ATV

Author: G.O.

  • Osmani uron Starmerin për fitoren në zgjedhjet në Britani

    Osmani uron Starmerin për fitoren në zgjedhjet në Britani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar liderin e Partisë Laburiste, tashmë kryeministër i ri, Keir Starmer pas fitores së zgjedhjeve në Britani.

    Ajo ka shprehur bindjen se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova do të vazhdojnë të punojnë së bashku në forcimin e lidhjeve të tyre.

    “Urime të përzemërta për Keir Starmer në fitoren tuaj historike në zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar ka një vend të veçantë në zemrat e të gjithë kosovarëve dhe jam i bindur se së bashku, ne do të punojmë ngushtë për të forcuar aleancën tonë të gjatë. Ju uroj suksese kur merrni këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në platformën X.

    Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe të premten, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.

    Mbretëria e Bashkuar tashmë ka një kryeministër të ri, Keir Starmer i Partisë Laburiste, i cili i është drejtuar turmave në qendër të Londrës pas fitores historike në zgjedhjet parlamentare.

    Me një entuziazëm të dukshëm, Starmer deklaroi se “ndryshimi fillon tani”, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në fitoren e laburistëve.

    “Ju keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të dhe tani ajo ka ardhur”, ka thënë Starmer, duke theksuar se mandati i ri i Laburistëve sjell edhe një “përgjegjësi më të madhe”, raporton BBC.

    Rezultatet paraprake tregojnë se laburistët vazhdojnë të fitojnë vende në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Partia Konservatore po përjeton një nga rezultatet më të dobëta në histori, me tetë ministra që kanë humbur pozitat e tyre.

  • Ish-sekretari i MPJD-së fajëson Enver Hoxhajn për punësimet e diplomatëve në 2011-ën

    Ish-sekretari i MPJD-së fajëson Enver Hoxhajn për punësimet e diplomatëve në 2011-ën

    Ish-sekretari i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Behar Isma, ka bërë fajtor ish-ministrin Enver Hoxhaj për punësimet e disa diplomatëve në vitin 2011. Sipas tij, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se ata nuk janë pranuar në bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil, raporton Ekonomia Online.

    Ai këto deklarata i bëri në Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    E këto deklarata të ish-sekretarit të MPJD-së përplasen deputet e pozitës me atë të PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Deputeti i VV-së Haxhi Avdyli, ka pyetur Isman në lidhje me konkursin e hapur në vitin 2011, e që në vitin 2022 ish-sekretari Isma me një vendim të tij i kishte larguar nga puna këta të fundit.

    “Ky komision është ngrit edhe për tërheqjen e disa diplomatëve që janë bërë në vitin 2022, dhe arsyeja gati gjithë kësaj ka qenë ky komision të themelohet, pse keni tërheq disa diplomatë në vitin 2022 të cilët janë emëruar në vitin 2011, kush e ka mundësuar pranimin e tyre, me çfarë ligji janë pranuar, dhe a ka dhënë ndonjë vendim këshilli i pavarur mbikëqyrës i shërbyesve civil rreth kësaj tërheqje, dhe në bazë të asaj a është konstatuar ndonjë shkelje. Rreth këtyre tërheqjeve ka pas pluhur shumë. Kur janë emëruar këta a kanë pas garanci se këta do të kthehen pas mbarimit të misionit në MPJ. A keni ndërmarrë hapa konkret për këtë konkurs të vitit 2011, se e di që keni marrë hapa, por duke ditë se këtu ka shkelje të renda të ligjit a e keni drejtuar edhe këtë në prokurori, nëse po, a keni marrë përgjigje rreth emërimit të këtyre diplomateve që edhe pas një kohë të gjatë kanë marrë pagesa, si janë rregulluar ato. Sepse kjo shkelje është bazë për një hetim më të madh, a keni pas guximin që për atë periudhë t’i adresoni në prokurori ketë konkurs”, ka pyetur Haxhiu.

