Edon Murtezi nga komuna e Lipjanit kishte shkuar si 12-vjeçar në Gjermani. Ai bashkë me familjen e tij, u detyruan ta lënë Kosovën, për shkak të luftës që po zhvillohej aso kohë.
Ndonëse, ka shkuar si 12-vjeçar, Murtezi rrëfen se ëndrra e tij është që një ditë të kthehet bashkë me familjen e tij për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
I riu nga Lipjani është shndërruar në një storje suksesi, pasi ka përfunduar me sukses shkollimin dhe tani udhëheq një kompani në fushën e sigurimeve në Republikën e Bayernit.
Ai tregon se shumicën e klientëve i ka gjerman.
“Me vendlindjen jam shumë i lidhur, me pas mundësi sot kthehem, sepse askund nuk ka vend më të mirë së Kosova. Një ditë jam i sigurt se do të kthehem bashkë me familjen time dhe në këtë formë do t’i kontribuoj vendit me përvojën time”, ka rrëfyer Murtezi.
Një shtyllë elektrike në rrugën “Sylejman Vokshi”, në qendër të Prishtinës, është kthyer në rrezik serioz për banorët. Sipas tyre, ka një kohë të gjatë që mbahet nga disa kabllo dhe mund të bjerë mbi qytetarët, të cilët lëvizin në atë pjesë. Ndërkohë, KEDS-i ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të intervenojë për rregullimin e saj.
Gjithë çfarë po e mban këtë shtyllë të vjetër elektrike janë këto kabllo. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta.
“Qytetarët të cilët frekuentojnë rrugën ‘Sylejman Vokshi’ këtu në kryeqytet ankohen për vjetrimin e shtyllës elektrike, e cila sipas tyre mund edhe të rrëzohet.”
Si pasojë e gjendjes jostabile të shtyllës, qytetarët kalimin në këtë zonë e bëjnë me shumë kujdes.
“Te them realitetin, ne e frekuentojmë çdo ditë këtë rrugë, pe shihni vetë gjendjen qysh është, nuk po e dimë kush po e sheh të arsyeshme ta lë në këtë pozicion shtyllën”.
“Po ndihemi të rrezikuar se kjo shtyllë është e drurit, mundet me ra në tokë, me pasë probleme, kishte qenë mirë me marr masa ma shpejt me rregullu”.
Më të rrezikuarit janë fëmijët.
“Është shqetësuese se këtu kalojnë fëmijët që shkojnë në shkollë, kalojnë edhe banorët. Çdo moment kemi frikë që mundet me ra edhe dikush me pësu prej saj”.
Për këtë është në dijeni edhe KEDS-i, i cili premton se do të intervenojë për evitimin e rrezikut.
“Ekipet e KEDS-it në terren tashmë janë në dijeni për këtë. Gjatë javës do të dalin në vend për të vlerësuar gjendjen e shtyllës elektrike. Varësisht prej vlerësimit, KEDS-i do të veprojë me qëllim të eliminimit të çfarëdo rreziku të mundshëm që mund të vijë nga ajo shtyllë”.
Ndryshe, kjo shtyllë sipas banorëve ka së paku 8 vjet që është në këtë gjendje, por deri më tani ata thonë se interesimi për probleme të tilla në këtë lagje, ishte i vogël.
Pesë autoambulanca të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Drenas janë jashtë funksionit, për shkak të disa defekteve. Në marrëveshjen e komunës me operatorin e ri ekonomik, nuk është paraparë rregullimi i tyre. Kjo QKMF tani funksionon me vetëm dy autoambulanca për rreth 60 mijë banorë sa llogaritet se ka kjo komunë.
“Për shkak të disa defekteve këto pesë autoambulanca prapa meje kanë mbetur jashtë funksionit, e kjo për shkak që operatorit që merret me rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre i ka skaduar afati i kontratës”.
Aktualisht funksionale e kanë vetëm një, por as ajo sipas punëtorëve nuk i plotëson kushtet për bartje të pacientëve.
Për këtë problem, drejtori Ismet Bogiqi fajëson komunën, pasi që, sipas tij, e gjithë puna ka ngecur te procedurat e tenderimit të një operatori të ri ekonomik.
