ATV

Author: E.R.

  • DJATHI I SHARRIT MES TRADITËS DHE SHKENCËS

    DJATHI I SHARRIT MES TRADITËS DHE SHKENCËS

    Vështrim mbi monografinë shkencore “Djathi i Sharrit – Nga tradita në standard” të autorit Mergim Mestani
    Demir Reshiti
     
    Monografia e prof. asoc. dr. Mergim Mestanit “Djathi i Sharrit – Nga tradita në standard” (2025) është një punim i veçantë që ndërthur trashëgiminë kulturore me metodologjinë shkencore moderne. Në qendër të saj qëndron djathi i Sharrit, një produkt simbolik i Kosovës, i cili nga një praktikë artizanale e përditshme është shndërruar në pasuri kombëtare dhe tashmë ka statusin Emërtim i Mbrojtur i Origjinës (PDO).
    Kjo monografi dokumenton aspektet fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe organoleptike të djathit të Sharrit. Ajo trajton sfidat e prodhimit artizanal, rreziqet e humbjes së praktikave tradicionale dhe nevojën për standardizim teknologjik.
    Një aspekt i veçantë është analiza e mikroflorës autoktone dhe aktivitetit të baktereve të acidit laktik, të cilat janë të domosdoshme për fermentimin spontan dhe sigurinë ushqimore. Këto studime e bëjnë djathin e Sharrit jo vetëm një produkt tradicional, por edhe një laborator natyror bioteknologjik me potencial për inovacion.
    Autori në këtë monografi bën krahasime me produkte të ngjashme të vendeve të rajonit, duke dëshmuar konkurrueshmërinë e tij në tregun e djathrave tradicionalë të Evropës Juglindore. Përfshirja e tij në listën e emërtimeve të mbrojtura të origjinës e bën këtë libër të domosdoshëm për akademikët, politikëbërësit dhe prodhuesit.

    Libri ka një strukturë të qartë dhe logjike. Ai nis me burimet dhe metodologjinë, vazhdon me analizat mbi qumështin si bazë prodhimi, trashëgiminë dhe identitetin e djathit, procesin teknologjik, si dhe efektet e kripës dhe temperaturës në cilësinë përfundimtare.
    Autori përfshin të dhëna origjinale nga studime në terren dhe laborator, disa prej tyre të publikuara në revista ndërkombëtare. Krahasimet me produkte ballkanike dhe evropiane i japin librit një dimension ndërkombëtar dhe pozicionojnë djathin e Sharrit si produkt konkurrues globalisht.
    Stili është akademik dhe i qartë, duke balancuar analizën shkencore me reflektime mbi trashëgiminë kulturore. Një aspekt që mund të pasurohej është dimensioni socio-ekonomik i prodhimit, por përqendrimi në teknologjinë dhe biologjinë e bën veprën koherente dhe të fokusuar.
    Kjo monografi fton lexuesin të ndjejë shijen, aromën dhe historinë e djathit të Sharrit. Nuk janë vetëm analiza shkencore dhe tabela, por edhe rrëfim për lidhjen e njeriut me tokën, natyrën dhe trashëgiminë.
    Djathi i Sharrit shihet si metaforë e qëndrueshmërisë. I bërë nga qumështi i lopës, deles apo dhisë, i përpunuar me kujdes artizanal dhe i pjekur me durim, ai bart shijen e kullotave të larta, ajrin e pastër të maleve dhe mençurinë e brezave. Mestani e udhëheq lexuesin si studiues dhe dëshmitar i një trashëgimie që rrezikon të humbasë nën peshën e modernitetit dhe tregut global. Libri është ftesë për reflektim: si të ruajmë autenticitetin në një botë që kërkon unifikim? Si të mos humbasim shijen e vërtetë në detin e prodhimeve industriale?
    Kjo monografi është më shumë se një studim shkencor. Ajo është homazh për djathin e Sharrit – një produkt që ka kaluar nga stani në laborator, nga tryeza e fshatit në katalogët ndërkombëtarë. Shkenca dhe poezia bashkohen për të ruajtur një pasuri që i përket jo vetëm Kosovës, por gjithë kulturës gastronomike ballkanike dhe evropiane.
    Autori analizon djathin nga këndvështrime të ndryshme – fiziko-kimik, mikrobiologjik, organoleptik – por me vetëdijen se përtej shifrave qëndron një trashëgimi e gjallë, e ruajtur nga blegtorët dhe gratë që trashëguan recetat.
    Djathi i Sharrit në këtë monografi shfaqet si pasuri e rrezikuar, por edhe si shans për të ardhmen. Si produkt me emërtim të mbrojtur të origjinës, ai mund të bëhet ambasador i Kosovës në tryezat e botës, duke folur për shijen, kulturën dhe historinë.
    Si përfundim, konstatoj se kjo monografi është homazh i trefishtë: për prodhuesit që ruajnë traditën, për shkencën që e dokumenton dhe për lexuesin që e shijon këtë trashëgimi jo vetëm në pjatë, por edhe në mendje dhe zemër. Libri është thirrje për kujdes: të ruajmë autenticitetin, të mos humbasim shijen e vërtetë dhe të mbajmë gjallë kujtimin e një djathi që është histori e ngrirë në kripë dhe kohë.
    Botues i kësaj monografie është Sh.B. “Lena Graphic Design”, Prishtinë; Redaktore: Edona Gashi-Zhushi e Flutra Mestani; Recensentë: Dr. Ibrahim Mehmeti, Dr. Rozeta Hasalliu e Dr. Medin Zeqiri.

