ATV

Author: G.O.

  • “Nuk ke folur asgjë, “Ti veç fol kotë” – Pozitë e opozitë përplasen gjatë raportimit të Bislimit në Komision

    “Nuk ke folur asgjë, “Ti veç fol kotë” – Pozitë e opozitë përplasen gjatë raportimit të Bislimit në Komision

    Deputetet e pozitës dhe opozitës janë përplasur në Komisionin për Integrime Evropiane, ku ishte duke raportuar Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, raporton Ekonomia Online.

    Përplasje patën deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani me deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

    Deputetja e partisë në pushtet, Fjolla Ujkani kishte vërejtje që diskutimi është duke marrë kahje tjetër dhe nuk është diskutuar për atë që ftohet mbledhja e Komisionit e raportimet e zëvendëskryeministrit e të ministrave.

    “Mënyra edhe qasja qysh e keqpërdorni pozitën si kryetare e Komisionit ju po e bënë ftesën me ardhë zëvendëskryeministri me raportu vetëm për opozitën. Ky është niveli që po e sjellni ju debatin dhe këtu dua ta mbaj edhe unë. Duhet me lënë radhën me fol edhe të tjerët”, ka thënë ajo.

    E deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, tha se deputetja Ujkani nuk është duke thënë asgjë.

    “10 minuta je duke fol, nuk ke folur asgjë. Ti veç folë kotë. Nuk fole asgjë hiq bëjë pyetje”, u shpreh ai.

    E me këtë rast fjalën deshi ta marr kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, por që pati kundërshtime nga deputetja Ujkani.

    Me pas të dy deputetet, Ujkani dhe Krasniqi, kanë debatuar në të njëjtën kohë, përderisa deputetja Krasniqi lexonte e-mailin e dërguar për raportim ndaj zëvendëskryeministrit.

  • Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan të enjten t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.

    Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

    Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë në Itali gjithashtu dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

    Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Rrënja e luleradhiqes – Si ta përdorni për pastrimin e organizmit

    Rrënja e luleradhiqes – Si ta përdorni për pastrimin e organizmit

    Rrënjët e luleradhiqes janë përdorur prej shumë kohësh në shumë trajtime terapeutike dhe në veçanti për problemet me mëlçinë.

    Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, rrënjët e kësaj bime janë të mirënjohura për pastrimin e mëlçisë dhe parandalimin e formimit të qelizave tumoriale.

    Mjekësia tradicionale e vendeve Arabe e përdor rrënjën e luleradhiqes për të trajtuar hepatitin, për të forcuar kundërpërgjigjet e sistemit imunitar dhe kuruar infeksionet e traktit të sipërm të frymëmarrjes.

    Luleradhiqja është një bimë plot vlera që stimulon funksionet e stomakut dhe mëlçisë por edhe luan edhe rol diuretik duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga toksinat.

    Rrënja e luleradhiqes përdoret për trajtimin e problemeve të mëposhtme:

    Çrregullimet me tretjen: Tretja problematike, gastriti dhe refluksi acidik.
    Fshikëza e tëmthit: Parandalon formimin e gurëve dhe i shpërbën ato më shpejt.
    Mushkëritë: Azma, bronshiti, infeksionet, kanceri dhe problemet me frymëmarrjen.
    Mëlçia: Mosfunksionimi i mëlçisë, cirroza hepatike, kanceri.
    Lëkura: Aknet, ekzema, psoriaza.
    Inflamacioni: Kontraktimet muskulare, artriti, reumatizma.
    Gjaku: Përmirëson dhe rregullon tensionin e gjakut, stimulon qarkullimin e tij.
    Sytë: Përmirëson shikimin.
    Përbërësit e hidhur të rrënjës së lulerradhiqes luajnë funksion të jashtëzakonshëm natyral kundër problemeve me tretjen përfshirë sindromën e zorrës së irrituar.

    Ky artikull i AgroWeb.org ofron informacione të dobishme për përdorimin e rrënjës së luleradhiqes për pastrimin e mëlçisë dhe luftën kundër kancerit.

