ATV

Author: G.O.

  • Gërvalla nga Vjena: Kërkova përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE

    Gërvalla nga Vjena: Kërkova përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Austri, ku bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Gërvalla theksoi se në dy panele të ndara, para homologëve të shteteve pjesëmarrëse, prezantoi qëndrimet e Kosovës mbi sigurinë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella për sundimin e ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe veprime konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Para homologëve nga shtetet pjesëmarrëse, në dy panele të ndara shpalosa qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik si dhe bëra thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Gërvalla.

    Ajo gjithashtu ritheksoi mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në kontekstin e agresionit rus, duke theksuar solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën.

    “Pashmangshëm diskutuam edhe për agresionin rus në Ukrainë duke vënë në pah mbështetjen dhe solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën”, shtoi ajo.

    Në të njëjtin takim, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeostrategjike që kërkon mbështetje politike të menjëhershme.

    “Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili ekziston prej një viti, është një dëshmi e mirë se ne duhet ta trajtojmë zgjerimin si një domosdoshmëri gjeostrategjike që ka nevojë për mbështetje politike. Është tani ose kurrë”, tha Fajon.

    Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për aspiratat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi miratimin e një Deklarate që synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

    “Në mbledhjen e sotme u miratua Deklarata, e cila synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën evropiane, bazuar në arritjet e tyre, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë,” deklaroi Radman.

  • ​Opozita kërkon nga Kurti që njohja reciproke të jetë qëllim final i dialogut

    ​Opozita kërkon nga Kurti që njohja reciproke të jetë qëllim final i dialogut

    Në prag të takimit të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, partitë opozitare kërkojnë nga Kurti që qëllim final i dialogut të jetë njohja reciproke. Sipas tyre, kreu qeveritar nuk duhet të devijojë përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes dhe jo vetëm të jetë fokus normalizimi i marrëdhënieve përmes Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    Opozitarët kërkojnë nga ekzekutivi që t’i bindin edhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mos të ndryshojnë qëndrim sa i përket njohjes reciproke si qëllim final të dialogut.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, thotë për KosovaPress, se qasja e qeverisë në dialog duhet të jetë e mirë koordinuar me aleatët e Kosovës.

    Duke folur për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur vitin e kaluar, deputetja Deliu, deklaron se Kurti nuk do të duhej as të diskutonte për një marrëveshje ku nuk është njohja de-jure në qendër të saj.

    Ajo kritikon kryeministrin që ka sjell një marrëveshje të keqe për Kosovën me një autonomi për serbët në veri.

    “Nëse qasja e qeverisë do të ishte e mirë koordinuar. Nëse partneriteti i qeverisë lidhur me procesin e dialogut dhe partnerët do të kishte një koordinim më të mirë absolutisht nuk do të duhej fare as që të diskutohet një marrëveshje finale pa njohje në qendër. Ky nuk ka qenë as synim, por kjo pastaj është devijim i përpjekës sonë disa vjeçare për të mbyllur një herë e mirë raportin me Serbinë. Një marrëveshje finale, apo siç e thatë normalizimi i marrëdhënieve është një proces që po ndodh që një kohë të gjatë. Përpjekjet e dialogut janë bërë për të normalizuar marrëdhëniet, mirëpo themeli duhet të jetë njohja në qendër. Prandaj kur nuk diskutohet sot për njohje dhe ka devijim të kësaj përpjekje dhe kur diskutimet zbresin te autonomia e serbëve dhe kompetenca shtesë për serbët në veri, natyrisht se ky nuk është një hap i mirë që e ka bërë qeveria”, thotë ajo.

    Kritika për devijim të procesit të dialogut adreson edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë për KosovaPress, se në Qeverinë Kurti nuk flitet më për njohje reciproke por vetëm për zbatim të marrëveshjes së Brukselit e cila sipas saj primare ka autonominë për serbët në Kosovë.

    “Ka qenë pikërisht kryeministri Kurti që e ka sjell dialogun deri këtu, ku nuk flitet për njohjen reciproke. Munden këta me fol në vete, por sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ju e keni pa se të gjitha marrëveshjet çka ka qenë kanë janë për normalizimin e raporteve dhe jo njohje reciproke”, shton Krasniqi.

    Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se kryeministri Kurti duhet të insistojë që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    “Gjithmonë kemi thënë se luftën e kemi bërë dhe përfundu me aleatë. Shtet ndërtimin e Kosovës e kemi bërë me aleatë, mirëpo këto veprime të pakoordinuara të kësaj qeverie kanë bërë që të humbin aleatët, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do t’i shkaktojë dëme Kosovës, andaj ne kemi përsëritur se duhet ruajtur aleancat që i kemi ndërtu…Duhet të insistohet dhe duhet të kërkohet (Njohja e reciproke). Ne kërkojmë që dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke”, thotë deputetja opozitar.

    Takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel më 26 qershor e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre në këtë takim do të flitet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin Ohrit. Ky është i pari pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit që ndodhi në shtator të vitit 2023. Pikërisht në shtator të vitit të kaluar ishte takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Vuçiq.

  • Prishtinë, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Prishtinë, nëna raporton zhdukjen e vajzës

    Është raportuar e zhdukur një vajzë në Prishtinë.

    Sipas policisë rasti në polici është lajmëruar nga nëna e saj.

    “Rr. Vëllezërit Fazliu-Prishtinë, 17.06.2024-NN. Me 21.06.2024 ankuesja femër kosovare, ka raportuar se vajza e saj, ka dalq nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

  • Evakuohen banorët e Meksikës, shkak përmbytjet e rënda

    Evakuohen banorët e Meksikës, shkak përmbytjet e rënda

    Banorët në Meksikën veriore janë shpëtuar pasi një stuhi tropikale ka shkaktuar përmbytje të rënda.

    Rreth 40 persona ishin evakuuar, raportuan mediat lokale të premten, duke cituar policinë, duke shtuar se mbi 100 banorë të tjerë të bllokuar po prisnin të shpëtoheshin. Pamjet me dron treguan një rrugë që kalonte përmes Kanionit Huasteca të shkatërruar plotësisht nga uji.

    Alberto, stuhia e parë e emërtuar e sezonit të uraganeve të Atlantikut 2024, u dobësua të enjten në një depresion tropikal ndërsa lëvizte në brendësi të Meksikës verilindore, duke sjellë më shumë shira të dendur dhe përmbytje pasi la katër të vdekur, duke përfshirë tre fëmijë.

  • 3500 lindje nga janari në Gjinekologji – Rënie e lehtë krahasuar me vitin e kaluar

    3500 lindje nga janari në Gjinekologji – Rënie e lehtë krahasuar me vitin e kaluar

    Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj, ka thënë për Ekonomia Online, se gjatë gjysmës së parë të këtij viti është vërejtur një rënie e lehtë e lindjeve krahasuar me vitin e kaluar.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani janë regjistruar rreth 3500 lindje, teksa i gëzohet edhe renovimit të klinikës në vlerë prej mbi 5 milionë euro.

    “Në Klinikën Gjinekologjike është një rënie e vogël, e lehtë, jo e madhe, por ka rënie deri tash janë diku 3500 lindje deri në gjysmën e vitit. Ku duke krahasuar me vitin e kaluar aty është ndonjë numër i vogël në rënie, por jo shumë i rëndësishëm”, ka thënë Ndrejaj.

    Ai ka folur edhe për renovimet që janë bërë në këtë klinikë, shtimit të shtretërve, ndërsa së shpejti do të shtohet dhe shërbimi i fertilitetit (IVF).

    “Është bërë një renovim substancial shumë i rëndësishëm, një renovim që është me vite ka pasur nevojë, sidomos në repartet e lehonave pas lindjes dhe pas lindjeve me prerje cezariane dhe repartet e zyrës së pranimit dhe ambulantave specialistike. Është renovim i tërësishëm, ku janë shtuar përpos renovimin edhe disa shërbime, shërbimi i mjekësisë fetale dhe shërbimi i amiocentezës, pritet shumë shpejt të aktivizohet edhe shërbimi i fertilitetit apo IVF”, ka thënë ai.

