ATV

Author: G.O.

  • Çfarë duhet të dini për kollën e mirë, simptomat dhe si mund të trajtohet?

    Çfarë duhet të dini për kollën e mirë, simptomat dhe si mund të trajtohet?

    Rastet e kollës së mirë janë rritur ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar me mjekët që paralajmërojnë se infeksioni është “jashtëzakonisht serioz” për foshnjat e vogla. Kolla e mirë si duket ka pasur përhapje të madhe edhe në SHBA.

    Autoritetet shëndetësore amerikane thonë se numri i rasteve është tre herë më i madh se e njëjta periudhë vitin e kaluar, shkruan USA Today.

    Në SHBA janë raportuar 4,864 raste deri më tani, në vitin 2024, një rritje nga 1,746 të raportuara deri këtë periudhë të njëjtë në vitin 2023.

    Kolla e mirë është një infeksion ciklik që normalisht arrin kulmin çdo tre deri në pesë vjet – kështu që rritja aktuale nuk është e papritur.

    Por çfarë duhet të dini për simptomat, vaksinën dhe trajtimin e saj?

    Çfarë është kolla e mirë?

    Kolla e mirë nganjëherë quhet “kolla 100-ditore” për shkak të asaj se sa kohë mund të marrë për t’u rikuperuar.

    Infeksioni bakterial, i njohur gjithashtu si pertusis, prek mushkëritë dhe tubat e frymëmarrjes dhe shkakton periudha të kollitjes.

    Është shumë ngjitëse dhe përhapet nga pikat e kollitjes dhe teshtitjes.

    Cilat janë simptomat e kollës së mirë?

    Simptomat e para janë të ngjashme me ato të ftohjes dhe mund të përfshijnë:

    Rrjedhje e hundës;

    Sy të kuq dhe të përlotur;

    Dhimbje të fytit;

    Temperaturë pak e ngritur.

    Periudhat e kollitjes intensive fillojnë rreth një javë më vonë, sipas Shërbimit britanik Shëndetësor Kombëtar (NHS), shkruan Sky News.

    Periudhat e kollitjes kryesisht janë më të zakonshme gjatë natës dhe mund të zgjasin disa minuta.

    Midis kollitjes, ju ose fëmija mund të hasni probleme në frymëmarrje. Megjithatë, jo të gjithë e kanë këtë.

    Kollitja mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje dhe në veçanti foshnjat e vogla mund të bëhen blu ose gri.

    “Kjo shpesh duket më keq se sa është dhe frymëmarrja e tyre duhet të fillojë përsëri shpejt”, sipas NHS-s.

    Kollitja mund të sjellë gjithashtu një mukozë të trashë, e cila mund t’ju bëjë të vjellni.

    Periudhat gjithashtu mund të bëjnë që fytyra të skuqet shumë, veçanërisht te të rriturit.

    Sa serioze është kolla e mirë?

    “Kolla e mirë mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave, por për foshnjat shumë të vogla mund të jetë jashtëzakonisht serioze”, sipas Dr Gayatri Amirthalingam, konsulent epidemiolog në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA).

    Foshnjat nën 6 muajsh me kollë të mirë kanë një rrezik më të lartë të problemeve duke përfshirë dehidratimin, vështirësitë në frymëmarrje, pneumoni dhe konvulsione, sipas NHS.

    Si trajtohet kolla e mirë?

    Nëse kolla e mirë diagnostikohet brenda tre javësh, do të jepen antibiotikë për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së saj te të tjerët.

    Nëse keni pasur kollë të mirë për më shumë se kaq, nuk jeni më ngjitës dhe nuk keni nevojë për antibiotikë, sipas NHS.

    Është e rëndësishme të qëndroni jashtë shkollës, punës ose çerdhes deri 48 orë pas fillimit të antibiotikëve ose tre javë pas fillimit të simptomave nëse nuk keni marrë antibiotikë.

    NHS këshillon që të pushoni dhe të merrni shumë lëngje për të trajtuar simptomat e kollës së mirë.

    Paracetamoli dhe ibuprofeni mund të ndihmojnë – edhe pse nuk duhet t’u jepen në të njëjtën kohë moshave nën 16 vjeç – por ilaçet e kollës nuk ndihmojnë me këtë lloj kolle. /Telegrafi/

  • AKB: Rreth 40 për qind të bizneseve s’e përdorin arkën fiskale në mënyrën e duhur

    AKB: Rreth 40 për qind të bizneseve s’e përdorin arkën fiskale në mënyrën e duhur

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin se rreth 40 për qind e bizneseve, sidomos ato të voglat, nuk janë duke përdorur arkat fiskale 100 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i AKB-së Agim Shahini, ka thënë për EO se ka pasur mungesë të kontrollit të vazhdueshëm të tregut sa i përket kësaj çështje dhe se mos përdorimi i arkës fiskale nga disa biznese bënë që të të këtë një konkurrencë jo të drejtë dhe jo fer me bizneset që përdorin arkat fiskale.

