ATV

Author: G.O.

  • Netflix ndalon së punuari në këto modele të televizorit

    Netflix ndalon së punuari në këto modele të televizorit

    Shërbimi popullor vendosi për këtë lëvizje për të përmirësuar përvojën e shfaqjes vizuale të përmbajtjes.

    Që nga 24 korriku, Netflix do të ndalojë ofrimin e mbështetjes për më shumë se 40 modele televizive që janë prodhuar në vitin 2014.

    Lëvizja vjen pas masave të mëparshme të marra nga Netflix, të cilat përfshinin përfundimin e mbështetjes për aplikacionin në pajisjet televizive në vitet 2011 dhe 2013.

    Qëllimi është të rrit performancën dhe ta drejtojë platformën drejt pajisjeve më moderne.

    Kompania thotë se lëvizja e lartpërmendur është e nevojshme për të përmirësuar përvojën e përdoruesit, si dhe për t’u fokusuar në veçori më të avancuara teknologjike.

    Ndër televizorët e prekur nga ky vendim janë disa modele të televizorëve LCD Sony Bravia.

    Netflix nuk do të funksionojë më në TV nga seritë e mëposhtme:

    Seria X83
    Seria S9
    Seria W5
    Seria W6
    Seria W7
    Seria W70
    Seria X80
    Seria W85
    Seria W95
    Seria X85
    Seria X9
    Seria X95

    Pronarët e këtyre televizorëve mund të kalojnë në disa zgjidhje alternative, të cilat do t’i lejojnë ata të kenë qasje në platformë pa pasur nevojë të blejnë një televizor të ri.

    Është e mundur të përdoren USB të jashtëm, si Amazon Fire Stick, Google Chromecast ose Roku. Këto pajisje lejojnë transmetimin e video-përmbajtjes përmes portës HDMI.

    Një zgjidhje tjetër është transmetimi i drejtpërdrejtë nga një pajisje celulare nëpërmjet një rrjeti Wi-Fi, duke përdorur një funksion të tillë si “screen mirror”. /Telegrafi/

  • Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

    Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, kritikon Prokurorinë Speciale se po vonohet në ngritjen e aktakuzave për autorët e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Sipas tij, një vonesë e tillë është e pajustifikueshme pasi ka prova dhe incizime për aktakuza ndaj përgjegjësit Millan Radojiçiq dhe të tjerëve.

    Qorrolli në një intervistë për KosovaPress thotë se po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Krahas kësaj, ai flet për mundësitë e miratimit të kodit civil dhe largimin e masave ndëshkuese nga BE-ja.

    “Është çështje e institucioneve ligjzbatuese dhe të atyre të prokurorisë që të bëjnë një përmbledhje të të gjitha fakteve dhe më pas organet kompetente siç është Prokuroria Speciale që të bëjë të gjithë grumbullimin e provave dhe më pas ngritjen e aktakuzave. Ne kemi pritur që prokuroria të bëjë një reagim më të shpejtë dhe të ketë një efikasitet në trajtimin e këtij rasti terrorist, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës. Por edhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur indinjatën e tyre për rastin e Banjskës. Sigurisht ne presim që në periudhën në vijim të ketë ngritje të aktakuzave. Ky zinxhiri i organeve ligjzbatuese duhet të reagojnë në një mënyrë më të shpejtë në mënyrë që të prodhohet drejtësi… Meqenëse rasti ka qenë tronditës atëherë prokuroria e shtetit nuk do të duhej që të priste maksimumin e këtij afati që e ka të parashikuar në ligj, por do të duhej më shpejt. Sigurisht që ka një vonesë dhe për ne mbetet e pakuptueshme si e tillë”, thotë Qorrolli.

    Qorrolli thotë se po shikojnë mundësinë që Shqipëria ta deponojë padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    “Kosova do të bëjë të gjitha përgatitjet dhe është duke bërë çdo ditë përmes Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, Ministrisë së Drejtësisë dhe mekanizmave të tjerë institucional. Aktualisht ju e dini se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është palë e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne po shikojmë mundësinë që eventualisht një shtet, si Shqipëria të deponojë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne kemi diskutuar mirëpo duhet të ketë një vendimmarrje institucionale, parlamenti dhe qeveria e Shqipërisë”, deklaron Qorrolli.

    Sa i përket miratimit të kodit civil, Qorrolli thotë se ai do të procedohet në Kuvend në momentin kur të arrihet konsensusi.