    Si Funksionon Luleradhiqja në Pastrimin e Organizmit
    Rrënja e luleradhiqes përmban një substancë të hidhur që quhet taraksacerinë e cila nxit rrjedhjet e tëmthit, që rrjedhimisht përshpejton pastrimin e mëlçisë nga toksinat.

    Studimet e kryera tek brejtësit treguan se ekstraktet e rrënjës së luleradhiqes kontribuojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë të shkaktuara nga konsumi i alkoolit.

    Për më tepër, ku ekstrakt ndihmon edhe në eliminimin e toksinave nga gjaku.

    Si ta konsumoni lëngun e rrënjës së luleradhiqes:

    Përdorni plot 20 rrënjë luleradhiqesh. Sigurohuni që ato të jenë të padëmtuara.

    Lajini dhe pastrojini mirë me ujë të bollshëm. Pritini në copa dhe hidhini në një shtrydhëse.

    Si fillim konsumoni një lugë çaji në ditë dhe më pas rriteni dozën në 3 lugë gjelle në ditë.

    Dozat janë në varësi të tolerancës së organizmit tuaj.

    Lëngu në fjalë mund të jetë shumë i hidhur, por është pikërisht ky aspekt që e bën luleradhiqen me të vërtetë magjike.

    Mos u përpiqni të përdorni shtesa të tjera për të prishur shijen e hidhur./AgroWeb.org

  • Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Hetuesit e Njësitit të hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën ‘zjarrvënie’ të raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë, ku janë përfshirë nga zjarri tri vetura.

    “M.Rr, mashkull, 36 vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Polica po vazhdon punën në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale”, thuhet në komunikatë.

  • Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u nis sot për në Shkup ku do të marrë pjesë në Samitin e SEECP, (Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore) ku mikpritëse është presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

    Gjithashtu Begaj pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe. Kreu i Shtetit shqiptar do të takohet me kryetarin e ri të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri dhe me ish-presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Begaj do të mbajë një fjalë në këtë samit si edhe do të jetë pjesë e Trojkës që do të mbajë një konferencë për shtyp në fund të punimeve të Samitit. Shqipëria do të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme rajonale për vitin 2024-2025.

  • Blinken: Hamasi ka kërkuar ndryshime në propozimin për armëpushim

    Blinken: Hamasi ka kërkuar ndryshime në propozimin për armëpushim

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën në Doha se Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimit për armëpushim në Gazë dhe se disa prej tyre mund të merren në konsideratë.

    Por ai shtoi se “disa nga propozimet e Hamasit shkojnë përtej asaj që grupi kishte pranuar më parë në bisedimet për një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë”.

    “Ne jemi të vendosur që të përpiqemi të kapërcejmë hendekun me Hamasin”, tha zoti Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Katarit Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, pas një takimi me të.

    Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se nëse Hamasi vazhdon të kundërshtojë përpjekjet për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, kjo do të tregojë qartë se “ata kanë zgjedhur vazhdimin e luftës në Gazë”.

    Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit po shqyrtojnë që të martën përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Gazë.

    Zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan mohoi se grupi islamik palestinez kishte paraqitur ide të reja për armëpushimin. Gjatë një interviste dhënë televizionit ‘Al-Araby’, ai përsëriti qëndrimin e Hamasit se ishte Izraeli ai që po refuzonte propozimet dhe akuzoi administratën amerikane se po përkrahë aleatin e saj të ngushtë për të “shmangur çdo angazhim” ndaj planit për armëpushim të përhershëm në Gazë.

    John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, u tha më herët gazetarëve se Hamasi ia dha përgjigjen e tij Katarit dhe Egjiptit të martën dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se përgjigja ka miratimin e udhëheqësit të lartë të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar.

    Zoti Kirby nuk pranoi të jepte shumë detaje, pasi tha se një gjë e tillë mund të dëmtonte procesin e negociatave.

    “Situata është shumë delikate dhe duhet të kemi shumë faktorë parasysh, veçanërisht jetën e pengjeve dhe familjet e tyre. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm me ato që themi dhe si i themi”, tha ai.

