ATV

Author: E.R.

  • Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI  

    Shaip Bela, tash e 5 vjet, jeton i vetëm mes këtyre katër mureve në ish-objektin e spitalit të mushkërive në Kaçanik. Ai u vendos aty përkohësisht, me shpresën se do te kalojë në objektin e ri te banesa e socialit.

    Na kanë thanë për një banesë, në Kaçanik të Vjetër. Unë jam regjistru që 10-15 vite, por kurgja s’ka. Këtu janë familjet që kanë rast social edhe unë jam me social, e po presim çka po bohet a po na lëshojnë.

    Jeta në një objekt ku ka insekte e myk në secilin cep është shumë e vështirë për Belën, por thotë se është i detyruar të jetojë në të, sepse nuk ka zgjidhje tjetër.

    Jeta në këtë objekt është shumë e vështirë se ka shumë insekte. Jam detyru me ardhë këtu se s’kam pasë mundësi me pagu qira e për banesë e kom pyt komunën, m’kanë thanë hin veç mos dëmto kurgja.

    Sabedin Vishi, nënkryetar i komunës së Kaçanikut, fajin për vonesën e projektit të banesave të socialit ia lë Qeverisë. Sipas tij, ekzekutivi nuk e ka ndarë buxhetin me kohë.

    Projekti ka qenë në bashkëfinancim me Qeverinë. Qeveria është zotuar, por nuk ka mundur t’i bëjë ato pagesa dhe krejt kjo vonesë është bërë për shkak të mjeteve financiare.

    Ndërkaq, në banesat e socialit, përfituese do të jenë 36 familje që janë në asistencë sociale.

     

  • Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të formojë ekip të ri menaxhues, për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pas shkarkimit të atij paraprak, i cili në Bruksel prezantoi draftin që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, sipas ekzekutivit tashmë diskutimet zhvillohen ne nivel politik.

    “Drafti i propozuar është i papranueshëm dhe shpreh vetëm dëshirat e Serbisë për të dëmtuar funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Në takim, Kryeministri Kurti propozoi vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë. Tashmë diskutimi është i bartur vetëm në nivelin politik. Në vijim, pritet të zhvillohet dhe takimi në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar në tërësi rreth vijimësisë së implementimit të pikave të marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të zbatimit.”

    Teksa e përshëndeti shkarkimin e katër anëtareve të propozuar nga Serbia, kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk pret që palët të pajtohen me propozimet e njëra-tjetrës.

    “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë.”

    Pajtueshmëri mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket formimit të Asociacionit nuk pret as profesori universitar Milazim Krasniqi i cili kërkon themelimin e ekipit të ri menaxhues.

    “Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë qeverinë e Kosovës. Sepse ky Komision, ekipi menaxhues nuk kanë pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi, prandaj ka shumë punë në këtë aspekt”.

    Derisa, Qeveria e Kosovës lirimin nga detyra të ekipit menaxhues e arsyetoi me përfundim të mandatit pas prezantimit të draftit, Bashkimi Evropian e vlerësoi në kundërshtim me frymën e dialogut.

  • ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit.

    Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka postuar një përmbledhje, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë.

    “Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”, ka shkruar ai.

  • ​Kurti: Luani nga Gllogjani me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim

    ​Kurti: Luani nga Gllogjani me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e rënies së heroit Luan Haradinajt, ka shkruar se ishte një djalosh luan nga Gllogjani, që bëri aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim.

    Kurti ka shkruar në Facebook se ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së.

    “Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj! I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin. Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap. Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur. I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së. Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve”, ka shkruar ai.

  • Osmani përshëndet kurorëzimin e Mbretit Charles, uron për forcim të aleancës

    Osmani përshëndet kurorëzimin e Mbretit Charles, uron për forcim të aleancës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla, në kurorëzimin e tyre si monarkët e rinj të Mbretërisë së Bashkuar.

    Duke ndarë disa fotografi nga ceremonia, Osmani ka thënë se aleanca mes dy vendeve uron të vazhdohet gjatë mbretërimit të Mbretit Charles.

    “Urimet tona të përzemërta për Madhëritë e Tyre Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla për këtë kurorëzim historik. Aleanca midis dy vendeve tona dhe lidhjet midis popujve tanë u forcofshin gjatë mbretërimit të Mbretit!” ka shkruar Osmani në Twitter.

  • 19 vjet basketbolliste nuk u pagua asnjë cent, tani Arta Mustafa në rolin e trajneres

    19 vjet basketbolliste nuk u pagua asnjë cent, tani Arta Mustafa në rolin e trajneres

    Ish basketbollistja dhe ikona e klubit të basketbollit të femrave Trepça, Arta Mustafa ka treguar për ne vështirësitë që ka pasur në kohën e artë si basketbolliste e tani si ka ndryshuar jeta pasi ju dha roli I trajneres së gjeneratave të reja nga Federta e Basketbollit të kosovës.

    Mustafa karrierën si basketbolliste e ka filluar menjëherë pas luftës duke vazhduar ëndrrën e saj për plot 19 vite, por një dëmtim bëri që të pauzojë për 4 vjet duke bërë kështu që të mos vazhdojë më rrugëtimin e saj të artë.

    Jo më basketbolliste por si trajnere, Arta Mustafa na tregon se si ndihet tani me  rolin e ri.