    Ndrejaj ka thënë se në këtë klinikë nuk ka pasur ikje të mjekëve, sipas tij, klinika ka pasur mungesë të infermiereve por me hapjen e konkursit të ri për pranimin e 20 mamive të reja pritet që të përmirësohet gjendja.

    “Deri më tani nuk kemi asnjë mjek që ka shprehur dëshirën të shkojë. Më shumë kërkesat janë për mjekët e rinj që janë në specializim, ose në fillim të specializimit ose pas specializimit. Mirëpo mjekët të cilët janë të punësuar në Klinikën Gjinekologjike nuk ka asnjë mjek që ka shprehur dëshirën për të ikur. Klinika e jonë është më numër të mjekëve e mbuluar shumë mirë, kemi mjaftueshëm. Ndërsa pak kemi mungesë të numrit të infermiereve, të mamive. Por, edhe kjo do të përmirësohet shumë shpejt për shkak se është hapur konkursi këto ditë për pranimin e 20 mamive të reja edhe presim shumë shpejt që të përmirësohet edhe gjendja”, ka thënë ai.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Kjo sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31 deri 36 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi prej 1 deri 3m/s.

    “Të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31 deri 36 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • BE-ja do t’i nisë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë më 25 qershor

    BE-ja do t’i nisë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë më 25 qershor

    Bashkimi Evropian (BE) do t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë javën e ardhshme, njoftoi të premten Belgjika, e cila kryeson presidencën e BE-së.

    “Këshilli i BE-së i miratoi qëndrimet e përgjithshme të BE-së, përfshirë kornizat e bisedimeve, për bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë”, tha ajo në rrjetin social X, duke shtuar se “kjo e hap rrugën për fillimin e bisedimeve të martën, më 25 qershor, në Luksemburg”.

    Këshilli i BE-së mbledh përfaqësuesit e qeverive të 27 vendeve që e përbëjnë bllokun.

    Nisja zyrtare e bisedimeve me Ukrainën do të bëhet në orën 15:30, ndërsa me Moldavinë në orën 18:00.

    Njoftimi vjen dy javë pasi Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e procesit, duke thënë se të dyja vendet janë përgatitura mjaftueshëm për hapjen formale të procesit për t’u bërë anëtare të BE-së.

    Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pak pasi filloi pushtimi, ndërsa statusin e vendit kandidat e morën në qershor 2022.

    Në dhjetor, ato e morën dritën jeshile për nisjen e bisedimeve.

    Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, reagoi në X pas lajmit të premten, duke thënë se e ka nënshkruar dokumentin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me bllokun.

    “Anëtarësimi në BE është rruga jonë drejt paqes, prosperitetit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët”, shkroi Sandu.

    Duke reaguar ndaj njoftimit të Brukselit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten integrimi në BE është çështje sovrane e Kishinjevit, por shtoi se ka “shumë moldavë të cilët duan edhe lidhje më të ngushta me Rusinë”./REL/

  • Procedohet për Kuvend projektligji për zyrtarët publike, opozita do ta dërgojë sërish në Kushtetuese

    Procedohet për Kuvend projektligji për zyrtarët publike, opozita do ta dërgojë sërish në Kushtetuese

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratik e Kosovës (LDK), kanë paralajmëruar se do të dërgojnë përsëri në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publik, pasi konsiderojnë se nuk janë marr parasysh rekomandimet që janë dhënë për plotësim ndryshimin të këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.

    Këto paralajmërime u bënë në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku u shqyrtuan raportet të Komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, i cili përkundër kundërshtive të opozitës, u votua me gjashtë vota të mazhorancës.

    Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka thënë se ky projektligj është i politizuar dhe me këtë rast ka ngritur çështjen e propozimit për këtë projektligj sa i përket pozitave menaxhuese me afat të caktuar.

