ATV

Author: G.O.

  • Izraeli e shqyrton përgjigjen e Hamasit për propozimin për armëpushim në Gazë

    Izraeli e shqyrton përgjigjen e Hamasit për propozimin për armëpushim në Gazë

    Kabineti i Izraelit do të mblidhet të enjten për ta diskutuar përgjigjen më të re të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – për propozimin e SHBA-së për armëpushim me faza në Rripin e Gazës.

    Përpjekjet diplomatike për armëpushim në Gazë kishin ngecur në javët e fundit, por ato u ringjallën me vendimin e Izraelit për ta shqyrtuar përgjigjen e Hamasit.

    Shtetet e Bashkuara grumbulluan mbështetje për planin për armëpushim, i cili parasheh lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen ende nga grupi militant, në këmbim të një armëpushimi afatgjatë dhe të tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza.

    Megjithatë, deri tani asnjëra palë nuk e ka pranuar plotësisht atë.

    Hamasi sugjeroi “ndryshime” në propozim muajin e kaluar, disa prej të cilave janë të pamundura sipas SHBA-së.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se propozimin origjinal nuk është bërë nga Izraeli, por ka ngritur dyshime nëse ai do t’i japë fund luftës – që është kërkesë kyçe e Hamasit.

    Hamasi konfirmoi të mërkurën se ua ka dorëzuar një përgjigje të re Egjiptit dhe Katarit, të cilat i ndërmjetësojnë bisedimet, pa dhënë hollësi. Një zyrtar amerikan tha se Administrata e presidentit Joe Biden po e vlerëson përgjigjen, duke e cilësuar atë si konstruktive. Zyrtari, i cili foli në kushte anonime, tha se nevojitet më shumë punë.

    Një zyrtar izraelit tha se Netanyahu do ta mbledhë Kabinetin të enjten, për të biseduar për zhvillimet e fundit rreth bisedimeve.

    Zyrtarët amerikanë kanë thënë se propozimi i fundit përmban gjuhë të re dhe iu paraqit Egjiptit dhe Katarit të shtunën. Ai adreson bisedime indirekte të cilat pritet të fillojë gjatë fazës së parë të marrëveshjes me tri faza, të cilën Joe Biden e shpalosi më 31 maj.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

    Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

  • ​Krasniqi uron pavarësinë e ShBA-së: Sot feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike

    ​Krasniqi uron pavarësinë e ShBA-së: Sot feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ditën e shpalljes së pavarësisë.

    Krasniqi, ka shkruar se kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara.

    “Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së ShBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, Ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë. Para se gjithash, kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

    Sipas tij, përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga ShBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit.

    “Vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë, të promovuara nga ShBA-të, shërbejnë si udhëzues frymëzimi për të gjithë ato shtete që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

  • Rita Ora shkëlqen me paraqitjen e saj plot stil rrugëve të Londrës

    Rita Ora shkëlqen me paraqitjen e saj plot stil rrugëve të Londrës

    Rita Ora shfaqi barkun e saj të tonifikuar ndërsa promovoi këngën e saj më të fundit “Ask & You Shall Receive” të mërkurën.

    Këngëtarja, 33 vjeçe, dukej e pabesueshme teksa shfaqi një pamje të stomakut të saj të tonifikuar në një bluzë të bardhë me fotografinë e Tina Turner të shtypur në të, ndërsa ishte në Londër.

    Ajo bashkoi pjesën e sipërme të zakonshme me një palë pantallona dhe i shtoi disa centimetra lartësisë së saj me një palë çizme elegante lëkure të zeza deri tek gjuri, shkruan DailyMail.

    Rita u mbulua me një triko ngjyrë krem me grep dhe një xhaketë gri të stilit ushtarak ndërsa dilte nga një studio.

    Për të kompletuar pamjen, Rita si aksesor vendosi një gjerdan të gjatë me rruaza, një palë vathë me rrathë dhe një palë syze të mëdha.

    Ora tregoi figurën e saj mahnitëse të trupit teksa publikoi një video nga prapaskenat e krijimit të videos muzikore për këngën e saj “Ask & You Shall Receive”.

    Krahas klipit, Rita ka shkruar: “Si filloi VS si po shkon. Duke e ndjerë veten në atë pamje krejtësisht nudo!! Nuk është veshja juaj tipike për të larë rrobat, e di”.

    “Ask & You Shall Receive” është publikimi i fundit i Ritës pas suksesit të albumit të saj të vitit, “You & I”.

