillojë vitin e ardhshëm një qendër për trajtimin e goditjes në tru”, thotëHoudart.

    Goditja në tru, përveç që paraqitet në raste me të shpeshta te moshat e shtyra, ajo i prek edhe të rinjtë. Sipas profesionistëve shëndetësorë, sulmi në tru konsiderohet kur një person është në gjendje të mirë shëndetësore dhe papritmas i shfaqen simptoma si probleme me shikim, të folur, dobësim i forcës, çrregullim i vetëdijes e simptoma të tjera shoqëruese.

  • Uniformat policore, Sveçla: Dëshmi se Serbia është përgjegjëse për tentativën destabilizimit dhe aneksimit të veriut

    Uniformat policore, Sveçla: Dëshmi se Serbia është përgjegjëse për tentativën destabilizimit dhe aneksimit të veriut

    Ministri i Punëve  të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi policia dje në Leposaviq gjeti dhjetëra uniforma të policisë serbe e asaj të Kosovës.

    Sveçla tha se mekanizimi terrorist i Serbisë në veri të Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë, teksa shtoi se aksioni në fshatin Isev i Poshtëm u krye pas marrjes së informatave inteligjente.

    “Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, tha Sveçla.

    “Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”, tha Sveçla.

    Më tej, Sveçla tha se është detyrë dhe obligim i qeverisë shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

    “Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, tha ai.

  • Policia fraceze parandalon një sulm të planifikuar terrorist gjatë Lojërave Olimpike

    Policia fraceze parandalon një sulm të planifikuar terrorist gjatë Lojërave Olimpike

    Zyrtarët francezë të sigurisë kanë zbuluar një komplot për të kryer sulm gjatë një ndeshjeje futbolli në Lojërat Olimpike të Parisit.

    Në një deklaratë të premten, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se forcat franceze të sigurisë, këtë muaj, arrestuan një shtetas çeçen 18-vjeçar që dyshohet se po planfikonte një sulm në stadiumin “Geoffroy Guichard “në qytetin Saint-Etienne, “i nxitur nga ideologjia e Shtetit Islamik”.

    Ai donte të “sulmonte tifozët, por edhe forcat e sigurisë dhe të vdiste si martir”, tha zoti Darmanin.

    Franca është në nivelin më të lartë të alarmit të sigurisë përpara Lojërave Olimpike që fillojnë në më pak se dy muaj.

    Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve, shtetasi çeçen është akuzuar për komplot terrorist dhe ndodhet në paraburgim.

    Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike të Parisit tha përmes një deklarate se “e përshëndeste efekastetin e organeve të rendit dhe mobilizimin e tyre të jashtëzakonshëm për të garantuar sigurinë e Lojërave.”

    Lojërat Olimpike të Parisit do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht./VOA

  • Përleshen fizikisht tre burra në Vushtrri, përdoret edhe arma

    Përleshen fizikisht tre burra në Vushtrri, përdoret edhe arma

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre burra në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, meqë dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht.

    Njëri prej tyre ka përdorur edhe armë duke ia drejtuar një tjetri.

    Dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor.

    “ARMËMBAJTJ EPA LEJE & PËRDORIM I ARMËS & LËNDIM I LEHTË TRUPOR – Fsh. Gojbulë-Vushtrri 31.05.2024 – 09:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht, ku dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor. Njëri prej të dyshuarve kishte përdorur një armë pistoletë duke i a drejtuar njërit prej tyre. Gjatë bastisjes në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar pistoleta me një karikator pa fishekë, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar, dy prej të dyshuarve dërgohen në mbajtje dhe një i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Reforma në Trafikun Urban, Zogaj tregon për risitë që do t’i sjellin, opozita skeptike për realizimin e saj

    Reforma në Trafikun Urban, Zogaj tregon për risitë që do t’i sjellin, opozita skeptike për realizimin e saj

    Me reformën e nisur në Trafikun Urban, po synohet që të unifikohet bileta e udhëtimit, blerja e autobusëve të rinj dhe shtimi i linjave të reja për lagjet të cilat nuk mbulohen aktualisht, raporton Ekonomia Online.