“Procesi është në procedurë të prokurimit, ka qenë më herët. Mjetet janë ndarë po diçka nuk ka rrjedhë mirë, njëherë u shpall e prapë u rishpall, se dikush u anku prej operatorëve. Kontrata ende nuk është bërë. Mjetet janë, po tash për tash e kemi marrë edhe një autoambulancë e po presim veç me i regjistrua”.
Por në komunën e Drenasit, thonë të kundërtën. Sipas tyre, rregullimi i autoambulancave nuk u bë për shkak se nuk ishte paraparë në kushtet e tenderimit.
“Autoambulancat kanë qenë tri në funksion deri para dy javëve. Ambulancat e tjera janë në defekt në motor, rregullimi i tyre nga operatori ekonomik nuk ka qenë i mundur, sepse defektet nuk kanë qenë në paramasë të tenderit. Gjithashtu, kemi premtim nga Ministria e Shëndetësisë edhe për një autoambulancë”.
Nga komuna kanë bërë të ditur për ATV-në se tashmë e kanë blerë një autoambulancë të re, e cila është në procedurë të regjistrimit dhe e cila ka kushtuar 58 mijë euro.
Qytetarët nga komuniteti serb në Mitrovicë të veriut shprehen të lodhur nga kërcënimet se situata në veri mund të eskalojë. Ata thonë se duan të jetojnë të qetë dhe palët në dialog të arrijnë marrëveshje paqësore.
Edhe nga këshilli i shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut kërkojnë më shumë siguri pas deklarimeve të fundit rreth rrezikut për tensione.
Edhe ata nga komuniteti serb thonë se duan paqe dhe të jetojnë të lirë, e liderët e të dyja vendeve të gjejnë zgjidhje paqësore.
“Duhet një takim serbët edhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë, tjetër jo, as Amerika, as Evropa e as Rusia, as askush, serbët dhe shqiptarët, unë mendoj luftë nuk është mirë”.
“Nuk jam politikan, punoj për familjen time, më e mira do të ishte që njerëzit të arrinin marrëveshje e të bisedonin dhe si për ne, edhe për ju të bëhet diçka, pa luftë e pa dhunë, kjo do të ishte më e mira.”
“Jemi mësuar me frikë e tensione, por çfarë të them, nuk do të ishte mirë që të ndodhin përsëri.”
Por edhe shqiptarët, nuk është se ndihen fortë të sigurt, duke marrë parasysh edhe faktin se për një eskalim të mundshëm të gjendjes atje, u dha paralajmërim edhe nga ndërkombëtarët. Andaj nga këshilli i shqiptarëve në veri, për çdo lloj tensioni, i mbajnë përgjegjës vetë ndërkombëtarët.
“Deklaratat e tij të bëjnë me u shqetësu, sepse këta vetë po duan me nxitë një konflikt shqiptaro-serb, me vetë faktin se zgjedhjet kur u mbajtën nuk pati asnjë incident, sepse ke bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja që i bëri Serbisë presion dhe kaluan zgjedhjet siç është më së miri”.
Megjithatë, sipas gazetarit serb që vepron në Mitrovicë të veriut, Branislav Krstic, situata në veri është duke u monitoruar, andaj edhe nuk ka vend për panik.
“Brukseli zyrtar dhe administrata amerikane janë duke e monitoruar situatën dhe jam shumë i sigurt se as Kurti e as Vucic nuk duan ta humbin kredibilitetin me provoku incidente serioze në veri. Nuk ka nevojë që asnjë qytetar të frikësohet edhe sipas informatave që i kemi nga terreni, do të kalojmë edhe këtë pjesë pa incidente serioze”.
Pas vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të veturave, lista serbe paralajmëroi rezistencë, nëse një gjë e tillë ndodh. Se situata në veri mund të eskalojë, e tha ditë më parë edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, pasi palët në dialog përsëri nuk gjetën pajtim.
Me hetimet për masakrën në burgun e Dubravës është duke u marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, ajo me seli në Hagë, ndaj së cilës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës, Enver Dugolli, ka kërkuar të iniciojë hetime.