    “Ne do të procedojmë në momentin kur të arrihet konsensusi. Aktualisht s’ka konsensus. Kërkesa e kryeministrit Kurti, por edhe imja ka qenë që kjo të bëhet në kuptimin mbi politik. Të këtë përfshirje edhe të opozitës, jo që LVV-ja nuk i ka votat apo ka disa dilema të deputetëve që tashmë janë publike. Në kuadër të kësaj, siç ka bërë pas takimit të Kurtit me liderin e PDK-së për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare në parlament, atëherë besoj se do të ketë konsensus edhe për Kodin Civil”, tha Qorrolli.

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, zëvendësministri Qorrolli i quan të padrejta dhe jo-proporcionale, teksa shprehet optimist se ato do të largohen në tërësi deri në vjeshtë pavarësisht paralajmërimeve të BE-së se ato do të largohen në mënyrë të pjesshme dhe graduale.

    “Mungesa e konsensusit brenda shteteve anëtare ka bërë që masat të hiqen në mënyrë graduale. Shpresojmë që deri në vjeshtë, pasi e dimë se jemi në stinën e verës, pastaj korriku dhe gusht, Brukseli ndodhet në “vdekje klinike” dhe vendimmarrja do të pushojë. Shpresojmë se deri në vjeshtë të gjitha masat të eliminohen, ndonëse ato kanë qenë jo-proporcionale dhe të padrejta”, tha Qorrolli.

  • I nxehti saharian edhe sot në Kosovë e Shqipëri

    I nxehti saharian edhe sot në Kosovë e Shqipëri

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa gjatë orëve të pasdites priten vranësira të pjesshme, të cilat në zona të caktuara pritet të sjellin ndonjë rrebesh të izoluar.

    Pluhuri Saharian, sipas Meteo Kosova, do të vazhdojë edhe të shtunën, me ç’rast pamja e qiellit do të jetë pak a shumë e turbullt, e në zonat me të reshura do të jenë të përziera me baltë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në momente të caktuara pritet të jetë e fuqishme, veçanërisht aty ku ka zhvillime të vranësirave, me shpejtësi prej 10-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 34 deri në 37°C, njofton MK.

    Edhe në Shqipëri, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton për një mot të nxehtë me temperatura të lartë që shkojnë deri në 40 Gradë.

    “Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga shkretëtira e Afrikës së Veriut”, njofton ky shërim.

    Megjithatë në njoftim thuhet se dita e sotme Anticikloni Afrikan fillon gradualisht tërheqjen e tij duke i lënë vendin masave ajrore më të freskëta dhe relativisht më të lagështa me origjinë veriperëndimore.

    Temperaturat edhe nesër do të vijojnë të jenë relativisht të larta. Ndërsa për ata që do ta kalojnë fundjavën në bregdet era do të jetë pak “problematike” pasi në mesditë deri në orët e pasdites (dhe kryesisht ditën e Diel) do të fryjë me shpejtësi mesatare 3-7m/s dhe me rrahje deri në 10m/s dhe drejtim kryesor nga kuadrati i veriut.

    Temperaturat më të ulëta do të jenë në Dibër dhe në pjesën veriore 22 Gradë Celsius, ndërsa më të lartat në Fier e Elbasan 39 Gradë.

  • Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban seancë për votimin e Qeverisë së re

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban seancë për votimin e Qeverisë së re

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të shtunën seancën për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së, partisë e cila fitoi zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

    Qeveria e re do t’i ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

    Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi.

    Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

    Në fjalimin para deputetëve, i nominuari për kryeministër, Hristijan Mickoski do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar dhe programin e punës.

    Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit.

    VMRO DPMNE-ja, ka garuar në zgjedhje me atë që njihet si programi #1198 – si referencë për numrin e projekteve në sfera të ndryshme që tani janë pjesë e programit të punës.

    Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.

    Izet Mexheti, i cili në Qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në Qeveri.

    Ndarja e ministrive në Qeverinë e re

    VMRO DPMNE-ja, dhe partnerët e saj të koalicionit “Maqedonia Ime”, do të kenë numrin më të madh të ministrive, gjithsej 16.

    Ministër i Punëve të Brendshme është propozuar, Pançe Toshkoski ndërsa i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë pritet të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Transportit nga Aleksandar Nikollovski, i cili është propozuar edhe për zëvendëskryeministër.