    Megjithatë, opozita në kryeqytet po e vlerëson si të vonshme nisjen e kësaj reforme, duke nisur nga fakti që kryetari Përparim Rama, ka premtuar se një gjë të tillë do ta bëjë qysh në fillim të mandatit.

    Kjo reformë po nisë pas më shumë së dy vjet e gjysmë nga ardhja në pushtet e LDK-së në kryeqytet.

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë për Ekonomia Online se një reformë e thellë në trafikun urban është shumë e nevojshme për kryeqytetin.

    “Ne po fillojmë me një reformë të transportit publik, që nënkupton të kemi një biletë të unifikuar për të gjithë qytetarët e Prishtinës, sepse deri tash biletat kanë qenë të ndara, një biletë ka qenë për transport publik ose trafikun urban, një biletë tjetër ka qenë për transportin e organizuar nga sektori privat. Gjithashtu, ne jemi duke i blerë edhe 30 autobusë të rinj, 6 janë elektrikë, kurse 24 diezel. Kjo nënkupton se po i shtohet edhe një flotë e re sistemit të trafikut urban në përgjithësi, por kemi bë ftesa për sektorin privat gjithashtu që të investojnë dhe të marrin licenca tek ne për linja të caktuara të cilat ne nuk mund t’i mbulojmë me autobusë të trafikut urban”, ka thënë Zogaj.

    Numri dy i kryeqytetit ka shtuar se do të ndërrohet edhe forma e pagesës, derisa zgjidhje do të bëhet edhe për të moshuarit.

    “Pagesa do jetë krejtësisht digjitale, do të kenë të gjitha format e pagesës, do të kemi mundësinë e pagesës me SMS, me aplikacion mobil, por gjithashtu edhe të moshuarit nëse kanë nevojë për bileta fizike kanë me i gjet biletat fizike në krejt dyqanet e mundshme, në krejt minimarketet”, theksoi zëvendësi i Përparim Ramës.

    Edhe në ndërmarrjen “Trafiku Urban” e kanë mirëpritur reformën e nisur nga Komuna e Prishtinës.

    Zëdhënësja e Trafikut Urban, Teuta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se kjo reformë vjen si nevojë e përmirësimit të shërbimeve të transportit publik.

    “Sigurimi i transportit publik paraqet një nevojë elementarë të qytetarëve, prandaj si ndërmarrje gjegjëse jem angazhuar intensivisht për të krijuar kushte optimale të transportit për të gjithë udhëtarët ky angazhim ka rezultuar vite më parë me sigurimin e një kontigjenti autobusësh të cilët e kanë përmirësuar ndjeshëm transportin publik në kryeqytet për rrjedhojë është shtuar një nevojë e zgjerimit të shërbimeve të tilla dhe rregullimin e tërësishëm të këtij problemi i cili na përcjellë tash e 25 vite…Nevojat janë të mëdha të të gjithë qytetarëve të Prishtinës, lagjeve të reja që po krijohen në Prishtinë, nevoja është imediate dhe shpresojmë që ne do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë këtë problem”, ka thënë Krasniqi.

    Mirëpo, rreth kësaj reforme ndryshe po mendojnë partitë opozitare.

    Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e ka quajtur të vonuar reformën e nisur nga kryetari Rama, sepse të njëjtën e kishte premtuar se do ta bënte me të marrë mandatin e të parit të kryeqytetit.

    “Nuk e di për çfarë reforme po flasim më të vërtetë, për shkak se këto reforma të cilat i premtoi zoti Rama para disa ditëve janë të njëjtat gjëra të cilat i ka premtuar qysh kur e ka marrë mandatin para dy vite e gjysmë. Ajo se çka kemi parë këto dy vite e gjysmë është se ka ndodh një shtrenjtim i biletës njëkahëshe për 25 për qind, ndërkohë që gjatë fushatës zgjedhore ka pas premtime për transport publik falas”, tha Sveçla për Ekonomia Online.

    Sipas Sveçlës, një tjetër premtim i parealizuar nga komuna, e që është nevojë shumë e madhe për qytetarët, është edhe çështja e pritoreve.