Por, sipas juristëve, ajo nuk do të mundë të veprojë. Avokatët e akredituar të Speciales thonë se juridiksioni i Dhomave të Specializuara është raporti i ish-senatorit Dick Marty.
Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se kërkesa e Dugollit është e vonuar.
Juristët thonë se raporti i Dick Marty-t është në juridiksion i ZPS-së.
“Kërkesa është legjitime, do të gjente më shumë zbatim nëse më herët institucionet e Kosovës ishin marrë dhe do të ishte bërë presion për zgjerimin e fushëveprimtarisë e mandatit të Speciales. Rregullohet me ligj, i cili shumë lehtë mund të interpretohet, por edhe të zgjerohet. ZPS-ja i heton vetëm krimet e pretenduara të ndërlidhura me raportin e Dick Martit”, ka thënë Hodaj.
“Juridiksioni lëndor i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-ja mbështetet në raportin e Dick Martit, i cili në pjesën dërrmuese merret me krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, por aty flitet edhe për krimet që janë kryer nga forcat serbe“, shtoi avokati Artan Qerkini.
Megjithatë, sipas Qerkinit, do të varet nga ZPS-ja se si do ta interpretojë raportin e Dick Marty, në të cilin përmenden edhe krimet e pretenduara të kryera nga forcat serbe.
“Në raport me pjesëtarët e UÇK-së raporti i d.m. është interpretuar në mënyrë të zgjeruar. Po të kishte interpretim të zgjeruar, edhe me forcat serbe mund të gjendej baza juridike që ZPS-ja të merret edhe me krimet tjera të luftës, të kryera nga forcat serbe”, tha Qerkini.
ZPS-ja nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës nëse do të trajtohet kërkesa e Dugollit, i cili të shtunën e kaluar nga holli i Kuvendit tha se prokurorisë i dorëzoi edhe prova.
Ndërkohë, masakrën në burgun e Dubravës është duke e hetuar edhe Prokuroria Speciale në Prishtinë.
Zyra e Rregullatorit për Energji konstatoi tetë shkelje rregullash dhe legjislacioni nga KEK-u, në raportin që arsyeton gjobën në vlerë 3.2 milionë euro.
Dokumenti konfirmon raportimin e ATV-së se KEK-u tregtoi me kompaninë sllovene HSE, e cila nuk është e licencuar në Kosovë.
Po ashtu, raporti konstaton se KEK-u mori energji nga marrëveshja me KESH-in edhe kur s’kishte nevojë dhe e shiti atë në tregun e lirë.
Vitin e kaluar ATV-ja kishte raportuar për kontratat në vlerë milionëshe të KEK-ut dhe KESCO-s për blerje të energjisë nga HSE-ja, me mjetet nga subvencioni i Qeverisë.
Vetëm në periudhën dhjetor 2021-janar 2022, KEK-u kishte nënshkruar 22 kontrata për blerjen e energjisë nga HSE-ja, në vlerë të përgjithshme 2.4 milionë euro.
Raporti përfshin raste të shitjes së energjisë nga KEK-u në drejtim të HSE-së.
Në monitorimin e saj, ZRRE-ja ka gjetur se KEK-u kishte marrë energji elektrike nga marrëveshja për shkëmbim dhe depozitim me Shqipërinë, edhe kur nuk ka pasur nevoja të brendshme, dhe e ka shitur atë në tregun e lirë.
Veprim ky që përbën shkelje të marrëveshjes KEK-KESH.
Raporti konstaton se gjatë tregtimit, KEK-u ka përzgjedhur oferta fituese në kundërshtim me procedurat e tregtimit, duke mos pasur kriter çmimin më të favorshëm, por sasinë e energjisë.
Po ashtu, në kundërshtim me procedurat e tregtimit të energjisë, KEK-u në disa raste, pavarësisht ofertave valide, ka përsëritur procesin e shitjes së energjisë.
ZRRE-ja konstaton se KEK-u, gjenerimi dhe furnizimi, kanë nënshkruar marrëveshje të brendshme në kundërshtim me Ligjin për Energjinë, në kontestin e obligimeve të licencës si Furnizues i Mundësisë së Fundit – për të furnizuar përkohësisht ndërmarrjen Ferronikeli.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, Nazim Gagica me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Grupin Parlamentar të këtij subjekti politik për të ngritur shqetësimin e tyre për gjendjen e rënduar të rrugëve magjistrale në këtë Komunë.
