ATV

Author: G.O.

  • Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.

    Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike.

    Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, thekson se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin.

    Përmes kësaj, ministri Maqedonci deklaron se deputetët kosovarë që do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan.

    “Avancimi i statusit të Kosovës nga anëtar vëzhgues në vend të asociuar, ka rëndësi të madhe për vendin tonë, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës. Legjislativi tani e tutje do të ketë mundësi të zhvillojë shumë më shumë aktivitete në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në krahasim me ato që ka pasur mundësi të zhvillojë gjatë kohës sa ka qenë vetëm vend vëzhgues. Kuvendi i Kosovës, parlamentarët tanë që do të jenë pjesë e Asamblesë së NATO-s, do të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha takimet e komitetet dhe nën komitetet të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme, të marrin pjesë në amendamentin e rezolutave, të jenë si raportues special të asociuar kur komitetet bëjnë raporte rreth gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

    Maqedonci deklaron se Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.

    “Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e NATO-s. Institucionet tona kanë bërë veprime të vazhdueshme. Pikë së pari Kosova është një vend demokratik, një vend që përfaqëson të gjitha vlerat e vendeve të NATO-s. Në aspektin politik, në aspektin sesi duket shteti i Kosovës ne i kemi të gjitha parametrat që të jemi pjesë e NATO-s. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ne kemi ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë, sipas standardeve të NATO-s. Ne trajnojmë pjesëtarët e FSK-së sipas standardeve dhe shkollës së NATO-s”, shton Maqedonci.

    Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.

    “FSK-ja të gjithë organizimin e saj, strukturën e ka të dizajnuar në atë format që të jetë i mundshëm ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s. Ne taktikat që i zhvillojmë në nivel taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet i kemi të sinkronizuara me ato të vendet e NATO-s. Ne përdorim kalibrat e municionit dhe sistemet e armatimit që përdorën në vendet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FSK-së që gjatë operimit të përbashkët me vendet e NATO-s, të ketë mundësi e ndërveprimit me ushtritë e vendeve të NATO-s. FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme si luftarake, ashtu edhe kapacitete të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile që janë ato kapacitete që janë parë shumë herë në FSK-në, si deminimi, kërkim shpëtimi që janë kapacitete të gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, thotë Maqedonci.

    Krahas sigurisë për Kosovën, ministri i Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në NATO do të paraqiste siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

    “Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk paraqet vetëm siguri për vendin tonë por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë vlerësoj se të gjithë Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në NATO, madje edhe Serbinë edhe pse deri tani nuk ka shfaqur as dëshirën më të vogël për të qenë pjesë e NATO-s. Megjithatë, integrimi në NATO do të jetë një hap i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe një objektiv strategjik për Kosovën me qëllim që të mbrojë interesat e saj që ndërlidhen me mbrojtjen dhe sigurisë”, përfundon Maqedonci.

  • ​Osmani takon dy zyrtare të larta amerikane: Diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë

    ​Osmani takon dy zyrtare të larta amerikane: Diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në El Salvador ka takuar dy zyrtare të larta amerikane.

    Ajo ka treguar se me nën-sekretaren e Shtetit për tregti ndërkombëtare, Marisa Lago, dhe ndihmës-sekretaren e Shtetit, Julieta Valls Noyes, ka diskutuar për partneritetin me ShBA-të.

    Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se me zyrtaret amerikane ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe mundësinë e rritje së bashkëpunimit ekonomik.

    “Një fillim i mbarë i ditës me partnerët tanë amerikanë! Në San Salvador, u takova me nën-sekretaren e Shtetit për tregti ndërkombëtare Marisa Lago dhe ndihmës-sekretaren e Shtetit, Julieta Valls Noyes. Diskutim përmbajtësor për partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara, zhvillimet e fundit të sigurisë, mundësitë për rritjen e tregtisë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik”, ka shkruar Osmani.

  • Tensioni i syrit – Shkaqet, shenjat dhe kur duhet të shkoni patjetër te mjeku

    Tensioni i syrit – Shkaqet, shenjat dhe kur duhet të shkoni patjetër te mjeku

    Sytë janë të brishtë e të rrezikuar nga një sërë problemesh shëndetësore që shkaktojnë dhimbje e probleme me shikimin.

    Një prej problemeve në fjalë ka të bëjë me ndjesinë e presionit të fortë në sy që shoqërohet me dhimbje të mprehta e të forta.

    Presioni në sy ka të bëjë me ndjesinë e tendosjes së fortë brenda syve.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për këtë problem, shkaqet dhe trajtimet e mundshme.

    Shkaqet e presionit në sy
    Ekspertët thonë se një gjë e tillë mund të shkaktohet nga dhimbjet e kokës, problemet me sinozitin, dhimbjet e dhëmbit apo dëmtimi i nervit optik.

