ATV

Author: G.O.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    “Prishtinë 03-04.07.2024-13:00 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Plagoset me armë AK-47 një person në Podujevë, arrestohen dy të dyshuar

    Plagoset me armë AK-47 një person në Podujevë, arrestohen dy të dyshuar

    Një person është plagosur pasditen e djeshme në fshatin Potok të Podujevës.

    Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për këtë akt, ndërsa është konfiskuar edhe arma e zjarrit AK-47 që është përdorur në rast.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, kanë konfiskuar armën e zjarrit që është përdorur në rast AK-47 me një karikator dhe 9 fishekë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje” thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​U arrestuan ditën e djeshme, Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij dalin sot para gjykatës

    ​U arrestuan ditën e djeshme, Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij dalin sot para gjykatës

    Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij të cilët u arrestuan dje për shpërdorim të fondeve të BE-së do të dalin sot para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(GJKKO).

    Seanca pritet që të nisë në orën 09:30 minuta, ku të arrestuarit do të njihen me masën e sigurisë.

    Ndërsa, 4 të tjerë janë në hetim nën masat e sigurisë detyrim me paraqitje dhe 2 me arrest shtëpie.

    Masa e sigurisë u kërkua nga prokurorja e SPAK Elida Kaçkini e cila ka hetuar dosjen e SASPAK si dhe u mor nga nga gjyqtarja Rudina Palloi.

    Beqaj, akuzohet dhe për korrupsioni, mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e një restoranti në Tiranë dhe të një automjeti.

    Drejt burgut ish ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.

    SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes restorantit në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij./vizionplus.tv

  • Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo. Ministrja Gërvalla e falënderoi ambasadoren për rolin e saj si ambasadore në Kosovë, për mbështetjen e dhënë gjatë proceseve jo të lehta për sigurinë në Kosovë dhe rajon si dhe i uroi suksese të mëtutjeshme në misionin e ri.

    Gjatë këtij takimi, Ministrja Gërvalla dhe Ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe rreth progresit të arritur viteve të fundit nga Republika e Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe në politikën e jashtme, proceset integruese si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme.

    Ministrja Gërvalla vlerësoi lart kontributin e ambasadores në fuqizimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

  • Zgjedhjet në Britani: Laburistët shënojnë fitore bindëse, Sunak e pranon humbjen

    Zgjedhjet në Britani: Laburistët shënojnë fitore bindëse, Sunak e pranon humbjen

    Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe të premten, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.

    Laburistët e qendrës së majtë i kanë fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.

    Mëngjesin e së premtes, Keir Starmer u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani si kryeministri i ardhshëm i vendit.

    Sunak e pranoi humbjen më herët dhe tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren.

    Starmer tha gjatë një fjalimi mëngjesin e së premtes se “ndryshimi fillon tani”.

    “Ne kemi thënë se do t’i japim fund kësaj rrëmuje, dhe do ta bëjmë; ne kemi thënë se do t’ia nisim nga e para, dhe e kemi bërë. Sot, ne e fillojmë kapitullin e ri, e nisim punën e ndryshimeve, misionin e një ripërtërirje kombëtare dhe fillimin e ndërtimit të vendit tonë”, tha Starmer.
    Ndërkohë, Sunak e mori përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje.

    “Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të mësojmë dhe për të cilat duhet të reflektojmë dhe unë e marr përgjegjësinë për humbjen”, tha ai.

    Përderisa Britania e ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundi në Evropë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.

    Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.

    Farage u bë deputet për herë të parë, pasi partia e tij i fitoi katër ulëse në Parlament në zgjedhjet e 4 korrikut.

    Britania ka përjetuar disa vite të trazuara – pjesërisht për fajin e konservatorëve – që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

    Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

    Pasardhësja e Johnsonit, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave, dhe qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë.

    Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashihnin humbje të partisë së tij. Analistët vlerësuan se ai e pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi – sikurse rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike – si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje.

    Sunak do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit sot pasdite. Starmer, si udhëheqës i partisë fituese, do të takohet më pas me mbretin, i cili do t’i kërkojë atij ta formojë një Qeveri.

    Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Downing Street për ta mbajtur një fjalim para publikut.

    Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi.