    Duke folur për këngën, Rita tha: “Kënga është plot me atmosferë optimiste, verore dhe ka të bëjë me kapjen e momentit në mënyrë romantike dhe zhytje direkt me atë dikë të veçantë”.

    “Është bashkë-shkruar nga Raye, me të cilën kam pasur kaq shumë kujtime të mrekullueshme nga koha kur ishim në rrugë së bashku për turneun e ‘Phoenix’”. /Telegrafi/

  • Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri

    Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri

    Ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e së enjtes.

    Siç raporton “TopChannel”, ai u arrestua pasi dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni.

    Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi hetimet për koncesionin e sterilizimit.

    Urdhërarreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera.

    Ndaj Beqajt rëndon vepra penale “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.

    Beqaj ishte ministër i Shëndetësisë në vitin 2013 gjatë qeverisjes “Rama – Meta”.

  • Vdes në QKUK punëtori që u rrëzua në vendin e punës

    Vdes në QKUK punëtori që u rrëzua në vendin e punës

    Një person ka humbur jetën derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte rrëzuar nga një objekt në vend të punës.

    Policia e Kosovës njoftoi se ai është rrëzuar në Lipjan, e për rastin është arrestuar pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës.

    Ndërkohë, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Një mashkull kosovar ka ndërruar jetë në QKUK derisa po trajtohej si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi ishte rrëzuar nga një objekt ku po punonte. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe inspektori i punës. Dy të dyshuar meshkuj kosovarë (pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës) janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, kurse trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e plotë policor.

  • Xhaka: Anglia rival i vështirë, por ne kemi pikat tona të forta

    Xhaka: Anglia rival i vështirë, por ne kemi pikat tona të forta

    Zvicra do të përballet me Anglinë në çerekfinalen e Kampionati Evropian, njërën nga kombëtaret favorite të këtij kompeticioni dhe Granit Xhaka e pranon se ai dhe bashkëlojtarët e tij janë para një sfide shumë të vështirë.

    “Krahasuar me kombet e tjera, Anglia ka shumë lojtarë që luajnë në ligën e tyre vendase. Kjo e bën atë të veçantë sepse unë kam luajtur kundër shumë prej tyre disa herë nga koha ime në Premier Ligë. Në thelb, për mua është një lojë me nokaut si çdo tjetër. Ne kemi forcën tonë dhe fokusohemi në pikat tona të forta, pavarësisht se kush është kundërshtari”, ka thënë Xhaka në një intervistë për mediumin zviceran “90min.ch”.

    Ai ka shtuar është i gatshëm për të qenë sërish shtylla kryesore e skuadrës, ashtu siç ka bërë edhe te Bayer Leverkuzeini dhe skuadrat tjera ku ka luajtur.

    “Edhe para kohës sime në Leverkusen, u përpoqa ta ndihmoja ekipin me mentalitetin tim dhe të isha shembull. Pavarësisht se për cilin klub kam luajtur, gjithmonë kam dashur të fitoj çdo ndeshje, madje edhe në stërvitje”, ka shtuar Xhaka.

    Zvicra dhe Anglia do të ballafaqohen më 6 korrik në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf.

  • Kjo është lista me 10 vendet më të vizituara në botë

    Kjo është lista me 10 vendet më të vizituara në botë

    Çdo ditë miliona njerëz lëvizin nga një vend në tjetrin për të vizituar të afërmit ose miqtë, për të kryer negociata biznesi, për të kryer detyra profesionale, për t’iu nënshtruar trajnimeve, etj.

    Ka shumë arsye për të udhëtuar jashtë vendit të tyre, dhe një nga më të njohurat është turizmi.

    Sot, udhëtimi është një pjesë integrale e jetës njerëzore.

    Shkalla në të cilën vizitohen vendet individuale ndikohet nga një mori faktorësh, duke përfshirë kërkesat për viza, sistemet e sigurisë dhe disponueshmërinë e atraksioneve.

    Agjencitë turistike me reputacion dhe institucione të specializuara ndërkombëtare analizojnë fluksin e njerëzve dhe bëjnë renditje mjaft objektive të vendeve më të vizituara në botë.

    Bazuar në të dhënat zyrtare të Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së (UNWTO), evidentoni vendet më të vizituara në vitin 2023.

    TOP 10 VENDET MË TË VIZITUARA NË BOTË

    1. FRANCË (89.4 milionë)

    Vendi më i vizituar në botë është Franca. Për të shijuar bukurinë e rrugëve franceze në qytete si Parisi, Nice, Marseille, Strasburg, Toulouse, Bordeaux, Lyon e shumë të tjera, çdo vit vijnë më shumë se 80 milionë turistë, dhe në 2019-ën shifra i afrohet 90 milionëve. Industria e turizmit gjeneron rreth 9% të PBB-së dhe siguron punë në Francë për më shumë se 3 milionë njerëz. Kryeqyteti francez është shtëpia e monumentit arkitekturor më të vizituar në botë – Kulla Eifel.

