ATV

Author: E.R.

  • Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë ftesë për aplikim në konkursin për diplomatët e rinj.

    “Edhe pak më shumë se 12 orë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin e hapur për 30 diplomatë të rinj. Më në fund, pas shumë sfidash dhe barrierash të panevojshme, kemi arritur të hapim dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe të diplomacisë për profesionistë të të gjitha moshave, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.

    Sipas saj, reformat e thella që janë bërë mundësojnë shtimin e dukshëm të numrit të diplomatëve të rinj.

    “Ju ftoj të aplikoni sot, duke ju siguruar që procesi do të jetë rigoroz, ndoshta i vështirë dhe kërkesat e larta, por meritokracia kriteri i vetëm për përzgjedhjen e më të mirëve, sepse Kosova e meriton të përfaqësohet në botë nga më të mirët e këtij vendi”.

    Afati i fundit për aplikim është: 6 maj 2023, ora, 23:59.

  • Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në rrugë pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit

    Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në rrugë pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit

    Ed Sheeran i befasoi fansat me një performancë të improvizuar në New York pasi fitoi gjyqin e tij për të drejtat e autorit ndaj Marvin Gaye.

    Fituesi i “Grammy”-t u ndal në një dyqanin për albumin e tij të fundit, i cili u publikua të premten, ku u përshëndet nga qindra fansa që bërtisnin.

    Më pas Sheeran nxori kitarën e tij, hipi mbi një makinë aty pranë dhe i bëri serenad turmës me disa nga hitet e tij më të mëdha – duke përfshirë “Thinking Out Loud”, e cila ishte në qendër të dramës së tij të fundit ligjore.

    Shumë fansa postuan video të mini-koncertit në mediat sociale, që shfaqni Sheeran duke buzëqeshur ndërsa qetësonte turmën përpara se të performonte mbi gjashtë këngë.\

    Shfaqja festive erdhi vetëm një ditë pasi një juri deklaroi se këngëtari i “Perfect” nuk ishte përgjegjës për kopjim të këngës “Let’s Get It On” të Marvin Gaye pas vetëm tre orësh diskutimi.

    Vendimi erdhi gati katër vjet pasi trashëgimtarët e të ndjerit Ed Townsend, i cili ishte një nga bashkëpunëtorët e Gaye, pretendoi se Sheeran “kopjoi dhe shfrytëzoi, pa autorizim” këngën hit të vitit 1973.

    Ata argumentuan se këngëtari përsëriti “melodinë, ritmet, harmonitë, basin, korin mbështetës, ritmin, sinkopimin dhe looping” – dhe kërkonin 100 milionë dollarë për të.

    Megjithatë, Sheeran hodhi poshtë pretendimet e tyre, duke argumentuar se përparimi i akordit në fjalë është i zakonshëm në këngët pop.

    Pasi mësoi fatin e tij, 32-vjeçari ndau një mesazh të fuqishëm për akuzuesit e tij, duke zbuluar se duhej të humbiste funeralin e gjyshes së tij të ndjerë për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

    “Kemi kaluar tetë vitet e fundit duke folur për dy këngë me tekste, melodi dhe katër akorde jashtëzakonisht të ndryshme, të cilat janë gjithashtu të ndryshme dhe përdoren nga kantautorët çdo ditë, në të gjithë botën”, tha ai.

    “Ato janë në alfabetin e një autori këngësh, në paketën tonë të veglave, dhe duhet të jenë aty për t’i përdorur të gjithë ne. Askush nuk i zotëron ato ose mënyra se si luhen në të njëjtën mënyrë që askush nuk e zotëron ngjyrën blu. Unë jam thjesht një djalë me një kitarë që pëlqen të shkruaj muzikë që njerëzit ta shijojnë. Nuk jam dhe nuk do ta lejoj kurrë veten të jem një derrkuc që dikush ta tundë. Të jem në New York për këtë gjyq do të thotë që më ka munguar të jem me familjen time në funeralin e gjyshes sime në Irlandë dhe nuk do ta kthej kurrë atë kohë”, shtoi ylli.