    Ish-sekretari Isma tha se në bazë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se të gjitha këto emërime janë kundërligjore.

    “Përmes procedurave të këtij konkursi del se janë propozuar disa kandidatë të cilët janë jashtë dispozitës ligjore, ministri i asaj kohe kishte përzgjedhur persona konkret të cilëve u ka lëshuar vendim për t’i dërguar në misione diplomatike. Përzgjedhja e tyre dhe vendimi i lëshuar për ta është bërë sipas praktikës së ngjashme me atë që bëhen emërime dhe angazhime të emëruarve politik. Vendimi për angazhimin e tyre në mision, duke pas si referencë atë konkurs, përmban vendimin, gradën, misionin, si dhe pagën në të njëjtën vendim. Se ky konkurs dhe kjo procedurë e dërgimit të emëruarve  politik me vendim të ministrit nuk ka qenë as për së afërmi në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbyesit civil të cilët edhe e ka bërë vlerësimin Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil ndër disa vendime të tij. Me rastin e kthimit nga misioni i tyre një pjesë e tyre janë sistemuar në Ministri dhe kanë udhëhequr me departament. Edhe Këshilli e konfirmon se këta nuk janë pranuar më bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka vlerësuar si kundërligjore këto sisteme edhe në shumë raste”, ka thënë ai.

    Deputetja e VV-së Fitore Pacolli, ka pyetur ish-sekretarin se a ka pasur shkelje në emërimin e këtyre pozitave në atë vit.

    “A ka pasur shkelje të rëndë të ligjit në emërimin e këtyre pozitave”, ka pyetur ajo.

    Ish-sekretari Isma ka thënë se këto janë edhe konstatimet të Këshillit.

    “Për hir të vërtetës së këtyre fajeve që po i them, janë vendimet e Këshillit për të cilat emra nuk jam i interesuar të jap. Këto janë tre vendimet të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, tre vendime me numra të ndryshme që i referohen ankesave që zyrtarët në mënyrë të kundërligjshme janë avancuar kanë bërë në Këshill dhe për të cilat Këshilli i ka refuzuar të triat dhe ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të cilat unë i kam marr”, ka thënë ai.

    Deputetja Pacolli ka pyetur se cili ministër ka qenë në atë kohë kur kanë ndodhur këto emërime.

    “A mund të na tregoni se gjatë periudhës që kanë ndodhur shkeljet cila ministra  kanë qenë në krye të ministrisë”, ka pyetur ajo

    Ish-sekretari Isma ka thënë se ministër në atë kohë kur kanë ndodhur këto punësime ka qenë Enver Hoxhaj.

    “Ministër ka qenë i opozitës së tanishme i koleges deputet këtu, Enver Hoxhaj, në përudhen më të gjatë të gjithë këtyre emërimeve edhe sigurisht ministrave të tjerë. Një pjesë e këtyre vendime ka ndodhur edhe në periudha të tjera”, ka thënë ai.

    E pas këtyre deklaratave pati përplasjes mes deputetëve të VV-së dhe deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Musliu Shoshi ka thënë se ish-sekretari nuk duhet të jep konstatime në lidhje me këtë rast, pasi sipas saj, kjo çështje është në gjykatë.

    “Rasti është në gjykatë për të cilën ti nuk ke kompetencë, rasti është në gjykata, gjykata jep verdiktin final. Nuk je personi kompetentë me jep konkluza të tilla me i shku ministra që kanë qenë”, ka thënë ajo.

    Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, ka pyetur se a ka qenë në bazë të ligjit pozita që ai ka pasur.

    “Është ftuar në cilësinë e dëshmitarit ish-sekretarin e MPJD-së, Behar Isma. Për të sqaruar sjelljen tënd dhe raportit tënd në cilin vit je pranuar dhe në çfarë pozitë je pranuar. A është konform ligjit pozicioni yt. A është me ligj mbajtja e pozicionit ushtrues detyre për dy vite. Ju si jurist, ku mbështete ligjërisht avancimi juaja me rritjen e koeficienete mbi 100 për qind. Ku bazohen ligjërisht gradat ju që i keni dhënë dhe pesë gradat tuaja që i keni marr në prill të këtij viti”, ka thënë ajo.