    Infeksionet e sinuseve
    Një nga shkaqet më të zakonshme janë infeksionet e sinuseve që shkaktohen nga baktere të ndryshme që zaptojnë zonën pas hundës, syve dhe mollëzave.

    Infeksione të tilla shoqërohen me dhimbje në këto zona, bllokim të hundëve, sekrecione, kollë, dhimbje të kokës dhe veshit por edhe plogështi e temperaturë.

    Dhimbjet e kokës
    Dhimbjet e kokës mund të nxisin ndjesinë e presionit në sy por jo vetëm kaq.

    Dhimbjet e kokës shoqërohen me pezmatim të muskujve të qafës e shpatullës, skuqje të syve, ënjtje të fytyrës, rënie të qepallave etj.

    Sëmundjet autoimunitare
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, sëmundjet autoimunitare mund të shkaktojnë ënjtje apo inflamacion në zonën pas syrit.

    Kësisoj ato dëmtojnë nervin optik që transmeton informacionet vizive nga sytë tek truri.

    Në raste të tilla, njeriu mund të përjetojë humbje të shikimit, probleme me dallimin e ngjyrave, dhimbje të syve dhe dhëmbëve.

    Dhimbjet e dhëmbit
    Një problem me dhëmbët ose nofullën mund të tensionojë muskujt e fytyrës.

    Një gjë e tillë nxit dhimbjet e kokës, falë të cilave presioni tek syri bëhet më i ashpër.

    Kur duhet të konsultoheni me mjekun
    Një konsultë me mjekun është e nevojshme kur ju keni temperaturë të lartë, turbullim apo rënie të shikimit, dhimbje të forta të kokës apo humbje të ndjeshmërisë në trup.

    Trajtimet në kushtet e shtëpisë
    Ekspertët rekomandojnë zbatimin e një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

    Ata këshillojnë konsumin e ushqimeve të pasura me vitaminat C, E, A por edhe me bakër, selenium dhe zink

    Sipas tyre, njeriu duhet të tregojë kujdes me pirjen e sasive të mëdha të kafeinës e cila shton presionin në sy.

    Konsumi i bollshëm i lëngjeve është i domosdoshëm thonë ekspertët.

    Sa i përket gjumit, ju duhet të flini me kokën lehtas të ngritur që të zbusë presionin ndërsa ju flini.

    Nëse përdorni medikamente ose solucione për sytë, qëndroni striktë ndaj dozave të rekomanduara.

    Në të kundërt mund të dëmtoni nervin optik./AgroWeb.org

  • Ngriten dyshime për abuzim me të dhëna në Whatsapp

    Ngriten dyshime për abuzim me të dhëna në Whatsapp

    Pronari i platformës X, Elon Musk, ka akuzuar platformën WhatsApp për abuzim të të dhënave të përdoruesve, për të cilën kanë reaguar ashpër nga ky aplikacion.

    “WhatsApp eksporton të dhënat e përdoruesve çdo natë”, shkroi Musk në platformën X, duke thënë se kjo është bërë për një vendosje më të mirë të reklamave.

    Kjo shkaktoi një debat të nxehtë në rrjetet sociale dhe përfundimisht reagoi vetë CEO i WhatsApp, Will Cathcart.

    “Kjo nuk është e vërtetë. Ne e marrim seriozisht sigurinë e përdoruesit dhe kjo është arsyeja pse të dhënat tuaja janë të koduara. Ne as nuk i marrim ato mesazhe dhe as nuk i eksportojmë ato gjatë natës”, iu përgjigj ai postimit të Muskit.

    Ky debat u ndoq nga shumë përdorues të rrjeteve sociale, ndaj disa prej tyre vunë re se Musk thoshte “të dhëna” dhe jo “mesazhe”, të cilat mund t’u referoheshin meta të dhënave të përdoruesve.

    Nuk është plotësisht e qartë se çfarë prova ka Musk për këto pretendime, apo nëse ka fare, por p.sh. eksperti i sigurisë kibernetike, Tommy Misk, theksoi se “WhatsApp nuk ndan mesazhe, por ndan disa meta të dhëna me kompani të tjera Meta, si vendndodhjen e përdoruesve, kontaktet ose aktivitetet në internet”.

  • Rusia i vazhdon sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Rusia i vazhdon sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Rusia ka kryer sulme të reja duke e dëmtuar infrastrukturën energjetike në pesë rajone të Ukrainës më 1 qershor, njoftuan zyrtarët ukrainas.

    Objekte energjetike u dëmtuan në rajonet Donjeckut në lindje, Zaporizhjas në juglindje, në Dnipropetrovsk, si dhe në rajonin qendror Kirovohrad dhe atë perëndimor Ivano-Frankvisk, tha operatori i rrjetit energjetik i Ukrainës, Ukrenerho.

