ATV

Author: G.O.

  • Iu bë atentat, dalja e parë publike e kryeministrit sllovak, Robert Fico

    Iu bë atentat, dalja e parë publike e kryeministrit sllovak, Robert Fico

    Kryeministri sllovak Robert Fico ka bërë daljen e tij të parë publike që nga atentati që iu bë në maj.

    Ai u qëllua në një festë publike e organizuar në Sllovaki. Fico iu desh t’i nënshtrohej një operacioni dhe tashmë ndodhet në gjendje më të mirë.

    Autori, një 71-vjeçar u arrestua dhe u akuzua për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe për sulm terrorist.

  • Deputeti ukrainas: Kosova meriton të njihet dhe të jetë shtet anëtar i KiE-së

    Deputeti ukrainas: Kosova meriton të njihet dhe të jetë shtet anëtar i KiE-së

    Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka konfirmuar deputeti ukrainas, Oleksi Gonçarenko, duke shtuar se predhat serbe që po merr vendi i tij në mënyrë të tërthortë, po e shtyjnë këtë vendim.

    Në një intervistë për A2news, ligjvënësi, një mik i shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti, shpreh shqetësimin se Serbia mund të jetë duke furnizuar oreksin e Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pasi ka të njëjtat ambicie si Rusia, për të krijuar perandori.

    Këshilla e tij për Prishtinën zyrtare është që të vazhdojë me anëtarësimet ndërkombëtare, veçanërisht ato europiane, pasi janë ombrella mbrojtëse ndaj çdo kërcënimi.

    A2CNN: E dimë që jeni një mbështetës i fortë i Kosovës dhe lobues për njohjen e saj në parlamentin ukrainas…Çfarë ju ka shtyrë drejt një qëndrimi të tillë…?

    Gocharenko-…jo vetëm në parlamentin ukrainas, por edhe në nivel evropian dhe në Këshillin e Evropës. Para së gjithash, është argumenti emocional, pasi mendoj se ukrainasit po kalojnë tani atë që kaluan kosovarët 25 vjet më parë. Po flas për gjenocid dhe fatkeqësisht kjo është tragjedi për të dy kombet tona. Kjo na bën të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë se kushdo tjetër. Së dyti, mendoj se vendet e botës së lirë duhet të bashkohen dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Kosova është demokraci, dëshiron të bëhet anëtare e familjes politike evropiane. Kosova meriton të njihet dhe të jetë shtet anëtar. Nga kjo nuk do të përfitonin vetëm qytetarët e vet, por edhe e gjithë Evropa pasi më me shume vende do te bashkoheshin sipas vlerave të njëjta. Prandaj jam dhe do të jem përkrahës i njohjes së Kosovës për ta atë të ecë në këtë rrugë evropiane.

    A2CNN: Por përse Ukraina nuk ka marrë ende një vendim lidhur me njohjen e Kosovës, edhe pse ashtu siç pretendoni, dy vendet ndajnë drama të njëjta…?

    Gocharenko-Ky është një vendim që sipas Kushtetutës i takon presidentit të Ukrainës. Dhe ai nuk e ka marre ende. Unë mendoj se herët a vonë ky vendim do të merret. Sot ndoshta ka disa pengesa, mbase e keni dëgjuar se Serbia po prodhon predha të cilat më pas i merr Ukraina. Jo drejtpërdrejtë, por përmes vendeve të treta. Ndoshta ka edhe arsye të tjera që unë nuk i di, po ky vendim nuk po merret. Mendoj se herët a vonë do të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Unë sponsorizova projektligjin për njohjen e Kosovës në parlament. Nuk mendoj se duhet të luajmë lojëra me Serbinë apo ndonjë shtet tjetër. Mendoj se duhet të kemi një qëndrim tonin, i cili është i qartë; Kosova duhet të njihet”, ka thënë ai.

  • Mandati i Lajçakut, BE-ja thotë se është propozuar që atij t’i vazhdohet mandati edhe për 5 muaj të tjerë

    Mandati i Lajçakut, BE-ja thotë se është propozuar që atij t’i vazhdohet mandati edhe për 5 muaj të tjerë

    Bashkimi Evropian ka bërë të ditur që emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është propozuar që t’i zgjatet mandati edhe për pesë muaj të tjerë.

    Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në konferencën për media, ka bërë të ditur se propozimi është që Lajçaku të qëndrojë në pozitën e emisarit deri më 31 janar 2025 dhe vendimi pritet të merret nga Këshilli i BE-së.

    Vetë Miroslav Lajçak konfirmoi muajin e kaluar se nuk është afër fundit të mandatit të tij, si i ngarkuar për t’u marrë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se puna e tij vazhdon.

  • Gjermania thotë se i ka dërguar Ukrainës edhe një sistem Patriot

    Gjermania thotë se i ka dërguar Ukrainës edhe një sistem Patriot

    Gjermania tha më 5 korrik se në Ukrainë tashmë është dërguar edhe një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia.

    “Sistemi tretë Patriot nga Gjermania tashmë ka arritur në Ukrainë”, tha ambasadori gjerman në Ukrainë, Martin Jaeger, përmes një postimi në X.