    Të dhëna për autorin:
    Prof. asoc. dr. Mergim Mestani ka lindur më 8 korrik 1982 në Kuklibeg të komunës së Sharrit. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Në vitin 2006, përfundoi studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe u diplomua me titullin “Teknolog Ushqimor”. Në vitin 2011, mori titullin “Master në Inxhinieri Ushqimore” në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, ku më pas përfundoi edhe studimet e doktoraturës (2018), në programin “Shkencat mbi Ushqimin dhe Teknologjia Ushqimore” (Tempus), duke fituar titullin “Doktor i Shkencave të Ushqimit dhe Teknologjisë Ushqimore”.

    Mestani ka publikuar punime shkencore në revista të indeksuara ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Është autor i tre librave profesionalë për arsimin e mesëm teknik, të botuar me mbështetjen e MASHTI dhe organizatës ALLED, të financuar nga Qeveria Austriake. Ka ndjekur trajnime të shumta profesionale dhe menaxheriale në fushën e arsimit dhe të aftësimit profesional.
    Që nga viti 2006, ka qenë i angazhuar si ekspert profesional në projekte të shumë organizatave vendore dhe ndërkombëtare. Në periudhën 2007–2022, ka shërbyer si mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Abdyl Frashëri” në Prishtinë. Që nga viti 2012, është ekspert i jashtëm pranë Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, me përgjegjësi në vlerësimin, validimin dhe akreditimin e institucioneve arsimore në fushën e Teknologjisë Ushqimore. Po ashtu, ka kontribuuar në hartimin dhe rishikimin e kurrikulave për arsimin profesional, si pjesë e grupeve punuese të MASHTI. Nga viti 2021 deri në vitin 2024, ka shërbyer si anëtar i Këshillit të Fushës Shkencore për Prodhimin Bujqësor dhe Sigurinë e Ushqimit pranë MASHTI, ndërsa nga viti 2025 është Kryetar i këtij Këshilli, me mandat katërvjeçar në vlerësimin e projekteve kërkimore dhe orientimin shkencor në fushat përkatëse.
    Aktualisht dr. Mergimi punon profesor i rregullt në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku është angazhuar që nga viti 2016 si ligjërues në lëndë të specializuara në fushën e shkencave ushqimore dhe teknologjisë së qumështit.

    Prishtinë, 30 shtator 2025
  • Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Prishtinës zgjidhen finalistë në Innovation in Politics Awards 2025

    Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Prishtinës zgjidhen finalistë në Innovation in Politics Awards 2025

    Dy projekte të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës janë përzgjedhur si finaliste në Innovation Politics Award 2025.

    Kështu ka bërë të ditur Adelina Sahiti nga kjo drejtori përmes një njoftimit në rrjetin social në Facebook.

    Sipas Sahitit, të dy projektet janë vlerësuar nga një juri me mbi 1,000 qytetarë nga e gjithë Evropa si nisma që sjellin ndryshim real dhe përfshirje sociale.