    Sheeran e mbylli mesazhin e tij duke falënderuar familjen e tij, bashkë-shkrimtaren Amy Wadge dhe jurinë për mbrojtjen e “lirisë krijuese të kantautorëve”.

    Para këtij rasti, Sheeran u padit dy herë për gjoja kopjimin e punës së një artisti tjetër. Të dyja rastet u zgjidhën jashtë gjykatës.

  • Haradinaj kujton Luanin: Krenaria e liria gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen

    Haradinaj kujton Luanin: Krenaria e liria gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të vëllain, Luanin, në 26-vjetorin e vdekjes.

    Ai ka potencuar se krenaria dhe liria që e gëzojmë do të mbizotërojnë gjithmonë mbi dhembjen.

    “Luan, 26 vjet më parë fitove përjetësinë, pikërisht në ditëlindjen e nanës Rukë. Heroizmi, krenaria e liria që e gëzojmë, gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Sot, bëhen 26 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    Luan Haradinaj është lindur më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit. Ai shkollën fillore e ka kryer në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Luan Haradinaj është regjistruar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk ka arritur ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

  • ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin, në 24-vjetorin e vrasjes.

    Ajo është shprehur se vizioni dhe trashëgimia e Aganit për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat.

    Osmani ka potencuar se sjellja e autorëve të vrasjes së Aganit para drejtësisë është përkushtim i tyre i vazhdueshëm.

    “Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”, është shprehur Osmani.

    Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

    Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

    Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

  • ​AAPSK me pasuri të sekuestruar për më shumë se një dekadë

    ​AAPSK me pasuri të sekuestruar për më shumë se një dekadë

    Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari. Prej tyre ka vetura që tashmë kanë mbushur edhe dekadën në pritje të një vendimi gjyqësor, gjë që ka bërë që të njëjtat të zhvlerësohen.

    Përpos veturave, Agjencia përkujdeset edhe për pasuri të tjera të sekuestruara siç janë stolitë e arit, telefonat, gjësende të tjera të vlefshme apo edhe për substancat narkotike. Ndërsa paratë ruhen në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa pronat e paluajtshme shpeshherë u jepen në shfrytëzim institucioneve.

    Sipas raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, viti 2022 karakterizohet sërish me sukses relativ në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale. Përderisa sipas raportit, sekuestrimi shënon një rritje jo vetëm ndaj vitit 2021, konfiskimi paraqet një zbritje të lehtë në krahasim me vitin 2021.

    “Në vitin 2022, prokuroritë kanë ngrirë/sekuestruar 20,728,945.42 euro dhe 669,765,14 euro të konfiskuara… Po në këtë vit (2022) janë raportuar 37 raste me konfiskim përfundimtar që paraqet një rekord të të gjithë këtyre viteve, sa i përket numrit të rasteve të përfunduara me konfiskim”, thuhet në raport.

    Ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar thonë se vlera e përafërt e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është rreth 160 mijë euro.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të pranimit, vlerësimit, ruajtjes së vlerës dhe shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, Alban Sutaj thotë se përgjatë periudhës janar – mars 2023 kanë pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre nëntë për sekuestrim dhe 13 për konfiskim.

    “Në vitin 2022 ne kemi pranuar gjithsej 104 vendime, prej tyre 39 vendime për sekuestrim, 64 për konfiskim dhe një për ngrirje. Ndërsa gjatë periudhës janar-mars (2023) kemi pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre 9 për sekuestrim dhe 13 për konfiskim. Vlera e përafërt për këtë periudhë (janar-mars) është 159 mijë e 798 euro… Po ashtu, kemi zhvilluar edhe 12 procedura të ankandit, d.m.th. shitjes së pasurive konform procedurave gjyqësore, kemi bërë 15 kthime të pasurive dhe iu kemi dhënë edhe 13 pasuri në shfrytëzim institucioneve të ndryshme”, deklaroi Sutaj.