    Ish-sekretari Isma tha se pozitën e U.D e ka mbajtur sipas ligjit dhe rregullave.

    Ai ka thënë se edhe për gradimet nuk ka pasur kapërcim të ligjit dhe rregullores për shërbimin e jashtëm.

    “Çështja e avancimit tim dhe pozicionimi që mbaj. Në bazë të rregullores ne fakt, vendimin e qeverisë, për themelimin e akademisë diplomatikë në kuadër të MPJD, është në diskrecion të ministrit të vlerësoje dhe caktojë drejtor të akademisë. Ndërkaq prej atij pozicioni më 10 janar të vitit 2022 jam caktuar si UD i sekretarit të përgjithshëm i MPJD. Vlerësimi im është që kjo pozitë është mbajtur konform ligjit dhe rregullave. Sa i përket çështjes së gradave, janë të rregulluara me rregulloren për  shërbimin e jashtëm dhe vlerësoj se sipas këtij ligji dhe kësaj rregullore, nuk ka asnjë kufizim në përcaktimin e gradës së parë të diplomatëve që janë të punësuar në MOJD, dhe vlerësoj se cdo gjë ka qenë konform rregullave”, tha Isma.

    Ndërkaq Ish-sekretari Isma ka folur edhe për gjendjen në të cilën e ka gjendur ministrinë kur marrë pozicionin në vitin 2022.

    “Është shumë me rëndësi të potencojmë gjendjen që kam gjet ministrinë në vitin 2022 kur kam marrë detyrën e kemi pas me mungesë të raportimeve, në mungesë të rregullsive sa i përket regjistrimit të pasurisë l, raportimeve lidhur me shpenzimet e misioneve si avanse që kanë arritur në vlerën 2.2 milion dhe vetëm për dy vite këtë vlerë e kemi kthyer në vlerë simbolike 18 mijë euro dhe kemi mbyllur  gjitha këto obligime”, ka thënë ai.

  • Shefi i NATO-s shpreson se Ukraina do t’i bashkohet aleancës brenda 10 vjetëve

    Shefi i NATO-s shpreson se Ukraina do t’i bashkohet aleancës brenda 10 vjetëve

    Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shpreson se Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake brenda dhjetë vjetëve të ardhshme.

    “Vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet aleat”, tha Stoltenberg duke iu përgjigjur pyetjes për zgjerimin e mundshëm të NATO-s në dhjetë vjetët e ardhshme.

    Ai u bëri thirrje aleatëve të NATO-s ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armë dhe municione për t’i ndihmuar ta mposhtë pushtuesin rus.

    “Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, theksoi ai.

    Stoltenberg, të cilit i mbaron mandati më 1 tetor, i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA, e cila u publikua të premten.

    Liderët e NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Uashington, për ta festuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës, ku pritet të njoftojnë mbështetje të re për Ukrainën.

    Ukraina është duke trokitur në dyert e NATO-s qysh prej vitit 2008, kur iu premtua se një ditë do të jetë anëtare.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërkohë, ka thënë kohë më parë se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e Uashingtonit, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

    Njëra prej gjërave kryesore që do të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

    Përpilimi i këtij dokument, i cili përbëhet zakonisht nga disa faqe, është duke ndodhur tash e disa javë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës.

    Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s tash, kjo është shumë e qartë.

    NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar, sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.

  • Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për 2 muaj të dyshuarve për spiunazh

    Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për 2 muaj të dyshuarve për spiunazh

    Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh – Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi”, të cilët ishin arrestuar në fillim të muajit qershor.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve B.Sh dhe M.Q, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 05.07.2024  ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit dy të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë për “Betimi për Drejtësi”.

    Bedri Shabani bashkë me Qerimin ishin arrestuar nën dyshimin se janë marrë me aktivitete të spiunazhit.