    Në prill, Berlini kishte njoftuar se do t’i jepte Kievit këto lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

    Ukraina po i bën thirrje mbështetësve të saj perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore, veçmas sisteme Patriot, të prodhimit amerikan. Ky sistem është i aftë të rrëzojë raketa hipersonike të Rusisë.

    Më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Moska po vazhdon të sulmojë sistemin energjetik të Kievit, duke detyruar Ukrainën që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike.

    Përveç sistemit Patriot, Berlini i ka dhënë Kievit edhe armë të tjera, duke nisur nga artileria e deri tek autoblindat. Pavarësisht se Gjermania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej miliarda eurosh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika muajve të fundit për shkak se nuk po lejon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të llojit, Taurus.

    Gjermania ka shprehur frikën se këto raketa mund të përdoren për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë./REL/

  • Kryeshefi i KOSTT-it: Kohëve të fundit ka pasur tendenca për interferime nga anëtarët e Bordit

    Kryeshefi i KOSTT-it: Kohëve të fundit ka pasur tendenca për interferime nga anëtarët e Bordit

    Përplasje e pakënaqësi patën anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) me kryeshefin e këtij institucioni, Evatar Zeqiri. Ky i fundit, akuzoi Bordin rreth tendencave për interferime, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të KOSTT-it në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryeshefi i KOSTT-it, Evatar Zeqiri, ka thënë se kohëve të fundit pjesën kryesore të punës është dashur të merret me dy anëtarët e Bordit, Ajrina Gashin dhe Nebih Zariqin, pasi sipas tij, janë marrë më shumë me prokurorim sesa vetë ai.

    “Muajt e fundit ka pas tendenca për interferime nga anëtarët e Bordit. Këtu kem anëtarët të cilët janë marrë më shumë më prokurim sesa unë… ka raste të tilla individuale. Zonja Gashi dhe zotëri Zariqi kanë kërku që me raportu zyrtari i prokurimit. Përgjegjësitë janë individuale mirëpo llogaridhënia mbetet të kryeshefi. Kohëve të fundit është bërë e pamundshme me punu prej tyre. Pjesën kryesore të punës m’u ka dasht me u marrë me dy anëtarë të Bordit. Nuk e kam njoftuar Kuvendin se kam mendu që këto çështje mund të zgjidhen dhe janë kalimtare. Unë kam marrë vlerësimin 2-sh. Dosjet e prokurorimit janë në platformë. As unë s’kam qasje. Informatat që janë publike janë publike, ‘filet’ nuk janë publike. Kam pas probleme edhe me staf. Janë marrë me çështje që s’janë të Bordit, por të memaxhmentit. Nuk mundet dikush me konstatu shkelje përderisa janë institucionet kompetente”, ka thënë Zeqiri.

    Anëtarja e Bordit, Ajrina Gashi, ka thënë se asnjëherë nuk i ka penguar në punë kryeshefit. Për këtë, tha se është e gatshme të japë përgjegjësi.

    “Nuk e mohoj që kam kërku raporte që janë të incizuara. Në fillim të vitit 2024 një anëtar i bordit e ngrit një çështje për transformatorin… Edhe kur kemi kërku raport për të ka qenë procesi i mbyllur… kompania ‘Madkos’ na ka paditë. Po më vjen shumë keq nga kryeshefi. Unë e kam përkrah kryeshefin në çdo sferë. Asnjëherë të vetme kryeshefit ekzekutiv nuk i kam shku në zyre me i pengu gjatë punës. Nëse kam kërku diçka jashtë ligjit, jam e gatshme me dhanë përgjegjësi para cilitdo organ shqyrtues ose ligjor”, ka thënë ajo.

    E anëtari tjetër i Bordit, Nebih Zariqi, ka thënë se kohëve të fundit kryeshefi i KOSTT-it e ka luajtur rolin “kinse bordi është jo-ekzistent”.

    “Ia kemi dhanë përkrahjen maksimale, çdo moment që e ka kërku, çdo rregullore që e ka pru. Kohën e fundit në mënyrë shumë të ashpër ka nis me lu një rol gati se Bordi është jo-ekzistent. Me kënaqësinë më të madhe e kemi votu këtë djalë që është këtu.  Nuk kemi intervenu në fazën e prokurimit”, ka deklaruar Zariqi.

    E anëtari tjetër i KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka thënë se kanë pas standarde të larta profesionale dhe ka pas probleme të brendshme, qysh në javën e parë. Sipas tij, e kanë pasur të vështirë me i respektu standardet për faktin e problemeve të brendshme.

    “KOSTT-i ka arrit të mbajë mirëkuptimin me mekanizma kombëtarë dhe ndërkombëtare, në periudhë të krizave është formuar komunitetin që ka marrë vendime. Probleme që nga lufta në Ukrainë. Me përkushtim maksimal, vërejmë rezultate pozitive, në aspektin e bilancit”, ka thënë Mehmeti.