    “Një gjë të vetme të cilën nuk kanë arritur ta përfundojnë në mesin e atyre shumë të cilat i kanë premtuar dhe nuk i kanë realizuar është edhe çështja e pritoreve. Këta nuk kanë arritur t’i përfundojnë as pritoret, e lërë më të flasin për reforma ose diçka të tillë konkrete. Siç e dini ka pas premtime që do shtohet flota e autobusëve në vitin 2022, në përfundim të vitit 2022, pastaj thanë se do ndodh në vitin 2023, përfundoj edhe viti 2023 jemi në vitin 2024 tani na thanë në vitin 2025 që do të shtohet flota e autobusëve, ka ndryshime të itinerarit të autobusëve, qytetarët hasin në vështirësi për shkak se nuk e kanë të qartë cilat linja nëpër të cilat rrugë kalojnë. Kjo ka ardhur si pasojë e mbylljes së disa rrugëve në kryeqytet, në përgjithësi mund të themi se gjendja në trafikun urban sot është më e keqe se që ka qenë para se zoti Rama dhe ky pushtet të fillojë qeverisjen me Prishtinën. Prandaj të gjitha ato që i ka thënë zoti Rama, unë vazhdojë t’i marrë si pjesë e fushatës së tyre zgjedhore”, ka thënë Sveçla.

    Sveçla thotë se kryetari Rama dhe ky pushtet nuk kanë arritur ta përfundojnë asnjë premtim për këta 30 muaj.

    Të vetmin kompliment që Sveçla i ka dhënë udhëheqjes komunale, është bileta gjithditore, e cila sipas tij, ka rezultuar si e suksesshme.

  • Kritikat e Kurtit për PSRK-në cilësohen ndërhyrje në drejtësi dhe temë e shpikur për larguar vëmendjen nga dështimet

    Kritikat e Kurtit për PSRK-në cilësohen ndërhyrje në drejtësi dhe temë e shpikur për larguar vëmendjen nga dështimet

    Shoqëria civile dhe partitë opozitare po e konsiderojnë ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, postimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili atakon Prokurorinë Speciale, për mospunë në ngritjen e aktakuzave për krime lufte.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, thotë se nuk i takon kryeministrit Albin Kurti të interferojë në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese.

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, beson se “përkushtimi” i Kurtit në trajtimin e kësaj teme tani është për të larguar vëmendjen nga situata kaotike në të cilën ndodhet vendi.

    E deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci, nuk konsideron se shefi i Qeverisë ka bërë ndonjë ndërhyrje në gjyqësor, por vetëm ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë.

    Sipas Shalës së IKD-së, në shkrimin e kryeministrit Kurti, janë dy çështje problematike.

    “Çështja e parë e patejkalueshme është ‘e drejta’ e kryeministrit dhe aktorëve politikë për të ndikuar dhe interferuar në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është prokurori i Shtetit. Në rastin konkret, në asnjë rrethanë në një vend ku sundon ligji nuk mund të mendohet se i jepet kjo e drejtë aktorëve të caktuar politikë që të japin deklarata që nxisin mosbesim ndaj institucioneve, siç është prokurori i Shtetit dhe kjo është e përcaktuar sipas Kushtetutës”, ka thënë Shala.

    Ai thekson se kjo është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë.

    “Deklaratat e tilla janë qartazi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe kjo përcaktohet sipas Kushtetutës dhe elaborohet tutje nga ana e opinioneve të Komisionit të Venecias. Çka i takon kryeministrit, në rastin konkret, është që t’i propozojë ndryshimet e nevojshme legjislative që janë bërë dhe e dyta eventualisht që të tentojë ta përkrahë përmes ligjit për ndarje buxhetore Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe këtu të përfundojë mandati i tij. Çdo deklarim i tij jashtë këtyre suazave paraqet ndërhyrje në institucionin e pavarur kushtetues, në rastin konkret në Prokurorinë e Shtetit”.

    Tutje, Shala ka hedhur poshtë deklaratën e kryeministrit se janë bërë pesë vite që institucioneve të drejtësisë iu është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve serbë.

    “E kemi parasysh se kanë qenë disa dispozita që kanë trajtuar çështjen e gjykimit në mungesë, mirëpo që është konsideruar se të njëjtat janë të paplikueshme për shkak të problemeve që i kanë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që dispozitat e reja për gjykimin në mungesë janë futur në Kodin e ri të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2023. Pra që i bie se dispozitat adekuate në këtë fushë sa i përket gjykimit në mungesë nuk i kanë pesë vite, mirëpo është që nga shkurti i vitit 2023 që po i bie rreth 15 a po 16 muaj”, tha Shala për EO.