    Postimi i plotë:

    Lajm i jashtëzakonshëm!

    Jo një, por dy projekte tona janë përzgjedhur si finalistë në Innovation in Politics Awards 2025!

    “Kurse Noti për Fëmijët nga Familjet me të Ardhura të Ulëta dhe Fëmijët me Aftësi të Kufizuara” – finalist në kategorinë Kohezioni Social & Integrimi.

    “Breaking the Cycle – Fuqizimi i Mbijetuesve të Dhunës në Familje përmes Mbështetjes Financiare” – një tjetër projekt i përzgjedhur si shembull inovativ dhe transformues për komunitetet tona.

    Të dy projektet janë vlerësuar nga një juri me mbi 1,000 qytetarë nga e gjithë Evropa si nisma që sjellin ndryshim real dhe përfshirje sociale.

    Më 17 shtator 2025 do të jemi në Vjenë, në Galanë dhe Konferencën e Çmimeve, ku do të shpallen fituesit nga e gjithë Evropa!

    Ky është një moment krenarie për gjithë ekipin dhe për bashkëpunëtorët tanë që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Faleminderit për besimin, punën dhe përkushtimin!

  • Statovci pro largimit të taksës ndaj SHBA-ve: E kemi obligim ndaj një partneri besnik

    Statovci pro largimit të taksës ndaj SHBA-ve: E kemi obligim ndaj një partneri besnik

    Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Jeta Statovci përkrah idenë që të mos ketë taksë ekonomike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në një intervistë në emisionin Compass, ajo ka thënë se tregtia e lirë me një partner si SHBA-ja I ndihmon Kosovës edhe në aspektin ekonomik edhe në atë politik.

    “Jam pro masave që e ndihmojnë tregtinë e lirë, sidomos me SHBA-të, ndaj të cilit kemi obligime në sensin e partneritetit besnik dhe një aleance të domosdoshme. Unë përkrahi idenë të mos ketë tarifa në mes të dy vendeve, qofshin për arsye ekonomike qofshin për arsye të partneritetit dhe aleancës”, ka thënë Statovci në ATV.

  • “U realizua nga dy persona”- Gazetarja jep detaje nga vrasja e rreshterit policor në Kaçanik

    “U realizua nga dy persona”- Gazetarja jep detaje nga vrasja e rreshterit policor në Kaçanik

    Vrasja e rreshterit policor, Muhamed Lika dyshohet se u vra nga dy persona.

    Gazetarja Pranvera Krasniqi e cila i ka qëndruar gjatë ditës në vendin e ngjarjes, në emisionin Compass në ATV ka dhënë informacionet dhe pistat e hetimit që Policia dhe prokuroria posedon.

    Rreshteri policor, Muhamed Lika u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik mbrëmjen e së martës pasi kishte përfunduar punën.

  • Vajzat e “Vjosës” lëjnë gjurmë në Gjermani

    Vajzat e “Vjosës” lëjnë gjurmë në Gjermani

    Me mbeshtetje të kryetarit të komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, KV Vjosa (vajza) kanë bërë paraqitje të shkëlqyer në Gjermani.

    Në dy ndeshje miqësore, ato shënuan fitore, duke treguar otencialin e lartë që kanë.

    Për këtë sukses, urime dhe falendërime morën edhe nga kryetari Aliu.

    Ky është njoftimi I tij:

    E ardhmja e sportit në Shtime premton shumë – vajzat e  KV “Vjosa” janë dëshmia më e mirë 🥇

    🎉 Vizitën në Gjermani e përmbyllëm në mënyrën më të bukur të mundshme – me tjetër fitore. Vajzat e klubit të volejbollit “Vjosa” treguan përsëri shpirtin luftarak dhe përkushtimin e palëkundur, duke e dominuar edhe lojën e dytë me një performancë të shkëlqyer ndaj ekipit GSV Frondenberg. 🇩🇪🇽🇰

    🏐 Me dy fitore radhazi, vajzat tona kthehen në shtëpi me përvojë të çmuar e me motiv shtesë për sfidat e ardhshme.

    ❤️Urime të gjitha lojtareve dhe trajneres, znj. Binaze Tërshani për këto dy paraqitje fantastike e krenaria jonë e madhe me të gjithë vetëm po rritet.