    “Mëngjesin e sotëm, rusët kryen një tjetër sulm në objektet energjetike të Ukrainës. Prej marsit janë kryer gjashtë sulme të mëdha raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës energjetike civile”, tha Ukrenerho.

    DTEK, kompania më e madhe e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike, tha se gjatë sulmit u goditën dy prej termocentraleve të saj dhe se pajiset e saj u “dëmtuan rëndë”. DTEK nuk tregoi se ku ndodheshin ato objekte.

    Rusia i ka rritur bombardimet kundër infrastrukturës energjetike civile në Ukrainë prej muajit mars, duke ia shkatërruar shumicën e kapaciteteve të termocentraleve dhe hidrocentraleve. Si pasojë, ka pasur reduktime të rrymës dhe import të energjisë elektrike në sasi rekorde.

    Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kundërajrorët e tyre i rrëzuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët rusët.

    “Terroristët rusë nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre për ta shkatërruar sektorin e energjisë së vendit. Forcat Ajrore dhe ato të Mbrojtjes të Ukrainës po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos e lejuar armikun ta arrijë qëllimin e tij në çdo cep të frontit”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleshchuk.

    Zyrtarët rajonalë raportuan se zjarrfikësit janë duke i luftuar zjarret në disa zona pas sulmeve të së shtunës. Nuk është raportuar për viktima.

    Sulmet e reja ruse u kryen dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, i dha leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.

    Në një intervistë për REL-in në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së është “i ligjshëm”, sepse Ukraina po e mbron veten, posaçërisht në qytetin Harkiv, i cili ndodhet vetëm 35 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë.

    Deri tani, ushtria ukrainase nuk ka qenë në gjendje t’i godasë me armë perëndimore forcat ruse – të cilat janë mbledhur në territorin rus pranë kufirit ukrainas – për shkak se SHBA-ja dhe disa aleatë të tjerë perëndimorë të Ukrainës shqetësoheshin se ato do ta përshkallëzonin luftën.

    “E drejta për vetëmbrojtje përfshin edhe të drejtën për t’i goditur caqet në territorin e agresorit. Dhe, pikërisht këtë duhet të jetë në gjendje ta bëjë Ukraina”, tha Stoltenberg./REL/

  • Për pesë muaj shqiptohen afro 1800 gjoba ndaj konsumuesve të duhanit në ambiente të mbyllura

    Për pesë muaj shqiptohen afro 1800 gjoba ndaj konsumuesve të duhanit në ambiente të mbyllura

    Ministria e Shëndetësisë po vazhdon pa kompromis zbatimin e Ligjit për Kontroll të Duhanit në të gjithë Kosovën.

    Lidhur me këtë, në pesë mujorin e parë të vitit 2024, janë zhvilluar mbi katër mijë inspektime me qëllim të ndalimit të konsumit të duhanit në ambiente të mbyllura, dhe si rrjedhojë janë shqiptuar 1 mijë e 724 gjoba për subjekte të ndryshme që kanë bërë shkelje të këtij ligji.

    “Qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë shifrat në vetvete, por rezultatet nga aksionet e vazhdueshme, të cilat do të vazhdojnë deri kur duhani në hapësira të mbyllura të mos jetë më dukuri normale në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Në këtë drejtim, përveç njoftimeve rreth inspektimeve dhe gjobave, është punuar edhe në plotësim-ndryshimin e Ligjit të ri për Kontroll të Duhanit, përmes të cilit do të ju bëhet zgjidhje edhe disa dilemave të evidentuara, të cilat në një formë ose tjetër ishin pengesë në respektimin e plotë të ligjit.

  • (VIDEO) Momenti kur Ronaldo u pa në lot pasi humbi finalen e Kupës me Al-Nassr

    (VIDEO) Momenti kur Ronaldo u pa në lot pasi humbi finalen e Kupës me Al-Nassr

    Gjatë ditës së sotme është zhvilluar finalja e Kupës së Arabisë Saudite mes dy gjigantëve, Al-Nassr e Al-Hilal.

    Triumfues në finale doli Al-Hilal, vetëm pas penalltive, me rezultatin pas 120 minutave që ishte i barabartë 1-1.

    Mirëpo, më shumë se festa e Al-Hilal, në sy ra gjendja e Cristiano Ronaldos pas ndeshjes.

    Portugezi 39-vjeçar nuk mund t’i ndalte lotën për asnjë sekond, derisa ai po merrte rrugën për në zhveshtore.

    Skuadra e Cristiano Ronaldos këtë edicion mbeti pa titullin e kampionit, teksa u mposht edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë.

    Cristiano Ronaldo është i përfshirë në listën e Portugalisë për “EURO 2024” që nis nga 14 qershori në Gjermani.