    Mirëpo, fakti që ka një diferencë kaq të madhe mes pasurisë së ngrirë e sekuestruar dhe asaj të konfiskuar me aktgjykim përfundimtar përbën një shqetësim për Lavdim Makshanan, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

    Edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik për vitin e kaluar theksohet se, situata në sferën e konfiskimit mund dhe duhet të përmirësohet. Sipas të njëjtit raport,me një angazhim më të madh, shifra prej 37 rastesh të konfiskimit përfundimtar duhet të kalojë në mbi 100 raste të tilla në vit pasi një gjë e tillë është e arritshme.

    “Nëse i referohemi raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, i bie që vlera e pasurisë së sekuestruar gjatë vitit 2022 ka shënuar ngritje në raport me vitet e kaluara. Është diku rreth 21 milionë, pasuria e sekuestruar nga ana e Prokurorisë. Ekziston një shpërputhje mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar për shkak se nëse iu referohemi këtyre statistikave, pasuria e cila është konfiskuar me vendim përfundimtar, kap vlerën diku 669 mijë euro, që i bie që është goxha diskrepancë mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar”, thotë ai.

    Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të shiten në ankand, t’iu jepen në shfrytëzim institucioneve ligjzbatuese apo edhe t’i kthehen pronarit të tyre, varësisht vendimit përfundimtar të gjykatës.

    Mirëpo, ajo asnjëherë nuk i shitet pronarit pasuria e të cilit është konfiskuar.

    “Ne nuk i shesim pronarit pasuri të konfiskuar, iu shesim vetëm palëve të treta… Pronarit të cilit i është sekuestruar pasuria, nuk i shitet pasuria… Nuk ka të drejtë të marrë pjesë në ankand publik”, thotë Sutaj.

    Gjykatat konsiderohet se po vonohen në marrjen e vendimeve për konfiskim përfundimtar, duke bërë që shumë pasuri të sekuestruara të mbesin në pritje.

    Kjo theksohet edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, që thuhet se sfidë mbetet fakti i zhvlerësimit të madh të shumë aseteve për shkak, qoftë të ngurrimit të gjyqtarëve për t’i shitur ato, qoftë për shkak të evidentimit të tyre si provë apo edhe arsyetimit jo të duhur të kërkesave për shitje.

    “Atyre (pasurive të sekuestruara) normal që iu bie vlera ndër vite. Dhe, ne jemi duke kërkuar që ato të shiten sa më herët dhe ne të ruajmë kundërvlerën e tyre… Në procedura gjyqësore ne nuk mund të interferojmë… Gjykatat po vonojnë që të marrin vendime për konfiskim… Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e AAPSK-së presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari… Ka ndoshta një pasuri që mund të rrijë deri në 4 vjet në depot e AAPSK-së apo edhe më gjatë, variojnë”, thotë Sutaj.

    Të njëjtën gjë e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që monitoron sistemin e drejtësisë.

    “Ajo që ndodh zakonisht në gjykatat tona është që asetet të cilat konfiskohen mbeten nën administrim të Agjencisë për shkak të stërzgjatjes së procedurave gjyqësore. Pra, meqenëse nuk ka përfundime të procedurave gjyqësore, edhe asetet ngadalë shkatërrohen dhe zhvlerësohen në njëfarë mënyre, dhe nuk kanë vlerë të madhe sikurse në momentin kur janë sekuestruar. Pastaj, është goxha problem edhe për Agjencinë, sepse duhet të bëhet edhe mirëmbajtja e atyre aseteve, normalisht që kjo krijon shpenzime për Agjencinë, në momentin kur nuk ka vendime përfundimtare nga ana e gjykatës për shitjen e aseteve”, thotë Makshana.