    Faleminderit përzemërsisht qytetar nderit të Komunës sonë, z. Hartmut Ganzke, për këtë eksperiencë të bukur. 🙏  Vielen danke 🇩🇪

  • Pas 27 vitesh zbardhet vrasja e dy shqiptarëve në Beograd!

    Pas 27 vitesh zbardhet vrasja e dy shqiptarëve në Beograd!

    Shkruan: Demir Reshiti

    Para dy ditësh, derisa po shfletoja arkivin e gazetave, hasa në një shkrim me titull: “Në Beograd u vranë dy shqiptarë”. Bëhej fjalë për shkrimin e botuar në gazetën “Bujku” të datës 27 janar 1998 me autor A.B.Cani, në të cilin flitej për vrasjen makabre të dy shqiptarëve nga e njëjta familje, Haki (42) dhe Jakup (37) Avduti nga fshati Blaç i Opojës me vendbanim në Prizren.

    Vrasja kishte ndodhur në katin e katërt të një objekti banesor në rrugën “Zmaj Jovina” të kryeqytetit serb dhe autoritetet policore kishin njoftuar se bëhet fjalë për dy vrasës të maskuar të cilët pas kryerjes së krimit ishin larguar në drejtim të pa njohur. Në këtë shkrim theksohej gjithashtu se policia kishte gjetur tek të vrarët “një shumë të madhe devizash”…

    Meqë i njihja te dy të ndjerët (me Hakiun kisha një afërsi më të madhe shoqërore), kureshtja më shtyri që të hulumtojë se a është bërë ndonjë përpjekje për zbardhjen e këtij rasti, qoftë nga organet e drejtësisë, qoftë nga familjarët.

    Vrasja kishte ndodhur në Beograd dhe në një kohë kur Kosova ishte në gjendje lufte me Serbinë, andaj nuk kishte ndonjë shpresë se do të zbulohej vrasësi, aq më tepër kur viktimat ishin shqiptarë…

    Në përpjekje e sipër për të hulumtuar rastin, e vërejta një postim përkujtimor të mbesës së viktimave, Sara Salihu, e cila kishte postuar fotografitë e dajave të saj të ndjerë me rastin e 27 vjetorit të vrasjes. Sarës ia kërkova të mi dërgojë fotografitë dhe e pyeta nëse kanë ndonjë informacion se a e dinë familjarët se kush është vrasësi, a është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore dhe a është dënuar dikush për këtë vrasje? Ajo më tha se familja nuk ka informacione të tilla përveçse këto ditë është kapur vrasësi, dhe ma dërgoi vegëzën e një videoje të publikuar në youtube në kanalin e mediumit “Ditari Rajonit”, video që mbante titullin “Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e vëllezërve shqiptarë në Beograd”…
    Në këtë video prej 1:16 sekondash, mediumi në fjalë kishte shfrytëzuar pamjet e medias beogradase “Blic” e cila tregonte për arrestimin Zoran V. (48), të dyshuar për vrasjen e Haki dhe Jakup Avdutit.

    Gazeta “Blic” shkruante ndër të tjera se dhe deri më tani i dyshuari për vrasje Zoran V., ka jetuar dhe punuar në Novi Sad ku është arrestuar për drogë dhe armë, ndërkohë që gjatë analizës së ADN-së së tij, u zbulua se i njëjti është i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve të ndodhur 27 vite më parë në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd.

    Në shkrimin e saj të botuar pikërisht në ditën kur po bëheshin 27 vjet nga vrasja, ndër të tjera theksohet: “Aktakuza, e cila i është dorëzuar Gjykatës së Lartë në Beograd për vendim pas konfirmimit, e ngarkon Zoran V. për veprën penale Vrasje e rëndë. Prokuroria i propozoi gjykatës zgjatjen e masës së paraburgimit për të pandehurin për shkak të rrezikut të arratisjes. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se Zoran V. ka vrarë me të shtëna me armë zjarri Hakiun dhe Jakupin më 26 janar 1998, në katin e katërt të një pallati në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd. Ai ka ngjitur shkallët për në katin e katërt, ku ka vendosur një kapele të zezë të thurur me të çara për sytë dhe dorashka të thurura dhe kur të dëmtuarit kanë mbërritur në derën e banesës numër 14, ka qëlluar me pistoletë me 5 të shtëna në drejtim të tyre. Ai ka qëlluar Hakiun me tre të shtëna dhe Jakupin me dy të shtëna, duke iu shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën, dhe për pasojë të dy kanë ndërruar jetë.
    Zoran V. më pas ka ngjitur shkallët në drejtim të daljes së ndërtesës, duke hequr kapelën dhe dorezat gjatë rrugës, të cilat i ka hedhur brenda në ndërtesë, pas së cilës është larguar nga ndërtesa dhe është larguar me një automjet të panjohur”.