    Hamasi dhe grupi tjetër më i vogël militant Xhihadi Islamik, thonë se janë të gatshëm ta shohin “nën dritë pozitive mundësinë e një marrëveshjeje”, duke i dhënë përparësi “përfundimit të plotë” të luftës.

    “Hamasi ripohon se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund agresionit zionist ndaj popullit tonë, të parashikojë largimin e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës dhe një angazhim serioz për shkëmbimin e të burgosurve,” tha një zyrtar i Hamasit.

    Presidenti amerikan Joe Biden bëri publike detaje të propozimit të armëpushimit. Ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë theksuar vazhdimisht se ai është një propozim izraelit. Sekretari Blinken tha të martën se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ripohoi angazhimin e tij ndaj marrëveshjes.

    Mes palëve ka pika të mundshme mosmarrëveshjeje, përfshirë kërkesën e Hamasit që Izraeli të tërheqë forcat nga Gaza dhe qëndrimin e Izraelit se synimi i tij është mposhtja e Hamasit.

    Në fazën fillestare propozimi parashikon ndalimin e luftimeve, lirimin e disa pengjeve nga Gaza, lirimin e disa të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, një rritje të ndihmës humanitare për palestinezët, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara të Gazës dhe kthimin e civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre.

    Faza e dytë parashikon një ndërprerje të përhershme të luftimeve në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve të tjerë në Gaza dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.

    Faza përfundimtare përfshin një plan rindërtimi shumëvjeçar për Rripin e Gazës, pjesa më e madhe e të cilit është shkatërruar nga tetë muaj bombardime izraelite. Ajo gjithashtu parashikon kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur në Gazë.

  • Bislimi raporton sot në Komisionin për Integrime Evropiane

    Bislimi raporton sot në Komisionin për Integrime Evropiane

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të raportojë sot në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

    Raportimi i Bislimit është paraparë të nis nga ora 10:00.

    Në rend dite pritet të jetë Programi Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028.

  • Rama sot pret në takim ish-oficerët e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar

    Rama sot pret në takim ish-oficerët e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, do të takojë sot ish-oficerët e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, të cilët kanë marrë pjesë në hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në qershorin e vitit 1999.

    Ish-oficerët pritet të nderohen me çmimin “Helmeta Ilire”.

    Takimi do të mbahet te objekti i vjetër i Komunës në ora 12:30.

  • Sa kalori i duhen trupit çdo ditë – Si të mbani peshën e duhur

    Sa kalori i duhen trupit çdo ditë – Si të mbani peshën e duhur

    Sipas udhërrëfyesve të Departamentit të Ushqimit në Shtetet e Bashkuara, një grua ka nevojë për 1,600-2,400 kalori në ditë.

    Burrat nga ana tjetër kanë nevojë për 2000-3000 kalori në ditë.

    Sidoqoftë, sasia e saktë e kalorive për një njeriu është në varësi të këtyre faktorëve:

    Mosha,
    Pesha,
    Gjatësia,
    Stili i jetesës,
    Shëndeti
    Aktiviteti fizik
    Me kalimin e moshës, ritmi i metabolizmit të njeriut ngadalësohet shumë.

    Kjo pakëson edhe nevojën e njeriut për energji.

    Për shembull, vajzat nga 19-25 vjeç kanë nevojë për deri në 2000 kalori në ditë.

    Pas moshës 51 vjeçare, sasia e nevojshme e kalorive zbret në 1600.

    Djegia e Kalorive Në Mënyrë Të Shëndetshme
    Trupi i njeriut ka nevojë për energji që të funksionojë.

    20 për qind e energjisë që marrim nga ushqimet (pra kaloritë) janë të nevojshme për trurin.

    Pjesa tjetër është për funksionet bazë siç është qarkullimi i gjakut, tretja dhe frymëmarrja.

    Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org thonë se njeriu mund të djegë kalori edhe duke ngrënë shëndetshëm, pa qenë domosdoshmërish në dietë.