    Gjatë tërë vitit 2022, është e dhëna se konfiskimet, ngrirjet dhe sekuestrimet kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë vepra penale kundër korrupsionit. Gjithsej, 57 prokurorë janë përfshirë në sekuestrim apo ngrirje të pasurisë në raste të ndryshme.

    Nga 37 rastet me konfiskim përfundimtar, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka iniciuar 17 raste, Prokuroria Speciale dy raste, ajo e Prishtinës 5 raste, Prokuroria e Ferizajt 3 raste, ajo e Pejës 1 rast ndërsa Prokuroria e Gjakovës 9 raste.

    Prokuroria Speciale ka sekuestruar: 4 automjete, 3 lokale afariste, para, pajisje teknologjike. Prokuroria e Pejës ka të sekuestruar: 10 automjete, para, telefona, masë drunore. Prokuroria e Prishtinës ka të sekuestruar: 7 automjete, para, telefona, naftë, pajisje teknologjike.

    Prokuroria e Mitrovicës ka të sekuestruar: 2 automjete, para, telefona, pajisje teknologjike. Prokuroria e Ferizajt ka sekuestruar: 11 automjete, stoli ari, para, telefona, veshëmbathje, artikuj ushqimor. Prokuroria e Gjilanit ka sekuestruar: 8 automjete, prona, ari, argjend, para, masë drunore, kafshë, telefona, duhan.

    Prokuroria e Gjakovës ka sekuestruar: 22 automjete, 1 kamion, 2 eskavatorë, para, telefona, pajisje teknologjike, pije alkoolike, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka sekuestruar: 17 automjete, 1 rolex, lira, para, telefona.

    Mirëpo, Makshana thotë se rastet kur ka vendim për konfiskim janë kryesisht të natyrave të lehta, ndërsa për rastet e veprave të korrupsionit apo të terrorizmit janë shumë pak.

    “Nëse e shohim me vitet e kaluara, nuk ka ndonjë ngritje të madhe në rastet konkrete për pasuritë e konfiskuara, kjo për shkak se siç e dimë në vendin tonë procedurat janë të tejzgjatura, pastaj zvarriten rastet gjyqësore, por edhe këto rastet që janë konfiskuar janë zakonisht raste të vogla dhe nuk janë raste nga të cilat vepra penale ka pasur keqpërdorime shumë më të mëdha, për shembull, veprat penale të korrupsionit, veprat penale të shpëlarjes së parasë, veprat penale të terrorizmit, ku ka pasuri të fituar në mënyrë të jashtëligjshme apo dikush ka pasur dobi pasurore nga një pozitë të cilën e ka mbajtur. Pra, në këto raste, nuk ka pasur vendime përfundimtare nga ana e gjykatave. Edhe në ato raste kur ka pasur, ka pasur shumë pak. Prandaj, edhe diskrepanca mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar është shumë e madhe”, deklaroi Makshana.

    Sipas të dhënave të raportit për krimet ekonomike nga 37 vendimet e konfiskimit, 10 raste janë për “falsifikim të dokumenteve”, 10 raste për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuuar të naroktikëve…”, 4 raste janë “kontrabandim me migrantë”, 3 nga “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Nga një rast për konfiskim ka pasur vendime për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “fajde”, “shpëlarje e parave”, “vjedhje e rëndë”, “tregti e ndaluar”, “shmangie nga pagesa e tarifave te detyrueshme doganore…”, “kontrabandim me mallra”, “dhënie e ryshfetit në sektorin privat”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe një rast tjetër për veprën “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Përballë përgjegjësisë që gjykatat kanë në gjithë këtë proces si dhe kritikat për procese të tejzgjatura, kemitentuar të marrim një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës porse deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk e kemi pranuar një të tillë.

    Ndërkaq, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se janë duke bërë plotësim-ndryshimin e infrastrukturës ligjore të të gjitha ligjeve që e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se po synojnë që përmes Fondit të konfiskimit, pasuritë e konfiskuara me vendim përfundimtar të shpërndahen edhe për përdorim social.