    “Kemi ç’bllokuar projekt kapitalet që kanë qene pezull për vite më radhë, ka hy në fuqi marrëveshja, filloi operimin e pavarur në kuadër të bllokut Shqipëri- Kosovë. U themelua bursa shqiptare për të dyja vendet Kosovë -Shqipëri, për 236 milionë dollarë do të rezultohet projekti për formimin e baterive për energji. Në aspektin e tregut, ka pas iniciativa të ndryshme, nënshkruhet kontrata për projekte që janë në fazën përfundimtare, ndërtimi i nënstacionit në Ferizaj”, ka shtuar ai.

    Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, iu drejtua Mehmetit se ka thënë atë çka ka qenë e ditur.

    “E shfrytëzove me na tregu për ato çka i kemi degjuar dhe i kemi ditë. Për hir të korrektësisë për këtë nuk të kemi thirr”, ka thënë Shala.

    Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, pyeti së sa ka qenë buxheti i planifikuar për vitin 2023 dhe sa është shpenzuar ai buxhet, si dhe sa kanë qenë projektet dhe sa prej tyre janë realizuar.

    Kryeshefi ekzekutiv, Evatar Zeqiri, tha se buxheti i KOSTT-it, në total ka qenë 92 milionë euro, ndërsa është shpenzuar 28,5 milionë euro.

    Anëtarja e Bordit, Ajrina Gashi, u shpreh se kur e  kanë kërkuar raportin procesi ka qenë i mbyllur.

    “Kemi rastin me operatorë ekonomik që ka bë lëshim të energjisë pa e ditë dhe kjo ka ndodh një vit. Kompania Adkos na ka padit, ne nuk kemi pas asnjë informatë. Nëse kam kërkuar diçka jashtë ligji dhe kodit të qeverisë jam e gatshme me dhënë përgjegjësi para çdo organi të drejtësisë”, ka thënë ajo.

    “Kam kërkuar me mirësjellje se ku janë projektet e KOST-it,  ku është zbatimi i tyre kam tri e-maila se nuk përputhen ndryshojnë datat elementet, nuk kam lyp jashtë asaj çka ma lejon ligji, nuk ka shkelë këmba e saj vetëm se ku e kam sallën e them me përgjegjësi këtë”, ka thënë Gashi.

  • Kurti uron kryeministrin e ri britanik: Gjithë të mirat në udhëheqjen e vendit

    Kurti uron kryeministrin e ri britanik: Gjithë të mirat në udhëheqjen e vendit

    Kryeministri Albin Kurti ka uruar homologun e tij të ri britanik, Keir Starmer, për fitoren në zgjedhje dhe postin e ri.

    “Urime për Keir Starmer Partisë Laburiste për fitoren dërrmuese historike mbrëmjen e djeshme. Ju dëshirojmë gjithë të mirat në udhëheqjen e vendit dhe mezi presim për bashkëpunim”, ka shkruar Kurti në X.

    Osmani uron Starmerin për fitoren në zgjedhjet në Britani

  • Dogana sekuestron 130 paketime me barna të kontrabanduara në Prishtinë

    Dogana sekuestron 130 paketime me barna të kontrabanduara në Prishtinë

    Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, kanë gjetur 130 paketime të barnave në një barnatore në Prishtinë të cilat janë kontrabanduar në Kosovë.

    Sipas njoftimit të Doganës, informata është dhënë nga qytetarët se në një barnatore gjenden barna pa banderola.

    Paketimet e barnave sipas doganës kanë qenë me banderola të shteteve të huaja, të cilat janë kontrabanduar në Kosovë.

    “Malli i kontrabanduar është sekuestruar dhe ndaj palës është iniciuar procedura kundërvajtëse”, thuhet në njoftim.

  • KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

    KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar sot se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

    Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars.

    Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.

    “Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

    Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.

    Ai ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten dhe u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin.

  • Hovenier: Pasioni i kosovarëve për të festuar 4 korrikun është unik, ndihem i nderuar

    Hovenier: Pasioni i kosovarëve për të festuar 4 korrikun është unik, ndihem i nderuar

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka lavdëruar “pasionin e kosovarëve” për të festuar 4 Korrikun, ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ai tha se për këtë ndihet “thellësisht i nderuar”.

    “Jam i kënaqur që ndoqa dhe mora pjesë në shumë festime dje në Prishtinë të organizuara për nder të pavarësisë së SHBA-së. Pasioni i kosovarëve për t’u bashkuar me ne në festimin e Ditës së Pavarësisë Amerikane është unik, dhe për këtë jam thellësisht i nderuar. Gëzuar 4 Korriku, të gjithëve!”, ka shkruar Hovenier.

  • Abdixhiku takohet me Emisarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për situatën aktuale në vend

    Abdixhiku takohet me Emisarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për situatën aktuale në vend

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš.

    Në njoftimin e lëshuar nga LDK thuhet se Abdixhiku dhe Franges kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike lidhur me këto ngjarje.

    “Gjithashtu u diskutua edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit dhe thellimit të raporteve mes Kosovës dhe Sllovenisë, vend ky i cili ka ndihmuar Kosovës në proceset shtet-ndërtuese dhe zhvillimore të saj”, thuhet në njoftim.