ATV

Author: G.O.

  • BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    “Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

    Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

    Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

    “Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

    Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

    Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

    Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

    Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

    Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme./REL/

  • Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programit të saj raketor.

    Qeveria e kryeministrit Kurti votoi gjatë mbledhjes për miratimin e pakove 12 dhe 13 të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, tha se masat kufizuese kundër Rusisë kanë të bëjnë me “minimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, si dhe sanksione të tjera për shkelje të rënda dhe abuzime me të drejtat e njeriut në Rusi, që lidhen me vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny”.

  • ​Zyrtare/ Milani emëron trajnerin e ri

    ​Zyrtare/ Milani emëron trajnerin e ri

    Milani ka emëruar trajneri e ri të skuadrës së parë. “Rossonerët” drejtimin teknik të ekipit të parë të meshkujve ia ka besuar Paulo Fonseca-s .

    Fonseca filloi karrierën e tij si trajner në vitin 2005, duke filluar nga ekipi i të rinjve të Estrela Amadora dhe duke vazhduar më pas, mes profesionistëve, në ligat e vogla portugeze. Në vitin 2012 ai bëri debutimin e tij në ligën më të mirë me Paços de Ferreira, një klub me të cilin arriti në play-off të Champions League. Në vitin 2013 kaloi te Porto, me të cilën fitoi Superkupën e Portugalisë, trofeun e tij të parë si trajner.

    Pas një periudhe te Braga, me të cilën fitoi Kupën e Portugalisë, ai drejtoi Shakhtar Donetsk për tre sezone, me të cilin fitoi shtatë trofe dhe grumbulloi 103 fitore në 139 ndeshje. Në vitin 2019 ai debutoi në kampionatin italian me AS Roma, skuadër me të cilën arriti në gjysmëfinalen e Europa League në vitin 2021. Trajneri i LOSC Lille që nga vera e vitit 2022, Fonseca i jep fund aventurës së tij në Francë pas dy sezoneve në të cilat ai kontribuoi në sjelljen e klubit në sa më shumë kualifikime evropiane.

    Trajneri portugez tani i bashkohet Milanit me një kontratë trevjeçare.

  • Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur zyra e presidentes përmes një njoftimi për media.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Përgjatë qëndrimit në Shkup, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera”, thuhet në njoftim.

  • Mbahet edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”

    Mbahet edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”

    Në nderim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u mbajt “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”, me ç’rast u lexuan vargje poezish.

    Në mesin e poetëve ishin edhe Lulzim Tafa, Bujar Tafa, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Binak Kelmendi, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Aziz Mustafa, Xhevahire Izmaku, Isuf Hoxha e Arben Veselaj.

    Ndryshe, ky ishte edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”, i cili ka për qëllim t’i mbledhë poetët më të mirë.

  • Disa arsye pse boronicat janë ndër frutat më të shëndetshme në botë

    Disa arsye pse boronicat janë ndër frutat më të shëndetshme në botë

    Boronicat renditen në krye të listës për aftësitë antioksiduese, krahasuar me 40 lloje frutash të tjera.

    Studiuesit amerikanë kanë arritur në përfundimin se boronicat janë shumë efektive për të luftuar radikalet e lira, kolesterolin e lartë dhe infeksionet.

    Luftojnë plakjen

    Boronicat përmbajnë antioksidantë, të cilat luftojnë procesin e plakjes.

    Luftojnë kancerin

    Boronicat kanë në përbërje të tyre elementë, të cilët nxisin disa lloj enzimash të parandalojnë kancerin dhe rritjen e qelizave tumorale në rast të shfaqjes.

    Lehtësojnë diarrenë

    Në Suedi, boronicat e thata përdoren për të kuruar diarrenë te fëmijët. Ato vrasin bakterin E.coli, i cili lidhet shpesh me këtë infeksion.

    Rrisin përqendrimin dhe kujtesën

    Është provuar se ekstrakti i boronicës rrit përqendrimin, aftësitë për të koordinuar punët dhe kujtesën afatshkurtër. Antocianina, e cila i jep frutit ngjyrën blu, vepron si mbrojtës për neuronet.