    Sipas PSRK-së, dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 3 të Kodit Penal, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, B.Sh dhe M.Q., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

    Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, ka bërë të ditur se në shtëpitë e dy të dyshuarve që u arrestuan të mërkurën për spiunazh, u gjetën dhe sekuestruan dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska, gasmaska ushtarake dhe shumë dëshmi të tjera.

    Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë speciale, janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për spiunazh.

  • Kim Kardashian publikon disa fotografi të vjetra, duke treguar se si dukej 31 vite më parë

    Kim Kardashian publikon disa fotografi të vjetra, duke treguar se si dukej 31 vite më parë

    Kim Kardashian ka postuar disa nga fotot e saj të vjetra në Instagram dhe ka treguar se si dukej në fëmijëri.

    Në njërën nga fotot, e cila është realizuar në vitin 1993, ajo ka pozuar me shoqen e saj Lindsay. Kim ishte 13 vjeçe në atë kohë.

    Ylli i reality show-it “The Kardashians” tërhoqi për herë të parë vëmendjen e mediave duke u shoqëruar me Paris Hilton. Para se të bëhej e famshme, Kim punonte si stiliste për shoqen e saj të fëmijërisë, dhe një herë ka thënë se Paris ishte përgjegjëse për fillimin e karrierës së saj, pasi e njohu me shumë njerëz të rëndësishëm.

    Shpejt, Kim u bë një nga personat më të famshëm në botë. Në fillim të viteve 2000, në publik doli një video e saj eksplicite me reperin Ray J. Kim dhe Ray ishin në një lidhje nga viti 2002 deri në vitin 2006, dhe shumë njerëz besojnë se pikërisht kjo video private i siguroi Kim Kardashianit karrierën që ka sot.

    Tetë muaj pas daljes së videos, familja Kardashian vendosi të shfrytëzojë ekspozimin e tyre publik dhe kështu u publikua episodi i parë i reality show-it “Keeping Up with the Kardashians”.

    Kur rrjetet sociale filluan të rriten me shpejtësi, Kim dhe motrat e saj e përdorën këtë si mundësi për të rritur ndikimin e tyre përtej vetë reality show-it.

    Kim e shfrytëzoi rrjetin social për të krijuar dhe konsoliduar markën e saj, dhe jo vetëm si një person i famshëm. Ajo gjithashtu përdori rrjetet sociale si një mjet për të rritur markat e saj “Skims” dhe “SKYNN by Kim”. /Telegrafi/

  • Brad Pitt merr vëmendjen në një paraqitje të përditshme, duket shumë vital dhe rinor

    Brad Pitt merr vëmendjen në një paraqitje të përditshme, duket shumë vital dhe rinor

    Edhe pse ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës së tij, Brad Pitt sfidon vitet me pamjen e tij rinore.

    Brad Pitt, shoferi i F1 Lewis Hamilton dhe aktorja Daisy Edgar-Jones, ishin ndër emrat e njohur që morën pjesë në katërditëshen e Madhe të Garës së Britanisë së Madhe, e cila zgjat deri më 7 korrik.

    Brad udhëtoi për në Silverstone për të xhiruar skena për filmin e tij të ardhshëm mbi Formulën 1, ku do të luajë rolin e shoferit veteran, Sonny Hayes, i cili rikthehet në F1 pas një mungese të gjatë.

    Në një pamje sportive, aktori i famshëm shkaktoi një pështjellim të vërtetë, dhe të gjithë bien dakord se për të, vitet janë thjesht një numër.

    Kësaj here, nuk ishte pranë tij e dashura e re, Ines de Ramon, brune mahnitëse nga e cila nuk është ndarë kohët e fundit. /Telegrafi/

  • Sonte nis faza e nxehtë e çerekfinales në ‘EURO 2024’

    Sonte nis faza e nxehtë e çerekfinales në ‘EURO 2024’

    Super çerekfinale na presin sonte në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjermani.

