ATV

Author: G.O.

  • ​Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj

    ​Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj

    Në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, gjatë kohës së luftës në vendin tonë 1998-99, Tony Blair. Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.

    Ai tha se para 25 vjetësh, Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.

    Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.

    Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.

    Derisa citoi ish kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.

    Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.

    Kryetari Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

    Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku tha se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit. Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.

    Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.

    Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falenderues për kontributin e tij.

    Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori, Agon Qosa, e cila u vendos në sheshin që mban emrin e tij, dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.

  • Haradinaj priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

    Haradinaj priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

    Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar Grupin Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “Sot në Ditën e Çlirimit të Kosovës, na nderoi me vizitë Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Gëzuar Dita e Çlirimit shqiptarë kudo që jeni! Faleminderit President Begaj! Faleminderit Shqipëri!”, ka thënë Haradinaj.

  • Përurohet obelisku me shkronjat ‘UÇK’ në Prizren

    Përurohet obelisku me shkronjat ‘UÇK’ në Prizren

    Në Leskovec të Prizrenit është përuruar sot obelisku gjigant me shkronjat e arta ‘UÇK’.

    Qindra qytetarë figura të shquara kanë qenë prezentë në këtë ngjarje.

    Zbulimi i obeliskut lidhet me 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

     

  • Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

    Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Hungaria është pajtuar se nuk do ta bllokojë përkrahjen e aleancës për Ukrainën, por ka vendosur të mos ofrojë ushtarë apo fonde për ta ndihmuar vendin e rrënuar nga lufta.

    Stoltenberg është takuar me vendet anëtare të NATO-s gjatë një turneu së voni në përpjekje për të grumbulluar mbështetje, para samitit të muajit të ardhshëm në Uashington, për zgjerimin e rolit të aleancës në përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

    Hungaria ka pasur mosmarrëveshje me vendet e tjera të NATO-s për shkak se kryeministri i saj, Viktor Orban, ka ruajtur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtuesit rus.

    “Hungaria nuk merr pjesë në këto përpjekje të NATO-s dhe unë e pranoj qëndrimin e saj”, tha Stoltenberg për gazetarë në Budapest, pas takimit me Orbanin më 12 qershor.

    “Njëkohësisht, kryeministri më ka siguruar se Hungaria nuk do t’i kundërshtojë këto përpjekje, duke ua mundësuar aleatëve të tjerë të ecin përpara. Ai ka konfirmuar se Hungaria do të vazhdojë t’i plotësojë plotësisht detyrimet e veta në NATO”, shtoi ai.

    Në të njëjtën konferencë për media, Orbani konfirmoi se Hungaria nuk do ta bllokojnë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

    Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet Ukrainës në shkurt 2022, Orbani ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, dhe e ka zemëruar Brukselin duke mos pranuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo ta lejojë, siç bëjnë vendet e tjera të NATO-s, dërgimin e armëve Ukrainës.

    Qeveritë perëndimore janë të pakënaqura me marrëdhëniet e vazhdueshme të ngrohta të Orbanit me Moskën, si dhe me vonesat në ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, megjithëse Budapesti e dha pëlqimin për pranimin e saj në fund.

    Hungaria i kishte kërkuar aleancës ushtarake që ajo të mos merrte pjesë në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, në shkëmbim të lejimit të marrjes së vendimeve, që do të thotë se nuk do ta përdorë veton.

    NATO-ja i merr të gjitha vendimet e veta me konsensus.

    NATO-ja synon ta krijojë një plan për t’i dhënë Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake në vitet në vijim, për ta zmbrapsur pushtimin rus, sepse forcat ruse, të armatosura më mirë, kanë kontrollin në fushëbetejë.

    Aleanca do ta mbajë një samit muajin e ardhshëm në Uashington, ku liderët e saj synojnë ta finalizojnë planin./REL/

  • Kurti lavdëron FSK-në: Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja

    Kurti lavdëron FSK-në: Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës, ka bërë përparim të madh, ndërsa ka përmendur edhe dyfishimin e buxhetit për armatim, ndërsa ka thënë se FSK-ja e ka origjinën nga UÇK-ja, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për funksionimin e FSK-së, Kurti ka ka përmendur blerjen e dronëve “Bayraktar”, ndërsa ka premtuar që do t’i shtohen sistemi amerikan raketor anti-tank, “Javelin”. Ai ka thënë se liria e Kosovës ka ardhur nga lufta e drejtë e UÇK-së dhe nga ndihma e NATO-s.