    “Ky ligj është me i politizuar se ligji i mëparshëm. Te dispozita kalimtare te paragrafi 3, nëpunësit civil të emëruar në pozitat e kategorisë së ulët dhe të mese drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohen se fillojnë mandatin e parë në hyrjen në fuqi të këtij ligji. Po dëshiroj që të konfirmojmë nga ju a është e vërtet që kjo obligon në mandatin e parë pasi edhe ata që janë shërbyes civil që janë për kohë të pacaktuar tash obligohen me qenë në këto pozita me kohë të caktuar”, ka thënë ai.

    Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, ka thënë se ky propozim ka qenë opsioni shumë i mirë që është propozuar nga Qeveria dhe se do të ketë mundësi që të mos bëhet shkelje e të drejtave të gjithë atyre që sot hynë drejtor në një departament në shërbimin civil.

    “Ky propozim është që nuk shpallen konkurset për pozitat menaxhuese sot, por me automatizëm momentin që ky ligj hynë në fuqi ata i kanë katër vite mandat. Mandatin e dytë për katër vite të tjera munden  me marr me përformancë nga eprorët e tyre ndërsa tretin shpallet vendi i punës duke mos ja ndalur atij që të aplikoj. Mendoj që është opsioni shumë i mirë që është propozuar nga Qeveria dhe do të ketë mundësi që të mos bëhet një shkelje e të drejtave të gjithë atyre që sot hynë drejtor në një departament e ai që është aty sot të jetë në shërbim civil ai të vazhdon si drejtor. Unë mendoj se për mbi 8-12 vite nuk ka njëri se çka jep më shumë”, ka thënë ai.

    Deputeti Shabani përmendi aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që janë dhënë sa i përket këtij projektligji, e ku shtoj se nëse ky ligj kalon në këtë formë do të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

    “Opinioni i SIGMA-së thekson se mandati me afat të caktuar nuk janë të zakonshme në administratat e vendeve anëtare të BE-së, dh në mënyrë artikulare ato nuk parashihen në nivelin e ulët dhe të mesëm drejtuese. Kjo reformë mund të dërgojë lehtësisht në politizimin e administratës publike deri në nivelin e udhëheqësve të njësive në nivelin e ulët drejtues. Përsëri do ta kontestojmë e do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që ky ligj nëse miratohet kësi soji shkon drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

    Kryetari i Komisionit, Ramadani ka thënë se nuk ka pasur as një koment as prej BE as prej SIGM  për këtë nenë.

    Deputeti i LDK Agim Veliu, ka thënë se në këtë projektligj mbete problematike çështja e ushtruesve të detyrave, mos respektimi fillimi i mandati si dhe shumë çështje të tjera që sipas tij, ky projektligj më gjitha këto probleme do të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese.

    “Ne sot e dimë që e keni shumicën, por ne jemi këtu që të ju themi që nëse ky ligj aprovohet kështu në këtë formë e dëmton zyrtarin publik edhe është në kundërshtim me disa parime që janë të njohura me zyrtarë publikë. Janë disa dispozita që e politizojnë dhe do të jenë problematike, sikurse është vlerësimi atje. Sipas meje mbete problematike çështja e ushtruesve të detyrave edhe që rreziku që prapë ku ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk po respektohet fillimi i mandatit ashtu siç është përcaktuar me ligj në rastet e udhëheqësve të niveleve të ndryshme nëse ata janë pa mandat, ligji ju jep të drejtën që në momentin që hynë në fuqi ky ligj ata ta fillojnë mandatin e rregullt. Mbeten çështje problematike që ky ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

    Deputeti i VV-së Besim Muzaqi, ka thënë se si pozitë janë mësuar me kërcënime që projektligjet t’i dërgojnë në Kushtetuese.

    “Kërcënimi se do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese nuk është risin për ne, por tregon për qëllimet që ka kjo opozitë në raport me ecjen përpara me ligjeve dhe përparimin edhe në aspektin legjislativ për të cilat jemi të thirru si deputet dhe legjislativ për ti dërguar përpara”, ka thënë ai.

    E deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka thënë se ky projektligj duhet të dërgohet në Kushtetuese. Lushtaku ka cituar edhe fjalët e kryeministrit Albin Kurti, drejtuar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili deklaronte se kush e shkel Ligjin dhe Kushtetutën “është super kriminel”.