    Shahini ka bërë thirrje që Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorët tatimor të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm të kontrollit të përdorimit të arkave fiskale, në mënyrë që të ketë barazi në treg.

    “Fiskalizimi në Kosovë është një proces shumë i rëndësishëm për luftën kundër informalitetit. Edhe pse ky proces është vazhdimisht në rrugëtimin e vetë ka trend i cili e ka penguar ose ka pasur mungesë të kontrollit të vazhdueshëm se fiskalizimi ose arkat fiskale në disa raste janë vetëm si dekor dhe nuk shfrytëzohen nga bizneset. Sipas një analize që ka bërë AKB-ja rreth 40 për qind të bizneseve, sidomos të bizneseve të vogla dhe ato shërbyese nuk i përdorin arkat 100 për qind. Kjo del që neve i bëjmë një konkurrencë jo të drejtët bizneseve që i përdorin arkat 100 për qind. Prandaj Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorët tatimor duhet që të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm të kontrollit të përdorimit të arkave fiskale, qoftë për kafitërit qoftë edhe për shërbime të ndryshëm. Kjo do të ndikonte dukshëm në rritjen e buxhetit të vendit, në luftën kundër informalitetit dhe barazinë në treg. Ne kemi shumë biznese të cilat janë në kulture fiskale që i përdorin por kemi edhe të tjerë që nuk i përdorin. Prandaj ky proces duhet të jetë vazhdimisht në vëzhgim nga ATK në mënyrë që të kemi barazi në treg”, ka thënë ai.

    Kryetari i AKB-së ka shtuar se nderë sektorët që nuk përdorin arkën fiskale janë gastronomia, sallonet e floktarisë, sektori i ndërtimtarisë si dhe sektori i hotelerisë.

    “Ndër sektorët që ka dyshime dhe ka fakte të cilët informaliteti është në ekonomi është sektori i gastronomisë i përgjithshëm, po ashtu është ai i hotelerisë, po ashtu i shërbimeve të ndryshme, qoftë i frizerëve, po ashtu sektori i ndërtimtarisë ku është një sektor që ka dukshëm një evazione fiskal. Ne jemi partner në ATK dhe tentojmë që bashkërisht ti shkëmbejmë informatat e ndryshme për këtë fenomen negativ që nuk është vetëm në Kosovë është edhe në shumë vende të tjera por në Kosovë është edhe më i dukshëm”.

    “Informaliteti është i shprehur jo vetëm në transaksione financiare është ne transaksione të ndryshme kontraktuale, në punësim, është informlaiteti në blerje, shitje me pakicë gjithmonë po flasim. Kjo e bënë Kosovën jo një vend të përshtatshëm për investitor. Numri i bizneseve që janë të regjistruara dhe numri i bizneseve të cila kanë arke fiskale është rreth 50 për qind më pak. Kjo nuk do të thotë se të gjithë operatorët ekonomik nuk kanë obligim të kenë arka fiskale, por flasin gjithmonë për shitje me pakice”, ka thënë ai.

  • ShBA-ja do t’ia dërgojë Ukrainës edhe një kundërajror Patriot

    ShBA-ja do t’ia dërgojë Ukrainës edhe një kundërajror Patriot

    Shtetet e Bashkuara do t’ia dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit Patriot, thanë dy zyrtarë amerikanë të martën.

    Uashingtoni i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e vet verilindor, Harkiv.

    Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim.

    Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.

    Aleatë të tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu i kanë dhënë Ukrainës kundërajrorë dhe municione për ta.

    Më 10 maj, forcat ruse e nisën një ofensivë të re në Harkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si tentim për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.

    Kah mesi i majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që t’i angazhojë edhe rezervistët, raporton REL.

  • FSK-ja dhe Policia parakalojnë sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës

    FSK-ja dhe Policia parakalojnë sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës

    Për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, do të bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

    Parakalimi pritet të fillojë në orën 12:00 ku edhe do të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.

    “Nisja bëhet me fillim në ora 12:00, nga objekti i Qeverisë deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, 25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

  • Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova sot shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

    Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

    Rezoluta 12 44 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

    Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqëruajtës i Aleancës veriatlantike.

    Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

    Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

    Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

    Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

    Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

    Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

    Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehen krimet.

    Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

    Ndër ta ishte edhe Slobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

  • Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

    Në këtë seancë do të marrë pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Për sot në orën 17:00 është paralajmëruar edhe pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 25-vjetorin e çlirimit.

  • ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka caktuar datën për publikimin e rezultateve paraprake të procesit të regjistrimit të popullsisë, raporton Ekonomia Online.

    Në një njoftim për media, bëhet e ditur se më 12 korrik, ASK-ja do të dalë me të dhënat paraprake.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ju njofton se është caktuar data e Konferencës për shpalljen e rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024). Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024) është projekti më madhor i një vendi në kohë paqeje, që u realizua nga 05 Prill deri më 24 Maj 2024. Ky ishte rundi i dytë i Regjistrimit të Popullsisë në vend, që nga Regjistrimi i vitit 2011. Shpallja e rezultateve paraprake do të bëhet me organizmin e një konference që planifikohet të mbahet më 12 korrik 2024”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024).

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimit e dy personave, të cilëve ua ka publikuar fotografinë.

    Ato po kërkohen për përfshirje në një rast, për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, që ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftim.

  • Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë nga një universitet i vogël i Ajovës janë plagosur në një sulm me thikë në një park publik në provincën verilindore Xhilin të Kinës, njoftuan të martën zyrtarët amerikanë dhe kinezë.

    Policia kineze tha se incidenti ndodhi pak para mesditës të hënën në një park në qytetin Xhilin dhe se i dyshuari, një vendës 55 vjeç, u arrestua në ditën e njëjtë.

    “Cui u përplas në një të huaj derisa po ecte në Parkun Beishan, dhe pastaj i theri me thikë të huajin dhe tre të huaj të tjerë, si dhe një turist kinez i cili tentoi ta ndalte”, tha policia në Xhilin.

    Policia theksoi se të plagosur nuk janë në rrezik për jetë. Ajo nuk dha hollësi për motivet e sulmuesit.

    Ministria e Jashtme e Kinës tha të martën se ky ishte një “incident i izoluar” dhe se ai “nuk do të kenë ndikim në shkëmbimin e zakonshëm mes njerëzve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.

    Ajo tha se do të vazhdojë të ndërmarrë masa efektive për të garantuar sigurinë e të huajve në Kinë.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja është e vetëdijshme për raportimet për një “incident me thikë” në Xhilin, Kinë, dhe se po e vëzhgon situatën.

    Edukatorët nga Kolegji Cornell në Ajova ishin në Kinë si pjesë e programit të shkëmbimit arsimor me universitetin partner Beihua në Xhilin.

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u zotua këtë vit se do t’i ftojë në Kinë 50.000 të rinj amerikanë për programe studimore për t’i përforcuar marrëdhënies mes popujve. Megjithatë, një paralajmërim i shkallës së tretë i Departamentit të Shtetit për arrestime të mundshme arbitrare dhe ndalim të largimit nga vendi gjatë udhëtimit në Kinë, ende është aktiv./REL

  • Shtyhet gjykimi për vrasjen e policit në Zllatar

    Shtyhet gjykimi për vrasjen e policit në Zllatar

    Në mungesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha ka dështuar të mbahet seanca të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Fatlum Mehmeti akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta policin L.H.

    Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta L.H., gjatë një ndeje të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla bëri të ditur se avokati Berisha kishte njoftuar sot me e-mail se nuk mund të ishte i pranishëm në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore.

    Kurse, pala e dëmtuar L.H., kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet me arsyetimin se është e nevojshme që ta kishin prezent përfaqësuesin e tyre, avokatin Berisha.

    Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku tha se nuk janë të pajtimit që seanca e sotme të shtyhet. Ai kërkoi që kjo seancë të mbahet me arsyetimin se shtyrja është në dëm të të mbrojturit të tij.

    Në anën tjetër, prokurori Arben Hoti lidhur me këtë çështje deklaroi se interesi primar është gjykimi i çështjes për palën e dëmtuar. Ai tha se konsideron që seanca e sotme duhet të shtyhet.

    Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për një datë tjetër, teksa gjykatësi Sejfulla me procesverbal obligoi avokatin Berisha që të sjellë vërtetimet mjekësore.

    I akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

    Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” derisa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

    Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21, par.3 të Kodit Penal.

    Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 shkurt 2024 ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 14 zyrtarëve policorë për përfshirje në këtë rast.