    “Parakalimi juaj sot këtu na mbush me krenari dhe na jep ndjena të sigurisë. Jam shumë i gëzuar të shoh bashkë me ju përparimin e madh dhe të shpejt të FSK-së. Kjo është si rezultat i investimeve dhe punës sonë shumëvjeçare e veçanërisht të tri viteve të fundit. Kjo është arritur fal dyfishimit të buxhetit, trefishimit të armatimit. Tani janë pajisur edhe me armë të rënda deri me dronët ‘Bayraktar’ e që së shpejti do t’i shtohet edhe sistemi amerikan raketor anti-tank, ‘Javelin’. Një e treta e ushtarëve do të parakalojnë sot. Do të doja që në këtë ditë të rëndësishme kjo paradë të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për liri. Liria  e Kosovës ka ardhur përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë. Liria e Kosovës erdhi nga lufta e drejtë e UÇK-së, përfaqësuesit politik i të cilës ishte baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga forcat e NATO. Lë të punojmë për çdo ditë që ta bëjmë lirin tonë sa më cilësore”, u shpreh Kurti.

  • Osmani: Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi

    Osmani: Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para shumë qytetarëve, në paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se dita e çlirimit të Kosovës tregon për të kaluarën e dhimbshme të popullit, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se festa e kësaj dite, tregon për të tashmen dhe synimin për një të ardhme me prosperitet.

    “Kjo është një ditë për ta kujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme po ashtu për të festuar të tashmen tonë dhe për të synuar një të ardhme me prosperitet. UÇK-ja ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës, gratë dhe burrat trimat morën armen për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Por udhëtimi ynë drejtë lirisë nuk ishte i vetëm, ne u mbështetëm nga aleat tanë”, ka thënë ajo.

  • Vdes një i burgosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë

    Vdes një i burgosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 06:18, në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës ka vdekur i burgosuri H.B.

    “Ai është pranuar në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë më 17.05.2024, dhe gjatë pranimit është konstatuar se vuante nga sëmundje kronike për të cilat ka qenë nën trajtim. Trajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së paraburgimit nga mjekët, specialistët konsultantë dhe institucionet e tjera, sipas indikacioneve”, thuhej në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

    Gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar mbrëmë rreth orës 22:00, dhe është thirrur Emergjenca e qytetit, e cila e ka trajtuar dhe stabilizuar gjendjen e të burgosurit.

    “Në mëngjes, gjendja e tij është përkeqësuar përsëri dhe është kërkuar mbështetje nga ekipi i Emergjencës së qytetit. Ky ekip, së bashku me ekipin mjekësor të burgut, janë përpjekur për reanimim, por pa sukses. Në orën 06:18, nga të dy ekipet është konstatuar vdekja e të burgosurit”, thuhej në njoftim.

    Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.

  • ​Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: Kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri e pavarësi

    ​Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: Kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri e pavarësi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e vendit me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

    Në një deklaratë për media të LDK-së thuhet se më 12 qershor të vitit 1999 “përfundoi njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës”.

    “Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”, thuhet në komunikatën për media.

    Duke kujtuar regjimi fashist serb që kishte vrarë e masakruar mijëra civilë të pambrojtur, Abdixhiku tha se këtij regjimi i erdhi fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s.

    Tutje, Abdixhiku tha se është falënderues dhe mirënjohës ndaj të gjithë aleatëve dhe miqëve ndërkombëtarë, si ShBA e BE që ndihmuan në çlirmin e vendit.

  • Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

    Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim të mërkurën ish-gazetarin britanik të BBC-së, David Loyn. Të njëjtit, Rama i ka dhuruar edhe “Çelësin e Qytetit”, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Teksa falënderoi për kontributin e Loynit gjatë luftës, Rama tha se ka qenë njëri kyç që ka raportuar brenda Kosovës.

    I pari i Kryeqytetit tha se falë këtyre xhirimeve, sot Kosova feston 25-vjetorin e çlirimit.

    “Sot për Ditën 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kam nderin me prezantu Çelësin e Kryeqytetit për një njëri të madh, një gazetar, korrespodent prej BBC-së, i cili gjatë kohës së luftës në vitin 1998 ka qenë njëri kyç që ka raportuar brenda Kosovës edhe ka qenë në momente kyçe që kanë treguar të vërtetën se çfarë po ndodh në Kosovë, pra ka treguar se nëpër çka po kalon populli ynë. Xhirimet prej gazetarëve të ndryshëm kanë kaluar nëpërmjet BBC-së nëpërmjet zotëri David Loyn edhe ky vetë faktikisht ka fytyra kyçe që ka raportuar nga brenda dhe si rezultat, Britania e Madhe, Amerika, anëtarët e NATO-s e kanë marrë vendimin që ta çlirojnë vendin tonë dhe që sot ne këtu ta gëzojmë lirinë pas 25 viteve”, tha Rama.

    Ndërsa ish-gazetari Loyn, tha se ndihet krenar për kontributin e tij gjatë luftës.

  • ​Begaj pritet nga Osmani me nderime shtetërore

    ​Begaj pritet nga Osmani me nderime shtetërore

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj është pritur me nderime shtetërore në Prishtinë.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani doli për ta pritur Begajn para Presidencës, ku edhe u intonuan himnet shtetërore nga trupat e FSK-së.

    Begaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pritet t’i drejtohet deputetëve me një fjalim.