ATV

Author: G.O.

  • Kryeministrja daneze paralajmëron për rritje të agresionit, pas sulmit ndaj saj

    Kryeministrja daneze paralajmëron për rritje të agresionit, pas sulmit ndaj saj

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha të martën se ende është duke e marrë veten fizikisht dhe mendërisht nga sulmi kundër saj në qendër të Kopenhagës javën e kaluar, si dhe paralajmëroi për rritje të veprimeve të dhunshme në publik.

    Një burrë polak, 39 vjeç, është futur në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Frederiksenit, si rrjedhojë e të cilit ajo pësoi lëndime në qafë.

    Sulmuesi ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës në atë kohë, prandaj nuk ka ndonjë tregues për motive politike, thanë autoritetet.

    “Ende nuk jam vetja. Unë kujdesem për punën time si kryeministre dhe gjithmonë do ta bëj. Isha në gjendje të punoja edhe në fundjavë, por jo në mënyrën e njëjtë si zakonisht”, tha Frederiksen në një intervistë për transmetuesin DR.

    Sulmi ndaj saj ndodhi vetëm tri javë pasi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një tentim-vrasje.

    Frederiksen tha se ka qenë dëshmitare e një ndryshimi në sferën publike në vitet e fundit.

    “Ka pasur kërcënime për një kohë të gjatë, tone të vrazhda në rrjetet sociale, të cilat janë përkeqësuar, posaçërisht pas luftës në Lindjen e Mesme. Shumë britma në publik, ku njerëzit sillen në mënyrë shumë, shumë agresive”, tha ajo.

    Danimarka renditet si njëra prej vendeve më të lumtura në botë, ku danezët krenohen me barazinë, gjithëpërfshirjen dhe modelin e mirëqenies së bollshme.

    “Ne jemi krenar për vendin ku kryeministrja shkon në punë me biçikletë”, shtoi ajo.

    “Por, një ndryshim ka ndodhur. Unë gjithmonë kam qenë në dispozicion, por skena në rrugë ka ndryshuar, sepse ka vende ku ne nuk mund të shkojmë më, së paku disa prej neve politikanëve”, theksoi ajo./REL/

  • ​Gjykata e Apelit vendos: Vula e PD-së i takon Berishës, rrëzohet Lulzim Basha

    ​Gjykata e Apelit vendos: Vula e PD-së i takon Berishës, rrëzohet Lulzim Basha

    Gjykata e Apelit vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i kalonte Rithemelimit, grupimit të Sali Berishës.

    Gjykata e Apelit vendosi mos pranim të ankimimit të Enkelejd Alibeajt me vendim unanim nga të reja gjyqtaret.

    Trupa gjykuese e përbërë nga Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro nuk pranuan ankimin, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Berishës.

    Në 27 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë riktheu për rishqyrtim vendimin e dhënë nga Agron Zhukri që njihte si kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën. Në arsyetimin e dhënë nga gjykata e Lartë theksohet se në vendimin e dhënë, janë bërë shkelje proceduriale duke u interpretuar gabim normat dhe ligji procedurial. /TopChannel/

  • Vitia thotë se shëndetësisë publike së shpejti do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj

    Vitia thotë se shëndetësisë publike së shpejti do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se së shpejti shëndetësisë publike do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj.

    Vitia bëri të ditur se tashmë është hapur konkursi nga ShSKUK për punonjës të rinj, përkatësisht për 200 infermierë të profileve të ndryshme si infermierë të përgjithshëm, mami, teknik radiologjike, teknik farmacie, laborantë mjekësorë e fizioterapeutë

    “20 punëtorë mbështetës administrativ. Tetë ndihmës. Së shpejti do të hapet konkursi edhe për rreth 70 mjekë specialistë. Konkurse tjera do të pasojnë”, shkroi Vitia.

    Më tej, Vitia tha se me këto investime në burime njerëzore po reduktohet ngarkesa në punë dhe po përmirësohet cilësia e shërbimeve për pacientë.

  • Kurti takohet me përfaqësues të grupit të inovacionit “Yes-EU”, flasin për investime në energji

    Kurti takohet me përfaqësues të grupit të inovacionit “Yes-EU”, flasin për investime në energji

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, ka takuar përfaqësues nga grupi i inovacionit “Yes-EU”, e specializuar në projekte të energjisë, raporton Ekonomia Online.

    “Grupi “Yes-EU” është i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inovacionit për projekte të ndryshme të zbatuara, të fokusuar dhe specializuar në projekte të energjisë, me theks në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme si dhe transportit të gjelbër. Kurti i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për interesimin e tyre për ta njohur vendin tonë dhe hulumtuar mundësitë për investime në vend”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

    Sipas këtij njoftimi, kryeministri i prezantoi përfaqësuesit e “Yes-EU” me zhvillimin e progresin ekonomik që ka njohur vendi ynë në tri vitet e fundit e veçanërisht avancimet në fushën e energjisë dhe teknologjisë, përkatësisht investimet në këto sektorë.

    Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për investime të gjelbra me synim reduktimin e emetimit të karbonit dhe promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

  • Dhjetëra të vdekur pas mbytjes së anijes në brigjet e Jemenit

    Dhjetëra të vdekur pas mbytjes së anijes në brigjet e Jemenit

    Së paku 49 afrikanë humbën jetën pasi varka e tyre u përmbys në brigjet e Jemenit, bëri të ditur Organizata Ndërkombëtare për Migrimin – IOM.

    Të mbijetuarit u thanë shpëtimtarëve se anija, me 260 emigrantë, u përmbyt të hënën si pasojë e erërave të forta.