Gagica me bashkëpunëtorë është pritur nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri nga i cili kanë kërkuar të thirret në interpelancë për këtë temë ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Duke e parë gjendjen e rënduar në rrugët magjistrale në Komunën e Gjilanit, bashkë me kolegët e mi nga AAK-ja, Ahmet Isufi dhe Riza Abdylin, vizituam sot Grupin Parlamentar të AAK-së ku u mirëpritëm dhe diskutuam me Shefin e deputetëve, Besnik Tahiri”.
“Kërkesa jonë për GP të AAK-së është që me urgjencë të adresohen pyetje parlamentare si dhe një interpelancë për qeverinë e Kosovës, respektivisht ministrin e Infrastrukturës lidhur me neglizhencën totale që është duke iu bërë Komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të Anamoravës përgjithësisht”, ka shkruar Gagica pas takimit.
Gagica ka shtuar se kjo situatë është e papranueshme dhe se Gjilani nuk trajtohet nga pushteti qendror as në minimum.
“Është e papranueshme që për dy vite e gjysmë të mos ketë asnjë veprim dhe që Gjilani të mos trajtohet as në minimum në aspektin infrastrukturor e për më keq duke e ditur që Gjilanin e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka edhe pushtetin qendror dhe e cila ka ardhur në pushtet duke promovuar e proklamuar rregullimin e infrastrukturës në këtë komunë”, është shprehur Gagica.
Ai ka shtuar se investimet e vetme që kanë ndodh në Gjilan, janë në kohën e kryeministrit Haradinaj.
“Shihet qartë që vetëm në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Haradinaj ka pasur veprime konkrete, tani duhet që kjo temë të trajtohet në Kuvendin e Kosovës pasiqë situata në terren nuk mund të tolerohet më tutje sepse sezoni i pushimeve të bashkëatdhetarëve po afrohet dhe ata meritojnë pushime të dinjitetshme e qarkullim pa pengesa e jo sikur dy herave të kaluara”.
“Falënderova shefin e GP, Besnik Tahirin dhe deputetët tjerë të AAK-së të cilët gjithmonë kanë shpërfaqur interesim për Gjilanin dhe përgjithësisht Anamoravën. Mbesim me shpresë se pasi të ngritet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës, do të ketë lëvizje poizitive, anipse punimet në terrer janë shumë larg përfundimit dhe bazuar në këtë dinamikë të punës, vështirë se do të përfundojnë deri në fund të vitit, fatkeqësisht!”, ka përfunduar Gagica.
Disa punëtorë teknikë të cilët kanë kontrata me komunën e Prishtinës, po ankohen se nuk kanë marrë pagë gati 4 muaj nga ky institucion. Ata thonë se po detyrohen që të punojnë punë të tjera gjatë vikendit për të mbajtur familjen. Me këtë problem është e njoftuar edhe sindikata e pavarur e sektorit privat.
Hashim Brajshori, i cili punon si punëtor teknik tash e 23 vite, nga shkurti nuk ka marrë pagë për punën që kryen në shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Për këtë ai thotë se disa herë është endur nëpër komunën e Prishtinës, pasi kontratën e ka të lidhur më ta, por askush nuk i ka bërë zgjidhje.
Pavarësisht se tash e tre muaj është pa pagë mujore, ai nuk e ka ndalur punën, mirëpo thotë se detyrohet që gjatë vikendit të bëjë punë të tjera krahu për të mbajtur familjen.
Me raste të tilla është i njoftuar edhe Drejtori i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi.
Madje ai thotë se kanë paraqitur edhe para gjykatës një rast të njëjtë.
ATV-JA ka dërguar pyetje edhe ne Komunën e Prishtinës por këta të fundit nuk janë përgjigjur, duke kërkuar kohë së paku deri javën e ardhshme.
Arlinda Ahmeti, në fillim të këtij viti ishte goditur nga një automjet në lëvizje, derisa po kalonte në anën tjetër të rrugës për në shkollë.