    Duke qenë se bëhej fjalë për dy familjarë të moshës 42 dhe 37 vjeçare, vrasja e tyre ishte përjetuar tepër rëndë nga familjarët dhe të afërmit duke e tronditur mbarë opinionin shqiptarë në Opojë, Prizren, Kosovë dhe më gjerë.
    Fakti se ndjeri Hakiu ishte baba i katër fëmijëve (3 djem e një vajzë) ndërsa Jakupi kishte lënë dy fëmijë jetimë (një djalë dhe një vajzë) të cilët tashmë gati kanë arritur moshën e baballarëve të tyre të vrarë, zbulimi dhe arrestimi i njërit nga vrasësit është mirëpritur nga familjarët të cilët shpresojnë se dorasi do ta merr dënimin e merituar.

     

     

     

  • Si do të duket spitali i ri në Prishtinë, Izet Sadiku jep detaje!

    Si do të duket spitali i ri në Prishtinë, Izet Sadiku jep detaje!

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Izet Sadiku tha në emisionin “Compass” të ATV-së, se ndërtimi i qendrës së re spitalore, do të kushtoj 500 milionë euro.

    Sadiku tha se investimet në Qendrën Klinike dhe Universitare duhet të ndalen.

    “Spitali do të kushtojë 500 milionë euro…QKUK-ja, do të mbyllet pas hapjes së spitalit të ri, por investime në QKUK nuk do të ketë më. Krijimi i një qendre të re spitalore do të krijoj mundësi dhe parakushte që këto 100 milionë euro që shkojnë jashtë vendit, ne t’i ndalim në Kosovë. Nuk është rrugë e duhur të bëhen investime të përkohshme duke bërë renovime. Unë mendoj se duhet të bëhet një qendër e re dhe ne do të meremi me fillimin e ndërtimit të një qendre të re”, potencoi Sadiku në emisionin “Compass” të ATV-së.

  • Sadiku: Në komunën e Prishtinës sot më shumë ka shërbime mjekësore sesa pacientë!

    Sadiku: Në komunën e Prishtinës sot më shumë ka shërbime mjekësore sesa pacientë!

    Drejtori i shëndetësisë në Prishtinë, njëherësh kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Izet Sadiku tha se numri i shërbimeve mjekësore është rritur ndjeshëm në komunën Prishtinës, prej se ky është në krye të drejtorisë së shëndetësisë.

    “Kur kemi filluar ne i kemi rreth 3 milionë shërbime i kemi për tri vjet më shumë, që i bie shumë më shumë kemi rritje të shërbimeve se sa vizita mjekësore. Nuk kemi qytetar më të sëmuar, por kemi shërbime shumë më shumë”, tha Sadiku në emisionin “Compass” të ATV-së.

  • Tash kandidat nga VV-ja, Bylbyl Sokoli tregon çka shërbeu dikur në ekipin e Thaçit

    Tash kandidat nga VV-ja, Bylbyl Sokoli tregon çka shërbeu dikur në ekipin e Thaçit

    Ish-futbollisti dhe trajneri, Bylbyl Sokolit, i cili aderoi këtë javë në Lëvizjen Vetëvendosje, ka qenë dikur këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Sokoli ka sqaruar se ka qenë këshilltar i Thaçit për sport në vitin 2007. Ai sqaroi se ka punuar në hartimin e programit zgjedhore dhe se pas zgjedhjeve më pas ka vazhduar në profesionin e tij.