    Kërkimet për 140 persona ende të zhdukur, janë duke vazhduar.

    IOM-i tha se është duke ofruar ndihmë për 71 të mbijetuar – tetë prej të cilëve u shtruan në spital.

    Autoritetet lokale në Rudum, në lindje të Adenit, thanë se njerëzit në bord ishin emigrantë kryesisht nga Etiopia, të cilët synonin ta shfrytëzonin Jemenin si pikë transiti për të arritur në shtetet e Gjirit.

    Hadi al-Khurma, udhëheqës i qarkut Rudum, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se anija u mbyt përpara se të arrinte në breg.

    Peshkatarë dhe banorë përreth arritën t’i shpëtonin të mbijetuarit, tha ai.

    Sipas OKB-së, rreth 97.000 emigrantë afrikanë arrititën në brigjet e Jemenit vitin e kaluar.

    Fluksi vazhdon pavarësisht luftës në këtë vend./REL/

  • Elon Musk kërcënon të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij për shkak të partneritetit me OpenAI

    Elon Musk kërcënon të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij për shkak të partneritetit me OpenAI

    Miliarderi i teknologjisë Elon Musk u zotua të hënën të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij pasi prodhuesi i iPhone njoftoi një partneritet me OpenAI, krijuesin e ChatGPT.

    “Nëse Apple integron OpenAI në nivelin OS, atëherë pajisjet Apple do të ndalohen në kompanitë e mia. Kjo është një shkelje e papranueshme e sigurisë”, ka thënë Musk, pronari i platformës së mediave sociale X, përcjell Telegrafi.

    “Dhe vizitorëve do tu kontrollohen pajisjet e tyre Apple në derë, ku do të ruhen në një ‘kafaz’”, shtoi Musk, i cili është gjithashtu CEO i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla dhe prodhuesit të raketave SpaceX.

    Deklaratat e tij erdhën pasi Apple të hënën njoftoi se po bashkëpunon me OpenAI për të vendosur ChatGPT në asistentin zanor Siri.

    “Është krejtësisht absurde që Apple nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të krijuar AI-n e vet,… Apple nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë pasi t’i dorëzojë të dhënat tuaja OpenAI…”. /Telegrafi/

  • Ushtarët italianë patrulluan në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë

    Ushtarët italianë patrulluan në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë të ditur se ushtarët italianë kanë kryer patrullime në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata edhe e kanë monitoruar këtë zonë.

    “Ushtarët italianë nga regjimenti i Bersaglieri, të caktuar në Komandën Rajonale në perëndim të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO-ja, kryen patrullime në këmbë dhe të motorizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Stoltenberg: Jemi të gatshëm të mbrojmë të gjithë aleatët

    Stoltenberg: Jemi të gatshëm të mbrojmë të gjithë aleatët

    “NATO-ja është e gatshme të vërë në zbatim nenin 5 të traktatit në rast të një sulmi.” Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp në Letoni.

    Për shefin e NATO-s vënia në zbatim i nenit 5 është një detyrim ligjor për tërë aleatët për të ndihmuar dhe kontribuar në rast të një sulmi të armatosur.

    “Neni pesë i traktatit të Atlantikut të Veriut, klauzola e mbrojtjes kolektive të NATO-s, është një detyrim ligjor për aleatët për të ndihmuar në rast të një sulmi të armatosur.

    Nuk ka kërkesë për ndonjë vendim unanim. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se ne kemi plane në vend dhe forca në dispozicion, dhe le të mos ketë asnjë dyshim se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

    Reagimi i ashpër i Stoltenberg, vjen në kohën kur trupat ruse dhe bjelloruse kanë filluar fazën e dytë të stërvitjeve taktike bërthamore në Rusi. Lajmi është konfirmuar Ministria ruse e Mbrojtjes. Stërvitjet synojnë të sigurojnë që personeli ushtarak dhe pajisjet e të dy vendeve të jenë gati për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.

  • Eksperti mjekoligjor për Marigona Osmanin: Vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda

    Eksperti mjekoligjor për Marigona Osmanin: Vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda

    Eksperti mjeko-ligjor, Naim Haliti, ka thënë se Marigona Osmani kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda të shumëfishta. Ai ka folur të martën në seancën e rigjykimit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021.

    Haliti që ka marrë pjesë në përpilimin e autopsisë të të ndjerës, ka thënë se Osmani kishte pësuar lëndime të rënda për së gjalli. Ai i ka përshkruar lëndimet e pësuara si vdekjeprurëse.

    “Të gjitha këto lëndime kanë qenë për së gjalli”, ka thënë ai në deklaratën e tij. Sipas tij, te rasti i Osmanit dhimbjet kanë qenë të rënda.

    Në gusht të vitit 2023, Themelorja në Ferizaj dënoi Krivaçën me burgim të përjetshëm e Sejdiun me 15 vjet për ndihmë në vrasje. Të dy u liruan nga akuza për dhunim. Por Apeli, më pas e ktheu çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

  • Hovenier: Përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke

    Hovenier: Përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe jo “diçka më pak se kjo”.

    Hovenier tha se duhet angazhim kolektiv për sfida politika, si dialogu.

    “Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Europë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, tha Hovenier në një panel diskutimi në samitin “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë.

    Hovenier theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dialogut.

    “Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

    Hovenier përsëriti qëndrimin e se SHBA-ja nuk pajtohet me një deklaratë të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe Republika Srpska ku Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

    “Ky nuk është qëndrim i vendit tim apo i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur, sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet, duhet të kremtohet”, tha ambasadori amerikan.