    Por, një pjesë e fajit bie mbi Prokurorinë, thotë Shala sepse nuk i ka thënë ndonjë prioritet kësaj çështjeje.

    Sipas tij, aktualisht në Departamentin për krime lufte zyrtarisht janë vetëm 3 prokurorë të caktuar, e të cilëtbtrajtojnë edhe raste të tjera që i bie se nuk ka një fokus adekuat në trajtimin e këtyre rasteve.

    Sipas Shalës, Kosovës i mungon një strategji kombëtare për trajtimin e këtyre rasteve, duke marrë edhe shembuj nga vendet e tjera që janë ballafaquar me këtë situatë, siç është rasti i Kroacisë.

    E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka deklaruar për Ekonomia Online se “përkushtimi” i kryeministrit Albin Kurti në trajtimin e kësaj teme është për të larguar vëmendjen nga situata kaotike në të cilën ndodhet vendi.

    “Kurtit nuk i bën fare a dënohen kriminelët, potencialisht që kanë bërë krime gjatë luftës 98-99 në Kosovë. Është po i njëjti ky Kurti që i ka thurur lavde atij kriminelit të luftës Oliver Ivanoviqit, i cili dihet se çka ka bërë në Mitrovicën Veriore para dhe pas luftës. Por përshtypja ime është se krejt këtë që po e bën Kurti, lidhur me kinse mospunën e organeve të drejtësisë, ka të bëjë me spostimin e vëmendjes nga gjendja kaotike ku e ka futur Kosovën, duke filluar nga kriza e madhe ekonomike, migrimi masiv, korrupsioni masiv në nivelet e mafiozitetit, izolimi ndërkombëtar, sanksionet, marrëdhëniet ndërshqiptare në pikën më të ulët për shkak të Kurtit, si me Shqipërinë, si me shqiptarët e Maqedonisë, si me shqiptarët në Preshevë, si dhe marrëdhënien me pikën më të ulët me ShBA-në dhe fataliteti që pësuam historik me refuzimin që të pranohemi në Këshillin e Evropës”, tha Kastrati.

    Spas deputetit Kastrati ky është kalkulim elektoral që t’iu ikëm temave, pasi e ka sjellë vendin buzë greminës, ku çdo i dyti dëshiron të ikë nga ky vend.

    Ndryshe nga shoqëria civile opozita e sistemi gjyqësor, po mendojnë në partinë që e udhëheq Albin Kurti – Lëvizjen Vetëvendosje.

    Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, ka thënë për Ekonomia Online, se Kurti nuk ka ndërhyrë në gjyqësor.

    “Kryeministri Kurti nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në gjyqësor, por kryeministri Kurti ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë. Ndërhyrja në gjyqësor është diçka tjetër, ndërhyrja në gjyqësor quhet kur ju e pengoni gjyqësorin në punë, e ato nuk po ndodhin në qeverinë Kurti. Deklarata e kryeministrit Kurti është që sa më shpejt të ndiqen dhe të dënohen njerëzit, kriminelët serbë të cilët kanë bërë masakra në popullatën shqiptare në vitin 98-99”, tha Bajqinovci.

    Teksa ka folur për mungesën e prokurorëve, Bajqinovci tha se Prokuroria Speciale duhet të hap konkurs, e mos të justifikohet.

    “Ata kanë mundësi që me e hap konkursin. Pajtohem që një prokurore ka dalë në pension, por ka mundësi që prokuroria sa më shpejt të hap konkurs dhe të merr prokurorë të tjerë dhe sa më shumë të punohet, andaj unë mendoj që nuk është justifikim”, tha Bajqinovci.

    Të enjten, kryeministri Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, akuzoi Prokurorinë Speciale të Kosovës, se janë bërë pesë vjet që prej së i ka marrë kompetencat për ndjekjen e kriminelëve të luftës, porse kanë kaluar pesë vjet pa rezultate.

    Ndaj deklaratave të Kurtit, të premten ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, duke thënë se komentet e vazhdueshme të kryeministrit për punën e PSRK-së janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.

