ATV

Author: G.O.

  • Pas Koresë së Veriut, Putin viziton Vietnamin

    Pas Koresë së Veriut, Putin viziton Vietnamin

    Presidenti rus, Vladimir Putin, po synon të forcojë lidhjet me partnerin e kamotshëm, Vietnamin, gjatë vizitës shtetërore që ka nisur më 20 qershor. Kjo vizitë zhvillohet në kohën kur Moska po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të veprimeve të saj ushtarake në Ukrainë.

    Putin u prit me ceremoni shtetërore në këtë shtet në Azinë juglindore. Ai shkoi në Vietnam nga Koreja e Veriut, ku me liderin e këtij shteti, Kim Jong Un, nënshkroi një marrëveshje, sipas së cilës, Pheniani dhe Moska zotohen se do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të ndonjë lufte.

    Putin arriti në Pallatin presidencial të Vietnamit më 20 qershor, ku u prit nga nxënës që mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe Vietnamit. Ai u takua me presidentin e ri të shtetit, To Lam, dhe gjatë vizitës do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong – politikani më i fuqishëm i Vietnamit – dhe zyrtarë të tjerë.

    Rusia po synon të mbajë “bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv” në energji, industri, teknologji, arsim, siguri dhe tregti, tha të mërkurën ambasadori rus në Vietnam, Gennady S. Bezdetko.

    Vizita e Putinit në Vietnam ka nxitur reagim të ashpër nga Ambasada amerikane në këtë shtet.

    Shumë ka ndryshuar që nga vizita e fundit që Putin zhvilloi në Vietnam më 2017. Rusia tani përballet me sanksione nga Perëndimi, përfshirë nga SHBA-ja, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Më 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një fletarrestim për Putinin në akuza për krime lufte. Kremlini mohon akuzat dhe ka theksuar se Moska nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.

    Hanoi dhe Moska kanë raporte diplomatike që nga viti 1950 dhe këtë vit shënohet 30-vjetori i traktatit për “raporte miqësore” mes Vietnamit dhe Rusisë.

    Vietnami po ashtu ka qëndruar neutral sa i përket pushtimit rus të Ukrainës. Por, ky neutralitet ka qenë i vështirë për shtetin, teksa Ambasada e SHBA-së në Hanoi ka kritikuar vizitën e Putinit duke thënë se “asnjë shtet nuk duhet t’i japë Putinit platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe për të lejuar që të normalizojë mizoritë e tij”.

    Nëse Putini lejohet të udhëtojë lirshëm “kjo mund të normalizojë shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar”, tha Ambasada amerikane.

    Ndërkaq, raportet tregtare mes Rusisë dhe Vietnamit ishin në vlerë prej 3.6 miliardë dollarësh më 2023 dhe 171 miliardë dollarë me Kinën dhe 111 miliardë me Shtetet e Bashkuara.

    Që nga viti 2000, Rusia ka rreth 80 për qind të importeve të armëve të Vietnamit. Viteve të fundit këto importe kanë rënë për shkak të përpjekjeve të Vietnamit për të diversifikuar furnizimet./REL

  • Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq me të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut.

    Kështu ka shkruar Lajçak në një postim në “X”.

    Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit të Serbisë në BE.

    “Në Beograd pata rastin të takohem edhe me ministrin e jashtëm të sapoemëruar Marko Gjuriq. Ne diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE. I urova suksese në detyrën e re”, ka shkruar Lajçak.

  • Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa dhe dronë gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë në katër rajone, tha kompania kombëtare e energjisë, Ukrenerho më 20 qershor.

    “Pajisje janë dëmtuar në ndërtesat e energjisë në rajonet e Vinitsjas, Dnipropetrovskit, Donjeckut dhe Harkivit”, tha Ukrenerho përmes një postimi në Telegram.

    Kjo kompani tha se gjatë sulmeve në një ndërtesë energjetike janë plagosur tre punonjës.

    Ndaras, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia sulmoi Ukrainën më 20 qershor me nëntë raketa dhe 27 dronë.

    Ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar të gjithë dronët dh pesë raketa.

    Që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, forcat e Moskës vazhdimisht shënjestrojnë rajonet ukrainase me lloje të ndryshme të armëve dhe po ashtu sulmojnë ndërtesa të energjisë dhe infrastrukturën civile. Pavarësisht dëshmive, Moska mohon se sulmon civilët në Ukrainë./REL

  • OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    Kriza humanitare në Gazën jugore po “përkeqësohet me shpejtësi” për dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur të grumbulluar në një zonë përgjatë bregdetit në mes të “vapës flakëruese të verës” dhe ku “konflikti aktiv dhe paligjshmëria” e bëjnë pothuajse të pamundur për punonjësit humanitarë të plotësojnë nevojat”.