  • Dortmund – Real Madrid: Sonte finalja e madhe e Ligës së Kampionëve

    Dortmund – Real Madrid: Sonte finalja e madhe e Ligës së Kampionëve

    Pritjes i erdhi fundi dhe tashmë gjithë futbolldashësit kanë sytë kah finalja e madhe e Ligës së Kampionëve.

    Dita e sotme sjellë duelin final mes Dortmundit e Real Madrid, që zhvillohet në stadiumin “Wembley” të Anglisë.

    Klubi gjerman synon trofeun e dytë të kësaj gare që nga sezoni i largët në vitin 1997.

    Në anën tjetër, “Los Blancos” qëllim kanë të dalin triumfues për të 15-ën herë në garën më prestigjioze për klube në botë.

    “Verdhezinjtë” e Dortmundit arritën në finalen e madhe pasi gjatë rrugëtimin përrallor eliminuan PSV-në, Atletico Madridin, dhe së fundmi PSG-në.

    Ndërkohë, madrilenët e Carlo Ancelottit dolin fitimtar ndaj Leipzig, Manchester Cityt dhe në gjysmëfinale ndaj Bayern Munchenit.

    Dortmundi ka një përvojë jo të kënaqshme në “Wembley”, pasi në vitin 2013 u mposht në finale nga rivali, Bayern Muncheni.

    Ndërsa, Real Madridi edhe pse ka 17 finale të luajtura, asnjëherë nuk ka luajtur në këtë stadium.

    Finalja e madhe e Ligës së Kampionëve nis nga ora 21:00, dhe fituesi i kësaj ndeshje do të luajë në Superkupën e UEFA-s ndaj Atalantas.

  • Hamasi thotë se i përgjigjet ‘pozitivisht’ planit të Biden për armëpushim në Gaza

    Hamasi thotë se i përgjigjet ‘pozitivisht’ planit të Biden për armëpushim në Gaza

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kërkuar Hamasit të pranojë një marrëveshje të re paqeje që ai tha se Izraeli e ka vënë në tryezë.

    Marrëveshja ofroi një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje izraelite nga Gaza në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve dhe rindërtimit afatgjatë të enklavës së shkatërruar.

    Në reagim, Hamasi, grupi militant palestinez, lëshoi ​​një deklaratë të premten në mbrëmje, duke thënë se “e konsideron pozitivisht” fjalimin e Biden në lidhje me “një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, rindërtimin dhe shkëmbimin e të burgosurve”.

    Faza e parë e planit të sapo shpallur të Biden ishte e ngjashme me një plan që ishte negociuar në Katar dhe Kajro për muaj të tërë, por ishte dështuar kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve themelore midis Hamasit mbi Izraelin nëse armëpushimi do të ishte i përhershëm, shkruan The Guardian.

    Edhe pse kushtet e marrëveshjes së re u përcaktuan nga Biden, ai vazhdimisht e përshkroi atë si një propozim izraelit.

    Megjithatë, ai e bëri të qartë se ishte i vetëdijshëm se do të kishte rezistencë të konsiderueshme ndaj tij nga e djathta izraelite, duke përfshirë anëtarët e djathtë të koalicionit qeverisës.

    Një deklaratë e lëshuar nga zyra e Benjamin Netanyahu këmbënguli se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të arrihen qëllimet e vendit, duke përfshirë “eliminimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.

  • Zelensky: Mendoj se përdorimi i armëve perëndimore në territorin e Rusisë është çështje kohe

    Zelensky: Mendoj se përdorimi i armëve perëndimore në territorin e Rusisë është çështje kohe

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se është vetëm çështje kohe përpara se aleatët perëndimorë të lejojnë forcat e tij të godasin objektivat brenda Rusisë me armët që ata kanë ofruar.

    Ai po fliste në Samitin Nordik në Stokholm dhe u ankua para delegatëve se Rusia kishte një avantazh taktik.

    “Mënyra se si ata sulmojnë dhe ne nuk mundemi…kjo nuk është normale”, tha Zelensky duke iu referuar sulmeve ruse në territorin ukrainas.

    “Mendoj se përdorimi i çdo arme, arme perëndimore, në territorin e Rusisë është çështje kohe. Mendoj se po. Përndryshe, nuk bëhet fjalë për një paqe të drejtë, pasi ata mund të qëndrojnë vetëm në territorin e tyre dhe përmes vijës kufitare”, tha ai.

    Komentet e tij vijnë një ditë pasi dy zyrtarë anonimë amerikanë treguan se administrata Biden ishte e përgatitur të lejonte Ukrainën të përdorte armatimin amerikan për të goditur brenda Rusisë, por vetëm në mbrojtjen e rajonit verior të Kharkiv.

    Zyrtarët theksuan, megjithatë, se politika e Shtëpisë së Bardhë se armët e ShBA nuk duhet të përdoren për të shënjestruar Rusinë mbeti e pandryshuar, shkruan Euronews.com.