    “Tashmë jemi në plotësim të infrastrukturës ligjore të krejt ligjeve të cilat e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Tash, në këtë rast, nëse paratë vijnë nga Byroja e cila tashmë do të themelohet… dhe do të adresojë çështjen në gjykatë dhe gjykata do të konfiskojë ato, pastaj po ashtu është edhe konfiskimi në fushën penale, është Ligji për kompetencat e zgjeruara ku edhe aty në fushën penale çdo pasuri e konfiskuar do të derdhet në fond, dhe fondi do të ketë një komision të caktuar, ku ai komision, do t’i shpërndajë pasuritë për nevojat e qytetarëve, për grupet e marxhinalizuara të shoqërisë, siç janë viktimat që kanë pësuar nga dhuna në familje, njerëzit që janë prekur nga substancat narkotike dhe grupet e tjera të marxhinalizuara me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri”, thotë ai.

    Porse, Sallahu thotë se gjatë hartimit të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, kanë hasur në një problem, të cilin synojnë ta zgjidhin konform standardeve ndërkombëtare.

    “Jemi në hartim të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, ku na ka dal një problem me fondin monetar të konfiskimit, për faktin se ju e dini se në Republikën e Kosovës ekziston vetëm një kod buxhetor dhe është kompetencë e Ministrisë së Financave, dhe Ligji për menaxhimin e financave nuk e lejon që të kemi dy kode buxhetore në Republikën e Kosovës. Prandaj, këtu kemi një pezullim të punës të hartimit të draftit të Fondit të konfiskimit për faktin se tash jemi në prag të zgjidhjes dhe rekomandimeve të reja nga Zyra e BE-së dhe Këshilli i Evropës, për të parë se si të gjendet një formë më e mirë e komunikimit me Ministria e Financave dhe të gjejmë modalitete më të mira që të kemi një kod, ose një tjetër kod të veçantë ose ndonjë formë tjetër alternative se si duhet të bëhet administrimi i fondit monetar nga Ministria e Drejtësisë sepse nuk lejon legjislacioni në fuqi të ecim përpara pa ardhur tek një zgjidhje e mirë. Tash jemi në pritje të ndonjë rekomandimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare, besoj shumë shpejt, brenda javës së ardhshme do të kemi rekomandime nga ta”, thotë Sallahu.

  • Në Prizren u shënua “Dita e Karabashit”

    Në Prizren u shënua “Dita e Karabashit”

    Me 5 maj në Prizren shënohet “Dita e Karabashit” ose siç njihet ndryshe dita e “Shën Gjergjit”.

    Qytetarë të shumtë janë mbledhur në rrugët dhe parkun kryesor të qytetit historik për të kremtuar këtë ditë.

    Kjo festë konsiderohet e lashtë nga qytetarët e Prizrenit derisa ka mbetur në driditat e këtij vendi.

     

  • Bëni kujdes kur përdorni letrën e aluminit gjatë gatimit!

    Bëni kujdes kur përdorni letrën e aluminit gjatë gatimit!

    Në secilën kuzhinë mund të hasim në letrat mbështjellëse të ushqimit nga alumini. Por a keni menduar ndonjëherë se jo të gjithë ushqimet duhet mbështjellë me këtë metal. Ndjekim kronikën në vazhdim për t’i kuptuar detajet nga mënyra se si përdorët letra e aluminit deri tek përbërja e ushqimit me të cilin bie në kontakt.

    Janë një seri rregullash për ruajtën dhe gatimin e ushqimit pa shkaktuar asnjë rrezik për shëndetin.

    Përdorimi i mire i aksesoreve te aluminit mund të kufizoje rreziqet.

    Ka shume burime te aluminit dhe gjurmët e këtij metali gjenden tashme ne ushqime të shumta.

    Ministria e Shëndetësisë ne Itali ka nisur një fushate informuese për ndërgjegjësimin për përdorimin korrekt te letrës së aluminit në kuzhine.