    Ministrinë e Financave do ta udhëheqë Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa të Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe të Arsimit, Vesna Janevska.

    Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike Serbe do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike.

    Caktimi i Stoilkoviqit për ministër ka nxitur reagime të shumta pasi Stoilkoviq konsiderohet i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodikun, si dhe kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë.

    Forca e partive shqiptare në Qeverinë e re

    Koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti shqiptare, në Qeverinë e re do të drejtojë gjashtë ministri.

    Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti.

    Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.

    Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër.

    Orhan Murtezani pritet të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.

    Pjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, për Bashkimin Demokratik për Integrim është jolegjitime, pasi BDI-ja, e cila drejton Frontin Evropian, thotë se opozita e deritanishme shqiptare ka humbur zgjedhjet më 8 maj, andaj edhe nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët.

    BDI-ja pretendon se VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.

    Por, nga koalicioni VLEN thonë se BDI-ja në zgjedhje ka marrë vota nga të gjitha bashkësitë etnike me të cilat ishte në koalicion, andaj edhe nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare.

    BDI-ja ishte pjesë e Qeverive të Maqedonisë së Veriut, qoftë me VMRO DPMNE-në apo LSDM-në, që nga viti 2002./REL

  • Furnizimi i nxënësve me libra, Dreshaj: Subvencionimi pati probleme, ende s’dihet si do të bëhet këtë vit

    Furnizimi i nxënësve me libra, Dreshaj: Subvencionimi pati probleme, ende s’dihet si do të bëhet këtë vit

    Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve arsimore, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se viti i parë i shpërndarjes së librave përmes platformës online e-Kosova, është përcjellë me probleme e dështime të shumta, raporton Ekonomia Online.

    Për këtë proces, Dreshaj ka kërkuar ndërmarrjen e hapave urgjentë për të zbardhur gjithçka rreth këtij procesi.

    “Mendoj që jemi shumë vonë edhe për hapat që duhet të ndërmerren rreth vendimmarrjes se në cilën formë duhet të shpërndahen tekstet shkollore, ose si formën e vitit që lamë pas, që u dëshmua me shumë probleme e me shumë dështime apo forma paraprake kur Ministria i ka siguruar tekstet dhe i ka dërguar nëpër shkolla”, ka thënë Dreshaj për Ekonomia Online.

    Sipas Dreshajt, tashmë kur viti shkollor 2023/24 është në prag të përfundimit, është dashur të dihet forma e shpërndarjes së teksteve për vitin tjetër startues në muajin shtator.

    “Mendoj qe kjo është dashur tash të jetë e kryer, e jo praktikisht në fillim të vitit shkollor, për shkak se ju e dini që tash fillon muaji korrik, pastaj muaji gusht i pushimeve, me një shtator duhet të filloj procesi mësimor, ndërsa hala as ujdia lidhur me formën se si do të subvencionohen dhe si do të furnizohen nxënësit me libra ende nuk është e dakorduar, nuk e kemi nga ana e Ministrisë së Arsimit se cila formë do të jetë e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore”, theksoi Dreshaj.

    Tutje, ai u shpreh i pakënaqur me formën aktuale elektronike, teksa përmendi metodat e viteve paraprake, që sipas tij ishin më kursimtare për buxhetin e shtetit.

    “Mendoj që një punë e mirë e dëshmuar nuk duhet të pengohet, por duhet të mbështetet. Definitivisht përshtypjet tona janë që forma paraprake e dërgimit të teksteve shkollore ka qenë më e drejtë dhe formë më e lirë për buxhetin. Pa i marrë parasysh këto, ne do t’i shohim në vazhdim se sa ka bazë që në esencë shteti ka paguar më shumë për subvencionim përmes dërgimit të parave në familjet individuale të nxënësve, sesa në dërgimin e shtëpive botuese siç ka qenë paraprakisht”, shtoi deputeti Dreshaj.

    Deputeti Dreshaj ka folur edhe për përfundimin e vitit të parë mësimor përmes shpërndarjes së teksteve online, e të cilin e ka konsideruar si proces të përcjellë me shumë probleme, për të cilat do të merret komisioni aktual.

    “Unë mendoj që metoda e re elektronike ka pasur shumë probleme, ka nxënës të cilët kanë mbetur të pa furnizuar, ka të atillë që kanë përdorur mjetet për qëllime tjera, pra jo për furnizim të nxënësve me libra dhe mu për këtë është themeluar ky komision i cili do të merret me në veçanti me këto probleme që janë evidentuar në proces”, theksoi kreu i Komisionit Hetimor.