    Kushtet e mira  dhe përkrahja nga federata a kanë qenë gjithmonë prezente në jetën e Artës, ja se si përgjigjet ish- basketbollistja.

    Synimet e Artës për të ardhmen janë të qarta, po ashtu ajo përgjigjet me pak fjalë.

    Arta Mustafa nuk është emër që harrohet lehtë, pasi në sezonin 2015/2016 ka pasur rekordin për më së shumti pikë në ndeshje, ajo ka realizuar plot 70 pikë, po gjithashtu ka pasur rekordin e 3 pikëshave ku në një lojë ka realizuar 16 trepikësha.

  • Kurti i mbledh kryetarët e qendrave të VV-së, iu flet për ecurinë e dialogut

    Kurti i mbledh kryetarët e qendrave të VV-së, iu flet për ecurinë e dialogut

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur sot mbledhjen e përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë e mërgatë.

    Kryetari i kësaj partie, njëherit kryeministri i vendit, Albin Kurti, i njoftoi ata me aktualitetin politik dhe me ecurinë e procesit të dialogut.

    “Çështjet organizative gjithashtu janë trajtuar nga drejtuesit e qendrave me ç’rast është theksuar rëndësia e bashkërendimit organizativ në mes të strukturave organizative të LV-së dhe organizatës së saj, RVV-së”, thuhet në njoftim.

  • I dha fund lidhjes, e reja shqiptare vritet me plumb në kokë nga ish-partneri në Itali

    I dha fund lidhjes, e reja shqiptare vritet me plumb në kokë nga ish-partneri në Itali

    Një 28-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri nga ish-partneri i saj në Itali pasi i kishte dhënë fund lidhjes. Autori sipas mediave italiane e ka qëlluar me plumb në kokë. Pas vrasjes, ai ka telefonuar policinë dhe është vetëdorëzuar, ku ka pohuar se shkak ka qene fundi i një lidhjeje.

    Mediat e huaja shkruajnë se shqiptarja jetonte prej vitesh në Itali dhe punonte në sektorin e kateringut. Sakaq rezulton se ka pasur precedentë të mëparshme kriminal, për krime ndaj pronës dhe trafik droge gjatë vitit 2022.

  • Kolonelja nga Policia e Kosovës, pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare në kursin për lidership në SHBA

    Kolonelja nga Policia e Kosovës, pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare në kursin për lidership në SHBA

    Kolonelja e Policisë së Kosovës, Afërdita Mikullovci, ka marrë pjesë në sesionin e 16-të të kursit të udhëheqjes/lidershipit së Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Glynco, Georgia (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

    Sipas njoftimit të policisë, kursi i lidershipit i mbajtur nga 24 prill deri 4 maj 2023, ku pjesëmarrës ishin 27 udhëheqës/drejtues të policisë shtetërore, lokale dhe të qarkut të Shteteve të Bashkuara dhe Kolonel Mikullovci si delegatja/pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.

    “Pjesëmarrja e Kolonel Mikullovcit u bë e mundur përmes bashkëpunimit dhe financimit të përbashkët nga Departamenti i Drejtësisë, Programit Ndërkombëtar për Asistencë dhe Trajnim për Hetimet Penale  (DOJ-ICITAP) dhe Qendra Federale e Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC)”, thuhet në komunikatën për media.

    Kolonel Mikullovci bëhet e ditur se ishte përzgjedhur nga kandidatët e nominuar të ICITAP në mbarë botën. Ajo theksoi se ndihet e privilegjuar për mundësinë e dhënë dhe është krenare për pjesëmarrjen e Policisë se Kosovës në këtë trajnim si pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.

    “Shkëmbimi i përvojave edhe njohuritë e fituara në këtë kurs, ashtu siç mund të them është edhe motoja/mantra e kursit të “Lead by Heart- Udhëheq nga zemra” do të thotë të vendosësh njerëzit në radhë të parë, t’i shërbesh komunitetit dhe të  shërbesh me përkushtim për vendin dhe qytetarët”, u shpreh ajo.

  • Rita Ora në mesin e artistëve me mbi 1 miliard transmetime në Britani

    Rita Ora në mesin e artistëve me mbi 1 miliard transmetime në Britani

    Mariah Carey, Lewis Capaldi, Whitney Houston, Coldplay dhe Sam Smith janë ndër marrësit e parë të çmimit të ri “BRIT Billion”, për mbi 1 miliardë transmetime në Mbretërinë e Bashkuar.

    Në mesin e tyre është edhe këngëtarja kosovare, Rita Ora, teksa kjo është hera e parë në historinë e saj pesë dekadash që programi i certifikimeve të BPI-së ka njohur suksesin e kombinuar të një artisti në projekte të shumta.

    Totali i karrierës “Një miliard” do të përfshijë këngë në të cilat një artist është shfaqur ose si interpretuesi kryesor ose si artist i paraqitur, siç kreditohet nga Listat Zyrtare.

    Prezantimi i BRIT Billion pasqyron shkallën në të cilën transmetimi ka transformuar peizazhin muzikor për artistët dhe fansat njësoj gjatë dekadës së fundit. Më shumë se 85% e konsumit të muzikës së regjistruar në MB tani bëhet përmes transmetimit.

    Çmimi BRIT Billion përfaqëson përmirësimin e parë të rëndësishëm të programit të certifikimeve që nga prilli 2018, kur u riemërua nga BPI Awards në BRIT Certified Awards.