    “Po, ajo ka qenë atëherë në vitin 2007. Kemi qenë një ekip që është përpilu. Për sport kam qenë unë si këshilltar…Ne kemi qenë profesionistë aty dhe kemi dhënë kontributin. Programi ka qenë korrekt…Vetëm kemi hartu programin për zgjedhje dhe kemi vazhdu në profesionet tona. Unë kam vazhdu me ushtru detyrën e pedagogut në universitet dhe kam qenë trajner”, ka deklaruar Sokoli në Compas të ATV.

    Për aderimin e tij ka njoftuar Kryeministri Albin Kurti, ku ka bërë me dije se Sokoli do të jetë kandidat për zgjedhje.

    “Profesor Bylbyl Sokoli ka një kontribut tejet të çmueshëm në zhvillimin e sportit. Përvoja dhe dija profesionale është vlerë e shtuar për qeverisjen tonë të ardhshme që edhe më tej do ta ketë sportin prioritet shtetëror. Nga sot jemi edhe më të fortë në betejën tonë të 9 shkurtit”, ka shkruar Kurti.

  • HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN

    HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN

    Shkruan: Demir Reshiti

    Prishtinë, 2. 10. 2024 – 35 vjet më parë, më 2 nëntor 1989, uturima e mjeteve të blinduara dhe e makinerisë së luftës bashkë me aradhen e bashkuar të policisë speciale të shoqëruara edhe me helikopterë kishin mësyrë dhe e kishin vënë rrethimin për t’i kapur ilegalët Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, dhe pas një lufte të madhe që bënë, ranë si bien trimat në fushën e nderit. Qëndresa e tyre jepte porosinë që kumbonte fuqishëm dhe tregonte qartë, se akti i trimërisë është vepra që ngre peshë zemrat e liridashësve deri në heroizëm të pashoq. E si mund të dorëzoheshin trimat, kur i priste beteja për ta mundur vdekjen?

    2 nëntori është treguesi më i mirë dhe amaneti që lanë Fahriu dhe Afrimi për të gjallët, për forcat ilegale të cilat vepronin kundër pushtuesit. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, mbyllën sytë duke e kryer obligimin kombëtar ashtu siç dinë vetëm pasardhësit e denjë të Vojo Kushit e Perlat Rexhepit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Prandaj heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur.

    Afrimi e shndërroi burgun në shkollë të përgatitjes për rezistencë të armatosur

    Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në fshatin Llugë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Afrimi rrjedh nga një familje e cila që herët i kishte kundërshtuar pushtuesit. Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 Afrimin e gjetën nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme në Prishtinë. Më 1 dhe 2 prill të ‘81- demonstratat u përhapën në të katër anët e Kosovës. Në ballë të këtyre ngjarjeve qëndronte Afrimi i cili nga pozitat e një atdhetari të mirëfilltë, nuk mund të qëndronte i qetë e indiferent para gjithë kësaj që po ndodhte dhe sidomos para faktit të moszgjidhjes së çështjes sonë kombëtare.

    Afrimi i kishte vënë vetes për detyrë që të luftonte deri në fund për çlirimin e tokave shqiptare. I përgatitur mirë ngaqë kishte lexuar shumë dhe me afërsinë e dashurinë që tregonte ndaj të tjerëve Afrimi u bë frymëzues për të tjerët që edhe ata të nisin rrugën e vështirë por që s’kishte tjetër – rrugën plot sakrifica të lirisë.

    Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Ndërsa, më 1984 arrestohet bashkë me shumë shokë, dhe dënohet me katër vjet burg. Pas arrestimit që ia bën organet e sigurimit të pushtuesit dhe dënimit që ia dhanë ata, ai qëndroi stoikisht. Burgun e mbajti në Pozharevc. Burgu që vuajti ai qe në të vërtetë ndryshe ngaqë mendonin pushtuesit. Ai burgun e shndërroi në shkollë të përgatitjes së vet e të të tjerëve. Afrimi nuk u dorëzua; ai nuk u thye e as nuk u ligështua për asnjë moment, por nga burgu doli edhe më i përgatitur se ç’ishte më parë.