    Janë të dobishme për shtatzëninë

    Boronicat janë një burim i acidit folik. Ato përmbajnë edhe vitaminë C, kalcium dhe disa elementë të tjerë të domosdoshëm për nënat shtatzëna. Gjithashtu, fibrat në përbërje të tyre ndihmojnë tretjen dhe jashtëqitjen.

    Reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës

    Boronicat reduktojnë atë që njihet me emrin “kolesteroli i keq”, i cili ndikon në sëmundjet kardiovaskulare deri te ataku i zemrës.

    Parandalojnë infeksionet urinare

    Një element që gjendet te boronicat është provuar se ndikojnë pozitivisht te trakti urinar dhe reduktojnë rrezikun e infeksioneve. Ai sulmon bakteret që ngjiten te qelizat e mureve të traktit urinar.

  • Bislimi: Serbia s’është pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pesë shtetet mosnjohëse

    Bislimi: Serbia s’është pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pesë shtetet mosnjohëse

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat nuk është Serbia por pesë shtetet mosnjohëse.

    Ai deklaroi të enjten pas raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, se Kosova është e përgatitur për marrjen e këtij statusi, e siç u shpreh ai, aktualisht gjendet në një stad më të lartë, se të vendeve të tjera të rajonit.

    “Serbia nuk është pengesë për neve, Serbia ka problemet e veta me integrimet evropian, nuk ka kapituj të çelë për vite. Te ne pengesë më shumë janë 5 vendet mosnjohëse të cilët nuk po lejon ende që të ndërtohet koncenzuesi brenda Këshillit i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian në mënyrë që të vlerësohen kapacitet e Kosovës për me filluar procesin e integrimit apo për të marr statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda Komisionit që ky konsensus nuk po arrihet edhe me tej”, ka thënë Bislimi para gazetarëve.

    Numri dy i Qeverisë ka thënë se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi Kosova që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.

    “Duhet ta keni të qartë, procesi i integrimit liron më shumë fonde të BE-së, por kjo nuk do të thotë se shtyhet se ne që jemi duke punuar në zbatimin e agjendës dhe rrjedhimisht jemi shumë më të përgatitur se secili vendi i Ballkanit Perëndimor në momentin kur e ka marr statusin e kandidatit. Ne jemi duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) që nga viti 2016, para se me marr statusin e kandidatit. Kurse disa vende të tjera e kanë marr statusin e kandidatit vetëm tri javë pasi kanë filluar zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit, kjo na vendos neve në një pozitë shumë më të avancuar”, u shpreh Bislimi.

  • ShSKUK-ja hap konkurs për 67 mjekë specialistë

    ShSKUK-ja hap konkurs për 67 mjekë specialistë

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka hapur konkurs për 67 mjek specialistë. Pozitat për mjekë specialistë janë të hapura në QKUK në Prishtinë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, Spitalin e Gjakovës, Spitalin e Prizrenit, Gjilanit, Ferizajit, Mitrovicë, dhe Vushtrri.

    Konkursi do të jetë i hapur nga data 11.06.2024 deri më 11.07.2024.

    Ndryshe ditë më parë  SHSKUK ka hapur konkurs dhe për 143 pozita të reja, për 130 infermierë, 8 teknikë dhe 5 fizioterapistë.

    Ndërkaq ditë më parë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kishte paralajmëruar se gjatë muajit qershor  do të hapet konkursi për punësimin e mbi 300 profesionistëve shëndetësor. Në mesin e tyre, do të jenë 80 specialistë e rreth 200 infermierë.

    “Investimet në infrastrukturë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme po vazhdojnë me një intensitet të shtuar për t’i bërë ambientet më miqësore dhe praktike për pacient. Po investohet edhe në infrastrukturë, janë hapur shumë shërbime të reja. Edhe shërbime që deri tani nuk janë bërë. Vetëm në Gjinekologji pritet që të mundësohen tri shërbime të reja. Shërbimet që janë marr në sektorin privat dhe jashtë shteti, tani do të merren edhe në sektorin publikë. Në bashkëpunim me menaxhmentin e SHSKUK në muajin qershor do të hapet konkursi edhe për rreth 330 profesionistë shëndetësor. Do të punësohen rreth 80 specialist, dikund rreth 200 infermier që do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve”, ka thënë ai.