    2. SPANJË (83.5 milionë)

    Vendi i dytë i merituar në renditjen e vendeve më të vizituara në botë në vitin 2023 është Spanja. Me më shumë se 83 milionë banorë (2019), ky shtet me diell është përpara Shteteve të Bashkuara për të tretin vit radhazi. Turizmi përbën rreth 14.4% të PBB-së së Spanjës. Qytetet më të vizituara dhe më të bukura spanjolle janë Barcelona dhe Madridi. Vendi ka shumë plazhe me rërë, festivale mbahen vazhdimisht dhe jeta e natës po vlon.

    3. SHTETET E BASHKUARA (79.3 milionë)

    SHBA kryeson listën e tre vendeve më të vizituara në botë. Ky vend i madh me një kulturë, natyrë dhe klimë të larmishme ofron atraksione për çdo shije, nga një natë jashtë në qytetin e Las Vegas ose një arratisje pasive në plazhet e famshme të Hawaii ose një vizitë në shkretëtirën në hapësirat e mëdha të Alaskës. Rastësisht, SHBA-të janë shumë përpara liderëve të renditjes – Francës dhe Spanjës – të kombinuara për sa i përket arkëtimeve të parave nga industria e turizmit. Shuma vjetore i kalon 200 miliardë dollarë.

    4. KINA (65.7 milionë)

    Kinezët janë në vendin e parë në botë për sa i përket shpenzimeve vjetore për udhëtime (rreth 250-260 miliardë dollarë). Dhe ata i kalojnë amerikanët me disa herë. Sidoqoftë, Kina moderne tërheq gjithashtu një numër të madh të huajsh në vendin e saj (më shumë se 65 milionë njerëz në vit). Ka shumë atraksione historike dhe kulturore, duke përfshirë Murin e Madh të Kinës, dhe qytete të tilla si Shangai dhe Pekini janë të bollshme jo vetëm me kuzhinë shumëngjyrëshe, por edhe me arkitekturë moderne.

    5.ITALIA (64.5 milionë)

    Italia është në fund të top 5 vendeve më të vizituara në botë. Miliona turistë mund të shijojnë njësoj strukturat unike arkitekturore dhe bregdetin e mirëmbajtur mesdhetar. Po aq e rëndësishme është historia, kultura, moda, arti dhe kuzhina e famshme italiane. Qytetet më të vizituara janë Roma, Milano, Venecia, Firence dhe Napoli. Të ardhurat e Italisë nga industria e turizmit përbëjnë më shumë se 11% të PBB-së.

    6.TURQIA (51.2 milionë)

    Situata e paqëndrueshme ushtarako-politike e viteve të fundit, si brenda Turqisë, ashtu edhe në vendet fqinje, shkaktoi një dalje të konsiderueshme të turistëve të huaj. Po flasim për më shumë se 15 milionë njerëz. Megjithatë, në 2018-2019 frekuentimi pothuajse është kthyer në nivelet e para krizës. Më shpesh, njerëzit shkojnë në vendpushimet bregdetare relativisht të lira dhe të rehatshme në brigjet e Egjeut dhe Detit Mesdhe. Turizmi përbën rreth 12.2% të PBB-së së Turqisë.

    7.MEKSIKO (45 milionë)

    Përfaqësuesja e dytë e kontinentit të Amerikës së Veriut në renditjen e vendeve më të vizituara në botë është Meksika. Ka shumë plazhe dhe zona për rekreacion aktiv, të cilat tërheqin jo vetëm amerikanët dhe kanadezët, por edhe një numër të madh turistësh nga Evropa dhe Azia. Meksika ka një popullsi shumë të gjallë me një kulturë dhe tradita të veçanta. Festivale interesante mbahen në qytetet e mëdha dhe restorantet ofrojnë ushqime të shijshme.

    8. TAJLANDA (39.8 milionë)

    Tajlanda është një vend aziatik me një rekord të jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik, duke përfshirë turizmin, i cili përbën deri në 15-20% të PBB-së lokale. Kjo është, mesatarisht, dy herë më shumë se treguesi botëror tors. Mbi të gjitha, në Tajlandë të huajt tërhiqen nga çmimet e përballueshme, plazhet me rërë, jeta e gjallë e natës dhe kuzhina tajlandeze.