    Ne baze te analizave qe janë kryer së fundmi nga departamenti i kimisë i Universitetit të Milanos dhe nga Instituti për Shëndetin, ne fakt, rezultoi se letra e aluminit është ne gjendje te lëshoje grimca te cilat më pas migrojnë ne ushqim.

    Kjo ndodh kur letra e përberë nga alumini vihet në kontakt me ushqimet me aciditet ose me ushqimet gate gatimit.

    Një mënyre e mire për të kufizuar sa më shumë gëlltitjen e aluminit është të mësoni se si të përdorni letrën e aluminit në mënyrën më korrekte.

    Duke qenë se lirimi i grimcave të aluminit nga materialet që e përmbajnë varet nga faktorë të ndryshëm, është mirë të njiheni me të gjitha shkaqet nxitëse për t’i shmangur ato sa më shumë.

    Shumë faktorë të ndryshëm ndikojnë në lirimin e grimcave të aluminit.

    Nga mënyra se si përdorët letra e aluminit deri tek përbërja e ushqimit me të cilin bie në kontakt, nga temperatura e ambientit dhe e ushqimit deri ne kohen e ruajtjes, pra ka shume faktorë që mund te ndikojnë.

    Rregulli i parë që duhet respektuar me përpikëri është mos përdorimi i letrës së alumini ose enëve prej këtij materiali në rastin e ushqimeve me aciditet ose të kripura.

    Mos përdorni alumin me limon ose uthull. Pra, kini kujdes kur duhet të ruani, konsumoni ose gatuani ushqime te kripësuara.

    E njëjta gjë vlen edhe për ushqimet që janë marinuar me lëng limoni ose uthull.

    Çdo ushqim i pasur me erëza aciditeti ose të kripura nuk është i mire për tu mbështjellë me letër alumini ose për t’u vendosur në një enë alumini.

    Një paralajmërim tjetër është ai i ripërdorimit.

    Ripërdorimi i letrës së aluminit duhet shmangur absolutisht.

    Kini kujdes të mos gërvishtni shtresën e aluminit të tenxhereve dhe tiganëve.

    Një pikë tjetër e rëndësishme ka të bëjë me veshjen prej alumini të tenxhereve dhe tiganëve që nuk ngjisin.

    Duhet pasur kujdes që këto sipërfaqe të mos gërvishten dhe të mos dëmtohen me sfungjerë gërryes dhe ndonjë mjet të mprehte.

    Ruajtja në temperaturën e dhomës nuk është e përshtatshme për të gjitha ushqimet.

    Megjithatë ka disa lloje ushqimesh që mund të qëndrojnë në kontakt me aluminin në temperaturën e dhomës për më shumë se 24 orë.

    Le te shohim me poshte se cilat ushqime mund te ruhen ne ketë mënyre pa iu drejtuar ambienteve frigoriferike.

    Ndër ushqimet qe mund t’i ruani te mbështjella ne letër ose ne ene alumini në temperaturë ambienti janë kakaoja, çokollata, kafeja dhe sheqeri.

    Erëzat dhe barishtet mund te ruhen gjithashtu në temperaturën e dhomës, duke i mbështjellë me fletë alumini ose duke i vendosur në enë që përbëhet nga një material i tillë.

    Në temperatura të dhomës mund të mbështjellën me letër alumini edhe produktet e bukës, drithërat dhe ushqimet e thata.

    Rreziku toksikologjik i aluminit tek te rriturit është i kufizuar.

    Tek të rriturit e shëndetshëm, përthithja është më e dobët.

    Por, për të sapolindurit, foshnjat, fëmijët nën 3 vjeç, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje të veshkave, duhet treguar kujdes i veçante, pasi janë më të prekshëm ndaj toksicitetit të aluminit.

    Për të gatuar ushqimin, për shembull, mund të përdoren enët prej balte dhe çeliku, si dhe enët e furrës prej qeramike.