    Konkursin e gjeni të plotë këtu.

  • Argjentina tronditet nga përleshjet për shkak të projektligjit për reforma

    Argjentina tronditet nga përleshjet për shkak të projektligjit për reforma

    Senati i Argjentinës e kaloi të mërkurën vonë një projektligj të presidentit Javier Milei për reforma ekonomike, duke nxitur protesta dhe përleshje mes demonstruesve dhe policisë në rrugët e Buenos Aires.

    Dhoma e lartë e Senatit ishte e ndarë gjatë votimit të projektligjit, por e kaloi atë përfundimisht me 37 vota për dhe 36 kundër, falë votës së kryetares së dhomës, zëvendëspresidentes Victoria Villarruel.

    Votimit i parapriu një debat maratonik dhe senatorët tani duhet të votojnë për secilin nen të projektligjit një nga një, i cili synon t’i rritë investimet duke i privatizuar subjektet shtetërore dhe duke stimuluar bizneset.

    Protestuesit hodhën gurë dhe dogjën vetura me koktej molotovi, ndërsa policia iu përgjigj duke përdorur gazlotsjellës dhe topa uji.

    Reformat përfshijnë ringjalljen e ekonomisë së vendit, shpalljen e një emergjence shtetërore ekonomike, uljen e pensioneve dhe dobësimin e të drejtave të punëtorëve.

    Projektligji kishte kaluar në dhomën e ulët në prill, por duhet të kthehet në votim pas ndryshimeve në Senat.

    “Sot, i kemi dy Argjentina”, tha Villarruel, teksa votoi në favor të reformave.

    “Një Argjentinë e dhunshme që ia vë zjarrin automjetit, hedh gurë dhe debaton për ushtrimin e demokracisë, dhe një Argjentinë tjetër me punëtorë, të cilët e presin me vuajtje dhe sakrificë ndryshimin për të cilin votuan”, tha ajo.

    Qeveria e Mileit nuk e gëzon shumicën në asnjërën prej dhomave të Senatit.

    Ky projektligj është çelësi për planet e Mileit për ta ndryshuar ekonominë e rrënuar të vendit, ku inflacioni ka arritur gati 300 për qind, dhe përfshin plane për t’i privatizuar ndërmarrjet publike, për t’i dhënë pushtet të veçantë presidentit dhe për të nxitur investime.

    Por, disa protestues druajnë se projektligji rrezikon ta rrisë papunësinë dhe çmimet e produkteve ushqimore.

    “Po luhet me jetën e qytetarëve argjentinas. Ne e kemi pirë këtë helm shumë herë: të kemi zero inflacion me zero aktivitete ekonomike”, tha lideri social dhe i protestave, Luis D’Elia, teksa mijëra njerëz protestuan kundër reformave.

    Zyra e Mileit e festoi kalimin e projektligjit.

    “Çfarë ndodhi sonte është triumf për popullin argjentinas dhe hapi i parë drejt kthimit të madhështisë sonë”, tha Zyra e presidentit në një komunikatë./REL/

  • Policia konfiskon drogë dhe para në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Policia konfiskon drogë dhe para në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Është arrestuar një person në Prishtinë, pasi që gjatë kontrollit në trup dhe në veturën e tij i janë gjetur dhe konfiskuar 6 qese me marihuanë, në peshë 5.4 gramë.

    Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se janë kontrolluar edhe dy lokacione ku janë konfiskuar drogë dhe para.

    “Me vendim të prokurorit është bërë kontroll në dy lokacione ku janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi narkotikë e llojit marihuanë në peshë 102.5 gramë, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 € kesh para”, thuhet në raport.

    Tutje, policia bën të ditur se i dyshuari me qëllim të shmangies së arrestimit dhe ndalimit, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke i shkaktuar dëme materiale si dhe dy zyrtarëve policorë iu ka shkaktuar lëndime trupore.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.