Rruga për në shkollën fillore “Arif Shala” në Korroticë të Poshtme të Komunës së Drenasit, ku ajo merr mësime, është mjaft e rrezikshme.
“M’ka ndodhë mua rasti, para 4 muajve, që m’ka goditë makina, andaj kisha bërë lutje për një semafor, që me pas mundësi me kalu rrugën sigurt”.
Të shqetësuar për fëmijët e tyre prindërit duhet t’i shoqërojnë vazhdimisht ata për në shkollë.
“Fëmijët asnjëherë si lë vetë, gjithqysh duhet me pasë përcjellje”.
Nevojën për semafor apo nënkalim e shohin të domosdoshme për evitimin e rrezikut edhe mësimdhënësit dhe drejtori i shkollës.
“Ka pasur raste para dy muajve që një nxënëse, veçse ka pasë aksident nga një automjet, i cili ka lëvizur me shpejtësi të madhe. Ka nevojë të merret diçka, ndonjë semafor, ndonjë mbikalim, nënkalim ose diçka tjetër”.
“Përgjigjja e infrastrukturës është se kjo rrugë është në fazat e zgjerimit dhe pa përfundu rruga nuk ka mundësi të punohet me ndonjë projekt për kalimin e këtij rreziku”.
Për këtë problem është në dijeni edhe Ministria e Infrastrukturës, por buxheti për sanimin e këtij problemi nuk është i mjaftueshëm.
“Nuk ka një masë deri të bëhet rregullimi i rrugës me 4 korsi. Ka ndarë buxhet Qeveria e RKS-së për këtë rrugë, mirëpo shuma është shumë e vogël. Shpresoj që me rishikim të buxhetit, nëse ka nga ana e Ministrisë, me bo diçka mu kry ky projekt që ka mbetë në gjysmë.”
Ndryshe, ky projekt pritet të fillojë këtë vit, ndërsa nuk dihet saktësisht kur do të zgjidhet problemi për banorët dhe nxënësit e shkollës.
Qytetarët në kryeqytet ankohen se shtyllat e energjisë elektrike janë të stërmbushura me njoftime mortore. Ata kërkojnë që komuna të krijojë një vend të posaçëm për këto njoftime. Komuna tha se ka një plan të ri për këtë problem.
“Në çdo shtyllë të energjisë elektrike në kryeqytet janë të vendosura njoftimet mortore, situatë kjo e cila është shqetësuese, sipas qytetarëve”.
Qazim Sejdiu, i cili jeton në Prishtinë, thotë se shtyllat elektrike tash e sa vite janë të stërmbushura me njoftime mortore.
Sipas tij, do duhej të jetë një vend adekuat për këto lajmërime.
“Vendosja e njoftimeve mortore është shumë shqetësuese tash e shumë vite, është për të ardhur keq se sheh shumë fytyra të të vdekurve, nuk është e hijshme kjo. Do duhej të kishte një vend të posaçëm për vendosjen e njoftimeve mortore”.
Se komuna duhet të marrë masa e thonë edhe qytetarët e tjerë.
“Kjo situatë është për të të ardhur keq, trishtuese, është dashur me pasë një vend pikërisht për këto lloj njoftime”.
“Komuna duhet me bo një vend adekuat për këto njoftime, sa më parë aq më mirë”.
Megjithatë, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se kanë një plan pikërisht për këto njoftime
“Për njoftime mortore shfrytëzohen hapësira të ndryshme, të cilat është e vërtetë se nuk janë të përshtatshme dhe as të dedikuara për diçka të tillë. Kemi bërë maksimumin që hapësirat që tani është bërë praktikë të shfrytëzohen për njoftime mortore, të pastrohen, mirëpo në të njëjtën kohë e kemi planifikuar në njërën prej kontratave të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, të kemi një pozicion për furnizim me shtylla display, të dedikuara për njoftime mortore”.
Por, ai nuk dha një afat kohor brenda së cilit do të realizohet ky plan.
Ndërkaq, udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame kanë bërë të ditur për ATV-në, se njoftimet për të vdekurit do t’i publikojnë në të njëjtën mënyrë siç e kanë bërë deri më tani.