    Parlamenti pritet ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.

    Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn (deklarim se do ta thotë të vërtetën). Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë.

    Hapja e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, priten më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme.

  • Sot hapet tuneli i Llogarasë, Rama: Do të ndryshojë udhëtimin drejt jugut

    Sot hapet tuneli i Llogarasë, Rama: Do të ndryshojë udhëtimin drejt jugut

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se sot do të hapet tuneli i Llogarasë.

    Edi Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se hapja e këtij tuneli do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut.

    “Dhe me tunelin e Llogarasë, një nga veprat historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kreu i Qeverisë, Edi Rama.

    Tuneli i Llogarasë, pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

    Gjatësia e tunelit do të jetë prej afro 6 kilometrash.

  • Bebe Rexha jep këshilla dashurie për lidhje: Nëse personi që keni në krah ju jep ankth, lëreni – vendosni veten tuaj në rend të parë

    Bebe Rexha jep këshilla dashurie për lidhje: Nëse personi që keni në krah ju jep ankth, lëreni – vendosni veten tuaj në rend të parë

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi ka ndarë disa mesazhe frymëzuese në InstaStory, ku ka inkurajuar fansat e saj se si të veprojnë në një lidhje. Me një ton të sinqertë dhe mbështetës, ajo ka ofruar këshilla të vlefshme për ruajtjen e paqes dhe mirëqenies personale.

    Në njërin nga shkrimet, Bebe Rexha shkruan: “Ndoshta ju do të gjeni dikë që ju do, i cili nuk ju shqetëson në paqen tuaj”. Ky mesazh thekson rëndësinë e të qenit me dikë që respekton dhe ruan paqen e brendshme të një personi.

    Ajo vazhdon me një këshillë të fuqishme: “Paqja juaj, lumturia dhe shëndeti janë të paçmueshme. Nëse situata ose personi ju bën juve ankthiozë ose jo mirë, lëreni dhe lërini ato të jenë. Vendos veten tënde të parën. Nëse është toksike që nga fillimi ose ju sjell juve një ndjenjë qesharake, ndiqni guximin tuaj. Mos u frikësoni. Mbroni veten tuaj. Besojini vetes tuaj. Ti meriton gjërat më të mira që bota ka për të të ofruar”.

    Këto fjalë të Bebe Rexhës janë një kujtesë e rëndësishme për të gjithë fansat e saj që të mbrojnë mirëqenien e tyre emocionale dhe të mos pranojnë asgjë më pak se respekt dhe dashuri të vërtetë në një marrëdhënie. Mesazhet e saj reflektojnë përkushtimin e saj për të mbështetur dhe fuqizuar të tjerët, duke i inkurajuar ata që të besojnë në veten dhe vlerat e tyre.

    Bebe Rexha vazhdon të jetë një model frymëzues për shumë njerëz në mbarë botën, jo vetëm për talentin e saj muzikor, por edhe për mesazhet e saj të fuqishme dhe mbështetëse që ndan me fansat. /Telegrafi/

     

  • “Rasti Brezovica 1”, dënohen dy me nga 1 vit burgim, i treti dënohet me burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë

    “Rasti Brezovica 1”, dënohen dy me nga 1 vit burgim, i treti dënohet me burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve në rastin “Brezovica 1”, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija. Millosavljeviq dhe Bajrami u dënuan me nga 1 vit burgim efektiv dhe nga 500 euro gjobë. Kurse, Vitija u dënua me 1 vit burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami për pikën 2 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 1 vit burgim dhe nga 500 euro gjobë.

    Po ashtu, të njëjtëve iu shqiptua edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë apo në shërbime publike në kohëzgjatje prej 1 viti, pas vuajtjes së dënimit.

    I akuzuari Vitija, u dënua me 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse për dy vjet i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale. I njëjti u dënua edhe me 20 mijë euro gjobë.

    Të akuzuarit u obliguan t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës (secili veç e veç) nga 50 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Kurse, për pikën 1 dhe 3 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës, Bajrami dhe Millosavljeviq lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale. Për këtë pjesë, shpenzimet e procedurës i bartë gjykata.