    9. GJERMANI (39.6 milionë)

    Gjermania nuk është vetëm motori ekonomik i Bashkimit Evropian, por edhe një nga vendet më të vizituara në Evropë dhe në botë. Qytetet e njohura gjermane janë Berlini, Mynihu, Hamburgu, Frankfurti dhe Bremeni. Përveç vizitave në festivale folklorike, ekspozita dhe ngjarje sportive interesante, shumë të huaj kërkojnë të gjejnë punë në Gjermani ose të marrin një arsim prestigjioz në institucionet arsimore gjermane.

    10. BRITANI E MADHE (39.4 milionë)

    Në vendin e fundit në listën e top 10 vendeve më të vizituara në botë është Britania e Madhe. Ky është një vend me një histori të madhe, tradita dhe arkitekturë unike. Sipas ekspertëve vendas, turizmi është industria me rritje më të shpejtë, e cila gjeneron rreth 9% të PBB-së dhe krijon më shumë se 3 milionë vende pune në tregun britanik të punës. Numri më i madh i turistëve vjen në kryeqytetin e Britanisë së Madhe – Londra, dhe vendi më i vizituar është Kulla e Londrës, e vendosur në bregun verior të lumit Thames.

    Si përfundim, vërejmë se lista e top 10 vendeve më të vizituara në botë krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndryshuar.

    Sipas të dhënave paraprake, bumi më i madh turistik është shënuar në Turqi. Si më parë, pozita kryesore për sa i përket vizitorëve në botë është Franca.

    Për më tepër, një rezultat të mirë tregon edhe Spanja, e cila për të tretin vit radhazi nxjerr SHBA-në nga vendi i dytë.

  • Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Aksion policor në Kaçanik, arrestohet i dyshuari për kultivimin e bimëve narkotike

    Policia e Kosovës, respektivisht DHTN- Ferizaj njofton se ka pranuar informacione për një person të dyshuar se i njëjti në një fshat të Kaqanikut dyshohet se merret me kultivimin e bimëve narkotike.

    Lidhur me këto informata, policia njofton se sot “njësitë kompetente policore kanë zhvilluar një plan taktik gjatë të cilit edhe është realizuar aksioni policor në fshatin Soponicë – Kaçanik, respektivisht në dy shtëpi të personit të dyshuar mashkull kosovar tek të cilat gjatë kontrollit janë gjetur provat materiale si në vijim:

    katër bimë të llojit kanabis sativa të gjatësisë rreth 20 cm.

    –substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë e vendosur në kavanoz xhami me peshë neto 10.6 gram,

    -80 copë qese najloni të zbrazëta,

    -një pako me rizlla (letër për mbështjellje të marihuanës),

    -një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 17.2 gram,

    -një thes najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë neto 486 gram,

    – substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë e vendosur në kavanoz xhami me peshë neto 89.4 gram

    – një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10.2 gram,

    -substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 10.75 gram ( e vendosur ne shishe plastike,

    -një thikë”, njofton policia.

    Lidhur me rastin pas përfundimit të kontrollit është kontaktuar prokurori kompetent i cili është njoftuar lidhur me veprimet e ndërmarra policore në teren, ku me autorizim të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë.

  • Sot mblidhen tri komisione në Kuvend

    Sot mblidhen tri komisione në Kuvend

    Sot në Kuvendin e Kosovës takohen tri komisione.

    Me fillim nga ora 09:00, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës mban takim me ekspertët e angazhuar në komision.

    Më pas nga ora 10:00, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport interviston kandidatët për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

    Komisioni për Integrime Evropiane nga ora 11:00 shqyrton Projektligjin nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

  • Hapen zyrat e reja të AAK-së, mysafiri i parë i Haradinajt ishte ambasadori Hovenier

    Hapen zyrat e reja të AAK-së, mysafiri i parë i Haradinajt ishte ambasadori Hovenier

    Janë hapur zyrat e reja të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili njoftoi se mysafiri i tij i parë ishte ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Haradinaj zbuloi se me Hovenierin diskutuan për aktualitetin në Kosovë.

    “Me këmbë të mbarë e në shtëpinë e re, të nderuar që mysafiri i parë ishte Ambasadori Amerikan, Jeffrey Hovenier. Folëm për aktualitetin në Kosovë, për bashkëpunimin e ndërsjellë, pa harruar mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat e lirisë e të shtetndërtimit të Kosovës! Me urime të ndërsjella edhe për Festën Kombëtare të Pavarësisë së Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.