    Kjo është ajo që lexojmë në raportin e fundit mbi situatën në Gaza nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (Unocha).

    Agjencia e OKB-së gjithashtu raporton se në kampet për njerëzit e zhvendosur në Gaza qendrore dhe jugore, qasja në ujë është jashtëzakonisht e dobët dhe ka mungesë serioze ushqimi, si dhe qumësht dhe formulë për fëmijët.

    “Shumë familje raportojnë se hanë vetëm një vakt në ditë dhe disa konsumojnë një në çdo dy deri në tre ditë”, thuhet në raport.

    Kufizimet e vendosura nga Izraeli vazhdojnë të “minojnë rëndë ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve thelbësore humanitare në të gjithë Gazën, duke përfshirë sigurimin e ndihmës ushqimore, kujdesin mjekësor, mbrojtjen dhe mbështetjen e strehimit, si dhe shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës për mijëra njerëz”, shton raporti i Unocha.

  • Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.

    Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.

    Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.

    Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

    Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

    Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

    Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    “Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

    Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

    Lajçak ka thënë se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.

  • Mblidhen sot dy komisione të Kuvendit

    Mblidhen sot dy komisione të Kuvendit

    Duke filluar sot nga ora 10:30 do nisin mbledhjet e komisioneve.

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për Noterinë, për Këshillin Prokurorial dhe atë për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj.

    Ndërkaq, nga ora 11:00 fillon komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku mban dëgjim publik për Projektligjin për kripto-asetet.

  • Sot pritet nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Prizrenit dhe Portugalisë

    Sot pritet nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Prizrenit dhe Portugalisë

    Sot duke filluar nga ora 15:00, do të nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi.

    Memorandumi nënshkruhet ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe qytetit të Portos së Portugalisë.

    Kjo bëhet për bashkëpunim në fushat e turizmit, ekonomisë dhe kulturës.

  • Rohde për masat ndaj Kosovës: Tash është në dorën e shteteve anëtare

    Rohde për masat ndaj Kosovës: Tash është në dorën e shteteve anëtare

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe gjithçka varet tash e tutje nga takimi që do të mbahet në Bruksel.

    Rohde, ka deklaruar se është në duar të shteteve anëtare së cili do të jetë vendim përfundimtar që do merret në raport me Kosovën, sa i përket vendosjes së masave nga BE-ja.

    Ambasadori, citoi edhe vizitën e emisarit për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, i cili takoi zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

    “Ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin. Tani është në dorën e shteteve anëtare, mendoj se i posaçmi  i BE-së, për dialogun, ishte dje në Kosovë, ai dha mendimet e tij, masa duhet të hiqen, të shohim se çfarë vjen”, ka thënë Rohde për Ekonomia Online.

    Kujtojmë se, në vizitën e tij në Kosovë, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Bislimi, Lajçak u deklarua për media, ku tha se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapa duhet të ndërmerren tutje.

    Më tej, kishte theksuar se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi diskutuan për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

    “Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.

    “Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, kishte thënë Lajçak.

  • Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan vitin e kaluar

    Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan vitin e kaluar

    Një person është arrestuar sonte si i dyshuar për përfshirje në sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, vitin e kaluar në Zveçan.

    Kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Elshani theksoi se i dyshuari me inicialet L.D u ndalua në një pikë të kontrollit në Bistricë.

    “I njëjti është duke u intervistuar në Mitrovicë të jugut dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejme”, tha ai.

    Më 29 maj 2023, ishin lënduar 93 ushtarë të KFOR-it, dhjetëra prej tyre rëndë.

    Kjo si pasojë e protestuesve serbë që shkaktuan tensione si shkak i pakënaqësisë për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në zgjedhjet e prillit të po këtij viti.

  • Përurohet Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, kushtoi 1.3 milionë euro

    Përurohet Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, kushtoi 1.3 milionë euro

    Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, është përuruar të mërkurën, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.

    Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se ky stacion që ka marrë një pamje të mrekullueshme do të shërbejë edhe për linjat ndërkombëtare.

    Kryetari Bulliqi theksoi projekti i Stacionit të ri është realizuar në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, vlera totale e të cilit është 1.3 milionë euro, ku MZHR-ja ka participuar me 600 mijë euro, për të cilën e ka falënderuar Ministrin Fikrim Damka, kurse pjesa tjetër e projektit është financuar me buxhet komunal.

    Edhe Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, u shpreh i lumtur që me sukses është përmbyllur ky projekt i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Komunën e Podujevës, por edhe më gjerë.

    Ai bëri të ditur se do të ndihmojnë komunën e Podujevës edhe në realizimin e projektit të Tregut të Gjelbër, i cili pritet të ndërtohet në vendin ku ka qenë deri tash Stacioni i vjetër i Autobusëve.