    Në këtë rast po akuzohet edhe Gentjan Sula, mirëpo ai po gjykohet ndaras ndaj tre të tjerëve.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar më 31 maj 2024, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami ngarkoheshin se prej 30 dhjetorit 2015 deri më 9 gusht 2019 si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar mbindërtimin e objektit hotelier “Kaona” me pronare Sanije Geci, i cili objekt në kundërshtim me lejen ndërtimore është ndërtuar në parcelat kadastrale numër 5799/16 dhe 5799/17 ZK Verbeshticë, të cilat gjenden në zonën e III-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Aktakuza e ndryshuar thotë se për këtë objekt, leja ndërtimore është dhënë sipas projektit për sipërfaqen prej 835,14m², kurse investitori ka vazhduar me zgjerimin e sipërfaqes bazike të objektit duke kaluar 2.95 m në pronën ujore të Lumit Murrzhica, si dhe ka vazhduar me mbindërtim duke rritur sipërfaqen në 1821,56 m, i cili ndërtim është përfunduar në kundërshtim me Ligiin për Ujërat e Kosovës, Ligiin për ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës së ndryshuar, të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami ngarkoheshin se prej 24 korrikut 2017 deri më 9 gusht 2019, si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar ndërtimin tetë vikend shtëpive në parcelën kadastrale 5713 ZK Verbeshticë, e cila gjendet në Zonën e II të Parkut Kombëtar Sharri, të investitorit Riad Hasani, për të cilat vikendshtëpiza ishin anuluar lejet ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit sipas vendimit të 24 korrikut 2017, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin per mbrojtjen e mjedisit, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Prakun Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Aktakuza e ndryshuar thotë se nga 5 nëntori 2018 deri më 9 gusht 2019, Millosavljeviq dhe Bajrami, ngarkohen se nuk kanë ndërmarrë veprimet për ndërprerjen e punimeve në objektin e investitorit Dalibor Trufunoviq, i cili ishte duke ndërtuar pa leje ndërtimore, me ç’rast tani të pandehurit në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit kanë kryer inspektimet, kanë hartuar procesverbalet dhe kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë urdhëruar investitorin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pa leje, mirëpo nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve, kështu që objekti është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar, i akuzuari Labinot Vitijaj ngarkohej se nga 22 shkurti 2011 deri më datën 15 korrik 2016, në Parkun Kombëtar “Sharri” vikend-zona e Brezovicës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, drunjtë e parkut, duke ndërtuar 4 vikend shtëpiza në Zonen e III-të dhe një vikend shtëpizë në zonën e II-t të Parkut Kombetar “Sharri”, në parcelat kadastrale 5713/4, 5713/5, 5713/6 dhe 5716/6 dhe 5717/6, Zona Kadastrale Verbeshticë, me kulturë “Livadh dhe Mal”, në kundërshtim me Ligiin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në pasuritë e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347, par.1 lidhur me par.5 të Kodit Penal.

    Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

    Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

    Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

    Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

    Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

    Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

    Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

  • Numri i të vrarëve në Gazë rritet në mbi 38.000

    Numri i të vrarëve në Gazë rritet në mbi 38.000

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i palestinezëve të vrarë gjatë luftës pothuajse nëntëmujore ka kaluar shifrën prej 38.000.

    Kjo ministri tha se në 24 orët e fundit, në spitale janë dërguar trupat e 58 viktimave, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 38.011.

    Po ashtu, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës thanë se më shumë se 87.000 persona janë plagosur gjatë luftimeve.

    Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve, në shifrat që publikon për viktimat, por shumica e viktimave thuhet se ishin gra dhe fëmijë.

    Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit. Nga sulmi i paprecedent i Hamasit, në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë./REL

  • Ambasadori gjerman: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje

    Ambasadori gjerman: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë në njohje nëse të dy shtetet e duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Ai shtoi se në këtë proces duhen vendime të guximshme.

    “Normalizimi duhet të rezultojë në njohje, nëse të dyja, Kosova dhe Serbia, duan t’i bashkohen BE-së. Shumë shpesh ajo që është etiketuar “hap pas hapi” rezulton të jetë “tit for tat”* që nuk ndihmon asnjërën palë. Vendimet e guximshme janë shumë të nevojshme!”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “X”.