    Pas daljes nga burgu ai u inkuadrua në radhët e LPRK-së. Afrimi nuk rrinte. Ai me të gjitha mundësitë i kontribuonte në çdo moment zgjidhjes së çështjes sonë. Në kuadrin e kontakteve të shumta me të rinj shqiptarë që merreshin me punë ilegale vetë koha dhe përpjekjet e përbashkëta, rruga që kishin zgjedhur ata të dy i takoi Afrimin e Fahriun për t’i lidhur ata fort me njëri-tjetrin. Afrimi ishte vërtet një shok çfarë e kishte dëshiruar Fahriu dhe anasjelltas. Ata bashkë mund të bënin çdo gjë duke qenë të bindur se deri në fund do të vazhdojnë ecjen në po këtë rrugë.

    Zaten edhe Afrimin e Fahriun dhe Fadil Vatën dhe veprimtarët tjerë të kohës vetë koha i nxori në ballë të rrjedhave që po shënonin një kthesë të madhe historike. Kosova ziente nga protestat, demonstratat e grevat, dhe edhe Afrimi, Fahriu e shokët tjerë ashtu siç kudo ngjanin këto vlime ashtu edhe ata ishin kudo. Koha u kishte ngarkuar një detyrë tepër të vështirë. Në njërën nga demonstratat e pranverës së vitit 1989, Afrimi, demonstruesve që zienin përbrenda nga urrejtja për pushtuesit u drejtohet me një fjalim.

     

    Thirrja e organeve të pushtuesit, në qershor të vitit 1989, që Afrimi të shkojë në shërbim ushtarak të pushtuesit, nuk e ndau nga përpjekjet e mëdha që kishte bërë e synonte t’i bënte. Ai nuk mundi të durojë sjelljet e organeve të pushtuesit ndaj tij dhe duke e parë se Kosova dhe çështja kombëtare kishte nevojë për kontributin e tij ai u arratis nga radhët e ushtrisë pushtuese dhe nisi jetën e rëndë dhe të vështirë të ilegalit. Këto vështirësi nuk e lëkundën e nuk e hamendën për asnjë çast Afrimin.

    Afrim Zhitia me punën e vet të palodhshme me vetëmohimin prej një atdhetari të shquar hyri dhe u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, pjesës më të ndritshme të saj. Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri, duke përsëritur vetëm pesë vite më vonë epopenë e lavdishme të rënies së dy trimave të tjerë shqiptarë, rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.

    Edhe në fund të jetës së tyre u gjenden në ballë të përpjekjeve, ashtu siç nuk pushuan asnjë çast. Më 2 nëntor të dy bashkë, shokë ideali Afrimi me Fahriun u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte të madhe që bën ata të dy u vranë nga dora e gjakatarëve për të mos vdekur kurrë. Krisma e pushkëve të tyre theri kupën e qiellit mbi Prishtinë, dhe kjo jehonë u ndje edhe më larg, gjer atje ku jeton shqiptari. Kjo luftë zhvillohej në Kodër të Diellit, në Prishtinë, në zemër të Kosovës. Ai gjak që u derdh e iu bashkua lumit të gjakut të të rënëve tjerë, nxjerr para nesh porosinë e qartë të tyre. Jeta e secilit prej nesh është asgjë kur është në pyetje atdheu. Krisma e pushkëve të tyre e qau qiellin, dielli hapi lirisht rrezet e tij mbi atdheun tonë të robëruar.

    Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut

    Fahri Fazliu – Fatmiri lindi në vitin 1963 në Llaushë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Demonstratat e përgjithshme popullore të vitit 1981 Fahriun e gjetën në shkollën e mesme. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i tyre ku u shqua për vendosmëri dhe guxim. Këto ngjarje do ta kalisin atë si patriot dhe revolucionar.

    Pas kryerjes së shkollës së mesme shkon në shërbim ushtarak në vitin ’81-’82. Gjatë kësaj periudhe ai iu nënshtrua presioneve e provokimeve nga më të ndryshmet, por nuk u thye për asnjë moment. Të gjitha këto provokime iu bënë vetëm pse Fahriu reagonte ndaj padrejtësive që iu bëheshin atij dhe shokëve të tij vetëm pse ishin shqiptarë.

    Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Fahriu u lidh më tepër me hallet e popullit duke u bërë shembull i veprimit revolucionar. Krahas punës ilegale, pasi u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore “Prishtina”, ai do të jetë i pari që urdhëresat do t’i shkruajë në gjuhën amtare, me çka u thoshte pushtuesve dhe veglave të tyre se gjuhë e këtij vendi është gjuha shqipe. Për qëndrim të këtillë u suspendua disa herë nga puna, por duke iu falënderuar shokëve të tij të punës do ta kthejnë prapë. Në vendin ku punonte pati rast të takohej me shumë nga ata që shkonin t’i vizitonin të afërmit e tyre nëpër kazamatet jugosllave. Ai iu ndihmonte atyre me aq sa kishte mundësi.

    Fahriu ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ndërsa kishte edhe tre provime për të diplomuar në Shkollën e Lartë të Komunikacionit në Zagreb. Në valën e protestave, grevave, demonstratave të vitit ’88-’89, ai ishte pjesëmarrës aktiv dhe njëri nga organizatorët e tyre. Në këtë kohë kur minatorët gjendeshin në zgafelle ai ishte në sallë, në mesin e studentëve të cilëve u jepte zemër të qëndrojnë deri sa të jetë e nevojshme.

    Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – komponentë këto që aq bukur gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut, patjetër do të japin efektet e tyre. Në ngjarjet e marsit dhe të majit të vitit 1989 atë e gjeje kudo: ishte në Prishtinë, në Ferizaj, në Besianë etj.

    Vrasjet e shumta, plagosjet, arrestimet e keqtrajtimet do ta pikëllojnë Fahriun, por nuk do ta thyejnë asnjëherë sepse ishte i bindur se vetëm populli shqiptar mund dhe do ta detyrojë pushtuesin të tërhiqet përgjithmonë nga këto troje, pra se vetëm përpjekjet e pandërprera, lufta e pandërprerë me të gjitha mjetet dhe pasurimi i kësaj lufte me forma të reja e më të larta organizimi, janë garanci se mund të fitohet liria.

    Flaka e luftës për çlirim do ta lidhë ngushtë me Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën, lidhje këto që do të këputen vetëm pas vdekjes (me Afrimin edhe vdekjen e bënë së bashku, kurse Fadili do të vdesë pas disa muajsh). Në tetor Fahriu me shokë do të konstatojnë: “Situata është eksplozive, mjafton një xixë që ajo të shpërthejë në tërë Kosovën”. Veprimtaria e dendur e tij organizative do të hetohet nga UDB-ja, por edhe ai shumë shpejt e hetoi përcjelljen që i bëhej dhe si revolucionar dhe militant do të thoshte: “I gjallë nuk bie në dorë të armikut”.

    Më 2 nëntor 1989, Fahriut i vihen pas dhe atë së bashku me Afrim Zhitinë i rrethojnë në banesën e babait të tij. Të betuar njëherë se nuk i bien të gjallë në dorë armikut, kërcyen nga dritarja dhe tentuan ta çajnë rrethimin. Duke çarë rrethimin Afrimi plagoset rëndë, kështu që të dy detyrohen të barrikadohen në Hyrjen e VII-të. Nga ajo se si ishte përgatitur armiku dukej se bëhej luftë përmasash të mëdha. Inspektorë, policë, ushtarë me armë më moderne dhe autoblindë luftonin kundër dy të rinjve me vetëm dy armë, por me dy zemra të guximshme trimash, të brumosura me patriotizmin revolucionar të popullit tonë dhe idealin e madh për lirinë e Kosovës. Që nga ora 12 e 45 minuta deri në ora 19 nuk ndalen të shtënat. Shovinistët serbomëdhenj dhe sahanlëpirësit e tyre duke parë heroizmin e këtyre dy trimave, nuk mundën t’i pranonin vetes se ata ishin vetëm dy, prandaj me mjetet e informimit në TV e Radio gjatë tërë ditës manipulohej me numrin e të barrikaduarve: thuhej se janë barrikaduar 6 pastaj 4 etj.

    Kjo luftë e pabarabartë përfundoi atëherë vetëm kur UDB-ja kriminale vuri në dispozicion të gjitha mjetet, madje përdori edhe helme kimike. Fahri Fazliu me një plumb në ballë edhe një në këmbë dhe Afrim Zhitia me shtatë plumba në trup dhe një në ballë ranë heroikisht në luftën e nderit, ranë që të fitojnë përjetësinë.

    LAVDI!

    Autori i shkrimit pranë varrit të Afrim Zhitisë