    “Ne e dimë shumë mirë se sipas nocionit të liderit të tyre ‘suprem’ Albin Kurtit, ai që shkel ligjin edhe Kushtetutën është ‘super kriminel’. Ne e dimë se super kriminelët qeverisin në qeverinë Kurti. Ne kemi edhe një akt ligjor edhe Kushtetutën që do ta vërtetojmë se a janë ligjet në përputhje me Kushtetutën. Ne duhet të dërgojmë sepse nuk ka përputhje që ju e bëni këtë projektligj në përputhje me aktgjykimi e Gjykatës Kushtetuese për ligjin për zyrtarët publike. Të pjesa e sigurisë juridike”, ka thënë ai.

  • Izraeli intensifikon bombardimet në mbarë Gazën

    Izraeli intensifikon bombardimet në mbarë Gazën

    Forcat izraelite kanë bombarduar Rafahun dhe zonat e tjera në mbarë Rripin e Gazës dhe janë përfshirë në luftime nga afër me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha ushtria izraelite dhe banorët.

    Banorët thanë se forcat izraelite duket se po tentojnë të përfundojnë kapjen e Rafahut, qytetit më jugor të Gazës i cili ka qenë në fokus të sulmeve izraelite që nga fillimi i majit.

    Tanket izraelite po vazhdojnë të përparojnë në pjesët veriore dhe perëndimore të qytetit, teksa Izraeli deri më tani ka arritur të marrë kontrollin e pjesës lindore, qendrore dhe jugore të Rafahut.

    Sulmet e fundit izraelite nga toka, ajri dhe deti, po detyrojnë më shumë banorë që të zhvendosen nga qyteti.

    Mbi një milion persona ishin zhvendosur në Rafah për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës dhe ata sërish po detyrohen të zhvendosen.

    Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 12 persona u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelite më 21 qershor.

    Ndërkaq, ushtria izraelite tha se forcat e saj po kryejnë veprime “precize” në zonën e Rafahut, ku trupat janë përfshirë në luftime nga afër. Ushtria tha se ka lokalizuar tunele që janë përdorur nga radikalët e Hamasit, duke shtuar se veprime ushtarake po kryhen edhe në pjesë të tjera të Gazës.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 37.000 persona dhe pothuajse e gjithë popullsia, prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave, është zhvendosur./REL/

  • Gjykata Themelore anulon vendimin për projektin në Gërmi

    Gjykata Themelore anulon vendimin për projektin në Gërmi

    Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CLS) bëri të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar padinë që ajo ngriti së bashku me organizatën joqeveritare “Qytetarët Aktivë” dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i Aventurave”.

    “Parku i Aventurave” ishte paraparë të ndërtohej në parkun e mbrojtur të Gërmisë, por me vendimin e fundit, Themelorja ka anuluar vendimin për lejen mjedisore për realizimin e projektit.

    Paraprakisht, më 2021 Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që të shtyhej ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës lidhur me këtë projekt, deri në një vendim përfundimtar për këtë rast.

    “CLS e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit ‘Parku i Aventurav’ dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit për realizimin e këtij projekti. Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si ‘Parku i Aventurave’”, tha GLS përmes një njoftimi për media.

    Themelorja konstatoi se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore për këtë projekt, përkatësisht është thirrur në një udhëzim administrativ për dhënien e lejeve mjedisore komunale. Por, projekte të tilla, sikurse “Parku i Aventurave”, sipas CLS-së, rregullohen me Ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

    “Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit ‘Parku i Aventurave’ ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata jetojnë”, u tha në njoftim.

    “Parku i Aventurave” ishte paraparë të përfshinte një sipërfaqe prej rreth 70 ari dhe të shtrihej nga Butovci në drejtim të parkut të Gërmisë. Kur ishte prezantuar si projekt, Komuna e Prishtinës kishte thënë se parku do të ndërtohej duke përdorur metoda speciale që do të shmangnin dëmtimin e drurëve në Gërmi./REL/