    “Si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese. Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

  • Bundestagu vendos javën tjetër për vendimin e Qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të ushtarëve të KFOR-it

    Bundestagu vendos javën tjetër për vendimin e Qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të ushtarëve të KFOR-it

    Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë për një vit tjetër qëndrimin e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të KFOR-it për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon. Si më parë, deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision.

    Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, tha: “Prej tashmë 25 vjetësh, Bundeswehr-i po kontribuon në mënyrë aktive në stabilizimin dhe sigurimin e paqes në Kosovë.” Ai theksoi se kontributi i KFOR-it është i nevojshëm për stabilizimin e sigurisë dhe konsiderohet si një shtyllë kryesore e stabilitetit në rajon.”

    Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Müller, tha se mandati mbetet i pandryshuar. “Ne veprojmë sipas mandatit ekzistues. Kompania gjermane në NATO është në gatishmëri dhe ka marrë kompetenca shtesë, si kontrolli i turmave dhe trazirave.” I pyetur për një strategji daljeje nga Kosova, Müller shtoi: “Operacionet e kësaj përmasash diskutohen dhe miratohen gjithmonë nga parlamenti. Ne zbatojmë këtë mandat derisa të vendoset që nuk është më i nevojshëm.”

    Vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman

    Bundestagu do ta trajtojë këtë vendim të qeverisë më 6 qershor 2024, me një debat 40-minutësh. Pas debatit, kërkesa do të kalojë për shqyrtim të mëtejshëm në komisionet përkatëse, të kryesuar nga Komisioni i Jashtëm. Pritet që vendimi, sikurse edhe vitet e mëparshme,  të miratohet me shumicë dërrmuese të votave nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë, SPD, FDP dhe Të gjelbrit, dhe nga grupi më i madh opozitar, CDU/CSU.

    Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Qeveria gjermane e paraqet mandatin çdo vit për rishikim dhe miratim në parlament për të siguruar një proces demokratik dhe transparent. Kostoja e misionit për një vit përllogaritet të jetë rreth 21,8 milionë euro. Në prill, qeveria gjermane forcoi përkohësisht kontributin e saj në KFOR me një kompani shtesë për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës.

    Situtata e sigurisë në veri mbetet e brishtë 

    Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përkeqësuar që nga viti 2022, me përleshje të dhunshme në Zveçan dhe një sulm paramilitar në Banjskë. Tensionet politike vazhduan edhe në fillim të vitit 2024, përfshirë zgjedhjet e mundshme në komunat veriore dhe rregullimet financiare midis Serbisë dhe Kosovës.

    Duke marrë parasysh tensionet, stabilizimi përmes KFOR-it dhe prania e Bundeswehr-it në Kosovë mbeten thelbësore. Në planin afatgjatë, Gjermania synon kalimin e përgjegjësisë së sigurisë tek institucionet kosovare. Deri atëherë, prania e KFOR-it mbetet e nevojshme për të parandaluar konfliktet dhe përshkallëzimet afatshkurtra, thuhet në kërkesën e qeverisë gjermane drejtuar parlamentit.

    KFOR-i mbetet garant për sigurinë në rajon

    KFOR është krijuar për të garantuar sigurinë në Kosovë dhe mbikëqyrjen e strukturave profesionale, demokratike dhe multi-etnike. Përfshirja e Bundeswehr-it përfshin mbështetjen e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe aktorëve të tjerë në kuadër të reformës së sektorit të sigurisë.

    Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet baza për KFOR-in, të cilën të dyja vendet dëshirojnë ta vazhdojnë. Politikat e qeverisë gjermane synojnë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetjen e stabilitetit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës./DW

  • Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • 1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

    1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

    Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. 

    Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

    Me rastin e kësaj dite, aktivitete të larmishme gjatë ditës në sheshet e kryeqytetit do të organizohen nga Komuna e Prishtinës, ndërsa mbahet edhe takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në Qeveri nga ora 13:00.

    Në partneritet me Komunën e Prishtinës, Ambasadën Gjermane në Kosovë, GIZ dhe organizatën gjermane “It’s for Kids”, organizata Save the Children Kosova organizon ngjarjen festive e edukative në Parkun Taukbahqe nga ora 12:00.