    Për herë të parë, në Kosovë në vitin shkollor 2023/24, tekstet mësimore për nivelin parauniversitar u shpërndan përmes platformës elektronike E-Kosova, ku prindërit do të rimbursoheshin pasi t’i kenë blerë librat për fëmijët e tyre.

    Ndërkaq më 4 prill të këtij vitit, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, i cili do t’i hetojë pretendimet për keqpërdorime të mundshme në këtë proces.

  • Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi afro 1700 gjoba

    Nuk respektuan rregullat në trafik, Policia për 24 orë shqiptoi afro 1700 gjoba

    Policia e Kosovës po tregon seriozitetin e saj me shifrat e larta të gjobave për çdo ditë.

    Për vetëm 24 orë në vendin tonë, janë shqiptuar 1 mijë e 645 gjoba trafiku.

    Ndërkaq janë regjistruar dhe 17 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa sipas raportit të policisë, 37 aksidente kanë ndodhur vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu janë arrestuar 14 persona, kurse 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Tri ndeshje sot në Kampionatin Evropian: Vëmendja te sfida, Turqi – Portugali

    Tri ndeshje sot në Kampionatin Evropian: Vëmendja te sfida, Turqi – Portugali

    Sot, në ditën e nëntë të Kampionatit Evropian, do të zhvillohen sikur ditët e mëparshme, tri ndeshje.

    Gjatë kësaj dite, do t’i kemi katër skuadra nga grupi F, e dy të tjera nga grupi E.

    Nga ora 15:00, ndeshjet ja nisin mes Gjeorgjisë dhe Çekisë, në stadiumin “Volkspark”.

    Turqia ballafaqohet me Portugalinë, duke nisur nga ora 18:00 në “BVB Stadion”, në Dortmund. Ndeshje kjo shumë e pritur.

    Ndërkaq nga ora 21:00, Belgjika ka përballë Rumaninë, ku do të luajnë në stadiumin “Cologne”.

  • Policia jep detaje për aksionin kundër fajdeve në Gjilan

    Policia jep detaje për aksionin kundër fajdeve në Gjilan

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin kundër fajdeve që ka zhvilluar dje në Gjilan, ku janë arrestuar dy të dyshuar.

    Sipas Policisë, të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600 mijë euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij.

    Lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

    “Gjilan, 2023/2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, më 21.06.2024 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’. Gjatë hetimit të këtij rasti janë gjetura prova, se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’ për të cilat janë hetuar. Të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 2 të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa lidhur me rastin janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Sot mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen testit të maturës

    Sot mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen testit të maturës

    Sot mbahet testi i maturës në Kosovë, ku 19 mijë e 200 nxënës kanë aplikuar për t’iu nënshtruar këtij testimi.

    500 prej tyre iu është refuzuar aplikimi për shkak të mospasjes të drejtë nënshtrimi në këtë afat.

    Fatmir Elezi, drejtor i Divizionit për Vlerësim në MAShT, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij testi.

  • Zelensky e përgëzon Ukrainën për fitoren në Euro 2024, e krahason me përpjekjet e luftës

    Zelensky e përgëzon Ukrainën për fitoren në Euro 2024, e krahason me përpjekjet e luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar ekipin kombëtar ukrainas për fitoren kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, duke e krahasuar atë me përpjekjet e vendit në luftë kundër Rusisë.

    “Ne i besojmë njëri-tjetrit! E mbështesim njëri-tjetrin! Luftojmë për njëri-tjetrin! Kjo duhet të na bashkojë secilin prej nesh. Dhe, tani secili prej nesh duhet të luftojë: për liri, jetë, dhe për perceptimin e saktë të Ukrainës në botë”, shkroi ai në Telegram.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022.

    “Pikërisht këtë po e bën sot ekipi kombëtar i Ukrainës. Vazhdoni kështu, djem!” shtoi ai.

    Ukraina e mposhti 2:1 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E të premten në Duseldorf.

    Kjo ishte fitorja e parë e ukrainasve në Euro 2024, pas disfatës kundër Rumanisë në ndeshjen e parë.

    Ajo tani ka 3 pikë në vendin e dytë në grup dhe përballet me Belgjikën në ndeshjen e fundit, në kërkim të kalimit në fazën tjetër të garës. Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 16 të mirëve.