    Në vend të kësaj, për të ruajtur ushqimin, mund të zgjidhni një enë qelqi, shumë më e sigurt për shëndetin.

    Ne rast pikniku ose ushqimesh jashtë qytetit, mund të zgjidhni alternativa të tjera më të sigurta dhe më miqësore edhe me mjedisin.

  • ​Konjufca: Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia

    ​Konjufca: Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pesimist se do të arrihet një zgjidhje për Asociacionin.

    Ai thotë se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta, andaj nuk pret diçka pa u demokratizuar Serbia. Sipas Konjufcës ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.

    “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, thotë ai.

    Duke vlerësuar shkarkimin e ekipit menaxhues që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit, Konjufca thotë se puna e tyre ka qenë në përputhje me interesat e Serbisë.

    “Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan. Kjo ka qenë edhe thirrja ime e mëhershme që të shkarkohet ekipi i menaxhimit, pasi nuk përfaqëson fare Kosovën. Ne jemi shtet, do të qëndrojmë shtet, jemi të sigurt në rrugën tonë dhe institucionet e Kosovës nuk mund t’i prezantojnë interesat e institucioneve të Serbisë. Ajo çka është e logjikshme, pritshme dhe kushtetuese është që t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës. Ky nuk ishte rasti me ekipin menaxhues i cili është caktuar prej vitit 2018 në këtë përbërje”, shton Konjufca.

    Konjufca thekson se kushtëzimi për themelimin e Asociacionit me kthimin e serbëve në institucione nuk mund të zgjidh problemet.

    “Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë. Duke kushtëzuar dhe thënë se ne nuk vijmë institucione të Kosovës, por na jepni fillimisht Asociacionin kjo nuk çon askund dhe kështu nuk mund të zgjidhen problemet”, thekson ai.

    Në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel më 2 maj, është prezantuar draft-statuti i Asociacionit, nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës.

    Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ky draft-statut është i papranueshëm për Kosovën, derisa bëri të ditur se ka paraqitur një draft-vizion për themelimin e Asociacionit.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky draft-statut për Asociacionin nuk është final, mirëpo do të jetë një pikënisje për diskutimet e mëtutjshme.

  • Shpërthim afër stacionit të policisë në veri

    Shpërthim afër stacionit të policisë në veri

    Një shpërthim në afërsi të stacionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Si pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike. Policia është duke e trajtuar rastin si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, është shprehur Elshani.

  • Ferizaj, ndezën qirinjtë në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë

    Ferizaj, ndezën qirinjtë në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë

    Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt dhe shoqëria civile kanë organizuar një aktivitet të veçantë për të nderuar dhe përkujtuar 1432 viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

    Në këtë aktivitet që u mbajt në sheshin qendror të Komunës së Ferizajt, janë ndezur qirinjtë për t’i nderuar viktimat dhe për t’i dhënë një mesazh të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

    “Ky aktivitet ka si qëllim të ndikojë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe për të nderuar dhe respektuar të gjithë ata që kanë humbur jetën gjatë kohërave të vështira dhe të dhimbshme për Kosovën dhe popullin tonë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Ferizajt.

    Organizatorët e këtij aktiviteti, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, kanë bërë thirrje për të gjithë qytetarët për të ndërgjegjësuar dhe mobilizuar në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes në Kosovë.

    Në këtë aktivitet ishin prezentë përfaqësues të Kuvendit të të Rinjve të Ferizajt, shoqërisë civile dhe të rinjtë nga Ferizaj. Ky aktivitet është një tregues i vazhdueshëm i përkushtimit të shoqërisë civile dhe të rinisë për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme, të ndershme dhe të bashkuar, duke përkujtuar 1432 viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

    Organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti kanë dëshiruar të theksojnë se rinia e Kosovës nuk do t’i harrojë viktimat e luftës dhe se ata vazhdojnë të angazhohen në veprimtaritë e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove paqësore, demokratike dhe të qëndrueshme.