    Tetë ekipe po kërkojnë katër biletat e gjysmëfinales në duelet që luhen sonte dhe nesër.

    Me fillim nga ora 18:00 luhet ndeshja më interesante e dy skuadrave favorite mes Spanjës dhe Gjermanisë.

    Këto dyja kanë bërë paraqitjet më të mira deri më tani në Euro 2024 dhe njëra nga to do të eliminohet sonte.

    Kurse, tri orë më vonë, nga ora 21:00 zhvillohet dueli tjetër interesant mes Portugalisë dhe Francës.

    Portugalia siguroi kualifikimin tutje pasi mposhti me penallti Slloveninë, kurse Franca eliminoi 1:0 Belgjikën.

    Nesër luhen dy duelet tjera çerekfinale: Zvicër-Angli dhe Holandë-Turqi.

  • Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

    Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar duke thënë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje. Sipas tij, një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë e Serbisë.

    Në një opinion të botuar në “The New York Times”, kur ka folur për rolin e NATO-s në Kosovë, Kurti e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, veprim ky që u cilësua destabilizues nga SHBA.

    “Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’.

    Mes tjerash, Kurti ka lëshuar akuza në drejtim të Serbisë për pengim të integrimit të serbëve në Kosovë.

    “Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës nën udhëheqjen e Millosheviqit, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi kthesë në politikën autoritare, etno-nacionaliste të Millosheviqit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi jetën veçanërisht serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë, në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 për qind shqiptarë etnikë dhe 7 për qind pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’u bashkoheshin institucioneve dhe të bëheshin pjesëmarrës aktivë në vend”.

    Teksa e ka përmendur edhe rritjen e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë vitin e kaluar, nga 3770 në 4500, Kurti tha se Kosova njihet si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë kontribut të madh ka dhënë NATO-ja.

    “Ky transformim nuk është arritur vetëm si pasojë e veprimeve të NATO-s; është kërkuar përpjekje nga shumë parti, dhe më e rëndësishmja është vendosmëria e popullit kosovar, i cili u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësi që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet, në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë pjesë. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike, ajo duhet të ruhet vazhdimisht”.

  • Deponohen gati një mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Deponohen gati një mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për deponimin e gati një mijë eurove të falsifikuara në një bankat në Prishtinë.

    “Ankuesja femër kosovare zyrtare e një banke, ka informuar se nga klient janë deponuar 936€ para të falsifikuara”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar.

  • Vriten pesë palestinezë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Vriten pesë palestinezë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Pesë njerëz janë vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite në Bregun e uzurpuar Perëndimor të premten, tha Autoriteti Palestinez.

    Ushtria e Izraelit tha në një komunikatë se forcat e saj e rrethuan një ndërtesë në qytetin Xhenin, ku militantët ishin barrikaduar dhe se një avionë luftarak izraelit e goditi këtë zonë.

    Së paku 12 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite gjatë kësaj jave në Bregun Perëndimor, ku tensionet janë rritur shumë prej se nisi lufta në Rripin e Gazës në tetor.

    Trupat e rrethuan ndërtesën “ku terroristët u barrikaduan” dhe filloi një betejë me armë, tha ushtria izraelite.

    “Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një avion luftarak i IDF [ushtrisë izraelite] i goditi disa terroristë të armatosur në këtë zonë”, thuhet në njoftim.

    Bregu Perëndimor është duke u përballur me dhunë të rritur prej se nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

    Sipas figurave të Autoritetit Palestinez, së paku 565 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë sulmeve izraelite dhe dhunës me kolonët izraelitë, prej se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme në Izrael më 7 tetor.

    Së paku 16 izraelitë, përfshirë ushtarë, janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë periudhës së njëjtë, sipas shifrave izraelite.

    Palestinezët duan që Bregu Perëndimor, Jerusalemi Jugor – zona që u morën nën kontroll nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 – të jenë pjesë e shtetit të tyre të pavarur./REL/