    Mëngjesi duhet ngrënë rregullisht. Sigurohuni që të konsumoni proteina për një ngopje më të gjatë.

    Vaktet e tjera të ditës duhet të jenë të rregullta. Kësisoj do të humbisni më shumë kalori.

    Mos harroni rregullin e artë të pesë frutave dhe perimeve në ditë. Ato janë të pasura me fibër.

    Hani më shumë kalori që digjen ngadalë. Thjerrëzat dhe yndyrat e shëndetshme siç është avokadoja, kërkojnë më shumë kohë që të çlirojnë energji. Kësisoj nuk do t’ju marrë uria shumë shpejt.

    Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për djegien e kalorive të tepërta ndaj nuk duhet ta anashkaloni.

    Uji është gjithashtu i dobishëm për të ruajtur peshën ideale. Shmangni lëngje dhe pije të tjera jo të shëndetshme.

    Racionet, janë një aspekt i nevojshëm që duhet marrë në konsideratë. Zvogëlimi i racioneve do ju ndihmojë të humbisni peshë në mënyrë të shëndetshme./AgroWeb.org/

  • Katër vitamina thelbësore për shëndetin e syve

    Katër vitamina thelbësore për shëndetin e syve

    Shëndeti i syve mund të anashkalohet shpesh ose të merret për i mirëqenë. Ai rrezikohet nga ushqyerja e keqe, përdorimi i tepërt i aparateve teknologjike por edhe nga mosha.

    Ushqyerja e keqe është një faktor i rëndësishëm sepse manifestohet me mungesë vitaminash në organizëm.

    Këto të fundit përbëjnë mburojën më të madhe për sytë (dhe jo vetëm) nga dëmtimet oksiduese dhe inflamacioni.

    Katër vitamina thelbësore për shëndetin e syve

    Në rutinën tuaj të përkujdesjes për sytë duhet të jini të vëmendshëm ndaj vitaminave të mëposhtme:

    Vitamina A
    Kjo vitaminë është e një rëndësie parësore për sytë.

    Prania e saj ndihmon që njeriu të shikojë qartë edhe në kushte të errësirës ose dritës së pakët.

    Mungesa e vitaminës A e bën syrin ndjeshëm më të thatë dhe rrjedhimisht dëmton shikimin.

    Vitamina E
    Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që lufton radikalet e lira të cilat dëmtojnë shumë organe të trupit.

    Në shumë raste, radikalet e lira dëmtojnë proteinat e syrit gjë që më pas shkakton mjegullim të shikimit.

    Vitamina C
    Vitamina C është gjithashtu një antioksidant i fuqishëm që mbron organizmin nga radikalet e lira.

    Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org thonë se prania e kësaj vitamine e ul me 33 për qind rrezikun e problemeve me shikimin.

    Kompleksi i Vitaminave B
    Studimet tregojnë se një kombinim i vitaminave B6, B9 dhe B12 ul ndjeshëm rrezikun e degjenerimit të shikimit, kryesisht tek vajzat dhe gratë.

    Ekspertët këshillojnë që këto vitamina të mos mungojnë në rutinën e përkujdesjes për sytë.

    Ushqyes të tjerë të rëndësishëm për shëndetin e syve.
    Përveç vitaminave të lartpërmendura, ekspertët thonë se njerëzit duhet të kujdesen që të marrin dozat e nevojshme të zinkut.

    Ky i fundit lehtëson rrugëtimin e vitaminës A nga mëlçia tek retina e syrit ku edhe prodhon melaninën.

    Ky pigment është i domosdoshëm sepse mbron sytë nga rrezet ultra vjollcë.

    Marrja e 40-80 mg zink në ditë bashkë me antioksidantët mund të ngadalësojë përkeqësimin e shikimit me 25 për qind, thonë ekspertët.

    Një ushqyes tjetër i nevojshëm janë acidet yndyrore omega-3 të cilat shërbejnë si mburojë e retinës por edhe lehtësojnë qarkullimin e gjakut drejt syve./AgroWeb.org